Inflacioni: shkaqet, pasojat, mundësitë
“Inflacioni është gjithmonë dhe çdo kund fenomen monetar.” – Milton Friedman
Bardhyl Salihu
Inflacioni përbën ndoshta shembullin më serioz me të cilin lidhet fati i qytetarëve të një ekonomie. Ndikimi i tij në fuqinë blerëse dhe mirëqenien e tyre është i drejtpërdrejtë dhe shumë më i shprehur se sa zhvillimet tjera ekonomike, si shembull taksat, të cilat janë selektive.
Inflacioni është rritja e përgjithshme në nivelin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në një ekonomi. Sa më i lartë inflacioni, aq më e pavlerë valuta.
Ashtu siç ka thënë famshëm ekonomisti Milton Friedman, inflacioni është gjithmonë dhe çdo kund fenomen monetar, që nënkupton se ai shkaktohet nga autoriteti qendror përgjegjës për politikat monetare. Ky autoritet është banka qendrore. Inflacioni mund të paraqitet vetëm kur sasia e parave në qarkullim rritet përtej kërkesës për para. Në fakt, ky përshkrim ka qenë dikur edhe vet definicioni i fjalës “inflacion” përpara se ajo ta merrte kuptimin që sot i përshkruan pasojat e jo shkaktarin.
Rritja selektive e çmimeve nuk është shembull i inflacionit. Çmimet e produkteve të caktuara mund të rriten (nafta, gruri) nga faktorë që lidhen me tkurrjen e ofertës (lufta), por niveli i përgjithshëm mund të mos rritet/ndryshojë nëse çmimet e produkteve tjera ulen.
Për aq kohë sa sasia e parave në qarkullim mbetet e pandryshuar, nuk mund të ketë ndryshim të nivelit të përgjithshëm të çmimeve (inflacion). Ja një shembull ilustrues: një qytetar i shpenzon 100 euro në tri produkte të ndryshme duke e ndarë shpenzimin në 60, 30 dhe 10 euro. Nëse ai e rritë shpenzimin në produktin e parë, shembull 70 në vend të 60 euro, ai patjetër duhet ta zvogëloj shpenzimin në njërin apo dy produktet tjera. Çdo rritje e çmimit në produktin e parë shoqërohet doemos me ulje në çmimet e produkteve tjera dhe anasjelltas. Ky është shembull i rritjes selektive të çmimeve, por jo i inflacionit.
Ngjashëm nuk duhet ngatërruar inflacionin me Indeksin e Çmimeve të Konsumatorit (CPI) apo çfarëdo indeksi tjetër të çmimeve të “shportës së konsumatorit”. Këto matje janë më të ngushta në përkufizime dhe zakonisht përdoren për produktet që konsumatorët i konsiderojnë më esenciale, por nuk janë matje të përgjithshme të inflacionit. Kësisoj definicioni qëndron: inflacioni është i shkaktuar vetëm nga rritja e sasisë së parave në qarkullim përtej kërkesës për para.
Por pse e bën këtë banka qendrore? Shumë ekonomistë mendojnë që roli i duhur i bankës qendrore është mbështetja e aktivitetit ekonomik duke e rritur apo ulur sasinë e parave në qarkullim sipas disa parametrave të caktuar. Ka ekonomistë të tjerë, me të cilët unë e ndajë mendimin, që tregjeve nuk iu duhet fare një entitet rregullator i tillë i cili e luan rolin e Zotit dhe që pasqyra historike e performancës së bankave qendrore (sipas të gjitha parametrave relevantë) është shumë e dobët.
Ky është një diskutim i veçantë dhe më i komplikuar. Ajo çfarë mjafton për rastin e inflacionit është të kuptohet që shkaktarë të tij janë bankat qendrore dhe që në rastin e euros, për shembull, Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka ndjekur një politikë agresive të “lehtësimit sasior” (ang: quantitative easing) duke e rritur vrullshëm sasinë e eurove në qarkullim. Vetëm në dhjetë vitet e fundit (maj 2012 – maj 2022), sasia e masës së parë M1 të parave në qarkullim është rritur mesatarisht 8.75 përqind për çdo muaj. Baza e gjerë monetare M3 për maj 2022 shënon 15.8 trilion euro, me një rritje prej 3.9 trilion euro prej vetëm janarit 2018.
Kjo është një rritje enorme dhe e paprecedentë e sasisë së parave në qarkullim, e cila për një kohë të gjatë është frenuar nga kreditimi i kufizuar në sistemin komercial bankar. Por me ardhjen e pandemisë dhe rritjen e shpenzimit shtetëror në skema sociale, një pjesë e madhe e kësaj sasie të grumbulluar është çliruar dhe përgjatë dy viteve të fundit e ka shtyrë inflacionin në vlera rekorde.
Sot euroja është për herë të parë në 20 vite në paritet me dollarin, i cili është në nivelin më të ulët prej krizës së vitit 1981, kurse Britania shënon inflacionin më të lartë në 40 vite. Kosova po ashtu shënon normë gati rekorde të inflacionit prej 14.1 përqind. Zvicra është ndër shtetet e rralla që nuk e ka ndjekur një politikë të tillë monetare (së paku jo në këto përmasa) dhe rrjedhimisht nuk vuan nga inflacioni i lartë.
Pasojat e inflacionit nuk kufizohen vetëm në varfërimin e mbajtësve të valutës së zhvlerësuar. Ato po ashtu vënë në lëvizje cikle të biznesit, të cilat karakterizohen me investime afatgjata joprofitabile, të drejtuara gabimisht nga sinjalet e pasakta të normave artificialisht të ulëta të interesit. Kur bankat qendrore i rrisin normat e interesit për ta frenuar inflacionin, këto investime joprofitabile ekspozohen dhe shuhen në mungesë të oksigjenit monetar. Me to shuhen bizneset dhe vendet e punës, tkurren mallrat dhe shërbimet, ulen të ardhurat dhe shpenzimet dhe kështu në mënyrë zinxhirore vjen deri tek recesioni ekonomik, në prag të cilit jemi.
Për vendet që tashmë e kanë rritur dukshëm sasinë e parave në qarkullim nuk mund të ketë kthim mbrapa pa i vuajtur pasojat. Ajo çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet në mënyrë magjike. Për vendet si Kosova ekziston mundësia e shkëputjes nga euroja që po zhvlerësohet dita-ditës dhe krijimi i një valute kombëtare. Por vlera e saj, pastaj, varet nga politikat monetare që Banka Qendrore e Kosovës i ndjek si dhe siguria e saj nga niveli i përgjegjësisë me paranë publike.
Vlen të theksohet po ashtu që asnjë qeveri në botë nuk mund ta frenojë inflacionin me mjete jo-monetare, siç janë caktimi i çmimeve tavan, së paku jo pa shkaktuar probleme tjera ekonomike (shpesh më të këqija se vet inflacioni) siç janë mungesa e mallrave dhe radhët e pritjes. Ndikimi i mjeteve fiskale duke i ulur normat tatimore është po ashtu i kufizuar si dhe sjellë vështirësi buxhetore nëse nuk shoqërohet me ulje të shpenzimeve publike.
Problemi thelbësor me inflacionin është sistemi monetar i cili aktualisht mbretëron në botë, një sistem i parasë letër të pambuluar me mallra fizike si ari, i cili është subjekt i manipulimeve të shumta dhe të shpeshta në emër të shkencës së ekonomiksit. Në këtë botë të pasigurt, individit i mbetet ta strehojë pasurinë vetëm duke e këmbyer valutën që po zhvlerësohet për patundshmëri dhe asete tjera fizike.