ekonomi

Pyetja 1-milion dollarëshe

Nëse Kosova me të vërtetë i takon Serbisë, atëherë pse Serbia nuk intervenon ushtarakisht që ta ri-kthej Kosovën nën kontrollin e saj territorial?

Duke pasur parasysh se çfarë diskutohet tani nga shqiptarët, vetëm dy argumente jetëshkurtra po i imagjinoj si përgjigje.

Njëri shpjegim është që Serbia nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë sepse do të nënkuptonte luftë me K-FOR-in, përgjegjës për sigurinë e “kufijve” të Kosovës, dhe në proces luftë me të gjithë faktorin ndërkombëtar. Natyrisht, këtu është fjala për çështje teknike; një gjë të tillë është e pamundur duke pasur parasysh fuqinë ushtarake të Aleancës kundrejt Serbisë. Në të njëjtën kohë, kjo do të nënkuptonte katastrofë për politikanët serbë bashkë me vetë shpresat e qytetarëve të atij vendi për një të ardhme Evropiane. Thjesht, nuk mund të ndodhë.

Por, atëherë pyetja tjetër shtrohet: A do të vepronte Serbia në të njëjtën formë sikur njëri nga qytetet tjera të saj, le të themi Beogradi, do të okupohej nga një fuqi e njëjtë si ajo e K-FOR-it? A do të rrinin serbët duarkryq në këso situate sepse armiku është thjeshtë pa krahasim më i fortë se ta? Nuk e besoj. Në një situatë të tillë, pa marrë parasysh se kush do ta okuponte Beogradin apo Novi Sadin, serbët do ti kapnin armët e tyre për të luftuar në mbrojtje të atdheut ashtu siç do të bënte çdo popull, dukë përfshirë këtu edhe shqiptarët. Kjo sepse serbët e dinë mirë që dy qytetet janë pjesë e Serbisë, kështu që argumenti i përparësisë absolute ushtarake të armikut bie poshtë.

Argumenti tjetër është që serbët nuk e kanë larguar nga tavolina mundësinë e veprimit ushtarak, por ata thjeshtë po i shtjerrin mundësitë tjera diplomatike në kërkim të kthimit të territorit të Kosovës, qoftë në tërësi e qoftë duke i dhënë shqiptarëve autonomi. Nëse diplomacia nuk sjell rezultate pozitive për ta, ata do të veprojnë ushtarakisht në fund të fundit.

Këtë do ta quaja përgjigjen naive, sepse kështu është natyra e këtij mendimi. Ideja që serbët, apo më mirë politikanët e tyre, mendojnë se mund ta kthejnë Kosovën nën kontrollin e tyre me metoda diplomatike është qesharake. Nëse e vizatojmë një bosht ku bëjmë krahasim në mes afërsisë së Shtetit të Serbisë me Kosovën, e kuptojmë që gjatë 11 viteve të fundit që nga çlirimi ata veç sa janë larguar shumë e më shumë ndaj cakut të tyre. Asnjë nga metodat e tyre diplomatike nuk ka qenë produktive për ta, qoftë edhe rroli i tyre prapa skenave në nxitjen e trazirave të marsit më 2004. Pyetja “Kur ma?” do ta përmblidhte këtë paragraf.

Tani dikush mund të thotë që kjo mënyrë e të menduarit është e gabueshme, sepse “dëshmon” që edhe enklavat serbe ne Kosovë nuk i përkasin “Shtetit” të Kosovës për shkak se nuk janë nën kontrollin e tij. Dhe përderisa ky “shtet” nuk e përdor “forcën” për të vënë nën kontroll pjesët që thotë se i takojnë, edhe ky atëherë po le të kuptohet që këto pjesë nuk janë të tij në të vërtetë. E nëse Kosova nuk është e Serbisë, por pjesë të sajë nuk janë as të vetat, kjo na vë përballë një gabimi logjik.

Megjithatë, ka një shpjegim këtu. Tek rasti i shqiptarëve rrethanat nuk janë edhe krejt ndryshe. Në dallim me serbët realistë, që e dinë se Kosova është humbur, shqiptarët idealistë janë bindur nga faktori ndërkombëtar, arkitekti i “Republikës së Kosovës”, që në një të ardhme ata do të kenë kontroll mbi këto enklava. Në fakt, ndërkombëtarët janë përkujdesur aq mirë në pengimin e zhdukjes natyrale të këtyre enklavave saqë shqiptarët as që lodhen më të angazhohen në vënien nën kontroll të tyre për shkak se nuk jetojnë aty dhe as që kanë të bëjnë me ato vende. Ajo pakicë që gjendet në veri, është pakicë shumë e vogël që të ngjallë interes për përfshirjen e tyre në sistemin territorial të Kosovës, nëse ekziston një gjë e tillë. Shqiptarët, indirekt, ua kanë falur serbëve këto pjesë. Duke pranuar kushtet për “pavarësi” të gjitha në një pako, ata i kanë dhënë hapësirë implementimit të decentralizimit edhe juridikisht edhe moralisht. Thjesht, ata nuk kanë interes në enklava, një situatë për të cilën faktori ndërkombëtar ka punuar me vite për ta krijuar në mënyrë që ta realizoj projektin e tyre shumetnik – Bosnja 2. Ngjashëm me serbët që e kanë kuptuar se Kosova nuk i përket atyre, edhe shqiptarët i kanë dorëzuar këto pjesë vullnetarisht sepse nuk janë të gatshëm të luftojnë për to. Kjo ka qenë shumë më e lehtë për ta, sepse argumenti i dytë, ai i përdorimit të diplomacisë në vënien nën kontroll të këtyre territoreve, mund të gjejë zbatim shumë më të madh në anën e shqiptarëve për shkak të përkrahjes ndërkombëtare në krijimin e “Shtetit” të Kosovës. Në një mënyrë, shqiptarët janë bindur, edhe pse verbërisht, që në fund të fundit ato pjesë do të jenë të tyre kur shteti i Kosovës të krijohet. Dhe tani që shteti është “krijuar”, ato enklava më nuk e përbëjnë rendin e ditës.

Edhe pse nuk ka përfunduar, ngjarja po zhvillohet në një rrjedhë të cilën ndërkombëtarët e kanë dashur aq shumë – të këmbehen territore pa dhunë. Natyrisht, asnjë shqiptar nuk do ta pranonte publikisht dhënien e këtyre territoreve, siç nuk do ta pranonte asnjë serbë që Kosova nuk i përket atyre, për shkak se gjëra të tilla janë vetëvrasje verbale. Megjithatë, veprimet e të dy popujve kanë lënë të kuptohet çfarë mendojnë ata në fund të fundit për këto pjesë. Në të njëjtën kohë, ndërkombëtarët e kanë arritur qëllimin e tyre, i cili është paqe dhe vetëm paqe me çdo kusht. Natyrisht që ky shkëmbim i territoreve i ka shërbyer atyre më së shumti në realizimin e këtij caku. Si përfundim, ata kanë krijuar një ekuilibrim ku Shteti i Serbisë është shkëputur pothuajse tërësisht nga kontrolli i plotë i Kosovës, në një tjetër gjendje të kontrollit pjesor. Në anën tjetër të medaljes, shqiptarët dhe “Republika e Kosovës” kanë fituar një kontroll të kufizuar duke lënë jashtë në autonomi të plotë pjesët e destinuara për serbët.

 

Përfundim

Atëherë, pse politikanët serbë ende e kanë lartë në agjendë kthimin e Kosovës? Kjo sepse ata janë politikanë, do të thotë, të orientuar nga ajo çka gjen admirim në masat prej të cilave i marrin votat. Nëse kthimi i Kosovës është normë në agjendën politike serbe, sepse pak kush guxon të thotë se Kosova nuk i përket atyre më, atëherë politikanët serbë nuk kanë zgjidhje tjetër përpos të notojnë në këto ujëra. Megjithatë, synimi politik serb nuk përfundon këtu. Përveç që e dinë se nuk mund ta lënë anash Kosovën, ata e kane kuptuar shume mirë qëllimin e faktorit ndërkombëtar në krijimin e një ambienti të ri në Kosovë. Ata e dinë, si politikanë që janë, se në Kosovë ende mund të fitohet. Projekti shumetnik nënkupton një luftë të re me shqiptarët, atë në sasinë e sipërfaqes nën kontroll. Duke parë qartë mungesën e qëllimit të mirë dhe analfabetizmin e përfaqësuesve shqiptarë, politikanët serbë e dinë se edhe pse e kanë humbur luftën, mund të fitojnë betejën e fundit. Në anën tjetër, ata gjejnë kënaqësi duke i parë shqiptarët të tërhiqen të vetëkënaqur nga fitorja Pirrike. Mu për këto arsye punojnë shumë që të duken në skenë kur është fjala për Kosovën. E duke pasur parasysh rrethanat në të cilat gjinden, si pasardhës të kriminelëve e me një qëllim kriminal, ata ja kanë dalë mjaftë mirë deri më tani.