Pse është fuqia punëtore në Shqipëri kaq e pamotivuar?
Bardhyl Salihu
Çdo verë përballesh më këtë problem. Udhëton në Shqipëri me shpresë për një pushim të këndshëm por ndahesh i zhgënjyer. Jo me bukuritë e jashtëzakonshme që i ka falur natyra vendit, por me njeriun që i menaxhon ato. Rruga e Kombit është e copëtuar nga buxheti i plaçkitur, rrugët lokale të shkatërruara, infrastruktura e lënë në harresë.
Pasi arrin atje, që nga momenti i parë hasesh në shërbim apatik. Kamarieri sillet thuajse punon falas; madje edhe një vullnetar do të tregonte më shumë entuziazëm. Pa kulturë dhe pa skrupull, të jep vetëm minimumin e vëmendjes sa për t’u dukur qe është duke të dëgjuar, e pastaj e ngatërron krejtësisht porosinë, vonohet, dhe në fund tenton të mashtrojë për çmimet. Për asgjë nuk i behet vonë. Indiferenca është i vetmi shërbim që ai ta jep me efikasitet.
Nuk ka rendësi në cilën pjesë shkon. Në veri. Në jug. Në bregdet. Në thellësi të qyteteve. Është mendësi e përgjithshme, jo aksident i atij llojit kur përfundon në vendin e gabuar. Amullia është e shpërfaqur kënd-me-kënd vendit. Për ne shqiptarët e Kosovës që jemi mësuar me shërbim të jashtëzakonshëm kjo amulli bëhet edhe më evidente.
Dhe kështu nuk janë vetëm kamarierët: të gjitha profesionet që zhvillojnë çfarëdo aktiviteti ekonomik janë po aq të molisur dhe të pa interesuar.
Për ta shpjeguar këtë apati sigurisht nevojitet angazhimi i një trupi shkencëtaresh të përgatitur në fushat e sociologjisë, historisë, albanologjisë—dhe gjithsesi ekonomisë. Pse janë shqiptaret e Shqipërisë kaq apatik dhe fuqia e saj punëtore kaq e pamotivuar?
Mendoj që ekzistojnë së paku tri arsye. E para ka të bëj me numrin tejet të madh të bizneseve që janë krijuar, jo për t’i shërbyer konsumatorit, por për një qellim specifik kriminal: shpëlarjen e parave te pista. Në Shqipëri, siç dihet, ekziston një shkallë e lartë e krimit. Ky krim ka mbledhur shuma të jashtëzakonshme të parave nga aktivitetet e ndryshme si trafikimi i drogës. Rrjedhimisht, shumë biznese janë themeluar për t’i shpëlarë ato para në mënyrë qe kriminelet t’i përdorin në mënyrë të ligjshme. Këto biznese natyrisht nuk brengosen si t’i shërbejnë konsumatorit sepse synim për to nuk është fitimi nga konsumatorët por përmbushja e funksionit të tyre kriminal.
Arsyeja e dytë ka të bëj më shumë me të kaluarën e Shqipërisë. Më saktësisht, me sistemin ekonomik socialist. Në atë sistem nuk kishte ndërmarrje private që u shërbente konsumatorëve sepse çdo gjë private ishte e ndaluar (përveç biçikletave). Rrjedhimisht, as konkurrenca në mes të shërbimeve dhe ofertave nuk kishte si të ekzistonte. Shqiptari u lindte dhe rritej pranë detit por nuk kishte pare asnjëherë çfarë ishte turizmi. Ai detyrohej të punonte në kooperativë, jo me dëshirën e tij, por me detyrim. Në fund të ditës së gjatë të punës së lodhshme në kushte mizore, atij nuk i takonte produkti i punës së tij—siç pretendonte Marksi që socializmi do t’ia dhuronte. Atij i takonte vetëm ajo që komisarët i ndanin fshatit në mënyrë arbitrare, pavarësisht sa ishte rendimenti i punës së tij. Në këto rrethana të padrejta ku puna nuk shpërblehej sipas prodhimtarisë, çdo kush synonte të punonte sa më pak e t’i ikte punës sa më shumë. Për pasojë, vullneti për punë në përgjithësi ishte tepër i ulet. Ky nuk ishte dembelizëm për reagim racional i njeriut ndaj kushteve të pafavorshme për punë. Ndryshe nga rrethanat kur puna shpërblehet, në këto kushte ai që punonte më pak ishte i mençuri, jo ai qe rraskapitej për komisarët që kalonin kohën në zyrat e shtetit.
Natyrisht, socializmi në Shqipëri është zhdukur qe 25 vite, por ai ka e ka sunduar vendin për plotë 46 dhe pasojat e tij nuk mund të shlyhen aq lehtë. Mungesa e vullnetit për punë është relikt i atij sistemi pervers dhe mizor, vuajtjet e të cilit jehojnë edhe sot në Shqipëri.
Arsyeja e tretë ka të bëj me mendësinë e shqiptareve në përgjithësi. Historia shqiptare e letargjisë është plotësuar nga socializmi, por ajo ka rrënjë më të thella. Për këtë dua të ndajë vetëm një kronikë të shqiptarëve gjatë Luftës se Dytë Botërore, në fjalët e gjeneralit gjerman August Schmidhuber, e cila tingëllon po aq e vërtetë edhe në vitin 2017. Gjenerali kishte krijuar një divizion ushtarak me shqiptarë dhe kjo ishte përvoja e tij e hidhur: “Për shqiptarin, disiplina nënkupton kufizim të lirisë së tij, diçka që ai e kundërshton natyrshëm. Shqiptarët jetojnë lirshëm dhe në mëvetësi ashtu siç i ka krijuar natyra dhe bëjnë çka të duan. Ata kanë kohë. Nuk duan të luftojnë në formacione ushtarake por në çetat e tyre dhe nuk ka disiplinë apo rregull në to. Kur fillon të bie shi, shqiptari e braktisë postin e tij. Kur errësohet, ai e lë pozicionin dhe kthehet në fshat për një gotë raki. Pasi të ketë qenë në detyrë për 12 ditë, ai kthehet në shtëpi për 4-5 ditë, madje pa e pyetur udhëheqësin e çetës, dhe pastaj kthehet ose nuk kthehet. Nuk i pëlqejnë përgatitjet ushtarake apo ushtrimet në qitje. Aftësia e tij për të goditur saktë është një mit. Ajo që ai e adhuron më së shumti është thjeshtë të shtijë armën e tij në mënyrë të shfrenuar, mundësisht ulur prapa një barriere mbrojtëse. Madje edhe trupat shqiptare e ashtuquajtura të rregullta e bëjnë këtë, edhe pse nga ta ka mbetur vetëm një batalion. Uria e shqiptarit për shumë e më shumë municion nuk njeh kufij. Ai nuk e kupton dhe nuk dëshiron t’ia dijë për faktin që municioni prodhohet në uzinat gjermane nga femrat dhe vajzat, përderisa meshkujt e rinj të Shqipërisë sorollaten nëpër kafe apo përkulen me dembeli në këndet e tregjeve. Kuraja dhe heroizmi i shqiptarit është një mit tjetër. Një shqiptar mund të ndiqet anembanë globit pak-a-shumë me një mortajë të lehtë. Përderisa sulmojnë, ai shkon vetëm aq sa të gjejë diçka për të vjedhur apo plaçkitur. Pasi të ketë kapur një dhi, një plor apo rrotë të makinës së qepjes, për të lufta përfundon dhe ai shkon në shtëpi.”
Kjo kronikë e ashpër e gjeneralit për shqiptarët është e lidhur me përvojën e tij të luftës, por ajo flet në radhë të parë për karakterin e tyre dhe mënyrën si i qasen punës, çfarëdo qoftë ajo. Për një gjerman me etikë protestante të punës një apati e tillë molisëse është e pakuptueshme dhe e neveritshme.
Mungesa e disiplinës, organizimit dhe vullnetit për punë vërehen edhe sot në Shqipëri. Pa identifikuar këto probleme në strukturën e ndërmarrjeve fantome në shërbim të krimit, në mungesën e vullnetit për punë të trashëguar nga socializmi si dhe në defektet e karakterit të shqiptarit nuk mund të ketë përpjekje për tu shkëputur nga kjo apati pllakosëse.