ekonomi

Reforma gjysmake e sektorit energjitik (pjesa 2)

#2 Shpërndarja e energjisë

Problemi. Sistemi shpërndarës në Shqipëri ka vuajtur nga 101 probleme. Mungesa e mirëmbajtjes, dëmtimi dhe ndërhyrjet e shumta dhe humbjet kolosale në rrjet ndikonin dukshëm në rritjen e çmimit përfundimtar të energjisë. E megjith këtë çmim të lartë, kostot sërish nuk mbuloheshin çka e nxirrte KESH-in me humbje vit pas viti.

Ç’është bërë? Më e pakta e mundshme: është privatizuar monopoli i shpërndarjes energjitike. Tashmë CEZ-i nga nxitje për të rritur fitimet, çka nënkupton që mirëmbajta e rrjetit do përmirësohet, ndërhyrjet do dënohen rëndë (për të ulur humbjet e kushtueshme në rrjet) dhe subvencionimi që abonentët e rregullt i bënin abonentëve të parregullt në formë çmimesh të larta nominale por jo mesatare (pasi zona të tëra ishin mësuar të mos paguanin fare për energjinë elektrike) do zbutet, më së paku. Po të shtojmë edhe masat që pamë në pjesën e parë, me diversifikimin e bazës së prodhimit do  shohim që kostoja e energjisë, si në formën e çmimit të blerjes nga shumë centrale tashmë, ashtu dhe në formën e uljes së humbjeve në rrjet, do vijë gjithnjë e në ulje.

Nga ana tjetër çmimet e energjisë do racionalizohen. Kjo nënkupton që ato do synojnë të rriten, aq sa do lejohet nga ERE (shih më poshtë), por edhe që do përputhen më shumë me përdorimin (do eliminohet, ose së paku do përdoret më rrallë, faturimi aforfe). Gjithashtu, prerja e energjisë për klientët që nuk paguajnë, do ulë çmimet për të tjerët.

Së fundmi, gabimi i bërë me HEC-et e vogla nuk është përsëritur me KESH-in: ai nuk është lënë me konçesion, por është privatizuar tërësisht. Tashmë CEZ-i ka interes maksimal në ruajtjen e vlerës kapitale në afat të gjatë të investimit të saj, e do kujdeset maksimalisht për efektivitetin e sistemit të shpërndarjes.

Megjithatë, reforma në sistemin e shpërndarjes ka qenë edhe më e paplotë dhe do sjellë edhe më shumë probleme (ndonëse do sjellë përmirësim të dukshëm në krahasim me gjendjen para reformës) se reforma e sektorit të prodhimit.

Ç’duhej të ishte bërë? Reforma aktuale sillet rreth një strumbullari: shpërndarja energjetike në Shqipëri mbetet monopol ligjor. Ekspertët shpesh vënë në dukje që shpërndarja energjetike, së bashku me fusha të tjera si sistemi ligjor, mbrojtja, etj., janë të ashtuquajtura ‘monopole natyrore’, pra fusha ku kostot fikse (kosto që duhet paguar sado të shesim) janë aq të larta sa gjithnjë mbetet gjithmonë një firmë e vetme që ofron shërbimin.

Nuk do i futem këtu problemit parimor të këtij modeli (Rothabrdi e ka trajtuar çështjen deri në detaj), por do mjaftohem duke vënë në dukje diçka të thjeshtë: ekspertët gënjejnë! Kjo sepse shpërndarja energjetike në Shqipëri është monopol ligjor! E zeza mbi të bardhë, në kontratën e privatizimit të KESh-it, shënohet që në Shqipëri do mbetet e paligjshme të ngresh sisteme paralele shpërndarjeje. Nëse realisht shpërndarja na qenka monopol natyror, ç’nevojë ka për të shtuar këtë klauzolë në kontratë? E pra, e vërteta është shumë e thjeshtë: shpërndarja energjetike në Shqipëri është monopol sepse Kuvendi do që të jetë, e jo sepse tregu na dashka kështu.

Kjo ‘kleçkë’ hedh poshtë pjesën më të madhe të përfitimeve që privatizimi i KESh-it përmban: është e vërtetë që CEZ-i po bën përpjekje të frytshme e për tu përgëzuar për të optimizuar rrjetin, por nga ana tjetër CEZ-i ka shumë pak interes, për të mos thënë që nuk ka fare, për të ulur çmimet sa më shumë të jetë e mundur, pasi sado keq të sillet me konsumatorin, askush “nuk ka se nga t’ia mbajë’. Monopoli privat mund të jetë i parapëlqyeshëm ndaj monolit publik, por sërish nuk ka të krahasuar me konkurrencën e lirë.

Pasojat e kësaj mangësie madhore i ka ndjerë tashmë çdo abonent i rregullt: disa herë kanë ardhur tek konsumatori fatura tejet të kripura e të pajustifikuara që më vonë janë tërhequr në presionin e skandalit.

Këtu nuk dua të keqkuptohem: çdo shoqëri ka të drejtë të vendosë çfarëdolloj çmimi të dëshirojë, qoftë dhe startosferik, dhe nuk ka përse ti marrë leje apo japë llogari askujt. Ama nga ana tjetër asnjë firmë nuk ka të drejtë të përdorë dhunën shtetërore për të penguar konkurrencën. Dhe CEZ-i po bën pikërisht këtë.

Për të kufizuar disi shtrenjtimin madhor që monopoli nënkupton, ideja e pranuar është rregullimi i çmimit, çka bëhet nga Enti Rregullator i Energjisë, ERE-ja. Por të shtosh një monopol mbi një tjetër, të mbulosh gabimin me një tjetër, nuk është zgjidhje.

Zgjidhja është një dhe vetëm një: njësoj si për prodhimin energjtitk, edhe liçensat dhe kufizimet për shpërndarjen duhen eliminuar në çast, për të mos folur fare për monopolin ligjor! Që tani e tutje, çdo shoqëri apo individ që e sheh të arsyeshme të ngrejë një rrjet shpërndarjeje, sado të gjerë apo të kufizuar, të shesë energji e ta blejë atë, qoftë brenda vendit qoftë jashtë tij, duhet të jetë e lirë të veprojë pa i dhënë llogari askujt.

Por a mund të lindë konkurrenca reale në shpërndarje? A ia vlen të ndërtohen 5 linja interkonjeksioni në konkurrencë me njëra-tjetrën?

Çmenduri? Jo, Sparta!

Duhet të mbajmë parasysh që shpërndarja energjetike ka qenë monopol, qoftë privat e qoftë shtetëror, në çdo vend të botës që kur ka nisur elektrifikimi. Është më se normale që teknologjia e përdorur të jetë krijuar specifikisht për të funksionuar në një treg monopolist. Por në kushtet kur tregu shqiptar do ndryshonte, e do lejonte hyrjen e shumë shoqërive, kush na siguron që metoda qindra herë me efektive se linjat aktuale nuk do dilnin ne treg?

Ndofta disa kompani do investonin bashkërisht në një linjë të vetme, e do konkurronin në nivel lokal. Ndofta linjat do optimizoheshin për konkurrencë brenda qyteteve ose ndofta zona të ndryshme do kishin ofrues të ndryshëm vendorë (edhe nëse shpërndarja është monopol natyror, kush na siguron që shtrirja e tij natyrore u përputhka me kufijtë e Republikës së Shqipërisë?). Është vështirë të besohet që një fermer me disa kabllo do e kishte të vështirë të konkurronte me CEZ-in brenda fshatit të tij.

Por më tej, nuk ka nevoje të egzistojnë disa linja që konkurrenca të lindi: edhe me një linjë të vetme mund të kemi disa kompani në konkurrencë për pronësinë e saj. Nëse, siç thamë më lartë, do shohim se disa shoqëri do e shihnin të arsyeshme të investonin bashkërisht në një linjë, konkurrenca do lindte në shit-blerjen e aksioneve në këtë linjë. Dhe me ndryshimin e pjesëve të pronësisë të çdo shoqërie (jetëgjatësia e shoqërisë pronare të linjës mund të kufizohej në një vit, duke detyruar shit-blerjen e aksioneve së paku një herë në vit), do ndryshonte dhe aftësia për të transmetuar energji. Pra, me një linjë të vetme do krijohej efekti i egistencës së disa linjave, me një fraksion të kostove. Ja që një amator në 30 minuta e gjeti një mënyrë për ta tejkaluar koston e madhe fikse në industri: mendoni se sa e sa mënyra do mendonin vetë shoqëritë e interesuara!

Por edhe nëse realisht konkurrenca nuk do lindte, të paktën do e dinim me siguri që shpërndarja na qenka monopol natyror, e do kishim sigurinë që kemi sistemin më efektiv të mundshëm. Kush mund ta vë, sot për sot, dorën në zjarr për këtë?

Megjithatë, perspektiva e liberalizmit tërësor të sektorit energjitik mbetet tmerruese për shumëkënd pasi ajo nënkupton që ERE-ja nuk do ketë më fuqi për të kufizuar çmimet e energjisë, dhe që shumëkush nuk do ketë më mundësi të paguajë çmimet e reja stratosferike. Që ERE-ja duhet eliminuar në çast, dhe që shpërndarësit duhet të jenë të aftë të vendosin çmimet sipas dëshirës, kjo është shumë e vërtetë. Por që çmimet nën regjimin e ri tërësisht të liberalizuar do ulen në minimum, edhe kjo është e vërtetë. Nxitjet e operatorëve për të ulur humbjet në rrjet, nxitje që CEZ-i i ka tashmë, do rriteshin shumëfish në kushtet e konkurrencës në shpërndarje.

Por kalimi nga sistemi aktual në atë tërësisht të liberalizuar, edhe nëse liçensimi do zhdukej që nesër, do kërkonte kohë, kohë gjatë së cilës publiku do ekspozohet ndaj një monopoli të pastër që mund të vendosë çmimet sipas qejfit.

Së pari, duhet të shohim që shteti ynë i dashur as e ka vrarë mendjen një çast të vetëm për këtë problem. Në të kundërt, shumë thjesht do kishte parashikuar në kontratën e shitjes së KESH-it, që blerësi nuk do kishte pasur mundësi të rriste çmimet me më shumë se, le të themi, 5% çdo vit për 5 vjet. Por meqë askush nuk e vrau mendjen për diçka kaq të thjeshtë kur ishte koha për ta bërë , tashmë duhet të gjejmë mënyra të tjera për të zgjidhur çështjen.

Atëherë, rregullimi aktual i çmimeve,që shtrembëron tregun dhe ul nxitjen e shoqërive të reja për të konkurruar (pra duke rritur çmimet në afat të gjatë), duhet ti lërë vendin  ‘kompensimit’ direkt të çmimit.

Me këtë nuk dua të them që buxheti i shtetit duhet të paguajë një pjesë të faturës së abonentëve (siç ndodh deri diku sot), një masë njëkohësisht amorale dhe me efekte negative afat-gjata. Ajo që propozoj është që shpenzimet për energjinë të zbriten 100% nga të ardhurat e pagueshme nga individi në taksa të çfarëdo lloji. Dhe kjo le të mos mbetet një masë e përkohshme për të lehtësuar kalimin në sistemin konkurrencial, por të mbetet në fuqi sa më gjatë pasi nuk ka kurrfarë ndikimi negativ. Dhe vini re që këtu nuk krijohet asnjë ‘vrimë’ në buxhet pasi atë që buxheti e humbet në taksa, e fiton duke mos paguar kompensime. Në afat të mesëm, shoqëritë e shumta që do parapëlqenin të konkurronin në sektorin e shpërndarjes energjetike do rrisnin të ardhurat buxhetore. Nuk është fare çudi që pozita buxhetore të përmirësohet, në total, nga masat e propozuara këtu. Sigurisht këtu nuk e vrasim shumë mendjen për mirëqenien e buxhetit tonë shtetëror, por sidoqoftë kjo rritje Pareto-superiore veç do ndihmonte në zbatimin e plotë të reformës që propozoj këtu.

Përgjigja e problemeve enegjitike të vendit tonë është monotone dhe e mërzitshme. Ajo  është e njëjta përgjigje që mund të japim për problemet në çdo fushë të ekonomisë: konkurrencë e lirë, pronë private! Vetëm në një sistem të tillë jo vetëm do mundemi të gëzojmë sistemin energjitik më efektiv, të lirë dhe të kënaqshëm që mund të përfytyrohet dhe, ndofta, realisht do mund të kthehemi në një superfuqi të vogël energjetike.