Uncategorized

Privatizimi: procesi, tregu, dhe definicioni i suksesit

Bardhyl Salihu

Me shitjen e shpërndarësit të vetëm të energjisë elektrike (KEDS), janë rikthyer zhurmat kundër privatizimit në Kosovë. Përkrahësit e privatizimit (si ne në këtë blog) po akuzohen që përkrahja e tyre përfshinë në mënyrë implicite dhe eksplicite përkrahjen edhe për mënyrën apo formën se si po ndodhë privatizimi në Kosovë.

E vërteta është që përveç synimit për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, përkrahësit e privatizimit dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë asgjë tjetër të përbashkët. Madje, as parimin për privatizim nuk e kanë të përbashkët sepse impulsi prapa privatizimit në anën e Qeverisë nuk është ndonjë qëndrim apo parim ekonomik, por nevoja urgjente dhe ad hoc për t’i mbuluar shpenzimet shtetërore, kryesisht ato të ndërtimit të rrugëve.

Fatkeqësia është që ata që përkrahin privatizimin në parim, në mënyrë të gabuar dhe me hamendje besohen të jenë automatikisht edhe përkrahës të politikave të Qeverisë. Një gjë e tillë është e gabuar sepse përkrahësit e privatizimit janë të parët që kritikojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës dhe rolin e saj në ngecjen ekonomike.

Procesi

Dallimi themelor natyrisht duhet të bëhet në mes parimit që shteti duhet të ketë rol sa më të kufizuar në ekonomi (prandaj të privatizoj) dhe procesit apo mënyrës se si ky privatizim duhet të ndodhë. Për parimin kemi shkruar shpesh (shiko artikujt në fund) dhe nuk do t’i përsërisim argumentet, por duhet të ritheksohet që mënyra se si po ndodhë tani privatizimi në Kosovë nuk është e drejtë dhe nuk gjenë mbështetje nga ekonomistët që ftojnë privatizimin.

Në Kosovë privatizimi është karakterizuar me mungesë absolute të transparencës dhe me dhënie të favoreve të veçanta për grupe të ngushta të interesit. Si rezultat, ndërmarrjet shtetërore janë privatizuar nga kompani që në kushte normale nuk do t’i fitonin tenderët. Shembull konkret është dhënia e disa ndërmarrjeve shtetërore kompanive turke me të cilat krerët e Qeverisë kanë afërsi të vecantë politike.

Kjo është e kundërta me atë se çka përkrahësit e privatizimit thonë. Sipas tyre, privatizimi duhet të ndodhë në mënyrë transparente; ndërmarrja e cila paguan më së shumti duhet të fitoj sepse tregon nevojën dhe gatishmërinë më të madhe për ta blerë asetin publik; si dhe pas privatizimit Qeveria duhet të hjekë dorë plotësisht nga imponimi i cfarëdo kushteve mbi ndërmarrjen private.

Megjithatë, është e rëndësishme të ceket që kemi argumentuar gjithashtu që menaxhimi shtetëror është aq i keq nga aspekti ekonomik si dhe privatizimi aq i nevojshëm sa që ai duhet të ndodhë edhe atëherë kur ka shkelje si ato që po ndodhin momentalisht në Kosovë.

Privatizimi i pamjaftueshëm pa treg të lirë

Njëra nga gjërat më të rëndësishme për tu kuptuar në lidhje me privatizimin është që privatizimi nuk mjafton—nuk i sjellë rezultatet pozitive—nëse nuk shoqërohet me një treg të lirë. Ajo çka e bënë dallimin është konkurrenca, jo privatizimi si i tillë, dhe për krijimin e kësaj konkurrence nevojitet largimi i cfarëdo pengese ligjore për të hyrë në treg.

Fjala këtu është për ofertat që i janë bërë kandidatëve për privatizim të PTK-së që kanë përfshirë privilegjin e të vepruarit pa konkurrencë për një periudhë të caktuar. Edhe aeroporti është dhënë me koncesion me këtë privilegj: asnjë aeroport tjeter nuk mund të konkurroj me të. Politika të tilla të restriksioneve janë tejet të dëmshme sepse e zvogëlojnë konkurrencën dhe si rezultat krijojnë monopole.

Definicioni i suksesit

Temë e debatit të ashpër për privatizimin ka qenë edhe konkluzioni i ngutur që privatizimi “ka dështuar”. Si indikatorë të këtij “dështimi” janë marrë disa faktorë të ndryshëm, duke filluar prej faktit që me privatizim ka ardhur deri tek largimi i punëtorëve nga puna e deri tek ndryshimi i sferës së afarizmit.

Ky definicion i suksesit është i cuditshëm dhe teknikisht i gabuar. Madje, marrja e zvogëlimit të numrit të punëtorëve si indikator është edhe kundërintuitive kur dihet haptazi se ndërmarrjet shtetërore kanë punësuar një numër të tepruar të punëtorëve si rezultat i nepotizmit epidemik. Privatizimi është thjeshtë ai proces i cili i shpërlanë këto ndërmarrje nga punëtorët të cilët nuk e meritojnë të punojnë aty sepse nuk i arsyetojnë pagat e tyre. Në të njëjtën kohë, privatizimi u hap rrugën punëtorëve tjerë, zakonisht të rinjë, për t’i treguar aftësitë e tyre si dhe për të bërë punë të ndershme. Qindra punëtorëve që janë pjesë e PTK-së, KEK-ut, e ndërmarrjeve tjera shtetërore falë lidhjeve me pushtetin u mbetet ose të mbesin të papunë ose të ri-rreshtohen në punë në të cilat prodhimtaria e tyre është adekuate. Nëse janë vërtetë të mirë, atëherë nuk kanë pse ti frikohen privatizimit.

Më tutje, nëse një ndërmarrje e privatizuar nuk merret me të njëjtën veprimtari afariste në të cilën ka vepruar ajo kur ka qenë shtetërore nuk do të thotë fare që privatizimi ka dështuar. Ka pasur raste kur ndërmarrje të tekstilit janë shëndrruar në qendra tregtare dhe si pasojë kanë lindur ankesat që kinse privatizimi ka dërguar në shpërdorim. Por e vërteta është që vetëm tregu e din se në çfarë veprimtarie biznesore duhet të afaroj një kompani. Nëse tekstili ka qenë profitabil 20-30 vite më parë, sot nuk është, ose së paku Kosova e ka humbur përparësinë krahasuese ndaj vendeve që gjatë kësaj periudhe kanë ecur shumë më përpara. Po qe se vazhdimësia e të njëjtit aktivitet do ishte e mençur, atëherë pronari i kompanisë do ta vazhdonte sepse do të përfitonte nga ajo. Me vetë faktin që ai i ka dhënë ndërmarrjes kahje tjetër tregon që ai aktivitet biznesor nuk është më i duhuri dhe që vazhdimi i asaj linje të biznesi do të gjeneronte vetëm humbje.

Përkrahësit e privatizimit, pra, nuk janë përkrahës të procesit apo formës së tij në Kosovë, e aq më pak përkahës të politikave të Qeverisë. Privatizimi nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me liberalizim të tregjeve, çka edhe përbën vetë esencën e privatizimit në radhë të parë. Së fundi, definicioni i suksesit që është adoptuar nga disa duke shikuar nëse numri i të punësuarëve po bie apo nëse ndërmarrjet e privatizuara po vazhdojnë veprimtarinë në të njëjtën linjë biznesore është i gabuar.

Artikujt e kaluar në lidhje me privatizimin: