Uncategorized

Socializmi shqiptar rron dhe është shëndosh e mirë

Bardhyl Salihu

Tani që Qeveria e Kosovës i ka marrë disa masa për privatizimin e ndërmarrjeve publike, absolutisht gjëja e vetme e mirë që e ka bërë që nga ekzistenca e saj, në opinionin e gjerë ka lindur një ndjenjë totalisht e pabazë kundër këtij procesi ekonomik tejet të nevojshëm. Është e tmerrshme që popullit më të varfër të Evropës, të cilit i duhet liria ekonomike më së shumti, të ketë këso mendime socialiste.

Kjo bëhet edhe më tragjike kur po ky popull ka kaluar nëpër një regjim tipik socialist dhe një pothuajse-socialist, natyrisht me pasoja të tmerrshme, dhe sot refuzon të mësoj nga e kaluara. Se sa i përhapur është sentimenti kundër privatizimit flasin edhe shembujt e disa “ekonomistëve” shqiptarë që e radhisin veten në anën e lirive ekonomike por njëkohësisht janë aq të çmendur sa ta quajnë privatizimin “plaçkitje të pasurisë”.

Termi absurd “pasuri e Kosovës”

Bazën e kësaj ndjenje të pakënaqësisë me privatizimin e përbën termi absurd “pasuri e Kosovës”. Privatizimi, sipas atyre që e kundërshtojnë atë, qenka shitje e “pasurisë së Kosovës” dhe si rezultat varfërim i vendit. Lëvizja Vetëvendosje! nuk hesht së përsërituri këtë term i cili është kombinim i kundërthënieve, anti-logjikës dhe gënjeshtrave.

Por “Kosova” nuk mund të jetë pronar i asgjëje sepse “Kosova” nuk është njeri. Vetëm individi i cili ka kapacitete mendore mund të pronësoj diçka. “Kosova” është një term i cili i referohet qytetarëve të Kosovës. Thënia që PTK-ja është “pasuri e Kosovës” ka aq kuptim sa thënia që Hashim Thaçi është pasuri e Kosovës.

Problemi themelor me këtë mendim është vetë çështja e pronësisë. Pronësia si koncept është e nevojshme për shmangien e konflikteve në mes individëve. Me qenë se në tokë burimet janë të kufizuara, kërkesat e shumta mbi kontrollin e këtyre burimeve qojnë në konflikte. Për t’ju shmangur këtyre konflikteve është e nevojshme prona private e cila e përcakton se çka i takon kujt. Por, nëse prona qenka mekanizëm i cili i shmang konfliktet, atëherë e kuptojmë që vetëm një pronar mund të ekzistoj për një pronë të caktuar. Ideja që dy ose më shumë pronarë të kenë në pronësi një pronë të caktuar është kundërthënëse me vet nevojën për të pasur të drejta pronësore në radhë të parë.

Prandaj termi “pasuri e Kosovës” nuk mund të ekzistoj si definicion fare, sepse me “Kosovë” nënkuptohen të gjithë qytetarët e Kosovës, i cili na kthen tek konfliktet mbi përdorimin e burimeve. P.sh. nëse rrugët janë “pasuri e Kosovës”, atëherë kujt i takon që ta përcaktojë si kjo “pronë” do të përdoret? Nëse X qytetari e dëshiron rrugën për transport kurse Y qytetari për protestë lind një konflikt për përdorimin e saj. Nëse ky konflikt zgjidhet nëpërmes arbitrimit shtetëror atëherë njëra palë do të fitoj në dëm të tjetrës çfarëdo vendimi që merret—është e pamundur që të gjitha palët të kënaqen. Në fund, me qenë se arbitrimin shtetëror duhet ta bëjnë politikanët (ose burokratët), kjo i bie që ata e jo qytetarët qenkan pronarë të rrugës (apo postës, apo KEK-ut) sepse ata po i marrin vendimet, po sillen si “pronarë”. Pra, në rastin më banal, termi “pasuri i Kosovës” është kundërthënës sepse shtiret si pronë por në fakt nuk e luan rolin e pronës në shmangien e konflikteve mbi përdorimin e saj.

Pronë e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës është vetëm prona private. Të gjitha aranzhimet tjera janë forma të komunizmit, të filozofisë së “pronës së përbashkët”, të cilat nuk e zgjidhin problemin e konflikteve dhe si rezultat janë kundërthënëse.

E prona private çka qenka pra?

Së dyti, nëse dikush i referohet “pronës” shtetërore si “pasuri e Kosovës”, atëherë ai lë të kuptohet që prona private nuk qenka pasuri. Përndryshe, ky term nuk do të ishte i nevojshëm për ta bërë këtë dallim kualitativ. E nëse vetëm prona shtetërore qenka pasuri, atëherë unë i ftoj të gjithë përkrahësit e termit “pasuri e Kosovës” t’i hedhin nga dritarja të gjitha gjësendet private. Humbja e tyre do të jetë zero nëse në të vërtetë besojnë se vetëm “prona” shtetërore qenka pasuri.

Shikoni përreth jush: të gjitha gjësendet që e përbëjnë standardin tuaj jetësor janë produkt i firmave private. E produktet shtetërore? Janë rrugët e ndërtuara dobët, me pengesa, e të mbi-paguara, uji i cili ka ndërprerje pas mesnate, rryma me ç’rregullime, mbeturinat të cilat kundërmojnë, policia qesharake, e të gjitha shërbimet tjera të cilat Qeveria shtiret se po i ofron në këmbim për taksat e dhunshme.

Së fundi, nëse vetëm prona shtetërore qenka “pasuri e Kosovës”, atëherë pse mos ta shtetëzojmë të gjithë pronën private në mënyrë që të transformohet nga parëndësia në pasuri? Pse të ketë vetura, kompjuterë ose telefona mobil privatë, kur duke qenë privatë ato s’mund të konsiderohen “pasuri e Kosovësë” dhe si rezultat nuk do të numërohen si pjesë e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës? Le ta ftojmë shtetin t’i marrë të gjitha gjësendet në pronësi në mënyrë që të mos mbetet asgjë pa u konsideruar “pasuri e Kosovës”. Po pra, përfundimi logjik i kundërshtarëve të privatizimit është socializmi i plotë.

Në vend se t’i përqafojnë gjepurat e grupeve kundër privatizimit, qytetarët e Kosovës duhet ta ftojnë këtë proces tejet të nevojshëm për zhvillimin ekonomik. Vetëm prona private ruhet dhe vihet nën shërbimin e të tjerëve, sepse pronarët e saj nuk janë të privilegjuar nga taksat por duhet t’i fitojnë të ardhurat nga puna e sinqertë. Sa më shumë që i lihet shtetit nën kontroll, aq më shumë do të ketë keq-menaxhim, korrupsion dhe shkatërrim të pronës. Në çdo fushë të ekonomisë në Kosovë alternativa private, përkundër pengesave dhe gjendjes së rëndë ekonomike, është pakrahasim më efikase se ndërmarrjet publike. Nëse i urreni politikanët aq shumë, siç duhet t’i urreni me shpirt, atëherë mos i leni asgjë në dorë sepse tregu është i aftë t’i ofrojë të gjitha shërbimet e nevojshme!