Uncategorized

Programet ekonomike në prag të zgjedhjeve

Bardhyl Salihu

Është bërë tashmë zakon që programet politike në prag të zgjedhjeve të gjykohen për nga gatishmëria e partive për t’i mbajtur premtimet. Me këtë është neglizhuar një çështje tjetër më thelbësore: a janë të dobishme ato premtime në radhë të parë? Premtimet e padobishme është më mirë të mos mbahen fare.

Prandaj synimi i këtij shkrimi është të bëhet një analizë e përgjithshme e programeve ekonomike të tri partive kryesore, Lëvizja VETËVENDOSJE! (VV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Në interes të leximit të shkurtër, do të veçohen vetëm premtimet ekonomike të cilat spikasin apo që kanë ndikim të madh.

Këto premtime do të gjykohen në dy kuptime: Së pari, a janë të realizueshme financiarisht? A ka dhe a mund të ketë buxhet një vend i vogël si Kosova për t’i paguar ato? Nuk ka logjikë të analizohet efekti i premtimeve të parealizueshme.

Së dyti, për aq sa janë financiarisht të realizueshme, a janë të dobishme? Jo vetëm për një grup të caktuar të njerëzve, por për shoqërinë në përgjithësi, si dhe jo vetëm në afat të shkurtër, por duke i pasur parasysh edhe pasojat afatgjate.

Në grupin e parë të premtimeve të parealizueshme hyjnë një sërë premtimesh gjigante dhe krejtësisht të pabaza, për të cilat nuk është dhënë as projektimi më optimist për financimin e tyre. Këtu janë fondi i 500 milion eurove që PDK e ka propozuar, së bashku me pagesën e shumës së interesit për huamarrësit prodhues dhe eksportues, si dhe dyfishimi i kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive (përfshirë deri në 100% të huas). Pastaj premtimi i VV që të themelohet Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore e të shuhet Agjencia e Privatizimit, e të themelohet Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë me deri 100 milion euro në vit, si dhe premtimi i LDK që të investojë €5 miliard në sektorin publik e €7 miliard në atë privat. Në vend të këtyre fantazive do të trajtohen disa propozime më reale.


  • Paga minimale

VV ka premtuar rritjen e pagës minimale në €250/muaj, kurse LDK në €300/muaj (përfshirë eliminimin e nivelimit të moshës që ekziston në ligjin aktual). Siç e kemi trajtuar disa herë në të kaluarën, paga minimale është e dëmshme sepse e rritë papunësinë. Keqkuptimi i madh rreth saj ka të bëj me besimin që paga minimale i rritë pagat e të gjithë punëtorëve. Në fakt, paga minimale është vetëm një ligj i cili ia ndalon punëdhënësit punësimin e një punëtori nën një pagë të caktuar. Por nëse prodhimtaria e atij punëtori, që është përcaktuesi kryesor i pagës, është nën nivelin e pagës minimale, atëherë punësimi i tij përbën humbje për punëdhënësin. Për shembull, nëse prodhimtaria e një punëtori (dobia e tij për biznesin) është €200 në muaj, kurse paga minimale €250 apo €300, atëherë punëdhënësit të tij i bie t’i humbas €50 deri në €100 euro në muaj. Rrjedhimisht, personat me prodhimtari më të ulët se paga minimale mbesin të papunë, kurse të njëjtit që veçse janë të punësuar pushohen nga puna. Nëse shteti e ndalon pushimin e tyre nga puna, atëherë paga minimale shndërrohet në tatim ndaj biznesit në lartësinë e humbjes që ia shkakton ajo.

  • Largimi i monopoleve dhe konkurrencës së padrejtë, kryerja e pagesave me kohë për secilin kontraktim nga sektori publik

Ky premtim i VV është shumë i realizueshëm dhe shumë i mirëseardhur. Ekonomia e Kosovës qe një kohë vuan nga monopolet dhe kuazi-monopolet privilegjuese të krijuara nga marrëdhënia klienteliste në mes pushteteve të ndryshme dhe bizneseve të caktuara. Ndër to spikasin homologimi dhe monopoli i arkave fiskale. Por edhe në fusha tjera, tregtia në të gjitha nivelet e zinxhirit të vlerës nuk është krejtësisht e hapur dhe përbën pengesë për ushtrimin e ndërmarrësisë. Edhe zbatimi selektiv i ligjeve që prekin biznesin (si ato tatimore apo rregullative) e dëmton konkurrencën e lirë, kurse pagesat e parregullta në kontraktim nga sektori publik i dëmtojnë bizneset financiarisht.

  • Pushimi i lehonisë

VV ka premtuar pushim të lehonisë 12 muaj, pjesërisht i paguar nga shteti. Ngjashëm ka premtuar PDK, përfshirë për burrat, por asnjëra nuk e ka specifikuar kohëzgjatjen. Natyrshëm mund të duket që ky ligj është i dobishëm për gratë, por në fakt shkenca e ekonomisë na mëson që çdo ligj apo masë që e bën një punëtor më të kushtueshëm, e bën atë më pak të punësueshëm. Marrë parasysh që shumica dërmuese e bizneseve në vend janë të vogla apo të mesme, është tejet e kushtueshme për to që të paguajnë pagë për gra që nuk janë në vendin e punës. Për më tepër, kur të kthehen pas 12 muajve, shkathtësitë e tyre nuk do të jenë të njëjtat. Efekti i përgjithshëm i këtij ligji do të jetë hezitimi i madh për të punësuar gratë që priten të kenë fëmijë, duke i dëmtuar kështu prospektet e tyre për karrierë. Asnjëra parti nuk e ka përcaktuar masën sa shteti (lexo: tatimpaguesi) do ta mbulojë koston e këtij ligji. Asnjë projektim nuk është bërë se sa mund t’i kushtojë kjo buxhetit.

  • Heqja e obligimit që TVSh të paguhet në kufi

Të tri partitë e kanë premtuar me të drejtë këtë ndryshim, i cili sidomos tani në kohë të pandemisë do të ketë efekt të mirëseardhur në rritjen e likuiditetit të ndërmarrjeve dhe përmirësimin e problemeve që lidhen me rrjedhjen e keshit.

  • Ulja e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave

PDK ka premtuar uljen e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave deri në 0%, varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve. Ky premtim është i mirëseardhur por me efekt shumë të kufizuar meqë as 1% e ndërmarrjeve në Kosovë nuk janë korporata dhe pjesa tjetër e ka realisht të vështirë të shndërrohet në një të tillë. Edhe pse ato përbëjnë një pjesë të madhe të qarkullimit dhe Bruto Prodhimit Vendor në përgjithësi, gjasat që ulja e tatimeve të përkthehet në rritje në investim nga korporatat janë më të vogla për shkak se ato veçse janë mirë të kapitalizuara për t’i shfrytëzuar mundësitë investuese. PDK ka premtuar po ashtu, me të drejtë, mos rritjen e tatimeve apo krijimin e tatimeve të reja kurse LDK ka premtuar disa përjashtime nga tatimi si lënda e parë.

  • Punësimi i garantuar për të rinjtë

VV ka premtuar punësim të garantuar për të rinjtë e moshës 16-18 vjeçare deri në 1 vit. Asnjë shifër nuk është ofruar për të treguar sa do të kushtojë kjo dhe nga do të mbulohet. Për më tepër, kjo lloj mendësie që e vë punësimin në qendër të vëmendjes ekonomike e harron një të rëndësishme: nuk është punësimi në vetvete që ka rëndësi por produkti i punës. Nëse shteti i angazhon të gjithë ata që duan punë që të hapin gropa dhe t’i mbyllin ato përsëri, papunësia mund të ulet deri në 0%. Por e gjithë ajo energji pune do shpërdorohet në prodhimin e një produkti të padobishëm për shoqërinë. Prandaj punësimi ka rezon ekonomik vetëm atëherë kur është në shërbim të prodhimit të diçkaje për të cilët konsumatorët kanë dobi dhe janë të gatshëm të paguajnë. Përmirësimi i prospekteve për punësimin e të rinjve bëhet më së miri me reformimin e sistemit arsimor, duke e lidhur atë me nevojat dhe kërkesat e tregut të punës. Ndërmarrjet janë të interesuara të punësojnë të rinj; por shumë pak të rinj i kanë shkathtësitë e nevojshme për të arsyetuar një vend pune.

  • Shtesa për fëmijët

VV ka premtuar shtesa për fëmijët në vlerë prej €20/muaj për 24 muajt e parë, pastaj €10/muaj deri në 16 vjet. Kjo i bie €2,160 për çdo fëmijë deri në moshën 16 vjet. Përsëri, një llogaritje për këtë premtim nuk është dhënë as përafërsisht. Sipas matjes së fundit të popullsisë para 10 viteve, në Kosovë kanë qenë 487,577 njerëz të moshës 0 deri 14 vjeç. Pa i llogaritur edhe ata të moshës 15-16, i bie që ky premtim të kushtojë mbi €1 miliard apo rreth €76 milion çdo vit. Por edhe më problematik është propozimi tjetër që për familjet me të ardhura nën €5,000 në vit të ndahen €150 për fëmijë. Një masë e tillë e inxhinierisë sociale jo vetëm që nuk është aspak e financueshme, por do të rezultonte në krijimin e fëmijëve (sidomos në komunitetet pakicë) vetëm për konsiderata financiare. Objekt i qeverisë duhet të jetë cilësia e popullsisë, jo sasia sipas parametrave arbitrarë të natalitetit.


Për fund, vlen të theksohet një paradoks për sa i përket programeve ekonomike dhe orientimit ideologjik të partive. Me përjashtim të VV si parti e majtë, LDK dhe PDK janë deklaruar si parti të djathta. Është për habi, prandaj, që programet e tyre ekonomike në shumë pika janë më të majta se ato të VV. Kjo flet për një mospërputhje të thellë programore dhe dëshirën për t’i tërhequr votuesit me premtime boshe.

Në përgjithësi të tri partitë nuk kanë programe që ofrojnë zgjidhje adekuate për problemet kryesore ekonomike në vend, siç janë varfëria (në veçanti ajo e skajshmja), papunësia, investimet e ulëta, sistemi i pafavorshëm tatimor dhe rregullator, administrata joefikase, përfshirja e tepruar e sektorit publik në ekonomi (në veçanti me ndërmarrjet e dështuara publike) e mbi të gjitha, sistemi i rrënuar i drejtësisë i cili e pamundëson zbatimin e barabartë të ligjit, mbrojtjen e pronës private dhe zgjidhjen drejt dhe shpejt të kontesteve komerciale.

Është e qartë që këto zgjedhje po trajtohen më shumë si referendum në mes të kaluares dhe të ardhmes, dhe në këtë kuptim programet ekonomike kanë më pak rëndësi, sidomos kur premtimet bëhen nga partitë që kanë qeverisur deri tani dhe kanë dështuar t’i mbajnë. Megjithatë, është në interes të votuesit të njoftohet për së afërmi me bindjet e partive që synon t’i votojë dhe të shkojë i informuar tek kutitë zgjedhore.