politikë

Skenari ogurzi i radhës?

Etjon Basha

Sot përfundimisht po bëhet mjaft e qartë që gjithë situata e krijuar para, gjatë dhe pas ndeshjes tashmë famëkeqe në Beograd nuk na qenë paska një seri incidentesh “spontane” e të keq-menaxhuara nga ana e autoriteteve serbe, por diçka shumë më e rëndë. Po ngjan gjithnjë  e më e mundur që sot po gjendemi në mes të një skenari të gjerë, të planifikuar me kohë e të mirë-koordinuar që synon nxitjen e dhunës nga ana e shqiptareve. Për ç’qëllim dhe cui bono?

Më tej, duket edhe më e qartë që një skenar i tillë nuk po përfshika vetëm fqinjët tanë të dashur, por shkuaka shumë më thellë në strukturat e kontinentit tanë jo më pak të dashur (apo jo, Fishta?).

Sidoqoftë, edhe sot është me rëndësi madhore që shqiptarët kudo qofshin të mos bien pre e cilitdo makinacioni që padyshim është përgatitur e mund të luhet ndaj nesh në ditët në vijim. Secili duhet të ruajë një standard moral jo më të ulët se ai i dëshmuar nga futbollistët tanë në çaste shumë më të vështira. Nëse sot për sot përmasat e kësaj që po ndodh nuk mund ti kuptojmë, do vijë dita që çdo gjë do sqarohet. Ndërkohë është imperative që askush të mos bie pre e provokimeve të hapura por të ruajë qetësinë e të kalojë këtë stuhi të sajuar për kush-e-di ç’arsye.

Dhe, meqë ra fjala, në se gjermanët ngulin këmbë pas kuintave që Kryeministri i Shqipërisë na u dashka të vijojë me patjetër me vizitën e tij mendjelehtësisht të fort-trumpetuar në Beograd, është dhe vetë Kryeministria ajo që nuk duhet të bie pre e provokimit të radhës, por ti japë gjithë “dashamirësve” të Shqipërisë përgjigjen që meritojnë: në Beograd shkoni vetë.