Uncategorized

Të ndajmë socialistët e sinqertë nga bandat e kriminelëve

Etjon Basha

Më duket e përshtatshme që në prag të zgjedhjeve vendore që do mbahen në nesër të hedhin një shikim mbi socialistët (jo ata të partisë, ata të teorisë) dhe gjysmë-socialistët që na rrethojnë, e që do shkojnë tufa-tufa të votojnë e të votohen nesër.

Shumë, shumë pak prej njerëzve që njoh ose me të cilët kam pasur të bëj e pranojnë parimin e pronës private në plotësinë e tij. Nuk mbaj mend qoftë dhe një herë të kem dëgjuar një fjalim, lexuar një artikull apo ndjekur një debat ku ky parim të mbrohej. Ngado shoh, shoh bindjet socialiste, të pjesshme apo të plota, që mbizotërojë.

E megjithatë mund të them me bindje të plotë që nga kjo shumicë njerëzish askush nuk ka bindje reale në ato që thotë. Askush nuk beson realisht që prona private duhet kufizuar, ose dhe eliminuar, që ndërhyrja e fortë e shtetit në jetët tona realisht është për më mirë. Madje do shkoj dhe më tej dhe do them që shumica dërrmuese e socialistëve ose gjysëm-socialistëve tanë të dashur janë hajdutë e asgjë më shumë, aspak teoricienë altruistë të një bote më të mirë.

Kush jam unë për të vënë në dyshim bindjet e këtyre njerëzve? Si mund të them këto që sapo thashë?

Shumë e thjeshtë, socialistët me bindje të vërteta nuk kanë frikë nga tregu i lirë dhe prona private! Më lejoni të sqaroj atë që dua të them me disa shembuj.

Një nëndegë mjaft e përhapur e socializmit është sindikalizmi. Sindikalistët besojnë, në vazhdën e teorive të Marksit, që vlera e një ndërmarrjeje krijohet vetëm e vetëm nga punëtorët e saj, dhe që pronarët e menaxhimi thjesht përvetësojnë një pjesë nga kjo vlerë për vete dhe u lënë punonjësve vetëm një pjesë të asaj që u takon me të drejtë. Sindikalistët pretendojnë që pronësimi i ndërmarjeve të prodhimit, shërbimit, fermave bujqësore, etj. nga punonjësit do zgjidhte këtë problem dhe njëkohësit do ishte forma më efektive e prodhimit. Paralelizma me eksperimentin socialist Jugosllav hidhen shpesh.

Po mirë pra, nuk ia vlen të niset debati me sindikalistët mbi strukturën e prodhimit, funksionin e sipërmarrësit, vlerën marxhinale të faktorëve në prodhim e shumë koncepteve të tjera që duhen realisht për të sqaruar funksionimi e nj sipërmarrjeje. Sindikalistëve vetëm një sfidë mjafton tu hidhet: nëse realisht mendoni se ndërmarrjet ku punoni do funksionin më mirë nën pronësinë tuaj e pa sipërmarrës, pse nuk I blini ato dhe kështu të pasuroheni në pak kohë? Sindikatat nëpër botë, madje dhe në Shtetet Shqiptare, kanë në dorë fonde jo të pakta prej kontributeve të anëtareve. Ndërmarrjet nga ana tjetër do ishin shumë të lumtura të pranonin kapital të ri. Pse, pra, në vend që të humbasin kohë e të thyejnë kocka në protesta të shëmtuara, nuk përdoren kontributet e punonjësve në sindikata për të blerë gradualisht ndërmarrjet ku ata punësohen?

Nëse realisht besojnë në  përrallat që tregojnë, përse nuk e zaptojnë këtë mundësi të artë? Në tregun e përditshëm, sipërmarrja funksion pikërisht kështu: dikush dallon atë që ai beson mund të jetë një kërkesë e pakënaqur e publikut dhe investon kohë dhe mund për ta plotësuar.  Besimi i tij mund të dalë i vërtetë (dhe biznesi të ketë sukses) apo i gabuar (dhe biznesi të falimentojë), por nëse sipërmarrësi në fjalë as që e çon nëpër mend të investojë, ne fill e kuptojmë që ai nuk e beson realisht që ka gjetur një mundësi për fitim.

Dhe nëse sipërmarrësi interesohet vetëm për fitim monetar, ç’mund tu themi sindikatave tona që çirren për parime të mëdha morale dhe padrejtësi shoqërore, dhe nuk veprojnë për të eliminuar gradualisht këto padrejtësi?

E pra, një shpjegim dhe një të vetëm mund të gjejmë: sindikalistët nuk besojnë realisht në idiotësirat që thonë, por thjesht duan të vjedhin me dhunën e shtetit  para nga sipërmarrësi që u jep punë e i shërben publikut. Këta nuk janë sindikalistë, por një bandë hajdutësh që fshihen pas fjalëve të bukura!

Po i njëjti arsyetim vlen për çdo bindje tjetër që bie ndesh me pronën private. Kthehemi tek një pikë që kemi trajtuar më parë, ekonomistët që besojnë që shteti duhet të ndërhyjë në sistemin monetar, madje ta menaxhojë atë tërësisht si bën sot, për të shmangur krizat e mëdha. Pse vallë po këta ekonomistë e bankierë janë ithtarë të mëdhenj të tenderit ligjor, pas të cilit vetëm Banka Qëndrore duhet të ketë fuqi emetimi të parasë?

Nëse realisht ata besojnë që paraja e menaxhuar publikisht është më efektive, atëherë s’kanë pse të fshihen pas monopolit publik, por mund të lejohet konkurrenca e plotë monetare, dhe ata vetë të përdorin paranë e Bankës Qëndrore. Sa të pasur do bëhen, e sa të varfër do mbetemi në të tjerët!  Sa shpejt do mund ti kthenin teoritë e tyre në pasuri! Sa shpejt do hiqnim dorë ne të tjerët nga bindet tonë liberale kur të shihnim se si pasurohen dita-ditës ata që përdorin paranë publike, ndërsa ne të tjerët vuajmë nga krizat që kaplojnë bizneset dhe familjet tona!

Por këto janë dokrra sepse askush nuk beson realisht që shteti mund ta menaxhojë sistemin monetar më mirë se konkurrenca e lirë. Pra, këta ekonomistë e bankierë nuk janë socialistë monetarë të bindur, por thjesht hajdutë që duan të vjedhin nga në të tjerët me anë të inflacionit, e fshihen pas teorive të mëdha pasi nuk gjejnë guxim të pranojnë hapur që duan të jetojnë në kurrizin tonë.

Ose më tej, ç’të themi për kejnsianistët dhe ithtarët e tjerë të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi? Pse nuk e lënë shtetin të ndërhyjë në ekonominë e tyre vetjake, në ndërmarrjet e tyre, familjet e tyre, dhe të na lënë të qetë ne të tjerëve të vuajmë nën sistemin e tmerrshëm kapitalist? Pse nuk pasurohen vetë duke zbatuar bindjet e tyre teorike që aq shumë na i trumbetojnë ditë e natë? Pse zgjedhin të shkruajnë artikuj e të dalin nëpër media, kur mund të na bindin shumë thjeshtë për ato që thonë, kur të shohim se si ata pasurohen e ne varfërohemi? Mos vallë nuk u pëlqen pasuria apo duan të lodhen?

Jo, e vërteta është e ndryshme: askush nuk beson realisht që ndërhyrja e shtetit në ekonomi është efektive. Kushdo propagandon këto dokrra nuk është veçse një hajdut që do të rrojë në kurriz të atyre që prodhojnë realisht duke u vjedhur atyre para për licenca, leje e një mijë e një xhingla të tilla që ia marrin frymën sipërmarrjes. Të paktën të kenë kurrajo të dalin hapur me planet e tyre, e jo të fshihen pas teorive të larta.

Por ata që duan të menaxhojnë e rregullojnë sistemin financiar, përse nuk na lënë ne të tjerëve të vuajmë me banka e shoqëri sigurimesh që falimentojnë, e të rregullojnë bankat e shoqëritë e tyre të sigurimeve? Po ata që kanë një muaj që brohorasin për moratorium të ndërtimeve në qytetet tona, për gjelbërim e për plane urbanistike, përse nuk planifikojnë, gjelbërojnë e ngrenë moratoriume në lagjet e tyre, e të na lënë të qetë ne të tjerëve ti zhvillojmë spontanisht lagjet tona?

Dhe qershi mbi tortë, ç’të themi për “komunistët e vërtetë”, atë që besojnë që i tërë sistemi i pronës private duhet flakur tutje, që gjithë ekonomia duhet menaxhuar publikisht e “racionalisht”, në mënyrë të drejtë e shkencore, e jo nga  “horrat të cilëve u ka rënë në dorë leku”? Ç’të themi për ata që të vetmin faj të regjimit të shkuar komunist e gjejnë tek lufta e klasave, që kujtojnë me mall ose idealizojnë kooperativat e aksionet vullnetare, që nuk dëgjojnë të hyjnë në punë private por sa u shkel këmba nga fakulteti turren nëpër punë shtetërore?

Nëse realisht  besojnë në këto teori, le të mbledhin shtëpitë, pronat, bizneset e paratë e tyre e le ti bashkojnë një një të ashtu-quajtur mutual association që nuk është gjë tjetër veçse socializëm privat. Le të jetojnë e punojnë në këto komunitet, e le të pasurohen e të jetojnë të lumtur në drejtësi, bollëk dhe paqe sociale, e të na shohin prej dritareve të tyre ta arta në të tjerëve, budallenjtë që besuam në pronën private se si çahemi me njëri-tjetrin, si vidhemi nga ‘horrat që u ka rënë në dorë paraja’. Si do mbajmë radhë pastaj ne nëpër dyert e tyre duke iu lutur të na pranojnë dhe ne në shoqatat e tyre, duke kërkuar falje që hodhëm poshtë veprat e liderëve socialistë e që hodhëm baltë 20 vjet mbi arritjet e jashtëzakonshme të rrëgjimit, tek kufijtë e të cilit kishte rradhë për të hyrë në Shqipërinë Socialiste!

Sa lehtë qenka të zbatosh teoritë socialiste. tregu i lirë dhe vetëm tregu i lirë mund të konsiderohet, me fjalë e Robert Nozick-ut, një “meta-utopi”,  një utopi për utopitë, një sistem ku secili mund të jetojë jetën që dëshiron pas parimeve të veta, pa iu imponuar të tjerëve e pa pësuar imponim. Tregu krijon për këdo mundësinë për të vënë në zbatim bindjet e veta, madje e lehtëson këtë punë në maksimum. Gradualisht dhe duke nisur me pak persona, një ide e mirë kthehet në një sukses të vërtetë.

Sipërmarrësit nuk zihen nëpër gazeta  se cili ka gjetur stilin më të mirë të menaxhimit apo ofertën më të kënaqshme: ata provojnë në praktikë bindjet e tyre, dhe pranojnë në heshtje e kokulur që qenë të gabuar kur kjo përpjekje dështon. Kurrsesi nuk pretendojnë të detyrojnë të gjithë të bëhemi klientë të tyre me dhunë! Pse nuk munden dhe socialistët të gjitha ngjyrave që shohim kudo të kenë të njëjtën burrëri?

Mos vallë sepse kanë frikë të provojnë diçka që s’është vënë kurrë në zbatim? Ja që këto që shkruaj këtu janë vënë në praktikë. Izraelitët që nuk preferonin të jetonin në sistemim gjysëm-kapitaliste Izraelit nuk menduan të detyronin njeri tu bashkohej, por vajtën e ngritën kibucet e tyre, e ende sot jetojnë në paqe me Izrealitët që nuk ndajnë bindjet e tyre. Kjo është të kesh bindje të vërteta!  Sa e sa komunitet janë ngritur në ShBA gjatë dekadave, anëtarët e të cilave kurrë nuk akne pretenduar të detyronin amerikanë të tjerë tu bashkoheshin ideve të tyre me dhunë. Kjo është të kesh bindje të vërteta!   Pse nuk mund të tregohen socilaistët tanë po kaq burra?

Arsyeja është po ajo në çdo rast: askush nuk beson realisht që socializmi funksionon. Kushdo hiqet si socialist, thellë-thellë, në mënyrë të ndërgjeshme apo të pandërgjegjshme, është veç një hajdut që digjet nga zilia për pasurinë e atyre që ditën ti shërbenin realisht publikut ndërsa ai çirrej nëpër artikuj e leksione, e që do të përdorë dhunën e shteti – se shteti vetëm dhunë di të përdorë – për të shkatërruar atë që ai vetë nuk ka guxim të ndërtojë.

Nëse dhe ju jeni socialistë, dhe gjasat janë që jeni ndopak,  e nuk besoni në pronën private dh  tregun e lirë, vini teoritë tuaja në zbatim me ata që besojnë ashtu si ju e mos sulmoni tregun që ju mundëson të krijoni utopinë tuaj personale. Nëse pasi të lexoni këtë sfidë, sërish mbeteni socialistë dhe nuk orvateni të zbatoni bindjet tuaja, dijeni se ç’fshihet pas tyre.

Për ata që ende dyzohen mes tregut dhe shtetit, që ende binden disi nga bombardimi pseudo-socialist që dëgjojnë nga të katër anët, dijeni mirë që këta të shumënderuar socialistë nuk janë veç hajdutë, dhe duke iu bashkuar atyre thjesht bashkoheni në një bandë kriminale e parazite që do të jetojë në kurriz të shoqërisë. Socialistët e vërtetë, ata të cilët i respektoj ndonëse nuk bie dakord me bindjet e tyre, nuk kanë frikë nga tregu i lirë!