Rrugëdalja nga ngërçi i kreditimit
Etjon Basha
Që Shqipëria po vuan, mes të tjerash, edhe nga një problem serioz monetar në këto vite është vënë re nga çdo ekspert i fushës. Në kuadrin e përgjithshëm të mendimin Kejsianist që ende ngërthen shumicën e profesionit në Perëndim dhe Shqipëri, diagnoza e shumëkujt përqendrohet tek teoria e “ngërçit të kreditimit”. Kjo qe edhe diagnoza e ofruar në një debat interesant televiziv të transmetuar së fundmi, ku ekspertë të financave debatuan mbi mënyrat se si mundet ekonomia shqiptare të shpëtojë nga ky ngërç ku qenka futur.
Fatkeqësisht nga kjo diagnozë (e cila në vetvete nuk është e gabuar) nuk ka se si të nxjerrim zgjidhjet e duhura për ekonominë shqiptare. Ç‘është pra ngërçi i kreditimit dhe pse nuk qenka problemi kryesor monetar në Shqipëri?

1_Sistemi modern financiar-monetar
Ekonomitë moderne shkrijnë në një të vetëm sistemet monetare dhe financiare, praktikë e nisur që prej Britanisë së shekullit të XVII që më pas frymëzoi çdo vend tjetër. Në qendër të sistemit ekonomik modern është Banka Qëndrore e cila ka privilegjin e manaxhimit të ofertës monetare. Banka Qëndrore shërben kryesisht si “bankë e bankave”, pra ofron shërbime të ndryshme për bankat e nivelit të dytë, të tilla si shërbimet e kleringut, ruajtjes së rezervave, ofrimit të kreditit afat-shkurtër, shpëtimit financiar dhe mbikqyrjes. Fillimisht Banka Qëndrore nuk u krijua me qëllimin e menaxhimit monetar, por thjesht si një bankë e zakonshme private me një sërë privilegjesh. Mirëpo me kalimin e kohës këto privilegje i dhanë një peshë aq të madhe në sistemin financiar sa lindi nevoja që ky institucion të garantonte dhe likuiditetin e mbarë sistemit bankar.
Banka Qëndrore moderne i kryen gjithë funksionet e saj duke “krijuar” dhe “shkatërruar” para nga hiçi, sipas nevojës. Mirëpo këto para nuk krijohen duke u printuar e duke u hedhur rrugëve të Tiranës e as shkatërrohen duke mbledhur 50 leksha nga çdo kalimtar i rastit për ti shkrirë e bërë buste të ndonjë figure historike. Për shkak të historikut të saj, Banka Qëndrore moderne krijon e shkatërron para përmes sistemit të kreditit.
Kështu, kur gjykohet që duhet rritur oferta monetare, Banka Qëndrore i afron kushte kreditimi më lehtësuese bankave të nivelit të dytë. Ideja është që me kreditë e BQ-së, sistemi bankar do rrisë edhe vetë kreditimin në ekonomi, duke rritur ofertën e parasë na qarkullim. Anasjelltas, kur gjykohet që oferta monetare është rritur tej mase, kushtet e kredisë nga Banka Qëndrore për bankat e nivelit të dytë shtrëngohen, çka i detyron ato të tkurrin kreditë e tyre për ekonominë.
Ka metoda të ndryshme me anë të të cilave Banka Qëndrore i ofron kredi sistemit bankar, të tilla si marrëveshjet e riblerjeve, normat e interesit mbi rezervën e tepërt, etj. Shumica e këtyre instrumenteve funksionojnë përmes ndryshimi të normave ”bazë” të interesit. Kur duhet rritur kredia për sektorin bankar, BSh-ja ul normat e interesit të këtyre instrumenteve dhe anasjelltas.
Tani mund ta kuptojmë se përse lind problemi i “ngërçit të kreditimit”: ç’ndodh kur duhet rritur oferta monetare, por norma bazë e interesit është zero? Si mund të shtyhen bankat e nivelit të dytë të rrisin kreditimin për ekonominë kur nuk mund të ulen më normat e interesit? Në këto kushte, sistemi bankar nuk kërkon më kredi dhe madje grumbullon në formë rezervash çdo shumë tjetër parash që mund ti bie në dorë, duke refuzuar zgjerimin e portofolit të kredisë.
Në rastin e Shqipërisë, normat e interesit të instrumenteve të BSh-së nuk është zero, e megjithatë (për shkak të nivelit të lartë të riskut të ekonomisë shqiptare) sërish bankat e nivelit të dytë po refuzojnë të rrisin kreditimi e ekonomisë, duke grumbulluar shuma të mëdha në formë rezervash.
Që këtu merr spunto debati i eksperteve, të cilët mendojnë si të nxjerrin sistemin financiar nga kjo situatë.
2_Propozime klienteliste
Vini re që mbarë sistemi “modern” monetar-financiar është kryekëput klientelist, jo në kuptimin e ofrimit të ndonjë favori korruptim për bankat e nivelit të dytë, por në kuptimin e përdorimit të një sërë institucionesh të privilegjuara (bankat e nivelit të dytë) si burimi i vetëm i monedhës në ekonomi. Duke përfituar kredi në terma favorizuese nga Banka Qëndrore, bankat e nivelit të dytë përfitojnë nga diferenca në interes mes kredisë që marrin dhe asaj që dizbursojnë. Më tej, duke u bërë pika e parë e hyrjes së parasë së re në ekonomi, ato përdorin këto fonde para se ato të kenë shkaktuar rritjen e çmimeve (çka ndodh domosdo me çdo injeksion të ri monetar). Edhe më tej, bizneset nxiten për të marrë kredi të panevojshme, vetëm e vetëm për të përfituar edhe ato sa më parë fluksin e ri të parasë, sërish para se ky fluks të risë çmimet. Pjesa e mbetur e bizneseve që nuk përfitojnë apo nuk kërkojnë kredi si dhe pjesa e qytetareve të thjeshtë mbeten të vuajnë rritjen e çmimeve përpara se paraja e krijuar rishtazi tu vijë në dorë.
Është e pritshme që një sistem i tillë klientelist të nxisë propozime po aq klienteliste. Kështu, në debatin e sipërpërmendur si zgjidhje për ngërçin aktual monetar në Shqipëri u propozua krijimi i një fondi të posaçëm garancie që do u dalë garant biznesit për kreditë e mara, çka do ulte mjaft riskun e kredisë e do nxiste kreditimin. Vini re që ky do qe një favor i stërmadh dhe plotësisht “falas” që qeveria apo Banka e Shqipërisë do u bënte bankave të nivelit të dytë.
Dikush tjetër propozoi blerjen e drejtpërdrejtë të kredive të këqija nga Banka e Shqipërisë, sërish për të ulur riskun e portofoleve të sistemit bankar, e sërish një favor i jashtëzakonshëm e krejtësisht falas për sistemin bankar.
Ka dhe shumë propozime të tjera shumë më cilësore që po qarkullojnë në këtë kontekst, si përmirësimi i ligjit të falimentimit, etj. Këto masa janë të mirëpritura por është e dyshimtë që ato do arrinin, të vetme apo në koncert me masat të tjera të ngjashme, të ulnin aq shumë profilin e riskut të biznesit në Shqipëri sa të nxisnin sistemin bankar të çlironte rezervat e mëdha që ruan. Ndryshime të tilla madhore në riskun e një ekonomie nuk vijnë dot brenda natës.
Propozim disi më efektiv (por që askush nuk e ka hedhur pikërisht sepse bie ndesh me interesin e sistemin bankar) do qe zerimi dhe madje bërja negative e normës së interesit mbi rezervat e tepërta që bankat e nivelit të dytë depozitojnë pranë BSh-së, çka do shtynte deri diku kreditimin.
Por edhe këto masa do merreshin që sot e do arrinin të ulnin mrekullisht profilin e riskut të ekonomisë shqiptare ecuria e sistemit modern financiar bashkëkohor është e tillë që herët a vonë edhe Shqipëria do arrijë në pikën e normës bazë të interesit zero. Po më tej, si do dalim nga ngërçi monetar pa shtetëzuar tërësisht sistemin e kreditimit?
3_Alternativa racionale
Është e qartë që mbarë ky sistem duhet flakur tutje, e duhen gjetur kanale të tjera transmetimi për ofertën monetare të krijuar nga BSh-ja.
Fatmirësisht, nuk kemi përse të lodhemi shumë në këtë pikë, sepse ekziston një vend që përdor një sistem kryekëput të ndryshëm nga sistemi i sotëm monetar-financiar, duke e ndarë poltikën monetare nga aktiviteti i kredidhënies, e duke përfituar një sistem bankar tejet të sigurt e të qëndrueshëm: bëhet fjalë për Singaporin, dhe mekanizmi monetar i zgjedhur është luhatja e kursit të këmbimit.
Kështu, kur Banka Qëndrore vendos të rrisë ofertën monetare, thjesht blen në treg të hapur sasinë e nevojshme të valutës së huaj përkundër parasë së krijuar rishtazi. Vini re se sa i thjeshtë e i menjëhershëm është ky sistem përkundër mekanizmit të ndërlikuar e stërzgjatur të kredisë pas kredisë.
Në një sistem të tillë, paraja e krijuar rishtazi përhapet në mënyrë shumë më uniforme në ekonomi, dhe jo vetëm tek një sërë aktorësh të privilegjuar që në fillim. Kushdo që zotëron valutë të huaj do përfitojë nga rritja e çmimit të saj, dhe anasjelltas, kushdo zotëron valutë do vuajë në mënyrë uniforme nga tkurrja e ofertës monetare në çastin e rënies së kursit.
Vini re që ky sistem ndan politikën monetare nga politika e kreditit, e cila, sot për sot, është së paku pjesërisht shtetërore e veçse pjesërisht private. Me mekanizmin e kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë nuk do duhej të interesohej fare për vendimet e bankave private në lidhje me kreditimin. Përkundrazi, do qe fare e thjeshte të ndahej politika monetare nga mbikëqyrja e sektorit bankar në institucione të ndryshme.
Banka e Shqipërisë duhet të ndjekë shembullin e Autoritetit Monetar të Singaporit në zhvillimin e operacioneve monetare: vendimet e politikës monetare tashmë duhen përcjellë me anë të shit-blerjes së Euros në tregun e hapur valutor, ndërkohë që norma bazë e interesit duhet mbajtur e pandryshuar që tani e tutje (luhatje e saj sjell vështirësi të mëdha për biznesin privat, por kjo është temë tjetër).
Është e vërtetë që Banka e Shqipërisë ka një farë ndrojtje për ndryshimin e kursit me euron, kryesisht sepse në Shqipëri kjo valutë qarkullon lirshëm e në vëllime të mëdha dhe gjykohet qe luhatjet e shpeshta të kursit do sillnin vështirësi për bizneset ose individët që përdorin si euron dhe lekun në aktivitetin e tyre (për shembull, për ata që kanë marrë kredi në euro por të ardhurat i kanë në lek, eksportuesit, importuesit, etj.).
Mirëpo përzgjedhja e kursit thuajse fiks me euro e ka dënuar Shqipërinë të vuajë një mangësi të madhe kërkese agegrate, çka i ka vënë bizneset në vështirësi shumë më të mëdha. Nga vështirësitë e lindura nga luhatja e kursit të euros mund të ruhesh duke mos përdorur euro, por nga vështirësitë e krijuara nga mungesa si e eurove ashtu dhe e lekëve në treg nuk ruhesh dot. Kështu pra, problemet që mund të shkaktohen nga ndryshimi i mekanizmit monetar do qenë një çmim i arsyeshëm për tu paguar për të rifituar kontrollin e plotë mbi politikën monetare.
Një tjetër vështirësi faktike ku do haste BSh-ja po të komunikonte ndryshimet e ofertës monetare mes kursit të këmbimit do qe vështirësia e përcaktimi të targetit monetar. Kemi parë që ndonëse në teori targeti i politikës sonë monetare është ruajtja inflacionit vjetor në shiritin 2-4%, në praktikë qëllimi i BSh-së ka qenë gjithnjë ruajtja e kursit me euron prej luhatjeve të mëdha. Ç’target do duhej zbatuar tashmë që vetë kursi do kthehej në mjet monetar, e jo në qëllim?
Fatkeqësisht ky është një debat më vete që do duhet të presë një çast të dytë.
Si përfundim, mund të themi që sistemi “bashkëkohor” monetar shkrin në një politikat monetare e të kreditimit, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë sistemin bankar, nxitur kredimarrjen e tepërt, sjellë luhatje të padëshiruara të normave të interesit e hasur në vështirësi të mëdha në çastin që këto norma bien në nivele të ulëta. Banka e Shqipërisë duhet të fiksojë tash e përgjithmonë normat e interesit të instrumenteve të saj, e të nisë të ndryshojë ofertën monetare vetëm e vetëm përmes shit-blerjeve në tregun e hapur të Euros, duke ndarë sistemet monetare e kredituese, privatizuar këtë të fundit, sjellë një politike monetare shumë më neutrale e jo klientesliste, dhe duke e lënë politikën monetare kryekëput në duar të BSh-së.