ekonomi

Tragjedia kombëtare e humbjes së statusit si vend kandidat

Etjon Basha

Siç kushdo do ta ketë marrë vesh deri tani prej histerisë kolektive që duket se zaptoi dje mbarë median dhe politikën shqiptare, Bashkimi Evropian sërish hodhi poshtë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

E vetmja pikë ku realisht ia vlente mërzitja e madhe, qe pretendimi absurd i BE-së se një ndër arsyet na paskish qenë dhe mos-funksionimi i tregut të lirë (për të mos folur për mangësitë e pretenduara në lirinë e medias) në Shqipëri. E thënë nga Evropianët, që termin ‘kapitalist’ ende e konsiderojnë fyerje, tregun e kanë njohur shkurtimisht para një gjysmë-duzine brezash, e ku me ‘liri mediash’ nënkuptohet censura publike ndaj çdo komenti politikisht jo-korrekt, këto duhen marrë si komplimente!

Po përtej sarkazmës së çastit, e vetmja gjë që mund të them mbi këtë zhvillim është të përsëris çka shkrova kur Shqipërisë iu mohua për herë të parë ky status para ca kohësh: ky paska qenë shekulli fatlum për Shqiptarët!

Të gëzohemi pra që për shkak të politikës së brendshme Evropiane sërish nuk po na lejohet ti bashkohemi kësaj perandorie korporatiste bashkëkohore. Nëse tani për tani shumëkush është tepër i magjepsur nga BE-ja për ta kuptuar, me siguri në pak kohë do mësojmë që Evropa e sotme është kthyer tërësish kundër parimeve që i falën pasurinë kontinentit, dhe që duke iu bashkuar kësaj parade dështimesh kombëtare nuk kemi për ta kuptuar qytetërimin klasik Evropian që aq shumë – dhe me sa të drejtë! – ardhurojmë.

Ta gëzojmë pra refuzimin! Rruga e Shqiptarëve drejt kulturës perëndimore nuk kalon nga Brukseli.