Uncategorized

Shteti dëmton shëndetin

© Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë

Bardhyl Salihu

Herën e fundit kur e vizitova Spitalin e Prishtinës, më ngjau me një film i cili e portretizon jetën pas shkatërrimit të botës. Objektet antike me hyrje të errëta, muret e prishura, era kundërmuese, udhëzimet e improvizuara për katet dhe dhomat, kaosi i pacientëve të grumbulluar pa sistematizim dhe pa pushimore. Pasqyrë e tmerrit në shëndetësinë kosovare.

As ambulantat anembanë vendit nuk janë në gjendje shumë më të mirë kurse bashkë me pajisjet e vjetëruara edhe cilësia e shërbimeve mjekësore është tejet e dobët (me përjashtime individuale). “Ata shtireshin sikur po na paguanin, kurse ne shtireshim sikur po punonim”, është një thënie ilustrative e menaxhimit shtetëror në Bashkimin Sovjetik.

Situata në Kosovë është reprizë e epizodit Sovjetik, vend ku çdo gjë ishte “falas” por çdo gjë mungonte dhe duhej të paguhej veçmas.

Diskutimet për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Kosovë janë mjaftë të mirëseardhura, por shumica dërrmuese e propozimeve jo vetëm që ftojnë të mbahet struktura e tanishme e menaxhimit shtetëror, ato madje bëjnë thirrje të rritet buxheti i Ministrise së Shëndetësisë.

Idetë e kufizuara ngushtë brenda paradigmës së shtetit si zgjidhje për të gjitha problemet janë tipike për mendësinë etatiste të shqiptarëve. Për shumicën tek ne, dështimi i shtetit qe 15 vite në ofrimin e kujdesit adekuat shëndetësor nuk është aspak tregues që ndoshta shteti thjeshtë nuk mund ta menaxhojë një sistem më mirë se sektori privat.

Arsyja për keq-menaxhim gjithmonë duhet të jetë “zgjedhja e njerëzve të gabuar”, “korrupcioni”, “mungesa e kuadrove”, dhe mbi të gjitha, “mungesa e buxhetit të mjaftueshëm”.

Por pse dukuri të tilla negative janë gjithmonë pjesë e menaxhimeve shtetërore askush nuk lodhet ta shpjegoj. Pse nuk janë këto probleme pjesë e menaxhimit privat të spitaleve apo klinikave të cilat janë pakrahasim më cilësore se sa ato publike? Pacientët të cilët i vizitojnë këto klinika private nuk kanë kohë për arsyetimet e tyre; nëse ato nuk tregojnë rezultate pacientët zhvendosen tek konkurrenti i tyre.

Përse nuk diskutohet asnjëherë alternativa e shuarjes së monopolit të Ministrisë së Shëndetësisë, privatizimit të spitaleve, klinikave dhe ambulantave, si dhe hapjes për konkurrencë të gjithë sistemit shëndetësor në vend? E kuptoj pse ata që përfitojnë nga kjo gjendje nuk dëshirojnë ta ndryshojnë atë, por pse nuk janë njerëzit tjerë të cilët janë viktimë e këtij sistemi në favor të edhe vetëm konsiderimit të kësaj alternative?

Nëse argumenti bazë kundër propozimit të mëspirëm është që në sistem privat të varfërit nuk kanë se si të paguajnë kurse në atë shtetëror shërbimi është “falas”, atëherë kjo është përgjigja. Së pari, nëse shteti e ofron një shërbim me çmim zero, nuk do të thotë që ai shërbim është “falas”. Dikush duhet të paguaj për të. Në rastin e përkujdesit shëndetësor shtetëror ata që paguajnë janë taksapaguesit e Kosovës. Prandaj pyetja është: a paguajnë të varfërit taksa në Kosovë?

Një analizë e thjeshtë e sistemit tatimor në Kosovë tregon që të gjitha shtresat e shoqërisë—duke përfshirë ata që jetojnë në varfëri ekstreme (që mesatarisht konsumojnë $1.25 apo më pak në ditë)—janë tatimpagues. Për shembull, të gjithë e paguajnë Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar në mënyrë indirekte duke blerë mallra dhe shërbime në treg. Nëse një person blen edhe vetëm €100 në muaj gjësende, €16 nga to do të jenë taksa. Secili konsumator i paguan poashtu së paku 10% më shtrenjtë mallrat për shkak të doganave (pa përfshirë akcizat).

Kjo nënkupton që nga xhepi i konsumatorit edhe €10 duhet të ndahen për taksa. Nëse konsumatori është punëtor i regjistruar formalisht, atëherë ai duhet të paguaj tatim në pjesën e mbetur të pagës pasi t’i zbriten “kontributet” pensionale (5% të pagës) dhe €80 e para të pa-tatueshme.

Për një punëtor të varfër, për shembull atë që fiton vetëm pagën minimale të përcaktuar me ligj (€170 për një 25-vjeçar), tatimi në pjesën e mbetur të pagës do të jetë 4% apo €3.26. Prej janarit 2015, pagave do t’i zbriten edhe deri 7% për sigurimin shëndetësor shtetëror obligativ.

Këtu po e përjashtoj “participimin” (pagesën për shërbim shëndetësor) që kërkohet nga disa grupe të caktuara të pacientëve. Tatimet tjera komunale (taksat si dhe tatimi në pronë), prej të cilave financohen ambulantat e qytetit, po i anashkaloj gjithashtu për arsye se nuk mund të llogariten apriori.

Të gjitha këto megjithatë kontribuojnë në rritjen e faturës tatimore që edhe qytetarët më të varfër të Kosovës janë të detyruar ta paguajnë pa përjashtim.

Pra, nëse e marrim shembull një shpenzim mujor tejet modest prej €100 si dhe pagën më të ulët të lejuar më ligj, atëherë e shohim që ky person megjithatë duhet të paguaj së paku €29.26 në muaj për tatime.

Për krahasim, kjo vlerë është më e lartë se sigurimi shëndetësor për student në Austri (2010). Një person që i takon klasës së mesme, i cili fiton pagën mesatare €360 (sipas MTI-së) dhe shpenzon le të themi gjysmën (€180) në mallra dhe shërbime në muaj, paguan së paku €57.70 tatime në muaj apo €692.40 në vit. A ju duket ky tatim i papërfillshëm?

Natyrisht, tatimet i financojnë edhe “shërbimet” tjera që qytetari i merr nga shteti përveç kujdesit mjekësor, por argumenti qëndron që nuk ka asgjë falas, as për shtresat më të varfëra.

Të thuhet që kujdesi shëndetësor shtetëror është falas është sikur të thuhet që pushimet në Turqi janë falas sepse paguhen në fillim.

Dilema, pra, është, jo në mes sistemit “falas” shtetëror apo atij privat me pagesë, por në mes çmimit që qytetarët e paguajnë nëpërmes taksave për monopolin shtetëror të kujdesit shëndetësor si dhe çmimit (apo primit në rast të sigurimit shëndetësor) që qytetarët e paguajnë kur e marrin shërbimin mjekësor në sistemin privat konkurrent.

Argumenti i dytë është që shteti mund t’ia subvencionoj të varfërve shërbimin shëndetësor pa e marrë nën menaxhim ofrimin e këtij shërbimi. Shteti mund ta krijoj një skemë sociale, diçka të ngjashme me sistemin voucher, nëpërmes të cilit ia financon (sigurisht me kushte të caktuara) të varfërve mjekimin në klinikat private të cilat ata janë të lirë t’i zgjedhin.

Natyrisht, ideale do të ishte sikur të varfërit të jenë të punësuar dhe t’i financojnë vetë shpenzimet e tyre, por argumenti qëndron që shteti nuk ka nevojë ta menaxhojë një shërbim drejtpërdrejtë në mënyrë që ai të jetë falas për grupe të caktuara.

Kjo alternativë do të ishte dukshëm superiore ndaj asaj prezente për faktin se cilësia e shërbimit do të ruhej, kurse të varfërit prapë do të ishin të mbuluar.

Zgjidhjet për shëndetësinë, si dhe një grumbull problemesh tjera të shkaktuara nga keq-menaxhimi shtetëror, duhet të kërkohen “jashtë kutisë”.

Shqiptarët duhet të çlirohen një herë e përgjithmonë nga mendësia e gabuar etatiste që shteti është zgjidhje për gjithçka. Në fjalët e Ronald Reagan-it, “shteti është problemi, jo zgjidhja”, Kosova ka nevojë që së paku t’i jap rast sistemit privat të pacenuar nga shteti të funksionoj dhe t’i tregoj rezultatet e tij ashtu siç ka bërë historikisht në vende të ndryshme të botës.