ekonomi

Shqipëria dhe Kriza Financiare Globale: mitet dhe realiteti ne 13 pika

Etjon Basha

1) A u përfshi Shqipëria në krizën financiare të 2008-ës?

Tani që debati politik mbi këtë çështje ka rënë disi, na lejohet të diskutojmë jashtë pasioneve politike dhe thjesht nga këndvështrimi ekonomik. Përgjigja është, në një fjalë: JO! Shqipëria nuk u përfshi në krizën financiare globale të 2008-ës. Madje do shkoja dhe më tej e do thosha se Shqipëria kurrë nuk ka kaluar ndonjë krizë financiare. Pse? Le ti marrin gjërat një nga një.

2) Ç’është një krizë financiare?

Gjatë një ‘krize financiare’ niveli i papunësisë rritet brenda një kohe shumë të shkurtër teksa shumë fabrika dhe linja prodhimi mbyllen papritur. Secili përpiqet të shesë ç’mundet nga këto fabrika, e kështu çmimi i aktiveve prodhuese (makineri, etj.) bie jashtëzakonisht. Bankat ndërpresin kreditë dhe shumë nga këto kredi rezultojnë të papagueshme. Çmimet kudo bien, sigurisht duke nisur nga bursa.

3) Sa të përhapura janë krizat financiare?

Krizat financiare janë pjesa ‘negative’ e ciklit të biznesit, një fenomen i vërejtur thuajse që në fillim të ekonomisë kapitaliste në perëndim. Cikli përbëhet nga faza e ‘bumit’, ku investimet dhe pagat rriten, papunësia bie, kredia është e lirë dhe gjendet me shumicë; dhe pasohet nga faza e krizës, për të rinisur me bum. Nuk ka thuajse asnjë vend perëndimor që i ka shpëtuar gjatë këtij cikli dhe, me kalimin e kohës, cikli është bërë më i gjatë dhe i theksuar. Kriza më e madhe financiare në histori konsiderohet Depresioni i Madh i 1929-ës i cili përfundoi, sipas statistikave, vetëm në 1945-ën.

4) Pse lindin krizat financiare?

Ka më shumë teori mbi shkaqet e ciklit të biznesit nga çka parti në Shqipëri, por këtu do trajtojmë vetëm atë të saktën (:)), teorinë e Shkollës Austriake të Ekonomisë. Ideja, për të mos rënë në shumë përsëritje, është e thjeshtë: në kushte të zakonshme sipërmarrësit investojnë në linjat e biznesi që ata mendojnë se do dalin me fitim. Jo të gjithëve u rezulton investimi i suksesshëm. Ato fabrika që, pasi ndërtohen rezultojnë me humbje, duhen shitur dhe kapitali tashmë i liruar duhet ri-investuar në një fushë tjetër. Normalisht përqindja e investimeve që rezultojnë me humbje është e qenësishme por sërish jo-katastrofave (një ekonomi me 100% investime fitimprurëse është thuajse sigurisht fashiste).

Në kushtet e krizës financiare çuditërisht shumica e bizneseve rezultojnë me humbje. Në çdo fushë, çdo investitor paska investuar në linja që dalin me humbje, dhe këto investime kanë vijuar për vite të tëra. Tani, në një çast, na dalin me humbje. Sigurisht nëse në një ekonomi shumica e linjave janë me humbje, ato duhen shitur (kundrejt humbjes, kuptohet) dhe aq para sa mund të fitohen duhen ri-investuar në fusha ku realisht ka fitim. Kjo është dhe arsyeja pse në kushte krize, çdo fabrikë mbyllet, papunësia rritet shumë dhe çmimet bien: të gjithë duan të shesin investimet e panevojshme, askush nuk do të blejë! Kriza vazhdon derisa të gjithë këto investime të panevojshme të ri-drejtohen aty ku ka fitim.

Pyetja qëndron: si ka mundësi që të gjithë sipërmarrësit u gabuan njëkohësisht dhe për një kohë të gjatë, duke investuar për vite në fusha që dilnin me humbje? Në pak fjalë, faji është i sinjaleve që sipërmarrësit marrin nga tregu. Kur Banka Qendrore manipulon normat e interesit, sinjalet që kjo normë përçon në treg ndryshojnë dhe shtyjnë investimin në fusha të panevojshme. Kur, pas shumë vitesh Banka Qendrore detyrohet (për arsye që nuk i diskutojmë dot këtu) të lejojë normën e interesit të shkojë në nivelin natyror, sinjali i tregut drejtohet dhe të gjithë e kuptojnë që linjat ku kishin investuar deri tani ishin të panevojshme. Ndjek likuidimi masiv.

Pra, në dy fjalë, manipulimi artificial i normave të interesit nga politika monetare shtrembëron sinjalet e tregut, duke çuar në shpërdorimin e kapitalit të kufizuar. Perëndimi ka vuajtur nga ciklet e biznesit thuajse që në fillim të kapitalizmit pasi thuajse që në fillim të kapitalizmit sistemi bankar është kartelizuar nën drejtimin shtetëror, duke mundësuar manipulimin e koordinuar të normës së interesit.

5) Kur është përfshirë Shqipëria në ndonjë krizë ekonomike?

Kurrë.

6) Pse?

Dy arsye: 1) ekonomia Shqiptare është pjesërisht e euroizuar dhe 2) shumica e investimeve financohen nga kursimet vetjake, remitancat dhe ri-investimi i fitimeve, e jo nga kredia bankare.

7) Ç’rëndësi ka euroizimi i pjesshëm i ekonomisë shqiptare?

Nga ç’u tha më sipër rezulton që, që të përfshihesh në një krizë ‘financiare’, duhet që sinjalet e tregut, kryesisht normat e interesit, të manipulohen nga Banka Qendrore. Këtu Banka e Shqipërisë punon çdo ditë me zell të madh me politikën e saj monetare, kështu që ky kusht plotësohet.

Por këtu duhet bërë një dallim. Banka e Shqipërisë, ndryshe nga shumë Banka të tjera Qendrore, përballet me një problem shumë të madh kur përpiqet të manipulojë normat e interesit: euroizimi i pjesshëm i ekonomisë shqiptare! Nëse BQ-ja ul me tepri normat e interesit duke zhvlerësuar lekun, bizneset nisin të veprojnë në euro, dhe sa më pak të përdoret leku në ekonomi aq më pak fiton BQ-ja. Pra, për aq kohë sa qytetarët lejohen (ose tolerohen) kur përdorin euron në vend të lekut, këto dy monedha do jenë në konkurrencë, dhe qytetarët do mund të zgjedhin valutën që përçon sinjalet më të ‘drejta’ në treg.

Tani, kjo nuk është konkurrencë e pastër monetare (e do flasim tjetër herë për këtë), por me mirë se monopoli i plotë monetar është që shohin në vende të tjera. Këtu kuptohet që Kosova është në një situatë më të vështirë se Shqipëria në këtë drejtim, pasi euroja në Kosovë është ‘sovrane’ dhe nuk ka konkurrencë nga monedha të tjera.

8 Ç’rëndësi ka metoda e financimit e bizneseve?

Për arsye që nuk i shpjegojmë dot këtu, sinjali i shtrembëruar i përçuar nga norma e interesit funksionon vetëm për investimet që financohen me kredi bankare. Nëse unë mbledh disa para dhe hap një lokal timin, në asnjë çast nuk ndikohem nga ç’ndodh në tregun financiar. Pra, shohim që zakoni shumë i mirë i shqiptarëve (në të dy anët e kufirit) për të financuar sipërmarrjet me kursime, remitanca apo ri-investim fitimi është shkaku kryesor që shqiptarët njohin kriza financiare vetëm nëpër artikuj.

9) Do jemi gjithnjë të sigurt ndaj krizave financiare?

Vështirë. Duket sikur mbarë shteti shqiptar po përpiqet (në mënyrë të pandërgjegjshme) për ti siguruar vendit një krizë financiare sa më shpejt të jetë e mundur. Banka Qendrore dukshëm përpiqet të ruajë kursin e këmbimit me euron në masa pak a shumë fikse, diçka që mund të behët vetëm nëse leku sillet pikërisht si euroja. Po cili është qëllimi i konkurrencës monetare, nëse të dy monedhat sillen njësoj? Nëse plani i Qeverisë Shqiptare për tu integruar në BE do finalizohet, lidhja mes euros dhe lekut vetëm do forcohet e formalizohet, dhe konkurrenca mes këtyre monedhave do venitet tërësisht. Mbi politikën ’e saktë’ monetare do diskutojmë tjetër herë, dhe për tani mjafton të themi që në si çdo treg, edhe në tregun monetar hyrja e lirë maksimizon eficencën.

Së dyti, pesha e kredisë bankare në financimin e bizneseve duket se po rritet. Një pjesë gjithnjë e më e madhe biznesesh po ekspozohen ndaj riskut të normave artificiale të interesit. Normalisht ky do ishte një zhvillim për tu mirëpritur, pasi një sistem bankar efektiv është aset i domosdoshëm, por në kushtet e manaxhimit të qendërzuar të valutës, ja që po ky sistem bankar shoqërohet me mangësinë e nxitjes së investimeve të panevojshme.

Së fundmi, dhe ajo që mund të duket më e çuditshmja, përpjekjen kundër pastrimit të parave po forcohen!

10) Ç’ishte kjo?!

Kur partë e fituara nga ‘trafiqet e paligjshme’ (ndonëse tërësisht legjitime nga pikëpamja morale) investohen në një biznes për të mbuluar prejardhjen e tyre, fitimi nga biznesi nuk është dhe aq i rëndësishëm. Mundet, në fakt, që biznesi të dalë dhe me humbje, po për aq kohë sa ndihmon të fshihet origjina e fondeve, kjo mjafton. Dhe sa më të forta të jenë përpjekjet kundër pastrimit të parave, aq më shumë rëndësi ka aftësia e një biznesi për të fshehur natyrën e fondeve, dhe aq më pak rëndësi ka fitimi. Pra, sa më të forta të jenë përpjekjet kundër pastrimit të parave, aq më shumë biznese të panevojshme (pa fitim) do ekzistojnë. Është e vërtetë që këto biznese vështirë se do mbyllen ndonjëherë thjesht se nuk janë fitimprurëse, por ama kapitali sërish po shpërdorohet duke u investuar në linja pa vlerë. Zviceranët nuk kanë ligje sekreti bankar pa arsye.

11) Sërish në 2008-ën: remitacat u ulën dhe eksportet ranë gjatë krizës së fundit! Pra dhe Shqipëria u përshi në krizën globale.

Le të nismi me eksportet. Që bota perëndimore u përfshi në krizë, këtë nuk e diskuton njeri. Pra, në Evropë ajo që ndodh ishte që qytetarët zbuluan befas që një pjesë e mirë e ndërmarrjeve që ishin hapur në fakt nuk kanë qenë fitimprurëse, dhe tani duhen likuiduar. Evropianët kanë bërë një gabim në alokimin e fondeve, dhe tashmë duhet të mbajnë përgjegjësinë për këtë. Në periudhën aktuale ata duhet të heqin dorë nga të ardhurat, së paku derisa një pjesë e investimeve të panevojshme të jenë ri-investuar (duke njohur morinë e rregullacioneve evropiane, kjo nuk do ndodhë kurrë).

Por nëse Evropa tani për tani duhet të kufizojë konsumin, si mund të mendohet që eksportet tona nuk do bien? Sërish, kjo nuk do të thotë që Shqipëria u përfshi në krizë por që partneri ynë tregtar nuk ka më para për të blerë nga ne. Në një këndvështrim mund të thuhet që biznesi i eksportit preket nga krizat e huaja, dhe në masën që ai është zhvilluar për të kënaqur kërkesën fiktive të bizneseve të panevojshme në Evropë, dhe ai është i panevojshëm. Por kjo vjen si pasojë e gabimeve të Evropianëve, jo tonat. Në të ardhmen biznesi i eksportit do duhet të marrë parasysh riskun që vjen nga kërkesa pjesërisht fiktive evropiane, duke kërkuar më së paku norma më të larta fitimi në këtë fushë.

Remitancat trajtohen njëlloj. Të ardhurat në vendet ku shqiptarët punësohen bien, dhe shqiptarëve rezidentë, si kujto tjetër, u duhet të kufizojnë konsumin. Sigurisht që paratë që ata kanë mundësi të ridërgojnë në Shqipëri do bien. Ajo që ka rëndësi të kuptohet është që asnjë nga këto tregues nuk dëshmon për krizë financiare në Shqipëri, por në Evropë. Sigurisht që rënia e eksporteve dhe remitancave do kenë efekte negative, por këto efekte nuk vijnë për fajin tonë dhe nuk janë simptoma të krizën financiare në Shqipëri, por në Evropë.

12) A nuk ishte kriza e vitit 1997 krizë financiare?

Kriza e viti 1997 nuk kishte lidhej me një krizë financiare. Ajo që ndodhi është që një numër biznesesh falimentuan (e lëmë mënjanë “pse”-në). Por këto biznese as kishin dhënë hua për zhvillimin e biznesit, e as ndonjë sipërmarrje tjetër humbi nga falimentimi i tyre. Kriza e viti 97 mund të konsiderohet ‘financiare’ në masën që firmat rentiere qenë institucione financiare, por afrimiteti me një krizë reale financiare nis dhe përfundon këtu. Asnjë biznes në Shqipëri nuk u dëshmua si keq-investim nga 1997-a.

Në botën perëndimore egziston zakoni i keq i njësimit të krizës financiare me falimentimin e ndonjë banke, pasi në sistemin financiar perëndimor sistemin bankar është mekanizmi i transmisionit të krizës. Por nëse bankat nuk shërbejnë si mekanizëm transmisioni, siç ndodh në Shqipëri, mund edhe të falimentojnë të gjitha që nesër, dhe sërish kjo nuk do shkaktonte likuidim masiv të bizneseve (në fakt nëse shteti do miratonte një buxhet suficitar për vitin tjetër, shumica e bankave do të falimentonin).

13) Përfundim

Shqipëria kurrë nuk është përfshirë në ndonjë krizë financiare. Në Shqipëri mungon mekanizmi transmetues i krizës, financimi i biznesit me kredi bankare. Në çastin kur kjo kredi do nisë të disbursohet më shumë, dhe/ose sistemi monetar do mbetet monopolist, ku vetëm Banka e Shqipërisë mund të prodhojë para, dhe qarkullimi i euros tolerohet nga e keqja ose kur leku do fiksohet ngushtësisht me euron duke u thyer konkurrencën e pjesshme monetare që gëzojmë sot, atëherë dhe ne do kemi nisur rrugën e cikleve të biznesit.

Deri atëherë, rreziku real janë ligjet kundër pastrimit të parasë, që detyrojnë kapitalin të shpërdorohet dhe ulin mirëqenien për këdo. Në çdo rast, herën tjetër që dëgjoni të përdoret termi “Shqipëria po kalon një krizë të rëndë financiare”, ndërroni stacion.