Uncategorized

Vitet e lavdishme të Lekut (pjesa 2 nga 2)

Etjon Basha

(vijon…)

Nuk duhet ndonjë fantazi e jashtëzakonshme për të kuptuar se si do kishte evoluar sistemi monetar shqiptar në mungesë të konfiskimit të ’45-ës. Franga e Arit do kish mbetur në qarkullim, ndonëse do kishte humbur teren gradualisht ndaj Lekut të Bankës së Shqipërisë. Sistemi bankar do ishte zhvilluar duke përdorur Frangën dhe Lekun si rezerva paralele. E vënë nën kufizimin e kthyeshmërisë strikte në  Franga Ari, Banka e Shqipërisë do ish sjellë në mënyrë shumë më korrekte me Lekun se gjithë simotrat e saj Evropiane, madje dhe më mirë se Bundesbnaku i famshëm.

Me një monedhë kaq të fortë, Shqiptarët do i kishin lejuar vetes një standard jetese shumë më të lartë, dhe Shqipëria, relativisht e paprekur nga lufta, fare mirë mund të qe kthyer në një qendër bankare të rangut të Zvicrës, ose më së paku të Qipros.

Sigurisht që ky sistem nuk do kish qenë i përsosur pasi Bankës së Shqipërisë do i lihej monopoli ligjor i emetimit të kartëmonedhës, monopol që gradualisht do i kishte dhënë asaj pozita hegjemonike në sistemin financiar kombëtar, por ky sistem do mund të reformohej shumë më thjeshtë e më shpejtë se ai i sotmi: do mjaftonte një ndryshim i vetëm në ligj për të hapur emetimin e kartëmonedhave ndaj konkurrencës.

Asnjë nga zhvlerësimet katastrofike të Lekut nuk do kish ndodhur dot në rast se Franga e famshme do kish vijuar qarkullimin. Klasa e mesme dhe ajo bejlere nuk do ishin shkatërruar dhe kultura borgjeze do kishte mbijetuar dhe do ish zhvilluar me to. Qytetet e mëdha si Shkodra dhe Korça nuk do qenë fishkur dhe nga pozita e qendrave tregtare rajonale do kishin bërë presion ndaj qeverisë (ndofta ende nën kontrollin e Zogut) për adoptimin e kantonizimit në Shqipëri.

Duke parë se sa kemi humbur nga zhdukja e standardit të arit, natyrshëm lind pyetja: a mund ta rikthejmë këtë standard?

Në fakt, thuajse të gjithë ekonomistët liberalë e kanë propozuar nga një plan për rikthimin e standardit të arit: ideja po fiton popullaritet në ShBA sot e kësaj dite falë sponsorizimit të kongresmenit me bindje liberale Ron Paul.

Për sa i takon Shqipërisë dhe Kosovës, kam diskutuar më parë në këtë blog mbi reformën optimale monetare që do duhej ndjekur. Thelbi i asaj reforme qe krijimi i tregut konkurrencial monetar në Shqipëri, dhe nuk përmendte fare standardin e arit.

Ndonëse thelbi i propozimit tim mbetet, më duhet të shtoj që për shkak të vetive të ashtuquajtura të “rrjetit” që ka paraja, do duheshin disa vite që sistemi aktual monetar, pasi të hapej ndaj konkurrencës, të kalonte në formën e tij optimale. Për të “djegur etapat”, reformën e propozuar do më duhet ta ndryshoj disi.

Rezerva totale e arit dhe valutës që Banka e Shqipërisë zotëronte në 2008-ën (viti i fundit i të dhënave) vlerësohej në afro 3.2 miliardë dollarë, ndërkohë që baza monetare (paraja letër jashtë sistemit bankar+rezervat e lira e të detyrueshme të sistemit bankar=detyrimet e BSh-së) po në 2008-ën ishte 164 miliardë lek.

Kështu, nëse nesër me ligj leku do përkufizohej si i kthyeshëm në monedha ari (me madhësi minimale 5 ose 10 gramëshe) sipas çmimit aktual të arit (pak a shumë 5’000 lekë për gram ari), rezerva e valutës mendohet të mjaftonte, në vija të përgjithshme, për të kthyer gjithë bazën aktuale monetare në ar. Sigurisht kjo rezervë do duhej kthyer në monedha ari të prodhuara posaçërisht, para se leku të bëhej i konvertueshëm.

Hapi i dytë do ishte eliminimi i monopolit të prodhimit të lekut nga Banka e Shqipërisë. Çdo bankë tregtare ose person privat do mund të prodhonte Lek për sa kohë që në to shkruhej qartësisht se kush është emetuesi. Kështu, bankat tregtare do duhet të përdorin prerje të tjera të lekut, mbi të cilat shumë mirë do mund të vendosnin logon e tyre (këto kartëmonedha duhet të pranohen nga tatimet në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit po aq sa dhe ato të Bankës së Shqipërisë). Rëndësi ka që nëse këto kartëmonedha kthehen nga cilido klient i bankës, ajo është e detyruar ti konvertojë në monedha ari sipas raportit ligjor. Sigurisht që asnjë bankë, duke nisur nga vetë BSh-ja, nuk do kishte detyrim të ktheje kartëmonedhat e prodhura nga bankat e tjera.

Pjesa tjetër e reformës do mbetej po ajo, me eliminimin e ligjit të tenderit ligjor (ose së paku me një zgjerim mbarë-kontinental të tij), dhe shitjen në ankand ndërkombëtar të Bankës së Shqipërisë, tashmë e kthyer në pak më shumë se një bankë e zakonshme tregtare.

Tani, më duhet të pranoj që personalisht nuk besoj që edhe pas kësaj reforme, monedhat e arit do ktheheshin në qarkullim. Për mendimin tim, ari e humbi vetinë e tij si mjet këmbimi në ’45-ën, dhe sidoqoftë do ta kish humbur vetiu më vonë këtë veti edhe pa konfiskimin komunist. Personalisht i përkas asaj pjese të shkollës austriake që beson që paraja ‘letër’ private funksionon edhe më mirë se paraja e arit.

Por edhe në qoftë e vërtetë kjo, një lek i lidhur me arin do sillej shumë më mirë se çdo monedhë në qarkullim sot, dhe do nxiste ritme të rritjes ekonomike që ne Shqiptarët i kemi parë vetëm për pak kohë mes ‘94-ës dhe ’96-ës. Nëse, në një çast të dytë, leku i lidhur me arin do zëvendësohej nga valuta të tjera private, aq më mirë. Rëndësi ka që ligji nuk do pengojë më askënd të eksperimentojë me paranë më të mirë.

Shqiptarët e kanë pasur një herë privilegjin e të qenit bastioni i fundit i qytetërimit klasik Evropian në fushën monetare, dhe i kanë parë përparësitë e standardit të arit. Me pak largpamësi, mund të rimarrim këtë traditë të ndritur edhe sot, e të rinisim evoluimin drejt një shoqërie të pasur e të qytetëruar, evoluim që u ndërpre në 1945-ën dhe nuk ka qenë më i njëjti edhe pas rënies së regjimit socialist. Ç’dhuratë e merituar në këtë 100-vjetor të Pavarësisë!