Shqiptarët dhe dritëshkurtësia e Ndërkombëtarëve
Etjon Basha
Më duhet të pranoj që u gëzova tej mase kur dëgjova që idesë tashmë të hedhur për të shkrirë Ligat e Futbollit Shqiptare dhe Kosovare duke krijuar një Kampionat realisht Kombëtar, iu bashkua dhe qeveria shqiptare. Masa si këto janë pikërisht ato për të cilat kam shkruar shpesh në këtë blog: masa që synojnë të integrojnë plotësisht shoqëritë shqiptare dhe kosovare, megjithëqë duke ruajtur me vendosmëri lirinë politikë të dy shteteve.
Por zhgënjimi erdhi më i madh kur organizmat ndërkombëtarë të futbollit e hodhën poshtë me vendosmëri këtë nismë. Sigurisht, arsyeja zyrtare është që Kosova, duke mos qenë ende anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk mund të përfshihet zyrtarisht në këto organizata, dhe bashkimi i kampionateve me Shqipërinë anëtare do nënkuptonte pikërisht një njohje “by proxy” të Kosovës nga FIFA dhe EUFA.
Ndonëse ky arsyetim qëndron, a beson realisht njeri që kur nesër të shkëmbehet veriu i Kosovës me Preshevën dhe Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën, FIFA do ndryshoj qëndrim? Kur Kosova të përfshihet në OKB, do na lejojnë shkrirjen e kampionateve dhe nxjerrjen në fushë të një skuadre të vetme kombëtare? Çdo shqiptar e njeh mirë përgjigjen: në asnjë mënyrë.
Në këtë çështje, ndërkombëtarët kanë mbajtur po atë qëndrim si për rastin e adoptimit të prefiksit +355 nga Kosova, të flamurit kuq e zi (qoftë në versionin 2.0, flamuri i Dardanisë) e plot çështje të tjera. Më tej, jam i sigurt që faktori vendimtar që pengon Bashkimin Doganor mes dy vendeve, mbi dëshirueshmërinë e të cilit janë shprehur gjithë forcat politike në dy anët e kufirit, është presioni Evropian. Dhe le të mos flasim fare për bashkim të Komandave Ushtarake ose shërbimeve diplomatike!
Ç’është ky qëndrim që po mbahet ndaj Integrimit Kombëtar?
Përgjigja është e thjeshtë. Faktori ndërkombëtar nuk dëshiron Bashkimin Politik të shqiptarëve, dhe në ketë pikë personalisht bashkohem plotësisht. Por në mendësinë bashkëkohore Evropiane, integrimi shoqëror është veç preludi i bashkimit politik, po aq sa strukturat liberale të traktateve që krijuan Katër Liritë të BE-së qenë veç preludi i bashkimit politik të Kontinentit. Për Evropën, Bashkimi Kombëtar Shqiptar duhet luftuar që në gjenezë, që në kërkesat për Integrim Kombëtar.
Mirëpo rezultati përfundimtar i këtij qëndrimi do jetë pikërisht i ansjellti. Sa më shumë që do forcohet kufiri ekonomik e shoqëror mes Shqiptarëve, aq më shumë do ta shohim veten të varfër e të dobët. Sa më shumë të veçohemi arbitrarisht nga njëri tjetri, aq më shumë do e shohim ekzistencën e dy Shteteve Shqiptare si copëtim me qëllim dobësimin e faktorit shqiptar, e aq më pak do i besohet atyre që argumentojnë që, përkundrazi, shumësia e Shteteve Shqiptare është pasuria më e madhe kombëtare që kemi sot për sot. Çdo tendencë për të kantonizuar qoftë Shqipërinë e qoftë Kosovën do shihet si përpjekje për të atomizuar Kombin, e jo si mjet për ta forcuar atë.
Realisht presin evropianët që këto ndjenja do kthehen magjikisht në dashuri për BE-në dhe në vdekjen e nacionalizmit agresiv?
Përkundrazi, çdo ditë e më shumë shqiptarëve po u ushqehet mosbesimi ndaj Evropës politike. Teksa shohin përpjekjet për të krijuar një “komb kosovar”, të përforcuar me flamur e himn, e për ta drejtuar këtë ‘komb’ të ri në ‘partneritet’ me Serbinë, gjithnjë e më shumë shqiptarë do shtyhen të kujtojnë vitet e ‘arta’ kur veshët e Evropës mbylleshin ndaj masakrave në Kosovë.

Ernest Hemigway ka shkruar që falimentin vjen pak e nga pak, e pastaj i gjithi njëherësh. Po kështu po lind nacionalizmi ndër shqiptarë. Çdo masë e vogël që kundërshton Integrimin Mbarëkombëtar shton pakëz cinizëm. Kjo derisa një ditë, një keqkuptim i fundit dhe në dukej i vogël ti kthejë vrullshëm shqiptarët në nacionalistë agresivë.
Ndofta kjo ditë do vijë kur Shqipërisë ti hiqet e drejta e udhëtimit pa viza për shkak të abuzimit të Serbëve dhe ‘Maqedonasve’. Ndofta kur negociata për anëtarësim të vijojnë pa fund, duke ngecur tek çështje si të drejtat e peshkimit ose ndonjë ligji mbi menaxhimin e mbetjeve të aluminit nga industria e marketingut. Ndofta kur Kosovës për të njëqindën herë ti tregohet që rruga për në Evropë kalon nga Beogradi. Ndofta, përfundimisht kur zgjerimi i BE-së të lërë shqiptarët jashtë.
Kur të vijë ajo ditë, shqiptarët do shohin se si janë lënë për vite të ndarë në fraksione arbitrare, dhe do bien pre fare lehtë e idiotësive nacionaliste. Askujt nuk do ti shkojë ndër mend të hedhë një fjalë pro Integrimit Mbarëshqiptar, por do mbështesë pa rezerva masat më qesharake nacional-socialiste.
Sigurisht, asnjë nga këto nuk vjen nga ndonjë komplot mbarë-evropian ndaj nesh. Organizmat që po pengojnë Integrimin Mbarëshqiptar janë të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk japin e marrin llogari për vendimet e tyre. Përkundrazi, këto masa janë veçse tregues i mendësisë që tashmë po pllakos Evropën: nuk ka alternativë ndaj korporatizmit të Perandorisë së Brukselit, e çdo projekt tjetër duhet flakur tutje e penguar. Vendet që (fatmirësisht) nuk mund të kthehen ne provinca, duhen copëtuar e mbajtur nën varësinë e rreptë të zyrës koloniale vendore.
Na mbetet veç të shpresojmë, që nëse kjo ditë vërtetë mbërrin, zërat e urtë do arrijnë të ngrihen mbi kakofoninë nacionaliste që me kaq dritëshkurtësi po ushqehet nga vetë Evropianët. Na mbetet veç të shpresojmë që shqiptarët do sillen me aq qytetari sa u sollën në një situatë të ngjashme mes dy luftërave botërore.

Etjon,
shkrim shume vizionar. Edhe pse ende i kam dyshimet e mia, fale teje kam filluar te zgjohem nga iluzionet e Bashkimit Kombetar dhe ta kuptoj qe shqiptaret duhet ta arrijne mireqenien ekonomike dhe sigurine (dy gjerat e vetme kryesore per te cilat nje komb, dhe si rezultat i gjithe humanizmi, duhet te aspiroj) duke kerkuar jo Bashkimin por Integrimin Kombetar.
Ajo cka do te me interesonte teper do te ishte nje analize e mirefillte dhe puro politike ne lidhje me fuqine ekzekutive per vendimmarrje ne Kosove. E di qe nje fuqi e tille nuk eshte e koncentruar, por e shperndare ne menyre komplekse tek shume faktore por ne mase te madhe tek Nderkombetaret. Kush vendos per Kosoven? Definitivisht jo Qeveria e Kosoves, e cila ka vetem nje pjese te kompetencave ne dore.
Faleminderit Bardhyl.
Nga edicionet e lajmeve, me eshte krijuar pershtypja qe ne Prishtine fjalen e fundit e thote Ambasadori amerikan, por vetem sepse evropianet nuk jane te gatshem te marrin persiper Kosoven si koloni. Kam pershtypjen qe ne pak vite Turqia do kthehet ne protektorin vendas pasi ky vend po mer ne dorezim interesat amerikane ne mbare rajonin. Sigurisht, keto jane thjesht supozime.