Uncategorized

Vrima e zezë: Shteti

Bardhyl Salihu

Gazetari izraelit Uri Blau është njëri nga të mirët, ai e ka rrezikuar edhe jetën për t’i ndriçuar shumë skandale në politiken e Izraelit. Gërmimet në “vendet toksike” i kanë sjellë atij një urdhër për tu paraqitur në gjykatë si dhe thirrjet “tradhtar”. Puna e mirë e dikujt, megjithatë, nuk jep patjetër rezultate të mira.

Kështu ka qenë fati i një shkrimi që Blau e ka bërë për gazetën izraelite Haaretz në lidhje me rreziqet ambientale qe i paraqet uzina për mihje dhe shkrirje të metaleve Ferronikeli në Drenas. Gazetat kosovare, pjesërisht për shkak të joprofesionalizmit dhe pjesërisht për shkak se vazhdimisht shfaqin ide të majta, s’kanë hezituar fare ta kontrabandojnë shkrimin e Blaut si shembull kundër privatizimit në Kosovë. Ato e kanë kthyer privatizimin sërish në skenë si një gogol i cili tani, përveç që nuk qenka ekonomikisht i leverdishëm, na del se është përgjegjës për ndotjen ambientale.

Po qe se gazetat kosovare do ishin lodhur ta shfletojnë literaturën e gjerë ekonomike mbi privatizimin dhe ambientin, atyre nuk do ju duhej shumë kohë të arrijnë tek thelbi i problemit: të drejtat pronësore. E drejta pronësore është e drejta e plotë e kontrollit individual të pronës (trupit apo të mirave materiale) në çfarëdo mënyre përderisa nuk shkelen të drejtat pronësore të dikujt tjetër. Por, çka është ndotja ambientale? Ndotja ambientale nuk është asgjë tjetër veçse agresion ndaj pronës. Kur tymi, pluhuri, mbetjet toksike, apo madje edhe zhurma, drejtohen ndaj pronës së dikujt, ato e pengojnë atë person në shfrytëzimin e drejtave pronësore.

Ndotja e ambientit nga individët apo uzinat nuk është rezultat i privatizimit, por i faktit që të drejtat pronësore nuk zbatohen. Për shembull, kur Ferronikeli liron tym të dendur dhe i nxinë kulmet e shtëpive për rreth, pronarët e tij veprojnë me agresion ndaj drejtave pronësore të pronarëve të shtëpive përreth. Problemi, pra, është si të evitohen këto shkelje pronësore, e jo si të zëvendësohet ndotja private me atë shtetërore.

Në rast të zbatimit të drejtave pronësore Ferronikeli do t’i kishte dy alternativa. Njëra është ndërpritja e menjëhershme dhe e plotë e agresionit ndaj pronës private, kurse tjetra marrëveshja me pronarët e pronave përreth. Sipas gjitha gjasave, e dyta do të zgjedhej për shkak se pronarët e shtëpive përreth do të përfitonin materialisht nga një marrëveshje eventuale me pronarët e Ferronikelit. Por, jo vetëm kaq, Ferronikeli në anën tjetër do të kishte nxitje të madhe t’i instaloj pajisjet më moderne të filtrimit në mënyrë që dëmi i tij material të zvogëlohej duke rezultuar në dëmshpërblime më të vogla.

Pra, mekanizmi i zbatimit të drejtave pronësore jo vetëm që i vetëdijeson ndotësit si Ferronikeli, ai i nxitë ata të bëjnë përmirësime të dukshme në zvogëlimin e ndotjes ambientale ose ta ndërpresin aktivitetin përfundimisht. Në afat të gjatë, zbatimi i drejtave pronësore e nxitë tregun të prodhoj pajisje inovative dhe të gjej zgjidhje kreative për problemin e ndotjes për shkak të kërkesës për teknologji  të tillë. Rregulli spontan që lind në treg, fillimisht nga nevoja për pajisje kundër ndotjes e pastaj nga prodhimi i atyre pajisjeve për shkak se ka përfitim, do të kontribuonte dukshëm në mbrojtjen e ambientit.

Fatkeqësisht, agjencia për zbatimin e drejtave pronësore—Shteti—nuk është askund kur këto të drejta shkelen në mënyrën me të egër. Ai që e di që Shteti historikisht ka qenë dhe mbetët ndotësi më i madh nuk do habitej. Nuk na duhet të shkojmë aq larg deri tek helmimi epik i Liqenit Bajkal—në Kosovë Shteti është në krye të monstrumit ambiental të quajtur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Sa të kursyer janë qytetarët e Kosovës që KEK-u është në duart e njoma të Shtetit. Se sa e shkoqitur nga realiteti është ideja që privatizimi është shkaktar i ndotjes ambientale, siç pohon ekonomisti Murray Rothbard, “dëshmon fakti i mprehtë empirik që kontrolli shtetëror, madje edhe socializmi, s’ka bërë asgjë për ta evituar problemin”.

Dobia ekonomike e Ferronikelit nuk mund të lihet pa u cekur. Ferronikeli është investimi më i madh privat në industrinë e rëndë në Kosovë. Ai punëson 1,018 punëtorë plus mbi 300 tjerë përmes kontraktorëve të ndryshëm. Në të janë investuar mbi €60 milion dhe ai kontribuon me rreth 50% të eksportit të gjithëmbarshëm të Kosovës në tërë botën.

Në anën tjetër, ndotja ambientale nuk është ndoshta edhe në aq shkallë të lartë. Unë kam të afërt të cilët kanë jetuar me dekada në Drenas pa i vuajtur ndonjërin nga problemet shëndetësore të lidhura me ndotjen. Grupet ambientaliste, kontribuues i të cilave është edhe Blau, kanë prirje për ti dramatizuar gjërat. Shembull konkret është ideja e dyshimtë e “ngrohjes globale”.

Por, për tu zvogëluar problemet e çfarëdo ndotje ambientale që ekziston, duhet të zbatohen rreptë të drejtat pronësore. Nëse veç ka një rol për Shtetin në shoqëri, atëherë është ai i zbatimit të këtyre drejtave si dhe zgjidhjes së kontesteve pronësore duke përfshirë detyrimin e agresorëve t’i kompensojnë viktimat. Në mungesë të kësaj, Shteti e jo ndotja do të mbetet vrima e zezë.