T’i ikim shtetit te mirëqenies para se të na kaploj

Bardhyl Salihu

Numri i sotshëm i gazetës financiare Wall Street Journal ka një artikull të shkëlqyeshëm mbi shkaktarin themelor të krizës së borxheve në Evropë: shtetin e mirëqenies. “Në Itali, sikur në Greqi, Spanjë, Portugali e eventualisht Francë,” shkruhet në artikull, “shteti i mirëqenies është përplasur në muri. Qeveri të vazhdueshme në Kontinent, të djathta e të majta, kanë financuar benificione të majme me taksa të larta dhe kulla të mëdha borxhi.”

Përkundër emrit tij të këndshëm, në Perëndim, termi “shtet i mirëqenies” i referohet një Shteti i cili merr përsipër përgjegjësi të mëdha në shoqëri—përgjegjësi të cilat nuk mund t’i kryej. Këtu përfshihet ofrimi i shërbimeve shëndetësore, edukimit, kompensimit të papunësisë, apo sigurimit social ndër tjera. Të gjitha këto benificione nuk janë fare falas por natyrisht duhet të paguhen nga taksat. Atëherë kur të hyrat nga taksat nuk mjaftojnë, Shteti duhet të marrë borxh në mënyrë që ta mbuloj deficitin.

Me qenë se marrja përsipër e këtyre përgjegjësive prodhon rezultate negative si krizën e borxheve e cila po e shkatërron Evropën, fjala “mirëqenie” ndoshta duhet të ndahet nga “shteti”. Ndoshta një emër më i drejtë për këtë ideologji ekonomike do të ishte “shteti i shkatërrimit”.

“Ekonomitë e këtyre vendeve,” vazhdon artikulli, “kanë dështuar të rriten aq shpejtë sa t’i mbulojnë shpenzimet dhe borxhet, kështu që vitin që shkoi paratë filluan të harxhohen. Dita e gjykimit ka ardhur.”

Por pjesa më e qëlluar e artikullit nuk ka ardhur ende. “Frika e madhe në shumë vende evropiane është që reformat serioze do të provokojnë protesta në rrugë. Një efekt anësor i pakënaqshëm i shtetit të mirëqenies është krijimi i interesave të fuqishme të cilat luftojnë deri në fund për ta mbrojtur ‘drekën e lirë’, pa marrë parasysh barrën që i lënë vendit”.

Se kriza e shtetit të mirëqenies shërben si paralajmërim për Kosovën që të mos e adoptojë një sistem të tillë është mesazhi më elementar që mund ta nxjerrim nga ky artikull. Mesazhi më i thellë dhe më i rëndësishëm është rreziku që në rast të adoptimit të një sistemi të tillë nuk do të ketë kthim mbrapa.

Çdo tentim sot në Greqi për t’i zbatuar masat e shtrëngimit buxhetor po sjell përçarje dhe trazira të mëdha. Edhe në Spanjë ka pasur protesta kundër papunësisë dyshifrore, gjithashtu të shkaktuar indirekt nga shteti i mirëqenies. Pasiguria politike në Itali bashkë me rritjen rekorde në normat e interesit që Qeveria italiane duhet t’i paguaj për borxhin e saj e kanë shtyrë atë në trajektoren greke. Është e qartë pra që pakënaqësitë sociale nga reduktimi i detyrueshëm i shtetit të mirëqenies do ta përcjellin Evropën deri në fund.

Përparësia e Kosovës është që kufizimet buxhetore e kanë penguar me sukses krijimin e një shteti të tillë. Megjithatë, edhe në Kosovë ka filluar praktika e deficiteve buxhetore të cilat duhet të mbulohen me borxhe. Sektori publik i cili po e ngulfat ekonominë private nuk është gjigant por megjithatë duhet të reduktohet. Mesazhet nga Evropa në krizë janë të qarta: duhet t’i ikim shtetit të mirëqenies para se të na kaploj.

7 thoughts on “T’i ikim shtetit te mirëqenies para se të na kaploj

  1. Nafta konvencionale arriti pikun (prodhimin maksimal historik) ne 2006-en. Nafta, burimet fosile jane energjia dhe lenda kryesore e ekonomise boterore qe mundesuan industrializimin, urbanizimin, rritjen ekonomike etj. Qe ketej do te jemi ne nje disheze qe pjeserisht do te na ktheje mbrapa ne kohe.

    Une do u sugjeroja te gjitheve te fillojne te studiojne & praktikojne ethshem ekonomi shtepiake, bujqesi & energji te rinovueshme.

  2. Pershendetje dhe faleminderit per komentin.

    Ideja qe nafta konvencionale e ka arritur pikun eshte tejet e paqendrueshme. Nje pohim i tille eshte bere shume here vetem per tu demantuar nga nje pohim tjeter qe rezervat e naftes jane rritur.

    Megjithate, tregu e ka nje mekanizem te shkelqyeshem per probleme te tilla: kur burimet natyrore zvogelohen dhe si rezultat cmimi i tyre rritet, dy gjera ndodhin: 1) prodhuesit nxiten te hulumtojne burime te reja te cilat me pare ishin te shtrenjta; 2) investohet ne zhvillimin e formave alternative (si p.sh. energjia e rinovueshme).

    Te lutem shikoje kete video te shkelqyeshme: http://www.youtube.com/watch?v=AcWkN4ngR2Y

    Gjitha te mirat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *