Uncategorized

Programi politik i VETËVENDOSJE! dhe të metat e tij (2)

Kapitulli 2 – Demokracia

Ne ketë kapitull, VETËVENDOSJE! nuk bënë deklarata aq kundërthënëse dhe thjeshtë e shfaq mendimin shumë të përhapur që demokracia është sistemi më i mirë i rregullimit shoqëror. Në të njëjtën kohë, VETËVENDOSJE! thotë që Kosova duhet të jetë republikë parlamentare me një qeveri e cila i përgjigjet kuvendit, i cili na qenka përfaqësim efikas i interesave të popullit (pika 15). Sistemi i demokracisë cilësohet nga shumë sot si sinonim i së mirës. Shumë politikanë, e sidomos ata vendorë, e marrin nëpër gojë si një ideal i cili duhet pasur parasysh gjithmonë.

Megjithatë, demokracia është dëshmuar në praktikë si një sistem i cili nuk ka funksionuar mu ashtu siç është paraparë. Ideja prapa demokracisë është t’i jap individëve votën për ta përdorur si levë kundër tiranisë shtetërore. Në praktikë, megjithatë, shumë qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike ose kanë bërë ndryshime në kundërshtim me vet dëshirat e votuesve ose janë zhytur në korrupsion. Edhe Qeveria e Kosovës është zgjedhur në formë demokratike, por sa janë të kënaqur votuesit me të? Fakti që votuesve u jepet mundësia të votojnë vetëm çdo 4 ose 5 vite e dobëson potencën e tyre për ndryshime duke e bërë sistemin më statik dhe më indiferent ndaj pakënaqësive. Por edhe nëse vihen anash këto probleme teknike, janë tri probleme tjera të cilat demokracia nuk mund t’i zgjidhë por në fakt i shkakton.

Kur Platoni e shkroi dialogun e tij Sokratik të quajtur Republika, ai me shumë të drejtë tha që demokracia është “sundimi i turmës”. Duke qenë se në sistemin demokratik e mirë është ajo që e definon shumica, ekziston rreziku i madh që jo vetëm dëshirat por edhe të drejtat themelore të pakicës të shkelen. Ideja e demokracisë lindi në Greqinë antike por u formulua si koncept modern politik vetëm në Epokën e Iluminizmit kur utilitarizmi i udhëhequr nga Xheremi Benthem dhe Xhon Stjuart Mill morri hov. Benthem e definoj utilitarizmin si një sistem në të cilin e mirë është ajo që sjellë “më së shumti kënaqësi për numrin më të madh të njerëzve” dhe i përqeshi të drejtat natyrore individuale duke i quajtur “gjepura mbi këmbë të shtagës”. Nuk na duhet më shumë se intuita e thjeshtë ta kuptojmë që një sistem i cili e legjitimizon dhunën vetëm sepse ndodh me pajtimin e shumicës është i padrejtë. Ky problem i demokracisë, megjithatë, u zvogëlua dukshëm kur filozofë e burrështetas e kuptuan që demokracia mund të ishte më e drejtë atëherë kur të drejtat themelore dhe natyrore të pakicës të mbroheshin. Realizimi praktik i kësaj ideje u përhap nëpër botë në kohë të ndryshme, por për herë të parë dhe fuqishëm u manifestua në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilën e hartuan Etërit Formues. Më vonë kur kjo Kushtetutë u përmirësua dukshëm me Projektligjin e të Drejtave (dhjetë amendamentet e para), ajo shërbeu si shembull në të cilin demokracia përfaqësuese (ashtu siç Xhejms Medison e interpretonte republikanizmin) mund të funksiononte pa i shkelur të drejtat e pakicës. VETËVENDOSJE! në kapitullin për demokracinë asnjëherë nuk flet për të drejtat natyrore të individit dhe nevojën për t’i respektuar ato edhe nëse janë në kundërshtim me mendimin e shumicës. Pa një sistem i cili i garanton fuqishëm të drejtat natyrore të çdo individi në shoqëri, pa marrë parasysh se a i përket shumicës a jo, demokracia nuk mund të jetë etike.

Problemi i dytë me demokracinë është ai të cilin e ka formuluar anarko-kapitalisti dhe teoricieni libertarian Hans-Herman Hop në librin e tij Democracy: The God That Failed (Demokracia: Zoti që dështoj). Hop argumenton që duke qenë se demokracia e kufizon kohën e politikanëve në pushtet, ajo i jep atyre një perspektivë shumë afat-shkurtë dhe i nxitë ata ta shpërdorojnë pushtetin (fuqinë që vjen prej tij dhe paratë të cilat shteti i mbledh) sa më shumë dhe sa më shpejtë që është e mundshme. Për ta shpjeguar këtë, Hop e merr monarkinë si analogji paralele të cilën e konsideron “qeveri private” të monarkut. Duke qenë se monarku e ka pozitën e pacenueshme në pushtet, është në interes të tij që ta mbrojë pronën e tij “private” e jo ta shpërdoroj atë sikur që do ta bënte po sikur të ishte për një mandat të caktuar. Ky argument është i njëjtë me argumentin ekonomik i cili e shpjegon pse prona publike ruhet më pak dhe shkatërrohet më shpejtë sesa prona private. Në fund, Hop e përfundon librin me porosinë që as demokracia dhe as monarkia nuk janë sisteme të drejta, dhe se sistemi i vetëm ideal është ai i “rregullit natyror” apo “kapitalizmit të pastër”.

Problemi i tretë me demokracinë është ai që ekonomisti Brajan Kapllan e quan “joracionaliteti i votuesit” në librin e tij The Myth of Rational Voter: Why Democracies Choose Bad Policies (Miti i Votuesit Racional: Pse demokracitë zgjedhin politika të gabuara). Kapllan e sfidon idenë që votuesit janë individë të arsyeshëm të cilëve shoqëria mund t’i besojë në krijimin e ligjeve dhe argumenton që zgjedhja e politikave të drejta nuk mund të bëhet nga të gjithë sepse jo të gjithë kanë njohuri të mjaftueshme për pasojat e disa politikave. Për shembull, ai shprehet se kjo injorancë shpesh reflektohet me paragjykimin dhe anshmërinë kundër tregut të lirë. Kapllan thotë që shumë individë “kanë prirje për t’i nënvlerësuar të mirat e mekanizmit të tregut” (2007, f. 30) dhe mendojnë që janë viktima të tij e jo pjesëmarrës në të. Në një intervistë me Xhon Stosel, i pyetur nëse argumenti i tij është elitist, Kapllan u përgjigj: “A është elitiste të thuhet që vetëm disa persona mund të bëjnë ndërhyrje kirurgjike?” Kapllan në fund thotë që ata të cilët nuk dinë se çka po bëjnë nuk i shërbejnë vendit duke votuar.

Kapitulli 3 – Drejtësia

Koncepti i VETËVENDOSJE! mbi drejtësinë është koncept etatist, i zhytur në keqkuptimin që ligji dhe e drejta burojnë dhe kodifikohen nga shteti. Shembull klasik i kësaj është fjalia tragjike: “Asnjë qytetar e asnjë komunitet nuk bën të lirohet nga obligimi për të respektuar ligjin e paguar taksat” (pika 21). Sipas VETËVENDOSJE!, pagesa e taksave nuk është akt i dhunës i kryer nga shteti ndaj individit dhe pronës së tij, por obligim i individit ndaj një grupi të politikanëve (që e formojnë shtetin). VETËVENDOSJE! shprehet se këto janë “të vërteta të vetëkuptueshme kudo në botë, me përjashtim të shteteve totalitare” (pika 21), por nuk e kupton që vet ideja e saj për të drejtën është totalitare. VETËVENDOSJE! e dëshmon këtë kur e përmbyllë pikën 21 me fjalinë e cila i ngjan dekreteve fashiste: “Jeta shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore duhet t’i nënshtrohet rendit kushtetues”.

Në pikën 23, VETËVENDOSJE! shprehet që ligjet duhen prodhuar kryesisht me ndihmën e “ekspertizës ligjore”. Kjo i ngjanë ideve të teknokracisë, një sistem shoqëror në të cilin vendimet shtetërore dhe ligjore përcaktohen nga “ekspertë” në fusha të ndryshme si shëndetësi, inxhinieri, ekonomi, etj. Kjo ide ishte e përhapur në regjimin nacional-fashist të Gjeneralit Francisko Franko në Spanjë në vitet ’60 dhe ’70, kur vendimet e tij për liberalizim të tregut quan në rritje të madhe ekonomike dhe përmirësim të mirëqenies së përgjithshme. Më vonë këto reforma u keqinterpretuan si meritë e teknokratëve të cilët Franko i solli në pushtet paralelisht me kohën kur e largoj kontrollin shtetëror mbi ekonominë.

Në fund, VETËVENDOSJE! e përmbyll kapitullin duke cilësuar se drejtësia duhet të shtrihet në 11 fusha (pika 25) nga të cilat 4 do t’i veçoja si të domosdoshme dhe të drejta, kurse të tjerat si thjeshtë të gabueshme e që do të analizohen në kapitujt në vazhdim. VETËVENDOSJE! ka plotësisht të drejtë që sundimi i ligjit duhet të jetë i pacenueshëm, por këtu duhet të kemi kujdes se për çfarë ligjesh bëhet fjalë. Së dyti, hetimi i krimeve të luftës duhet të jetë prioritet i shtetit të Kosovës. Tani 11 vjet pas gjenocidit serb është shumë e vështirë të identifikohen përgjegjësit për këto krime dhe pastaj të gjykohen në një sistem të rrënuar të drejtësisë i cili nuk mund t’i mbledhë as provat më themelore. Megjithatë, pamundësia praktike e këtij qëllimi nuk duhet ta dobësojë atë. Izraeli i ka kapur kriminelët e luftës me dekada pas mbarimit të saj dhe një shtet i mirëfilltë shqiptar do të duhej ta bënte këtë. Ndriçimi i fatit të pagjeturve është gjithashtu problematik. Në njërën anë, serbët nuk mund të detyrohen të bashkëpunojnë (përveç me kushtëzimin me hyrjen në EU, i cili nuk ka funksionuar deri tani me rastin Mlladiç), kurse në tjetrën, nuk duan sepse kjo do të vazhdoj t’i vë në pah krimet e tyre. Në fund, pika e katërt me të cilën pajtohem është përcjellja dhe ndjekja e aktivitetit të shërbimeve sekrete të cilat kanë vepruar kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, këtë do ta cilësoja më shumë si një problem teknik me të cilin duhet të merrej policia e cila do të duhej të ishte përgjegjëse për sigurinë brenda kufijve.

(Në shkrimin tjetër do të diskutohet kapitulli 4 dhe 5, përkatësisht, Qytetaria dhe Integriteti i Territorit)