ekonomi

Problemi i mbipunësimit

Etjon Basha

Kemi theksuar disa herë (1,2) në këtë blog që problemi i ‘papunësisë’ në Shqipëri dhe Kosovë nuk aspak problem papunësie por pagash të ulëta. Kemi parë që niveli i pagave përcaktohet nga stoku i kapitalit për punëtor në ekonomi, dhe që rruga e vetme për të rritur pagat do jetë rritja e investimeve (kryesisht të huaja) në ekonomitë e shqiptarëve.

Mirëpo stoku i kapitalit për punëtor mund të rritet edhe në një mënyrë tjetër, dhe sa më shumë që njoh tregun e punës në Shqipëri aq më shumë bindem që kjo metodë do ishte gjithashtu shumë e vlefshme dhe e shpejtë: e kam fjalën për uljen e numrit të punëtorëve.

Ndofta është përshtypja ime e gabuar, por po vë re që shumë ndërmarrje punësojnë vazhdimisht më shumë persona nga ç‘nevojiten. Një punë që mund të mbushte ditën e 3 punëtorëve shpërndahet mes 5 vetash. Sigurisht që shteti është mjeshtër i padiskutuar në lojën e mbipunësimit, por ajo që më shqetëson është që dhe sipërmja private nuk është dhe aq efektive në punësim sa mund të ishte.

Nëse do më duhej të spekuloja, do mendoja që kjo mangësi rrjedh nga mendësia ende etatiste e pjesës dërmuese të shqiptarëve. Duket se sipërmarrësit ndihen ‘në faj’ që po drejtojnë biznese të suksesshme ndërkohë që ka ende varfëri tjetërkund dhe kështu përpiqen të shfajësohen duke punësuar sa më shumë njerëz. Ndofta pronarët ende nuk janë çliruar plotësisht nga mendësia e sistemit socialist (ku shumica e tyre janë formuar) që shihte punën si të mirë në vetvete, dhe aspak në funksion të rezultatit. Një gjë është e sigurt: për një herë këtu nuk duket të ketë gisht shteti por kemi të bëjmë e një fenomen tërësisht spontan.

Cilado qofshin shkaqet, pasojat e mbipunësimit janë të qarta: pagat bien për këdo, punësimi rritet disi dhe koha produktive në punë zvogëlohet. Punonjësi produktiv dhe korrekt tashmë i lëshon një pjesë të pagës kolegut të tij jo aq produktiv dhe korrekt që në fakt nuk duhet të ishte fare në punë. Pasojat për moralin në punë dhe nxitjen për të fituar aftësitë e korrektesës që aq shumë i çmojmë tek të huajt cënohen.

Sikur magjikisht nesër kjo mendësi të zhdukej dhe çdo sipërmarrës të zgjohej me përkushtimin maksimal për të mos punësuar asnjë person më shumë nga ç’duhet, pasojat do të ishin të qarta: numri i të ‘papunëve’ do rritej ndërkohë që, në dukje paradoksalisht, pagat do rriteshin. Rezerva e të ‘papunëve’ të rinj do duhej shkarkuar në emigracion përndryshe do shkaktonte probleme në rendin publik.

Nëse ky skenar ju duket fatalist, duhet të kuptojmë se pasojat e mbipopullimit të Shqipërisë të lindur nga zerimi i emigracionit gjatë gjysmë-shekullit socialist ende nuk janë zhdukur: me stokun e varfër të kapitalit të vendit tonë, popullsia aktuale është me gjithë gjasat ende e tepërt. Mbipunësimi thjesht siguron që të gjithë do jetojmë keq, ndërkohë që punësimi optimal do siguronte që së paku pjesa më produktive e shoqërisë ti lejonte vetes standardin e jetesës që meriton.  Nëse ndonjë sipërmarrës ende mendon se ia vlen të mbipunësojë si formë ndihme, le të ndihmojë të papunët nga fondet vetjake me anë të shoqatave të shumta që gjenden. Të ulësh pagat e punëtorëve produktive për të ndihmuar ata jo-produktivë nuk është masë për tu përgëzuar.

Nëse vërtetë mbipunësimi është problem i konsiderueshëm në sektorin privat, atëherë sa më herët të çlirohen sipërmarrësit dhe menaxherët nga mendësia që sjell nxitjen për të pajtuar më shumë persona nga ç’nevojiten, aq më shpejt do optimizohet gjithë struktura e biznesit në Shqipëri dhe aq më shpejt do rritet mirëqenia e punëtorëve korrektë dhe produktivë që, sot për sot, nuk shpërblehen aq sa duhet për këto veti të rralla.

Vini re që nuk po them që tendenca për të mbipunësuar është moralisht e gabuar. Sipërmarrësi është pronar sovran i biznesit të tij, dhe mund të punësojë sa persona të dëshirojë pa i dhënë llogari kujt, aq më pak mua. Ajo që po them është që nëse këta sipërmarrës mendojnë se po ndihmojnë vendin duke vepruar kështu, gabohen. Le të vendosin vetë tashmë nëse duan të vijojnë në këtë rrugë.