ekonomi

Taksa e frikshme e daljes nga vendi

Etjon Basha

1

Ndonëse Qeveria e re e majtë ka ndërmarrë disa lëvizje të bujshme dhe ka sjellë një frymë të ndryshme prej asaj të shumicës paraardhëse, sërish në blogun tonë modest nuk është ndërmarrë ndonjë analizë e plotë e reformave të ndryshme të porpozuara, me disa përjashtime. Arsyeja kryesore pas kësaj “neglizhence” është që thuajse çdo masë e ndërmarrë nga shumica e re në Shqipëri është diskutuar disa herë më parë në kontekste të ndryshme në këtë blog, qoftë prej meje e qoftë prej Bardhylit.

Në veçanti do veçoja shkrimin mbi marshimin e pandalshëm drejt korporatizmit, jetësim i të cilit duket të jenë reformat e shumicës aktuale. Siç është argumentuar në atë shkrim, klasa e lartë, e vënë për shkak të mendësisë etatiste të Shqiptarit mesatar para zgjedhjes mes nënshtrimit nga shteti dhe kontrollit të tij, doemos qe zgjedh mundësinë e dytë. Dhe qeveria aktuale nuk duket të përfaqësojë tjetër veç sistematizimin e këtij parimi, edhe më shumë nga qeveria e shkuar.

Në fakt, ndonëse rrethohet nga bombasti dhe retorika etatiste, është bërë e qartë tashmë që qëllimi kryesor i klasës sunduese në Shqipëri është, sot për sot, shfrytëzimi i paragjykimeve etatiste të qytetarëve për të kartelizuar sa më shumë tregje të jetë e mundur. Deri dje,tregtia dhe sistemi financiar. Nesër ndërtimi, transporti, turizmi, bujqësia e sa më shumë tregje të tjera të jetë e mundur. Dhe ndonëse ideja e një vendi ku shteti ka ndihmuar një grusht shoqërish të fitojnë pozita monopolistike në mbarë tregun duket rrëqethëse për liberalët, alternativa e një vendi ku vet shteti kontrollon me dorë të fortë ekonominë është ende më rrëqethëse.

Kështu, duke përsëritur veten, nuk mund veçse të them që qëllimet kartelizuese të qeverisë aktuale duhen parë si e keqja më e vogël në kushtet e opinionit publik aktual në Shqipëri. Nëse shumica do dijë të përfitojë nga përvoja e opozitës së sotme duke miksuar dhe doza liberalizmi në këtë program, ky do jetë një zhvillim për tu përshëndetur. Megjithatë, duhet pranuar që gjasat që një kthesë e tillë të ndodhë janë të pakta: e ardhmja afatmesme nuk duket fort e ndritur.

Mirëpo njëra prej shumësisë së masave që po diskutohen sot për sot në tryezat e Ministrisë së Financave është mjaftueshëm e frikshme sa duhet dënuar me forcë që në këtë fazë, pa pritur çastin kur (ose nëse) do zbatohet në praktikë: taksat në dalje në kufi.

Duket se ndër pikat e shumta të marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (e cila meriton një shkrim të mevëtshëm), parashikohet dhe “Një taksë e sheshtë mbi të gjithë banorët që udhëtojnë jashtë vendit.” Ndonëse një taksë e tillë do jetë më çdo gjasë e vogël dhe e lehtë për tu paguar, parimi pas saj është jo më pak se rrëqethës: një version i  (zbutur i ose hap i parë drejt?) mbylljes së kufirit, të cilën shqiptarët e mbajnë mend mirë.

Mund të argumentohet lehtë që shteti ka në dorë të bëjë dëme të mëdha shoqërisë mbi të cilën sundon. Mirëpo asnjë nga këto dëme nuk mund të shkojë në skaj sa kohë qytetarët kanë mundësi të largohen fizikisht prej vendit. Siç është diskutuar më parë në këtë blog, asnjë prej teprimeve të regjimit të Hoxhës nuk do kishin qenë të mundur pa mbylljen hermetike të kufirit shqiptar. Kështu, çdo përpjekje sado e vogël dhe simbolike (të mos harrojmë taktikën e parapëlqyer të etatizmit: shumë reforma të vogla që, me kalimin e kohës, sjellin ndryshime të mëdha) për të kufizuar lirinë absolute të daljes nga kufijtë e vendit duhet parë si cënimi i parë dhe më i rëndë i lirisë individuale të qytetarit, me të cilin asnjëra nga masat e tjera që mund të propozohen nuk krahasohen.

Mund të mendohet që ky është një reagim qesharak ndaj një propozimi modest për një mini-taksë që nuk do i prishë punë njeriu, së paku jo më shumë nga ç’na prish sot punë taksa e kolaudimit të automjetit. Më duhet të kundërshtoj këtë mënyrë të menduari: nëse pranohet sot e drejta e shtetit për të kufizuar sadopak lirinë e daljes së qytetarëve, kush do rezistojë nesër kur kjo e drejtë do marrë përmasa serioze?

Qeveria shqiptare nuk duhet të bie pre e ngushticës monetare të çastit (në të cilën është zhytur veçse me përpjekjet e veta) e të ndërmarrë masa të tilla që i japin të drejtë atyre që e shohin shumicën e sotme si një rijetësim të zbutur të kupolës së vjetër socialiste në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë nuk duhet të tolerojnë asnjë cënim të lirisë së tyre për tu larguar nga vendi pa dhënë llogari kurrkund (se cili vend i huaj i pranon, kjo është çështje tjetër). Nëse opinion publik duhet të mbajë mend një dhe vetëm një mësim prej përvojës socialiste të Shqipërisë, le të jetë i mëposhtmi: një vend që mbyll kufirin kthehet në çast në një burg të madh. Sado mirë të trajtohen të burgosurit, ata mbeten të burgosur. Sado i varfër të ndihet qytetari, ai mbetet njeri i lirë.