Uncategorized

Zhvlerësimi i monedhës dhe eksportet

Bardhyl Salihu

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, ka ritheksuar rishtazi në një intervistë me gazetën Zëri idenë e përhapur që zhvlerësimi i monedhës i rritë eksportet dhe si rezultat i shërben zhvillimit ekonomik. Edhe pse Kosova nuk mund të luaj me vlerën e euros sepse nuk është pjesë e Eurozonës, megjithatë vlen të analizohet qëndrimi i një zyrtari sugjerimet e të cilit mund të kenë ndikim të madh në politikat ekonomike të Kosovës.

Si me çdo ide të pranuar gjerësisht edhe këtu ka një të vërtetë të vogël, por një analizë më e thellë tregon që zhvlerësimi i monedhës nuk sjellë rezultate pozitive për ekonominë. Për ta krijuar mundësinë e zhvlerësimit, le të themi që Kosova e përdor lekun në vend të euros.

Në mënyrë që shembulli të jetë më i kuptueshëm, le të themi gjithashtu që një produkt X kushton 1 lek në Kosovë kurse në tregun e monedhave leku ka paritet me euron—pra 1 lek është i barabartë me 1 euro. Nga kjo e shohim automatikisht që importuesve të huaj i duhen vetëm 1 euro për ta blerë produktin X. Pra, me 1 euro, që i bije 1 lek, importuesit e huaj mund ta blejnë vetëm një produkt X. Nëse të huajt importojnë 10 produkte X, Kosova do të eksportoj në vlerë të 10 eurove apo 10 lekëve.

Tani le ta zhvlerësojmë lekun e Kosovës, për shembull për 50%, dhe të shohim se çka do të ndodhë. Meqë leku është zhvlerësuar, ndryshimi i vlerës në mes lekut dhe euros duhet të pasojë. Si rezultat i zhvlerësimit 50%, 1 euro nuk do të këmbehet më për 1 lek por për 2.

Çka kemi realizuar me zhvlerësimin e lekut? Është plotësisht e vërtetë që mbajtësit e euros tani me 1 euro mund t’i blejnë 2 lekë, kurse përpara kanë mundur ta blejnë vetëm një. E me qenë se mund t’i blejnë dy lekë, është gjithashtu e vërtetë që mund t’i blejnë dy produkte X sepse çmimi i secilit produkt është 1 lek. E shohim, pra, që për mbajtësit e euros karshi lekut, blerja e produktit X është bërë përgjysmë më e lirë. Ligji i kërkesës thotë që për çmim më të vogël, një sasi më e madhe do të blihet, dhe si rezultat volumi i eksporteve do të rritet. Me këtë çmim më të vogël, 20 produkte X në vend të 10 do të blihen. Vlera totale e eksporteve do të jetë 10 euro apo 20 lekë.

Por, a do të thotë që rritja në volumin dhe vlerën e eksporteve e ka bërë Kosovën më të pasur? Aspak. E tëra çka zhvlerësimi i lekut ka sjellë është dhënia falas e një produkti. Për çdo 1 euro, Kosova tani jep dy produkte X në vend të një. Kjo nuk e ka bërë atë më të pasur. Përkundrazi, i ka bërë mbajtësit e euros të cilët tani si rezultat i forcimit të monedhës së tyre (apo zhvlerësimit të lekut) mund të marrin dyfish më shumë produkte X se sa më parë.

Madje, edhe ky iluzion i përfitimit zhduket shumë shpejtë sepse zhvlerësimi i lekut duhet të pasohet me rritjen e çmimeve—pothuajse 50%—të cilat do ta bëjnë produktin X të kushtoj 2 në vend të 1 lek. Me çmimin e ri të produktit X do të kthehet situata origjinale ku 1 euro e ka blerë vetëm 1 produkt X (sepse 1 euro = 2 lekë = 1 produkt X). Si rezultat, do të zvogëlohet edhe kërkesa nga 20 produkte X në numrin e mëparshëm 10, kurse vlera totale e eksporteve do të mbetet prapë 20 lekë por ato do të kenë përgjysmë vlerë (aq sa 10 lek “të vjetra”).

Për ta qartësuar më mirë, mund ta marrim edhe shembullin e kundërt të vlerësimit të lekut për 50%. Në rast të tillë, në tregun e monedhave 1 lek do të blinte 2 euro dhe me qenë se çmimi i produktit X është 1 lek, do të duheshin 2 euro për ta blerë një. Kjo do ta bënte produktin X dyfish më të shtrenjtë për të huajt dhe do ta zvogëlonte volumin e eksporteve bashkë me vlerën totale. Por në ndërkohë, kosovarët do të gëzonin fuqi blerëse dyfish më të madhe se sa mbajtësit e euros dhe kështu do të mund të blinin më shumë mallra nga ta. Mallrat dhe shërbimet—e jo vlera nominale e monedhës—janë elementet kryesore që e përbëjnë standardin e jetesës.

Me qenë se leku është vlerësuar për 50%, edhe çmimet do të uleshin përafërsisht aq. Tani produkti X do të kushtonte vetëm 0.5 lekë, pra do të kthehej gjendja origjinale ku volumi i eksporteve do të ishte si më parë.

E tëra çka kjo odise e zhvlerësimit ka sjellë është varfërimi ekonomik nga dhënia falas e mallrave përderisa e ka zvogëluar fuqinë blerëse të mbajtësve të lekut në Kosovë për të cilët çmimet pothuajse janë dyfishuar. Imagjinojeni aplikimin e një politike të tillë mu tani kur inflacioni veç është problem në Kosovë. Edhe po që se në ndonjë formë magjike eksportuesit do të pasuroheshin, humbës do të ishin qytetarët jeta e të cilëve do të bëhej më e shtrenjtë nga zhvlerësimi. Politika e favorizimit të eksportuesve kundrejt qytetarëve është politike e interesave të veçanta.

Por edhe odiseja e vlerësimit të parasë—e cila ka pasoja tjera ekonomike—nuk është patjetër e mirëseardhur përkundër faktit që i bënë kosovarët së paku përkohësisht më të pasur. Zhvlerësimet edhe vlerësimet janë vetëm ndryshime të përkohshme përderisa tregu të vet-korrigjohet nëpërmes ndryshimit të çmimeve.

Se çfarë sistemi ideal i monedhës duhet të ndiqet nuk i përket këtij diskutimi, por mjafton të thuhet që ideja e përhapur që zhvlerësimi i monedhës i rritë eksportet dhe si rezultat e zhvillon ekonominë, nuk ka bazë të fuqishme.