Uncategorized

Roli i kostove në përcaktimin e çmimeve

Bardhyl Salihu

Shpesh na ka ndodhur t’i dëgjojmë tregtarët duke e arsyetuar çmimin që e ofrojnë me koston që e kanë blerë apo prodhuar. “Nuk mund ta shes për 2 euro, se vet 1.50 po e blej e asgjë nuk po më mbetet”, thonë ata. Por, edhe përtej tregtarit profesional, njeriu laik është shpesh i prirë të mendoj që çmimet përcaktohen prej kostos së prodhimit. Edhe pse mendimi i njeriut laik është i bazuar në intuitë më shumë se në teori, ky mendim megjithatë dikur ka qenë i përhapur në profesionin ekonomik.

            Në periudhën e klasicizmit, ekonomistët ishin unanim në mendimin që në afat të gjatë kostot e prodhimit i përcaktojnë çmimet. Sipas tyre, çmimi total i faktorëve të prodhimit—fuqisë punëtore, tokës dhe kapitalit—përcillet tek produkti final. Ky mendim përbënte të ashtu-quajturën teori objektive të vlerës. Fjala objektive nënkupton natyrisht që çmimin e produkteve finale e përcaktojnë faktorë që mund të maten kardinalisht.

            Ky mendim zgjati deri në vitin 1871, kur ndodhi i ashtuquajturi Revolucioni Margjinal. Paralelisht por pa e njohur njëri-tjetrin, ekonomisti austriak Carl Menger, ai francez Leon Walras, si dhe ekonomisti anglez William Stanley Jevons, e formuluan një teori të re të vlerës—teorinë subjektive. Sipas Mengerit, çmimet formohen prej dobisë margjinale (anglisht: marginal utility) që e përbën kërkesën për produkte në njërën anë, si dhe sasisë së produkteve që ekzistojnë në treg. Me fjalë tjera, Mengeri e rehabilitoi teorinë që vetëm sasia dhe kërkesa i përcaktojnë çmimet, por në këtë rehabilitim ai e integroi rolin e rëndësishëm që veprimi njerëzor dhe kalkulimi subjektiv i secilit individ e ka.

            Në anën tjetër, problemet me teorinë e kostove të prodhimit ishin të mëdha. Së pari, nëse kostot e prodhimit i përcaktojnë çmimet, atëherë në ekonomi nuk do të ketë fare as humbje as përfitime. Nëse për prodhimin e një veture kostot e kanë shumën prej 10,000 euro, e nëse këto kosto pastaj e përcaktojnë çmimin e veturës në 10,000 euro, atëherë sipërmarrësi që e ka organizuar prodhimin e veturës nuk do të ketë as humbje as përfitim në investimin e tij. Një gjendje e tillë, natyrisht, nuk i takon botës në të cilën jetojmë—botë e cila është e stërmbushur me investime ku ka edhe fitim edhe humbje dhe ku të gjitha këto investime bëhen nga sipërmarrësit që janë në ndjekje të përfitimit.

            Por, tani “mbrojtja” është që çmimet përcaktohen mbi koston e prodhimit, me të ashtu-quajturën metodë “kosto-plus”. Por, problemi sa mbi kostot e prodhimit? Deri në çfarë marzhe dhe çka e përcakton atë? Përveç që kjo “mbrojtje” nuk e zgjidhë dilemën, ajo madje e ngrit çështjen tjetër: nëse çmimet përcaktohen mbi koston e prodhimit, atëherë del që çdo investim gjeneron fitim pa marrë parasysh. Prapë, duke shikuar rreth nesh, e shohim që kjo nuk është e vërtetë.

            Disa shembuj tjerë na ilustrojnë mangësinë e teorisë së kostove të prodhimit:

  • Nëse e gjejmë një diamant në lum në gjendje të egër (d.m.th me kosto zero të prodhimit sepse askush nuk është orvatur fare për ta “prodhuar”), a do të thotë që ky diamant do ta ketë çmimin zero në treg?
  • E njëjta vlen edhe për tokën e cila nuk është e përpunuar.
  • Si është e mundur që udhëtimet me aeroplan në destinacione me të gjata kushtojnë nganjëherë më lirë se sa destinacionet më të shkurta?
  • Pse dallon çmimi i biletave të ndeshjeve të futbollit në bazë të cilësisë së ekipeve kur kostot e prodhimit janë pothuajse fikse për secilën ndeshje?

Mengeri madje e kthej teorinë e kostove të prodhimit në kokë duke pohuar që në fakt janë çmimet ato që i përcaktojnë kostot. Mjetet për prodhimin e produkteve finale e marrin vlerën nga produkti final, e jo e kundërta. Sipërmarrësit i paguajnë faktorët e prodhimit në të tashmen, për t’i futur në prodhimin e produkteve që ata shpresojnë do të komandojnë një çmim që e kalon koston e tyre në të ardhmen kur ato prodhohen. Në garë me njëri tjetrin për faktorët e prodhimit, ata ua përcaktojnë atyre çmimet (kostot në këtë kontekst). Ata sipërmarrës të suksesshëm në fund shpërblehen me përfitim, kurse ata të cilët prognozojnë keq dënohen me humbje. Kostot janë historike, ato s’kanë rol në përcaktimin e çmimeve. Çmimet përcaktohen vetëm nga sasia dhe kërkesa kurse kostot e prodhimit pastaj përcaktohen nga çmimet.