ekonomi

Vitet e lavdishme të Lekut (pjesa 1 nga 2)

Etjon Basha

 

Kemi diskutuar shpeshherë (1,2, 3, 4, 5, 6) në këtë blog mbi rëndësinë jetike që sistemi monetar ka për ekonominë bashkëkohore, dhe se si sistemet aktuale monetare në Shqipëri dhe (disi më pak) në Kosovë janë dukshëm larg optimales.

Por ka qenë një kohë kur Shqipëria, e vetme në Evropë, ka gëzuar një sistem shumë të shëndoshë monetar. Pa dyshim që i referohem periudhës nga 1924-a deri në 1945-ën, dhe standardit të arit që qe në fuqi atëherë.

Ndonëse studime e mirëfillta historike mbi fushën monetare (dhe në përgjithësi ekonomike) mungojnë, një ide të përgjithshme të evoluimit të standardit monetar në Shqipëri mund ta krijojmë. Shqipëria nën sundimin osman (pace pretendimeve absurde të eksponentëve të neo-otomanizmit) nuk ishte ndonjë qendër e rëndësishme tregtare. Me përjashtim të dy-tri qyteteve si Shkodra, Korça dhe Prizreni, gjasat janë që Shqiptari mesatar as merrte e as jepte në para më shumë se pak herë në vit në pazarin e qytetit më të afërt. Paratë në qarkullim në ato kohë qenë prerje të huaja (napoloni i famshëm), por gjithnjë në ar, pasi popullsia vetëm paranë e çmuar shihte si të vlefshme.

Me rritjen e ekonomisë pas pavarësisë, dhe kryesisht me rivendosjen e paqes publike pas 1924-ës, u rrit ndarja e punës dhe si pasojë dhe monetarizimi i ekonomisë. Por mosbesimi i përgjithshëm ndaj çdo paraje që nuk ishte ar i pastër mbeti, dhe madje u rrit. Ndonëse pas Luftës së Parë Botërore Evropa po i largohej standardit të pastër të arit, Shqipëria mbeti ndofta i vetmi vend në kontinent ku ari qarkullonte përditë, dhe i vetëm, në transaksione.

Hegjemonia e standardit të arit në Shqipëri vetëm sa u theksua pas 1931-it, kur Britania qe vendi i parë perëndimor që përfundimisht iu largua standardit të arit. Mund të themi me plot gojën që pas 1933-shit, kur dhe në bastionin e fundit të standardit të arit në perëndim, Shtetet e Bashkuara, qeveria konfiskoi turpshëm arin e qytetarëve të saj, Shqipëria mbeti i vetmi vend perëndimor ku standardi i arit mbeti në fuqi. Dhe ndryshe nga ç’parashikonin ekonomistët e atyre viteve (dhe ata të sotmit), kjo e ndihmoi shumë ekonominë kombëtare.

Bernd Fisheri e bën të qartë që traktatet tregtare me Shqipërinë e varfër në ato vite të autarkisë preferoheshin shumë pikërisht pasi Shqipëria tregtonte në ar. Zogistët ende sot mburren se si Franga e Arit shërbente si pasaporta më e mirë për Shqiptarët, që pranoheshin në çdo vend perëndimor pa shumë probleme. Diku kam lexuar, por këtu nuk e sjell dot citimin, se Enciklopedia Britanike e konsideronte Frangën e Arit si monedhën më të fortë në botë në ato vite. Ç ‘arritje për Shqipërinë e cunguar dhe të sapo dalë nga lufta botërore dhe civile!

Por mburrjet e Zogistëve duhen trajtuar me kujdes, pasi qe vetë qeveria e Mbretit që përpiqej për ti dhënë fund sovranitetit të arit në Shqipëri. Banka e Shqipërisë e krijuar në 1925-ën u modelua pas Bankës së Anglisë dhe asaj iu la e drejta e monopolit mbi emetimin e kartëmonedhave të kthyeshme në ar. Ideja e qeverive shqiptare dhe italiane që bashkëpunuan në krijimin e saj, qe zëvendësimi i monedhave të arit në qarkullim me kartëmonedhat e bankës së Shqipërisë. Megjithatë, qarkullimi i këtyre kartëmonedhave (para-ardhësit e Lekut që kemi sot) qe i kufizuar, pasi popullata me të drejtë nuk kishte shumë besim tek premtimi i Bankës së Shqipërisë për ti kthyer ato në ar në çdo rast.

Por analiza e dinamikës së sistemeve monetare të ngjashme në histori (shih studimin e shkëlqyer të George Selgin) dëshmon qartë që, në kohë, Leku do kish nisur të qarkullonte më shumë, dhe Franga e Arit të tërhiqej nga qarkullimi. Në kohë, Leku do ish kthyer në bazë monetare në vend të arit, dhe i gjithë sistemi bankar në vend (që ende ishte në fillimet e tij) do kish mbetur nën kontrollin informal të Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, në vitet 30’ dhe 40’ këto zhvillime qenë akoma në të ardhmen.  Në fushën monetare, sado qesharake tu duket pesimistëve të përjetshëm që na rrethojnë sot, Shqipëria qe bastioni i fundit i qytetërimit Viktorian.

As pushtimi italian i ‘39-ës dhe as ai gjerman i ‘43-it nuk e ndryshuan shumë situatën monetare (italianët nuk kishin fuqi të bënin shumë, ndërsa gjermanët nuk kishin interes). Ndonëse ari nga thesari i shtetit u boshatis, ari në formë Frangash në qarkullim të përgjithshëm i mbijetoi fort mirë luftës. Goditja fatale për standardin shqiptar të arit erdhi me konfiskimin masiv e regjimit komunist në ’45-ën.

Për të kuptuar dëmin e jashtëzakonshëm që ky konfiskim solli, le ti drejtohemi rezultateve të një hetimi parlamentar të 1992-it mbi thesarin e shtetit. Më poshtë do citoj nga një artikull tejet interesant të Ilir Bushit në gazetën Sot:

Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata para datës 28 nëntor 1944.

[…]

Në dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme […]pohohet me shkrim se janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato bëjnë 283 ton flori.

Kështu, konfiskimi i 1945-ës mbylli një herë e mirë kapitullin më të lavdishëm të ekonomisë monetare shqiptare. Letra që mbajmë sot në xhep mbetet dëshmitare e trishtë e kohës kur Leku shqiptar ishte i kthyeshëm në ar të pastër.

(vijon…)