ekonomi

Rreziku i politikave identitare

© Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Bardhyl Salihu

“Politikat identitare” janë politikat që argumentohen në bazë të përfitimit të ngushtë të individëve të një identiteti të veçantë, si për shembull racor, klasor, fetar, gjinor, etnik, ideologjik, kulturor, etj. Përkrahësit e këtij lloji të politikave nuk e marrin parasysh efektin e përgjithshëm (utilitar) që ato e kanë në identitetet tjera, por me egoizëm janë të interesuar vetëm për përfitimin e individëve që i përkasin identitetit të tyre.

Një shembull i agjitimit për politika identitare në sferën e ekonomisë është protesta kundër Qeverisë e prodhuesve dhe përpunuesve kosovarë të qumështit. Ata po kërkojnë që Qeveria t’i mbrojë duke i subvencionuar më shumë, apo duke e bllokuar importimin e qumështit të huaj në vend. A është kjo kërkesë e arsyeshme nga pikëpamja ekonomike?

Shkrimtari i shquar Henry Hazlitt e definoi ekonomistin e mirë si dikë i cili në gjykimin e tij nuk i merr parasysh vetëm pasojat që politikat i kanë në një grup të caktuar, por edhe në përgjithësi për të gjithë shoqërinë. Në këtë kuptim, kërkesa e protestuesve për përfitim të ngushtë ka pasoja për grupet tjera identitare dhe është rrjedhimisht e paarsyeshme.

Prodhuesit dhe përpunuesit kosovarë të qumështit kanë mbiprodhuar, sepse kanë dështuar ta kryejnë funksionin e tyre ndërmarrësor të përcaktimit të kërkesës në treg. Ata kanë prodhuar më shumë se konsumi ditor në vend (rreth 450,000-500,000 litra) ose brenda tij, por janë mundur nga prodhuesit e huaj të cilët e kontrollojnë rreth 30% të tregut. Dështimin e tyre në prognozimin e tregut, së bashku me pasojat e paaftësisë së tyre për të prodhuar qumësht të cilësisë së dëshiruar me çmime më të volitshme sesa prodhuesit e huaj, ata duan t’ia hedhin Qeverisë.

Çfarëdo mase që Qeveria i merr në favor të tyre do të ndikojnë te grupet tjera identitare. Kjo nënkupton që kërkesa e protestuesve për t’u subvencionuar është realisht kërkesë që të gjitha grupet tjera identitare t’i paguajnë ata nëpërmes taksave. Kurse kërkesa e tyre që të bllokohet importi i qumështit të huaj është kërkesë që të gjitha grupet tjera identitare të përballen me çmime më të larta të qumështit dhe cilësi më të ulët, siç ndodh gjithmonë kur tregtia ndërkombëtare pengohet.

Por në këtë mënyrë të të menduarit ngushtë qëndron edhe një problem më thelbësor. Nëse Qeveria i ndihmon protestuesit, a nuk duhet ta ndihmojë për hir të neutralitetit edhe çdo prodhues tjetër që kërkon ndihmë? Nëse u ndihmon vetëm disa prodhuesve Qeveria detyrimisht e dëmton konkurrencën e lirë në treg. Për më tepër, një dëm i tillë nuk arsyetohet me shpjegimin që qumështi është “produkt i rëndësishëm”, sepse gjykimin e mallrave dhe shërbimeve e bën subjektivisht konsumatori, jo Qeveria. Kurse edhe po të ishte objektivisht i rëndësishëm si mall, do të ofrohej në treg edhe pa prodhuesit vendorë.

Nga kjo e shohim që Qeverisë i mbetet vetëm alternativa jopraktike dhe e pamundur: t’u ndihmojë të gjithëve. Imagjinojeni sikur kërkesat e protestuesve të vlenin për të gjithë ndërmarrësit dhe sikur çdo ndërmarrje e cila nuk arrin të gjenerojë fitim t’i drejtohej Qeverisë për ndihmë, të cilën ndihmë Qeveria mund ta dhurojë vetëm duke obliguar taksapaguesit apo konsumatorët. Në një situatë të tillë i gjithë sistemi ekonomik do shembej nga kërkesat e secilit për t’u akomoduar nga secili.

Element i rëndësishëm në treg aq sa fitimi është edhe humbja. Nëse ndërmarrjet mbrohen nga humbja, ato e shmangin presionin e tregut për të qenë konkurrente. Në të njëjtën kohë, taksapaguesi apo konsumatori, i cili nuk ka përgjegjësi për veprimet e ndërmarrësit të dështuar, detyrohet ta mbajë barrën e tij mbi supe. Nëse dikush duhet të përballet me pasojat e dështimeve ndërmarrësore, pse të mos jetë vetë ndërmarrësi i cili vullnetarisht e ka përqafuar atë rol?

Politika identitare zhvillojnë edhe identitet tjera, si për shembull ato fetare, të cilat synojnë t’i financojnë ndërtimet e xhamive me para publike; ato tregtare, që synojnë ta përdorin shtetin si vegël për t’i cunguar privilegjet e tyre monopolistike; apo ato të sportit e kulturës të cilat dëshirojnë ta krijojnë përshtypjen që e vetmja gjë që e pengon Kosovën të shndërrohet në kampion bote në futboll apo në hollywood evropian është mungesa e fondeve nga Ministria e Kulturës dhe Sportit.

Politikat identitare nuk janë të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike, prandaj shpesh përcillen me protesta apo edhe dhunë. Të vetmet politika që duhet të përkrahen janë ato të cilat ndikojnë pozitivisht në mirëqenien e të gjithëve e të cilat nuk u japin privilegje identiteve të caktuara në dëm të të tjerave.