Zgjedhjet vendore të 8 Majit: pikërisht kur mendoja që i kisha dëgjuar të gjitha!

Etjon Basha

Nuk pretendoj ta kem ndjekur me vëmendje fushatën e saponisur që forcat politike në Shqipëri po zhvillojnë për zgjedhjet vendore të 8 Majit (kam me c’te merrem gjate dites, jo per gje). Më shumë mund të flas për ato që më ka kapur veshi duke lëvizur në stacionet e ndryshme. Dhe ajo që më ka kapur veshi është tmerruese.

Ja ku jemi, dy shekuj të mirë pasi ekonomistë të mëdhenj kanë hedhur bazat e kësaj shkence, një shekull pasi parimet themelore janë të njohura publikisht falë kurseve universitare të mikroekonomisë dhe dy dekada pasi edhe në Shqipëri breza studentësh kanë kaluar nga kjo lëndë, ja ku jemi pra të pajisur me çdo mundësi për të shmangur gafa bazike ekonomie, kur dëgjojmë ‘perla’ nga të katër anët e spektrit politik.

Nga t’ia nis?

Diku dëgjova që do na u ngrika një farë inspektorati vendor për çmimet e konsumit, detyra e të cilit do jetë të ndalojë çmimet ‘abuzive’ të artikujve ‘të domosdoshëm’ të cilat rriten ‘pa kriter’ apo ‘justifikim’. Luftë e përgjithshme spekulantëve, pra (po po, pikërisht termi ‘spekulant’ është përdorur)! Mos guxoni të ndiqni parimet e tregut, se Bashkia mund t’ju gjobisë apo dhe të mbyllë aktivitetin fare! Qytetërime të tëra janë zhdukur për shumë më pak.

Ose diku tjetër kam dëgjuar që na paska pasur ankesa nga elita intelektuale në kryeqytet mbi madhësinë, dispozicionin, planimetrinë apo ku ta di unë se çfarë të apartamenteve në Tiranë. Punë më shumë për ë, të vihet rendi në këtë kaos inxhinierik!

Por gafat më të këndshme janë ato që përsëriten më shpesh: lufta e shenjtë kundër ‘betonizmit”, ‘kundërsulm’ (termat i kam dëgjuar me këta veshë!) i  shesheve sportive dhe/ose lulishteve në qytetet tona që qenkan kthyer në bunkerë të mëdhenj. Dhe unë që mendoja që sasia optimale e ‘betonizimit’ dhe shesheve e lulishteve mund të përcaktohet vetëm falë llogaritjes ekonomike në një treg të lirë. Sa naiv paskam qenë: ja ku kemi ca dhjetëra veta që e dinë magjikisht përgjigjen dobi-maksimizuese dhe do ta zbatojnë pa vonesë sapo tu jepet mundësia! Të paktën komunistët evropianë të qëmotit morën mundimin ta vinin në refene teorinë e Misesit (kuptohet që dështuan ti jepnin përgjigje).

Nuk do e fyej inteligjencën e lexuesit duke hedhur poshtë njëmijë e një gafat që përmbajnë këto propozime. Postime të tjera në këtë site trajtojnë probleme të ngjashme.

Jam i sigurt që më kanë shpëtuar perla më të mëdha se këto, ose që në ditën e javët në vijim profka më të këndshme do dalin në dritë. Por kjo pak rëndësi ka.

Rëndësi ka që problemet reale që duhen diskutuar në këto zgjedhje i kanë kaluar thuajse tangjent debatit politik. Për tu treguar të drejtë, duhet pranuar që çështja e uljes së barrës tatimore vendore është diskutuar, dhe këtu më duhet ti heq kapelen disa garuesve, së paku për fjalën e mirë që po thonë (se për tu zbatuar, kam dyshimet e mia).

Po debati mbi sistemin kryekëput klientelist e të korruptuar të lejeve të ndërtimit që godet mu në rrënjë të drejtën e pronës që paskemi fituar këtu e 20 vjet para, ku është? Po një hamendje mbi sa më të larta janë çmimet e apartamenteve për shkak të këtij kartelizimi të tregut, pse s’hidhet?

Apo do flasim për një tjetër kartel, atë të transportit publik. Zënkat sezonale mes organeve të pushtetit vendor dhe shoqërive (fatmirësisht) private e individëve (na rastin e taksive) që ofrojnë këto shërbime mbulojnë atë që duhet diskutuar realisht: pse lejohen vetëm këto ofrues të rrisin çmimin në mënyrë fiktive duke ndaluar me dhunë çdo lloj konkurrence? Nëse kjo skemë do ish zbatuar me përpikëri të plotë, banorët e Komunës së Parisit (duke nisur nga autori juaj i dashur) dhe Digës së Liqenit sot do ishin pa linja transporti urban, që janë hapur ‘kaçakçe” e në mënyrë “jo-legjitime” dhe për ti shërbyer banorëve të këtyre zonave ku planet pesëvjeçare të bashkise nuk parashikojnë linja publike. Sa e sa zona të Kryeqytetit e qyteteve të tjera kemi sot pa këtë shërbim sepse çdo ofrues pengohet nga karteli i urbanëve egzistues? Dhe nuk po përmend fare taksitë, shembull i përsosur i një karteli në formën e tij më agresive dhe të paturpë.

Ankesa e përgjithshme ‘popullore’ ndaj premtimeve zgjedhore është që ato janë thjeshtë demagogjike dhe harrohen tërësisht apo pjesërisht sapo kandidati fiton postin e kërkuar. Duke  parë se ku është katandisur fushata zgjedhore, uroj me gjithë zemër që kushdo të fitojë nëpër njësitë e mafias lokale (pushetit vendor, për të qenë të saktë me terma formalë) ne 8 Maj, ti harrojë realisht sa më shpejt idiotësitë që ka këputur gjatë fushatës. Për një herë uroj që sistemi politik të funksionoj “siç duhet”, pra të bëjë demagogji në fushatë, e të bie në amulli menjëherë pas saj.

Nëse problemet madhore të krijuara nga kartelet e ndërtimit e transportit, të ngritura me mund e djersë nga pushteti vendor ndër vite kalohen në heshtje, së paku të mos shtojmë gafa mbi gafa. Në fund të fundit, siç mësojnë të gjithë mjekët e rinj që në ditën e parë, detyra e parë është të mos bësh dëm, e vetëm pastaj të përpiqesh të bësh mirë.

5 thoughts on “Zgjedhjet vendore të 8 Majit: pikërisht kur mendoja që i kisha dëgjuar të gjitha!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *