Programi politik i VETËVENDOSJE! dhe të metat e tij


Bardhyl Salihu

Pas vendimit që të garojnë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen së shpejti, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka shfaqur programin e saj politik. Ky shkrim do të jetë seri e disa shkrimeve të cilat e analizojnë dhe kritikojnë programin e VETËVENDOSJE! kapitull për kapitull duke synuar t’i identifikojnë të metat e tij. Këtë kam vendosur ta bëjë për dy arsyeje; së pari, Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetmja lëvizje politike e cila meriton vëmendje dhe reflektim për shkak se është e vetmja lëvizje e cila rrezaton me sinqeritet në atë që e thotë. Lëvizjet dhe partitë tjera politike duken haptazi si grupe të ngushta të interesave që synojnë ta përdorin mekanizmin e dhunës—shtetin—si mjet për përfitim në dëm të gjithë shoqërisë së Kosovës. Ndoshta një përjashtim mund të bëhet me partinë e sapoformuar, Fryma e Re, por meqë kjo parti ende nuk ka publikuar një program politik diskutimi i tij është i pamundur.

Arsyeja e dytë është që VETËVENDOSJE!, përkundër vullnetit të mirë, nuk më ka bindur mua personalisht se ofron zgjidhje adekuate për problemet shoqërore në Kosovë. Shpesh jam pajtuar dhe pajtohem me përshkrimin që VETËVENDOSJE! dhe udhëheqësi i saj Albin Kurti i bëjnë situatës në Kosovë, madje nga ai kam mësuar shumë se si të shikoj përtej asaj që e shohin të gjithë. Megjithatë, zgjidhjet që z. Kurti dhe VETËVENDOSJE! i kanë ofruar për ta përmirësuar gjendjen janë thjeshtë të gabuara dhe vetëm sa do ta përkeqësojnë më tej.

Para se t’i qasemi analizës, është e rëndësishme të shikohet vet vendimi i VETËVENDOSJE! për të marrë pjesë në zgjedhje. Që nga formimi i saj e deri më sot, VETËVENDOSJE! gjithmonë ka thënë që strukturat politike në Kosovë janë në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe të drejtat e tij, janë uzurpim e kolonializëm i cili dirigjohet nga ndërkombëtarët e implementohet nga politikanët e korruptuar vendorë. E kur zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën, VETËVENDOSJE! i thirri qytetarët të mos votojnë e t’i bojkotojnë këto struktura jo-legjitime. Çështja është: çka ka ndryshuar sot që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë në rregull? Pse po pajtohet VETËVENDOSJE! tani të jetë pjesë e mu atyre strukturave të cilat i ka quajtur të korruptuara, jo-legjitime e në kundërshtim me vullnetin e popullit? Realiteti është që asgjë nuk ka ndryshuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është po ai organ shtetëror i cili është “përkujdesur” herën e fundit, ndërkombëtarët janë ende këtu nëpërmes EULEX-it zyrtarisht dhe UNMIK-ut jozyrtarisht, dhe klasa politike e ka ndryshuar formën nominalisht por mbetet e njëjta në thelb. Vendimi i VETËVENDOSJE! për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të shpjegohet ndryshe përpos si një paradoks.

Por le ta anashkalojmë këtë paradoks dhe le t’i qasemi programit. Para se të diskutohen kapitujt, është e rëndësishme të përmblidhet i gjithë programi dhe të theksohen pikat kryesore. Ideja thelbësore e VETËVENDOSJE! është që shteti, ashtu siç besojnë shumë shqiptarë, është sinonim i shoqërisë dhe mjet i saj për ta rritur mirëqenien. Në konceptin e VETËVENDOSJE! nuk ekziston individi apo liritë e të drejtat e tij personale, vetëm nocioni kolektivist i “popullit” qëllimet e të cilit VETËVENDOSJE! paraqitet sikur i di dhe është e gatshme t’i plotësojë. Me qenë se VETËVENDOSJE! e sheh shtetin kësisoj, ajo gjithashtu e rezervon një rol tejet të madh për të si planifikues të jetës shoqërore. Ky autoritet shtetëror pastaj reflektohet edhe në idetë ekonomike, të cilat së pari shfaqin analfabetizmin ekonomik të atyre që janë përfshirë në hartimin e tyre, e pastaj ideologjinë dhe mitologjinë tejet majtiste të Lëvizjes. Në përgjithësi, programi parasheh një rol shumë të madh për shtetin i cili as nuk mund të realizohet në praktikë e as që sjellë të mira. Shteti—i cili në thelb është organ i dhunës—nuk e rrit mirëqenien sepse çdo politikë shtetërore që implementohet bëhet kështu në favor të një grupi e në dëm të tjetrit. Ndryshe, dhuna nuk do të ishte e nevojshme për implementimin e një politike e cila është në favor të të gjithëve. Vetëm marrëdhënia e lirë në mes individëve mund të jap rezultate të kënaqshme për të dy palët sepse një marrëdhënie e tillë nuk do të ekzistonte po qe se palët e përfshira nuk do të shihnin të mira nga ajo. Shteti në anën tjetër, mund të ofroj vetëm ato shërbime për të cilat tregu i lirë nuk është adekuat, si për shembull shërbimet e mbrojtjes apo zgjidhjes së kontesteve nëpërmes një sistemi gjyqësor të drejtë.

Kapitulli 1 – Shtetëndërtimi

Ky kapitull nuk është shumë specifik, thjeshtë i përcakton disa nga qëllimet kryesore të cilat duhet të ndiqen për të garantuar sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe për ta krijuar një shtet i cili është burim i vullnetit të popullit. Në këtë kapitull dy probleme mund të trajtohen. Së pari, ideja kolektiviste që shteti duhet të jetë burim i “vullnetit të popullit” (pika 1, 2 dhe 10) dhe së dyti, ri-rregullimi i pranisë ndërkombëtare (pika 3 dhe 4).

Problemi me dy pikat e para është që nocioni i popullit është kriter i pa-arritshëm nëse përcaktohet për vendimmarrje. Populli nuk është një individ i vetëm i cili vepron por një grup i shumë individëve të cilët kanë mendime, besime dhe preferenca të ndryshme. Është e pamundshme të ndërtohet një ideologji politike e cila bazohet në kërkesat e të gjithë individëve (popullit), sepse kjo nënkupton trajtimin e këtyre kërkesave në formë homogjene. Edhe pse popullin e përbëjnë shumë individë të cilët të përbashkët e kanë ose etnitetin ose regjionin në të cilin banojnë, idetë e tyre për organizimin shoqëror mund të ndryshojnë rrënjësisht. Për shembull, një shqiptar mund të kërkojë që shteti jo vetëm t’i rregulloj por edhe t’i nacionalizoj ndërmarrjet mjekësore. Në anën tjetër, unë do të argumentoja që sektori privat është pakrahasim më i denjë në ofrimin më të lirë, më cilësor dhe më të drejtë (në kuptimin etik) të këtyre shërbimeve. Ne të dy i përkasim popullit shqiptar, por si do të harmonizohen kërkesat tona krejt të kundërta? Nëse shteti do të vendoste për të parën, atëherë kërkesat e shqiptarit të parë do të plotësoheshin në dëm timin për shkak se unë do të detyrohesha të paguaj taksa shtesë dhe të përballesha më një cilësi më të dobët e më të shtrenjtë të shërbimeve mjekësore. Me fjalë tjera, çdo politikë që implementohet sipas kritereve kolektiviste si kënaqja e “vullnetit të popullit” nuk kualifikohet për atë që ekonomisti dhe sociologu Vilfredo Pareto e ka quajtur ekuacionin e efikasitetit shoqëror (“e mirë është vetëm ajo e cila i shërben një individi pa e dëmtuar tjetrin”).

Problemi i dytë është ai i ri-rregullimit të pranisë ndërkombëtare. Është tejet e vështirë të besohet që ndërkombëtarët, të cilët e dirigjojnë marionetën e quajtur Qeveria e Kosovës, të pranojnë ndryshim të status-kuos. E vetmja mënyrë për t’i larguar ndërkombëtarët nga Kosova është një protestë masive gjithë-popullore e cila e shfaq haptazi pakënaqësinë ndaj tyre. Edhe pse shumë qytetarë të Kosovës nuk kanë bindje fare të mira për ndërkombëtarët (duke përfshirë mua natyrisht), ata e kuptojnë që largimi i tyre nënkupton edhe largimin e forcave mbrojtëse të Kosovës—K-FOR-in. Ky është një problem me të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! është marrë shumë pak. Shumë është thënë për nevojën e largimit të “kolonizatorëve”, por pak është shpjeguar se si do të mbrohej Kosova ushtarakisht nëse K-FOR-i largohet. Është e qartë që forcat e K-FOR-it nuk do t’ia bartin komandën VETËVENDOSJE! nëse do të zgjidhej në pushtet; në fakt këto forca do të largoheshin bashkë me ndërkombëtarët. Si rezultat, VETËVENDOSJE! dhe të gjithë shqiptarët do të detyroheshin t’i qaseshin metodës të cilën e kanë përdorur më 1998—luftës çlirimtare. Kjo do të na kthente 11 vite mbrapa, në një periudhë për të cilën jam i bindur që asnjë shqiptar nuk dëshiron ta përjetoj prapë. Kjo natyrisht e shpjegon hezitimin e qytetarëve ndaj largimit të ndërkombëtareve. Përderisa VETËVENDOSJE! nuk e ofron ndonjë zgjidhje magjike për krijimin e forcave të mbrojtjes, qytetarët e Kosovës do të jenë të varur në K-FOR-in, gjë që nënkupton varshmërinë në shefat e K-FOR-it—ndërkombëtarët.

Sa i përket pjesës tjetër të kapitullit, pajtohem plotësisht me kërkesën e VETËVENDOSJE! për të larguar nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës i cili i ndalon Kosovës bashkimin me ndonjë shtet tjetër. Ideja që Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë është intuitive; në jemi i njëjti popull i cili është ndarë në disa regjione si pasojë e dhunës shekullore ndaj nesh, bashkimi do të ishte manifestim i plotë i të drejtës individuale për vetëvendosje dhe besoj dëshirës së individëve në të dy anët. Gjithashtu, bashkimi i tregut dhe zvogëlimi i burokracive administrative (duke i shkrirë në një) do t’i zvogëlonte pengesat ekonomike. Konkurrenca e lirë nuk është koncept i cili gjen aplikim vetëm në shkencën e ekonomisë; një konkurrencë e tillë në rrafshin politik do të ishte e mirëseardhur. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të nënkuptonte konkurrencën e drejtpërdrejtë ideologjike të partive nga dy vendet dhe si rezultat filtrim më të mirë të “këqijve”.

(Në shkrimin tjetër do të diskutohet kapitulli 2 dhe 3, përkatësisht, Demokracia dhe Drejtësia).

2 thoughts on “Programi politik i VETËVENDOSJE! dhe të metat e tij

  1. Më bën veçanërisht përshtypje që, përmbi kërkesës për largimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, ideja ‘në ajër’ është që edhe kjo parti ngul këmbë për mbajtjen e një bllokade tregtare ndaj Serbisë, ose më së paku për eliminimin e ‘kontrabandës’ së mallrave serbe në veri të Kosovës (që ka të njëtin efekt). Pra, jo vetëm të largohet forca reale mbrojtëse e Kosovës por, me gafat në poltikën tregtare, të ftohet hapur Serbia të sulmojë. Uroj ti kenë vetëm premtime boshe zgjedhore këto ide, e të mos i zbatojnë në realitet.

  2. Absolutisht Etjon. Po ma kujton thenjen e Bastiatit “Kur te mirat nuk i kalojne kufinjte, do t’i kalojne ushtrite”. Por keto nuk jane mangesite e vetme te VETEVENDOSJE! E gjithe ideologjia (me shume do ta quaja mitologji sepse mendimet ekonomike te tyre jane te bazuara ne mite) eshte tejet majtiste, reflektim i etatizmit shqiptar edhe idese qe shteti eshte sinonim i shoqerise dhe burim i mireqenies. Ata gjithashtu kane propozuar qe nder tjera te mbahen nen kontrollin e shtetit edhe ndermarrje si Post-Telekomunikacioni i KS, Korporata Energjetike, e Aeroporti. Ndermarrje te cilat shteti vazhdimisht i ka menaxhuar, ashtu sic pritet, dobet. Pastaj jane ne favor te nje sistemi progresiv te taksimit, te cilin ne programin politik te tyre e arsyetojne me: “Te pasurit duhet te paguajne me shume, e te varferit me pak”. Natyrisht, dihen pasojat e nje politike te tille edhe ne kuptimin etik edhe ne ate ekonomik.

Leave a Reply