ekonomi

Problemi real i Shqipërisë

Ndonëse me siguri askush nuk është veçanërisht i frymëzuar nga realiteti i përditshëm i Shteteve Shqiptare, ky realitet duhet t’ju duket fare dëshpërues etatistëve patriotë. Ndonëse me dëshirë të mirë për ta parë Shqipërinë një vend të zhvilluar, apo së paku në zhvillim të shpejtë, ata megjithatë drejtohen nga besimi i patundur tek shteti ideal (por asnjëherë tek shteti  siç ekziston në realitet), dhe me siguri që u rëndojnë më shumë se kujtdo tjetër dështimet e përditshme të shteti tonë të dashur.

Fundja, a nuk miratohet vit pas viti, dhe pavarësisht kahut ideologjik të shumicës së ditës, buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, qoftë nga niveli i shpenzimeve, qoftë nga niveli i të hyrave? A nuk po futet shteti çdo ditë e më nëpër çdo fushë të përfytyrueshme, ku me sa duket nuk mund të tolerohet më dora e lirë e tregut, por duhet me domosdo të na drejtojë vullneti i ndritur i ndonjë burokrati nëpër aksh drejtori në Tiranë? A nuk po behët çdo ditë e më e qartë që edhe aty ku, sot për sot e veçse për mungesë mundësisht financiare dhe organizative, shteti nuk ndërhyn dot, do vijë së shpejtë dita e “shtetëzimit” de fakto? Sapo heqim shikim një çast, a nuk shtohen si me magji qindra e mijëra faqe legjislacion të ri, s’do mend në përputhje të plotë me Acquis Communautaire? A nuk kthehen përvit në Shqipëri, disa me dëshirë e të tjerë të detyruar nga rrethanat, mijëra të rinj të arsimuar jashtë shtetit që orvaten të përfshihen në radhët e organeve shtetërore?

E megjithatë, Shqipëria nuk po duket se ecën më shpejt në rrugën drejt konvergjencës së shumëpritur me Perëndimin. Madje.

Ngado hedhim sytë, sërish shohim mangësi të skajshme. Rrugët, spitalet, shkollat, kopshtet,  burgjet, gjykatat, hapësirat e gjelbra, drejtoritë, ministritë, fermat, autobuzët, portet, zyrat: ngado paska nevojë urgjente për investime nga më të ndryshmet.

Me siguri që etatisti mesatar dëshpërohet kur mendon se sa e sa fonde e sa e sa të rinj të arsimuar me “frymën e duhur” duhen angazhuar në shtet që të nisin të prodhojnë qindra faqet e akteve nënligjore që duhen për të rregulluar këto mangësi.

Ja pra, mund tu japim një lajm të mirë miqve tanë etatistë: përpiquni sa të doni të rrisni fuqinë faktike të shtetit në shoqërinë shqiptare, e sërish nuk do përparoni asnjë centimetër në rrugën drejt Perëndimit. Edhe nëse gjithë elita mendore shqiptare të punonte me zell nëpër institucionet publike, sërish spitalet do mbeteshin me pajisje të vjetruara e barna placebo.

Dhe sado të kërkoni, aq më shumë do gjeni fusha ku ju duket urgjente ndërhyrja e shtetit. A nuk jemi dukshëm  prapa Perëndimit edhe në estetikën e kamionëve që mbledhin plehra? E shihni që nuk ju kish shkuar mëndja këtu? Ç’prisni pra, futjuni punës!

Por lajmi i mirë: nuk ka nevojë të merremi publikisht me secilën prej këtyre fushave për të rritur nivelin e tyre. Në fakt, të gjitha këto mangësi rrjedhin natyrshëm nga një faktor i vetëm, i cili po të përmirësohet, në mënyrë të drejtpërdrejtë do ndikojë në përmirësimi e cilësdo fushë që mund të përfytyroni.

Në fakt, ndonëse shumë larg objektivit tonë, sërish po të krahasojmë vetëm me gjendjen mjerane ku na la mendësia juaj pra 25 vitesh, nuk mund veçse të mahnitemi (ndonëse moda e ditës është që, përkundrazi, të çuditemi se sa prapa paskemi bërë!) se sa janë zhvilluar vetiu secila prej këtyre fushave. A mos vallë sepse ndonjë drejtori e panjohur u mor me to?

Jo pra, përmirësimi që kemi parë rrjedh vetiu nga rritja e produktivitetit të shqiparëve ose, thënë në fjalë më të thjeshta, nga pasurimi ynë.

Është e kotë të mërziteni më mangësinë e ditës nëse mbeteni në analizën sipërfaqësore të fakteve. Skaneri magnetik i spitalit është i viteve ’60? Sigurisht, ç’presim me aq fonde sa kanë spitalet tona, që vetiu rrjedh nga aq fonde sa kanë shqiptarët ne xhep? Zgjedhja nuk është mes skanerit modern dhe atij të epokës së bronzit, por mes këtij të fundit dhe mungesës së skanerit.

Po të citonim për shaka idhullin tuaj Marks, do mund të thoshim që me nivelin e produktivitetit të viteve ’60 në Europë meritojmë skanerin e viteve ’60 në Europë. Prodhimtaria dikton nivelin e superstrukturës materiale!

Kështu me radhë, po të gërmojmë mjaftueshëm në shumicën dërmuese të problemeve që na bëjnë të gjithëve të dëshpërohemi: nëse i mendojmë gjatë, do shohim që Shqiptarët kanë ngritur që sot shoqërinë më të mirë që mund të ngrenë po të kemi parasysh nivelin tonë të pasurisë.

Nuk më besoni? Merrni e shqyrtoni çdo listë të renditur te vendeve pas prodhimit të brendshëm bruto për frymë (po, e di më që PBB-ja është statistikë e pasaktë, por duhet punuar me ato që na gjinden). Përpiquni të gjeni një vend të vetëm që është nën nivelin tonë të pasurisë për frymë që sërish mendoni që është më i mirë, i këndshëm, i rregullt, i pa korruptuar se ne. Nuk mundeni? Nuk çuditeni? Sa gjasa ka që të jetë “cilësia e jetës” (një kriter tërësisht i mjegullt që as ju nuk mund ta përkufizoni) që përcakton nivelin e pasurisë, dhe jo niveli i pasurisë që përcakton cilësinë e jetës?

Ja pra ku na shpaloset e fshehta përvëluese e botës bashkëkohore: cilësia e jetës, kjo tablo e përgjithshme që ju përpiqeni më kot ta copëtoni në një milion pjesë të vogla e të merreni me secilën në izolim, cilësia e jetës pra varet kryesisht dhe në radhë të parë nga pasuria për frymë, pra produktiviteti  punës, pra nga stoku i kapitalit.

Nëse biem dakort me këtë, do shohim në çast se ç’drejtim tërësisht të shtrembër ka marrë debati publik që gëlon nëpër institucionet, mediat e kafenetë tona. Sa kohë kemi pa dëgjuar një debat mbi ekonominë që nuk zhvillohet mes një grushti ekspertësh apo nuk përcillet me bezdi të madhe nga qeveria, si të qe një angari që duhet hequr qafe para se ti kthehemi muhabeteve që paskan më shumë rëndësi si reforma në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit apo idiotësitë e ditës së Bashkimit Europian?

Nëse duam ta vëmë para rrugën e gjatë që ende mbetet për në Perëndim, na duhet të përqendrohemi “si një lazer” tek problemi i zhvillimit ekonomik, thithjes së investimeve të huaja, apo vënies në punë të kursimeve vendase. Çdo çështje tjetër duhet të marrë shijen e diçkaje dytësore, të diskutimit se si do i shpenzojmë më vonë paratë që tani na duhet të fitojmë. Pra, në çdo rast të pyesim veten: a e ndihmon kjo ekonominë?

Ky është një hap jo i vogël mendor për etatistin mesatar. E parë në këtë këndvështrim, çështja e mirëqenies kthehet jo në detyrën kryesore të shtetit mitik, por në pasojën e natyrshme të zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, vini re që ajo që po diskutojmë këtu nuk është konvertimi në masë i  etatistëve tanë të dashur në liberalë të frymës së vjetër, me besim të patundur në dorën e padukshme të tregut apo interesit të ndritur të bukëpjekësit. Është plotësisht e mundur që etatistët tanë të bindin veten që varfëria shkakton problemet tona (dhe jo e anasjellta) e sërish të mbesin etatistë të devotshëm që orvaten ditë e natë të kërkojnë metoda se si mundet shtetit mitik të sjellë këtë zhvillim ekonomik. Pa u shtrënguar shumë për të kërkuar raste të tilla në histori, mendoni për Bizmarkun, De Golin, Çan Kai Shekun apo Perandorin Meji.

Është e qartë për këdo që ka ndopak njohuri historike që rruga e zhvillimit ekonomik etatist kërkon shpërdorime masive burimesh, burime që shoqëritë e varfra si e jona e kanë shumë të vështirë ti gjejnë. Por duhet të jetë po aq e qartë, që sërish nuk ka asnjë bazë krahasimi mes një shoqërie etatiste që së paku synon objektivin e duhur (ndonëse me mjete domosdoshmërisht infektive) dhe një shoqërie etatiste që as e ka idenë se ç’kërkon, po humbet një miliona probleme të vogla të së përditshmes, në mos në ankesa fëminore nëpër ekrane.

Fundja, siç kemi vënë në dukje më parë, raste të shoqërive etatiste me fokus ekonomik (që në praktikë degradojnë shpesh në korporatizëm-fashizëm) që pasurohen ka plot, ndërkohë që raste të etaizmit naiv që megjithatë pasurohet nuk gjejmë qoftë edhe një të vetëm.

Kështu pra, të dashur etatistë, çlironi veten nga stresi i madh i kërkimit të zgjidhjeve për 1001 probleme të vogla e të mëdha, dhe përqendroni fuqitë tuaja mendore tek problemi jetik që shpaloset para shqiptarëve: grumbullimi i kapitalit. Nëse arrijmë të mendojmë në këtë hulli do shohim që, si me magji, e përditshmja rregullohet vetë.

Do qe e këndshme të zhvillonim debatin e madh mes modelit etatist dhe liberal të zhvillimit. Por për shqiptarin mesatar je jeux sont fait, dhe do na duhen ende disa dekada para se liberalizmi të ngre sërish kryes si një lëvizje e organizuar. Ndërkohë, le ti hyjmë debatit mes rrugës së zhvillimit që ofrojnë etatizmi naiv dhe etatizmi realist. Sa më e lehtë do duket rruga e zhvillimit:  It’s the economy, stupid!

3
E dimë të gjithë tekstin