Uncategorized

Tri probleme me administratën e shërbimeve civile

Bardhyl Salihu

Kërkimi i shërbimeve civile nga administratat e Qeverisë së Kosovës është njëra nga gjërat më të urryerat pikërisht për shkak gjendjes së mjerueshme në të cilën gjenden ato. Por, me qenë se pa dokumentet e nevojshme të identifikimit nuk mund të bëhet, qytetarët janë të detyruar të përballen me këto institucione.

Ditët që shkuan mua mu deshtë personalisht ti hyj procesit të mundimshëm për marrjen e letërnjoftimit dhe lejes së re të vozitjes. Në kohën sa po prisja që procedurat të kryheshin erdha në përfundim për tri probleme kryesore me të cilët administratat përballën dhe pa zgjidhjen e të cilëve nuk do të ketë përmirësim të shërbimeve.

1. Mungesa e informacioneve

Problemi primar me shërbimet civile është mungesa e informacioneve. Qytetari nuk e ka të qartë se ku duhet të shkojë në mënyrë që t’i ofrohen shërbimet të cilat i duhen. Edhe kur e gjen qendrën e duhur, nuk e ka idenë se çfarë dokumente t’i sjellë me vete. Kështu ai detyrohet të humbë kohë një herë duke ardhur në qendër për të pyetur për dokumentet e nevojshme, e pastaj duke ardhur me to. Përveç humbjes së kohës, kjo krijon edhe radhë të panevojshme të pritjes që nuk do duheshin formuar fare. Madje edhe mungesa e numrave në dyer të zyrave tek të cilat referohen qytetarët nuk është e pazakontë, pa të cilin informacion nuk mund të dihet se cila është zyra e duhur.

Problemet e informacionit mund të zgjidhen fare lehtë duke i vendosur instruksionet në mënyrë të mprehtë në faqet zyrtare të internetit si dhe duke e krijuar një linjë të veçantë të ndihmës telefonike. Së fundi, informatat duhet së paku të jenë të shfaqura në hapësirat e pritjeve në të gjitha qendrat.

2. Mungesa e thjeshtësisë

Një parim bazë i funksionimit të rregullt të sistemeve është që ato të jenë sa më të thjeshta. Prandaj edhe thënia satirike: “Pse thjeshtë, kur mund ta bësh të komplikuar”. Vetëm duke i thjeshtuar procedurat nëpërmes zvogëlimit të numrit të tyre dhe përdorimit të teknologjisë moderne për ta përshpejtuar punën mund të ketë funksionim efikas të administratës.

Tani për tani, baza e të dhënave nuk është e unifikuar dhe dokumente si certifikata e lindjes duhet të nxirren në qendra të ndryshme në vend që të gjitha të nxirren në një. Pastaj për nxjerrjen e një dokumenti të ri, madje edhe për ndryshimin e të njëjtit, nuk mjafton një dokument identifikimi por duhet të sillen edhe disa tjerë rëndësia e të cilëve është e paqartë.

Mungesa e investimeve në infrastrukturë ka bërë që renditja e dhomave të jetë e tillë që jo vetëm që nuk lejon hapësirë të mjaftueshme të pritjes, por madje nuk i plotëson as kushtet elementare për kryerjen e punës brenda zyrave. Në mungesë të renditjes së rregullt të hapësirave, krijohet kaos në pjesën e pritjeve. Një gjë e tillë do të evitohej lehtë me krijimin e hapësirave adekuate si dhe instalimin e sistemit të numrave rendor të cilët e bëjnë të kotë kacafytjen për të hyrë i pari.

3. Mungesa e stafit të kualifikuar

Nga të gjithë faktorët e rëndësishëm, faktori njeri është më i rëndësishmi. Problemi i tretë dhe i madh me administratën civile është mungesa e stafit të kualifikuar. Nuk është sekret që administrata civile është çerdhe e nepotizmit dhe si e tillë ka në rangun e saj personat më të pakualifikuar. Shpesh na ndodhë të takojmë staf të shtyrë në moshë i cili nuk di as t’i përdorë pajisjet teknologjike që i ka në dispozicion. Është i ngadaltë, e ka të paqartë se çka duhet të bëjë, nuk i përgjigjet qytetarit, kur e bënë këtë është arrogant dhe i pasjellshëm, etj.

Është tejet e rëndësishme që ndryshimet në administratën civile të fillojnë dhe mbarojnë me punësimin e stafit të kualifikuar i cili din ta bëjë punën thjeshtë, shpejtë, dhe me mirësjellje. Një staf i tillë vështirë se mund të gjendet në mesin e të moshuarve të cilët janë pjesë e administratës vetëm falë lidhjeve me pushtetin. Papunësia e madhe në mesin e të rinjve tregon se në Kosovë ekziston potenciali i shumëfishtë për përmirësimin e faktorit njeri dhe për sjelljen e stafit të kualifikuar.

Përfundim

Për të qenë i paanshëm, duhet të ceket gjithashtu që edhe shërbyesit në administratën civile përballën me hisen e tyre të problemeve. Këto probleme i krijojnë zakonisht qytetarët të cilët nuk kanë kulturë të mirësjelljes dhe bashkëveprimit me persona nga të cilët marrin shërbime, si në sektorin privat e si në atë publik. Shpesh përpos që kërkojnë shërbime jashtë rregullave të përcaktuara (p.sh. orarit të punës), ata janë edhe të paaftë t’i parashtrojnë drejtë kërkesat e tyre për dokumente si dhe t’i përgjigjen pyetjeve të stafit administrativ.

Natyrisht që në një shoqëri më të edukuar do të ishte më e lehtë kryerja e shërbimeve të tilla. Por, kjo nuk mund të ndryshohet menjëherë pa edukim të pareshtur me vite. Ajo çka mund të ndryshohet menjëherë janë tri problemet e cekura, zgjidhja e të cilëve do ta lehtësonte shumë marrjen e shërbimeve civile si dhe do ta largonte idenë që shkuarja në administratë është tmerr i pashmangshëm.