Uncategorized

Zhvillimi bujqësor dhe ai ekonomik

Bardhyl Salihu

Në Kosovë vërehet një prirje zbavitëse për ta trajtuar zhvillimin bujqësor si sinonim të zhvillimit ekonomik, ose së paku, si industrinë më me prioritet për zhvillim. Duket sikur politikanët, “ekspertët”, dhe qytetarët e Kosovës janë bërë nostalgjikë për të kaluarën e tyre fshatare; për kohën kur pjesëmarrja e popullsisë në bujqësi ishte enorme në krahasim me vërshimin e dekadave të fundit drejtë zonave urbane.

Një romancë e tillë me bujqësinë të lë në pritje për të parë masa të mëdha qytetarësh duke u zhvendosur drejtë fshatit. Këtë sentiment popullor e vë në pah edhe deklarata e politikanit popullist Albin Kurti, i cili para disa ditësh tha që “Kosovës i duhen agronomë, e jo policë.” Për ironinë e fatit, shumica dërmuese e popullatës gjithashtu përkrahë hyrjen e Kosovës në Bashkimin Evropian pa ditur fare që BE-ja do të dëmtonte rëndë industrinë bujqësore në vend.

E vërteta është që ata të cilët e shohin zhvillimin bujqësor si sinonim të zhvillimit ekonomik ose ftojnë që zhvillimit bujqësor ti jepet prioritet, nuk janë në dijeni se si funksionon zhvillimi ekonomik.

Për ta shpjeguar, është e rëndësishme të qartësohet që fjala “zhvillim” në të vërtetë do të thotë plotësim i kërkesave të konsumatorëve. Çdo aktivitet ekonomik synon (por jo patjetër arrin) të jetë në shërbim të konsumatorit.

Një industri pra zhvillohet duke zhvilluar aftësinë për ti plotësuar kërkesat e konsumatorëve brenda vendit apo jashtë (me eksport). Nga kjo rrjedh edhe thënia “konsumatori është mbret”, sepse ai me vendimet e tij për të blerë ose për të mos blerë një mall inkurajon ose dekurajon prodhimin e mallit.

Ndërmarrësit të cilët i organizojnë faktorët e prodhimit për prodhimin e mallrave që u shërbejnë konsumatorëve, nuk veprojnë nga altruizmi por nga mundësia e përfitimit monetar që këta konsumatorë ua mundësojnë atyre duke i blerë këto mallra.

Mallrat që blihen janë ato mallra nga prodhimi i të cilave përfitohet paraja dhe pikërisht ky përfitim i nxitë ndërmarrësit ti prodhojnë ato e ti shmangen mallrave për të cilat nuk ka kërkesë. Në mungesë të përfitimit monetar—atij që shumë njerëz e përbuzin padrejtë—nuk do të kishte sinjal udhëzues për ndërmarrësit dhe si rezultat ata do e kishin të pamundur ti përgjigjeshin pyetjeve ekonomike se çka dhe sa duhet të prodhohet për konsumatorët.

Paramendoni si do të ishte jeta për konsumatorët (por edhe për ndërmarrësit) sikur ndërmarrësit të mos e dinin përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve ose sikur shteti ta ndalonte me ligj përfitimin monetar. Mallrat të cilat ua sigurojnë jetesën konsumatorëve nuk do të ekzistonin në treg, nuk do ishin në sasi të mjaftueshme (me ç’rast do krijoheshin radha të gjata të pritjes), apo mallra tjera të panevojshme do ti zëvendësonin ato. Një skenar i tillë i tmerrshëm ekzistoi në Bashkimin Sovjetik kur socializmi e zhduki të gjithë pronën private dhe bashkë me të edhe përfitimin.

Nga kjo e shohim që tregu shërben edhe si mjet apo si proces i zbulimit, siç e quajti ekonomisti F. A. Hayek, nga i cili fitohen informata të reja për kërkesat e konsumatorëve. Në mungesë të tregut, zbulimi i kërkesave të konsumatorëve do të ishte sikur ecja kuturu në errësirë.

Angazhimi i resurseve në një industri për të cilën nuk ka kërkesë nga konsumatorët nënkupton shpërdorim të atyre resurseve. Aq më shumë, mallrat që do ti shërbenin konsumatorëve nuk mund të prodhohen kur këto resurse veç janë shpërdoruar.

Në çdo kohë, pra, mallrat që gjenden në treg (si dhe industritë që përbëhen nga shuma e mallrave të ngjashme), janë reflektim shumë i përafërt i kërkesave të konsumatorëve. Nëse një industri e caktuar, si ajo bujqësore, elektronike, apo çfarëdo, nuk është e “zhvilluar” sa duhet, atëherë kjo do të thotë automatikisht që kërkesat e konsumatorëve për ato produkte janë më të vogla apo nuk ekzistojnë fare.

Askush nuk ankohet, për shembull, për mungesën e zhvillimit në industrinë vendore të teleskopëve sepse e kupton që kërkesa për ta është e vogël, por shumica ankohen se si industria bujqësore nuk është e zhvilluar. Pse duhet të jetë? Nga i dinë këta njerëz kërkesat e konsumatorëve a priori, pa qenë vetë ndërmarrës në treg dhe pa rrezikuar paranë e tyre në këtë prognozë?

Vetëm procesi i tregut mund të na udhëzoj, duke na treguar kërkesat e konsumatorëve, se çfarë industri duhet të ngritën e cilat duhet të zhduken. Se cilët ndërmarrës duhet të shpërblehen me fitime dhe cilët duhet të pësojnë humbje, natyrisht në akordim me plotësimin e kërkesave të konsumatorëve.

Ata të cilët janë të bindur që industria bujqësore nuk është e zhvilluar—d.m.th. nuk po i përmbushë kërkesat e konsumatorëve sa duhet—ftohen ti vënë paratë, siç thonë amerikanët, aty ku e kanë gojën. Nëse kanë të drejtë do të shpërblehen me fitime; nëse gabohen do të dënohen me humbje.