ekonomi, politikë

Ndalja e luftës dhe arritja e paqes në ish-Jugosllavi

people gathering on street during nighttime

Autori: Philip J. Cohen, M.D.

Përkthyer nga: Bardhyl Salihu

Dr. Cohen ishte Këshilltar për Politikë dhe Çështje Publike në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Bosnje-Hercegovinë. Ai është autor i disa shkrimeve historike dhe politike që lidhen me Ballkanin, ish-Jugosllavinë dhe Serbinë në veçanti, përfshirë librin Serbia’s Secret War [Lufta e Fshehtë e Serbisë], i botuar në vitin 1996. Ai është dermatolog dhe e ushtron profesionin në Amerikë. Ky shkrim është i vitit 1994, kur lufta në ish-Jugosllavi ende nuk kishte përfunduar, dhe është i bazuar gjerësisht në dokumentin pozicionues që Dr. Cohen ia kishte dorëzuar ekipit Clinton-Gore në vitin 1993. Në këtë vepër të hatashme, Dr. Cohen e shtjellon me mprehtësi gjendjen politike në ish-Jugosllavi dhe e analizon gjenezën dhe etimologjinë e përpjekjeve të Serbisë për të krijuar Serbinë e Madhe (sot “Botën Serbe”) me zgjerim të dhunshëm territorial duke kryer gjenocid dhe spastrim etnik. Ai e parashikon në mënyrë profetike edhe Luftën në Kosovë. Ky duhet të jetë lexim i obliguar për çdo qytetar të ndërgjegjshëm.

HYRJE

Lufta e tanishme në ish-Jugosllavi ka qenë e shtyrë prej fillimi nga nacionalizmi i skajshëm serb dhe përpjekja për zgjerim territorial. Me shpalosjen e kësaj tragjedie, Shtetet e Bashkuara, Komuniteti Evropian, Komisioni i Helsinkit dhe Kombet e Bashkuara kanë ardhur të gjitha në përfundim se Serbia e mbanë përgjegjësinë më të madhe për luftën dhe pasojat e saj. Megjithatë, asnjë qëndrim politik nuk është përgatitur apo zbatuar nga asnjëra prej këtyre njësive që do të frenonte me sukses sjelljen agresive të Serbisë ndaj fqinjëve të saj. Agresioni serb e ka krijuar një destabilizim potencialisht të rrezikshëm të Evropës së pas Luftës së Ftoftë, në një rajon në të cilin kulturat perëndimore dhe lindore sllave, kultura turke, katolicizmi, ortodoksia lindore si dhe Islami thuren në një baraspeshë delikate. Dështimi për të frenuar agresionin serb e rrezikon stabilitetin rajonal dhe është kërcënim për një konflikt më të gjerë.

A. Ish-Jugosllavia si precedent për jostabilitet rajonal

Në rrëmbimin e tokave me të cilin Serbia po përpiqet të krijojë një Serbi të Madhe etnikisht të pastër dhe të konceptuar keq, serbët përbëjnë më pak se 40 përqind të popullsisë së këtij territori të paramenduar. Në ndjekje të Serbisë së Madhe, serbët pritet të vazhdojnë politikën e tyre brutale të spastrimit etnik ndaj popullsisë jo-serbe, të vetmen masë që ata e kanë përdorur historikisht për të vendosur kontroll mbi territoret e pushtuara. “Spastrimi etnik”, një term i përhapur nga vetë serbët, është eufemizëm i lustruar për gjenocidin dhe shpërnguljen mbi baza etnike dhe duhet kuptuar si i tillë. Ironikisht, Kombet e Bashkuara e kanë kritikuar Kroacinë, me ekonominë e saj të shkatërruar dhe me mbi 750,000 refugjatë (mbi 500,000 nga Bosnja), për mos-pranimin e më shumë refugjatëve. Duke kërkuar që Kroacia të pranojë më shumë refugjatë, e jo duke u siguruar që Serbia të mos krijojë më shumë, Kombet e Bashkuara e bëjnë komunitetin ndërkombëtar bashkëfajtorë të tërthortë në synimin parësor serb të zgjerimit territorial dhe shpërnguljes së jo-serbëve. Asnjë shtet evropian nuk ka bërë më shumë për refugjatët e Bosnjës se sa Kroacia, e cila më së paku ka mundësi të mbajë këtë barrë ekonomikisht.

Nëse Serbia nuk ndalet në Bosnje, agresioni i saj pritet të zgjerohet në Kosovë dhe Maqedoni, ku shenja ogurzeza tregojnë për një konflikt më të gjerë rajonal. Është e qartë se qëllimi i Serbisë është spastrimi etnik i Kosovës, shtëpi e mbi dy milion shqiptarëve etnikë.[1] Kjo ka qenë aspiratë e Serbisë qe mbi pesëdhjetë vite.[2] Duke e kundërshtuar njohjen e Maqedonisë, Greqia e kishte shprehur frikën e saj se Maqedonia Jugosllave (edhe pse e çarmatosur dhe me 20 përqind popullsi greke) synonte pushtimin e provincës në Greqinë veriore të quajtur Maqedonia. Trupat greke janë të vendosura përreth kufirit të Maqedonisë Jugosllave dhe avionët ushtarakë rregullisht fluturojnë mbi të. Nëse Serbia dhe Greqia e zbatojnë më në fund marrëveshjen e tyre për ndarjen e Maqedonisë Jugosllave, të cilën Serbia e quan “Serbia jugore” dhe të cilën Greqia e quan “xhevahiri i vjedhur i Greqisë”, shtetet tjera mund të mos përmbahen më nga intervenimi. Shqipëria, Bullgaria, Hungaria dhe Turqia kanë secila pakica etnike të kërcënuara drejtpërdrejt nga synimet e krijimit të “Serbisë së Madhe”. Turqia, një armik tradicional i Greqisë dhe Serbisë, i ka rezistuar intervenimit të njëanshëm ushtarak kryesisht për shkak të ndjeshmërisë ndaj integrimit të Turqisë me pjesën tjetër të Evropës. Megjithatë, Turqia ka brenga të mëdha për popullsitë e rrezikuara në Bosnje, Sanxhak, Kosovë dhe Maqedoni, ku turqit etnikë jetojnë po ashtu. Bullgaria, një armik tradicional i Serbisë, ka gjithashtu pakicë të konsiderueshme etnike në Serbi si dhe në Maqedoni. Përndjekja e mbi 350,000 hungarezëve në Vojvodinë, provincë e Serbisë, ka marrë vëmendje relativisht të vogël por ngjallë brengë të konsiderueshme në Hungari.

Njohja e Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës nga Kombet e Bashkuara, së bashku me vazhdimin e embargos së armëve në këto shtete, është dëshmuar të jetë një ushtrim jokompetent i autoritetit. Efekti neto ka qenë inkurajimi i agresionit të njëanshëm serb duke e penguar vetëmbrojtjen e myslimanëve dhe kroatëve, edhe pse viktima të gjenocidit. Prej shtatorit 1991, Shtetet e Bashkuara, Komiteti Evropian, dhe më vonë Kombet e Bashkuara, janë përfshirë në Ballkan duke vendosur embargo të armëve që vlenin edhe për viktimat e gjenocidit por nuk kanë intervenuar në emër të tyre. Pa ndihmë serioze për ndalimin e agresionit serb, një vakum i fuqisë është krijuar në Ballkan që i ka dhënë mundësi shteteve terroriste të rrisin ndikimin e tyre në rajon. Përpjekja e fundit për sjelljen e armëve nga Irani është dëshmi e dështimit të Shteteve të Bashkuara, Komitetit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara për të ndalur agresionin serb. Kjo politikë ka nxitur përfshirje oportuniste të palëve tjera në konfliktin e Ballkanit, duke e destabilizuar rajonin tutje. Më tej, tradhtia ndaj këtyre vendeve të vogla e ka dërguar “një mesazh të qartë tek vendet tjera të vogla se ato nuk mund të llogarisin në parime. Ato duhet të harrojnë demokracinë dhe tregun e lirë, dhe duhet së pari të armatosen.” Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po e humbin një rast historik për të forcuar urën e besimit në mes të botës myslimane dhe Perëndimit. Gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të përdorur forcën në Irak por jo në ish-Jugosllavi po i tendosë marrëdhëniet me Turqinë, Egjiptin dhe aleatët tjerë të Lindjes së Mesme. Islami, me një miliard besimtarë, do ta mbajë gjatë në kujtesë, si ngjarje madhore të historisë së tyre moderne, indiferencën relative të evropianëve dhe amerikanëve ndaj gjenocidit kundër myslimanëve boshnjakë. Në ish-Bashkimin Sovjetik, në të cilin mbi 160 etni jetojnë dhe ku katër republika kanë armë bërthamore, ekziston mundësia e madhe e konflikteve të shumëfishta rreth kufijve. Rusia e ka vërejtur mos-reagimin e Perëndimit ndaj programit serb të spastrimit etnik, një shkelje skandaloze e Konventës së Gjenevës. Përkundër njohjes së pavarësisë së republikave baltike nga Yeltsini, shumë grupe ruse i ruajnë aspiratat për të kontrolluar portet strategjike baltike. Lejimi i papenguar i zgjerimit serb do të inkurajonte këto elemente ruse. Natyrisht, trupat ruse janë ende të vendosura në Letoni, Lituani dhe Estoni. Situata ekonomike dhe politike në Rusi është e paqëndrueshme dhe ekziston rreziku se demokracia e brishtë e Yeltsinit mund të zëvendësohet nga elemente ultra-nacionaliste. Këto elemente mund të përpiqen për ri-vendosjen e ndikimit rus në Ballkan duke e mbështetur luftën serbe.

B. Një strategji racionale për arritjen e paqes

Një zgjidhje e mirëfilltë politike e luftës në ish-Jugosllavi duhet së pari të kërkojë mposhtjen ushtarake të agresionit serb dhe përfundimin e epërsisë ushtarake të pa sfiduar serbe. Hapi i parë duhet të jetë largimi i embargos së armëve ndaj Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe lejimi i këtyre republikave të mbrohen vetvetiu në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe kartën e Kombeve të Bashkuara. Ky hap do të shmangte nevojën për trupa të huaja tokësore dhe do të mbyllte debatin se cili shtet i huaj duhet të dërgojë trupa në ish-Jugosllavi. Po të kishin armatim adekuat, forcat tokësore nën komandat e qeverive legjitime të Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës mund ta zmbrapsin me sukses grabitjen serbe të tokave. Duhet vënë re se forcat luftuese serbe kanë triumfuar mbi bazën e armatimit superior. Megjithatë, pjesë të mëdha të territorit që ato e mbajnë është e mbrojtur sipërfaqësisht nga forca të parregullta me motiv të diskutueshëm. Duke ndërmarrë sulme ajrore strategjike, një operacion me rrezik relativisht të ulët, siç ka propozuar Margaret Thatcher, Jeane Kirkpatrick dhe të tjerët, komuniteti ndërkombëtar mund ta shkurtojë dukshëm konfliktin. Sulmet ajrore do të arrinin disa qëllime të kufizuara por jetike: 1) tokëzimin e fuqisë ajrore serbe me bombardimin e stacioneve të radarëve dhe të pistave, ca dhjetëra caqe gjithsej: 2) ndërprerjen e linjës ushtarake të furnizimit nga Serbia për në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci nëpërmjet bombardimit të urave mbi lumin Drina, mbi të cilat personeli dhe furnizimet rrjedhin aktualisht tek forcat serbe; dhe 3) shkatërrimin e depove të municioneve brenda Serbisë. Për më tepër, lëvizja e rregullt e naftës dhe furnizimeve strategjike në Serbi nëpërmjet lumit Danub nga Rusia, Ukraina dhe Romania duhet bllokuar mirë.

Praktika e deritanishme e detyrimit të viktimave të agresionit serb për të negociuar me torturuesit e tyre, përderisa viktimat mbahen të dobëta nëpërmjet embargos së armëve, është moralisht e papranueshme dhe politikisht e pamatur, dhe shërben vetëm për të shpërblyer agresionin serb dhe për të legjitimuar plaçkën e luftës. Në mënyrë të parashikueshme, ajo do të ketë gjithashtu efektin e krijimit të një konteksti për luftime të mëtejme, ku të shpronësuarit orvaten të rikthejnë territoret e tyre. Territoret e pushtuara serbe duhet t’i kthehen nën kontroll qeverive të tyre legjitime para se të fillojnë negocimet. Pas rikthimit të integritetit territorial të Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, negociatat për paqe të mbështetura ndërkombëtarisht duhet të adresojnë disa probleme: 1) garantimin e të drejtave dhe sigurisë për të gjitha etnitë dhe pakicat; 2) lejimin dhe ndihmesën e refugjatëve që të kthehen sigurtë tek shtëpitë e tyre, ku shumë vendbanime duhen rindërtuar; dhe 3) mbajtjen e gjyqeve për krime lufte për shkelësit nga të gjitha anët për të theksuar zotimin serioz të komunitetit botëror për të drejtat e njeriut.

C. Përfundim

Është shumë e qartë se Serbia dhe forcat serbe e bartin përgjegjësinë më të madhe për dhunën dhe krimet që e kanë karakterizuar këtë agresion të njëanshëm. Kjo luftë ka mundur të shmanget po qe se, që nga fillimi, komuniteti ndërkombëtar të kishte dhënë mbështetjen e qartë për demokracitë aspiruese në vend se të favorizonte regjimin komunist i cili kërkonte shtypjen e tyre. Në vend të kësaj, manovrimi i paaftë ndërkombëtar i Komitetit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara e ka pasur efektin neto të inkurajimit të agresionit serb dhe dobësimit të viktimave serbe. Duke e ngrirë çekuilibrin në dobi të agresorit, embargo e armëve e menduar keq dhe e imponuar ndaj të gjithë asaj që dikur ishte Jugosllavi, ka pasur padyshim ndikimin e saj më të madh në viktimat e Serbisë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Veçanërisht e pakuptueshme është mbajtja e embargos ndaj viktimave edhe pasi pavarësia dhe sovraniteti i tyre u njohën ndërkombëtarisht, një tallje kjo e kartës së Kombeve të Bashkuara. Reagimi i ngadalshëm dhe joefektiv ndaj agresionit serb, i ardhur vetëm muaj pas përgjigjes shumë të koordinuar ndaj agresionit të Irakut, e ka tallur konceptin e Rendit të Ri Botëror në të cilin “agresioni nuk mund të lejohet”. Kësisoj, bota islamike, e tmerruar nga zhdukja dhe shpërngulja sistematike e myslimanëve nën syrin e Shteteve të Bashkuara, Komitetit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, është skeptike ndaj parimeve Perëndimore të drejtësisë. Pas dështimit të Perëndimit, vendet myslimane tani janë duke i rivlerësuar mundësitë dhe detyrimet e tyre për të ndalur kasaphanën dhe brutalitetin në Bosnje.

Sfida mbetet ndalimi i agresionit serb për të penguar një konflikt më të gjerë ndërkombëtar dhe për të forcuar zotimin e Perëndimit ndaj sundimit të ligjit ndërkombëtar. Ish-Jugosllavia nuk është Vietnam, Liban apo Irlandë e Veriut. Një analogji më e përshtatshme është Adolf Hitleri apo Saddam Husseini: një agresor i pamëshirshëm që kërkon zmadhim territorial dhe e përdorë gjenocidin për të arritur këtë qëllim. Kriza në ish-Jugosllavi e ka mishëruar zgjedhjen në mes rrugëve të Neville Chamberlainit dhe Winston Churchillit. Rruga churchilliane është shmangur deri tani, për turpin e atyre që kanë supozuar se udhëheqin.

SHTESË

A. Prapavija

Fillimisht, Sllovenia dhe Kroacia nuk i kërkuan të drejtat e tyre kushtetuese të ndarjes por vetëm shkallë më të lartë të autonomisë kulturore, politike dhe ekonomike brenda konfederatës jugosllave dhe lejimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë. Në vend të kësaj, Serbia dhe aleati i saj Mali i Zi kërkuan ruajtjen e autoritetit të centralizuar komunist. Propozimi konfederal u refuzua nga presidenti serb Slobodan Milosevic, i cili kontrollonte 4 nga 8 vota sa ishin në presidencën federale.[3] Plebishitet u mbajtën pastaj dhe në zgjedhje të hapura demokratike 94 përqind e votuesve kroatë dhe 88 përqind e votuesve sllovenë e zgjodhën pavarësinë. Në qershor 1991, Ushtria Jugosllave e sulmoi Slloveninë por pësoi humbje të turpshme nga Mbrojtja Territoriale Sllovene e armatosur dhe përgatitur mirë. Sllovenia, ekonomikisht republika më produktive, me popullsinë e saj homogjene të dy milionëve (96 përqind sllovenë), nuk kishte thuajse fare pakicë serbe e as kufi të përbashkët me Serbinë. Udhëheqja serbe në qeverinë jugosllave më vonë e pranoi ndarjen e Sllovenisë nga Jugosllavia, duke i lënë Serbisë 4 nga 7 votat e presidencës federale.

Kroacia, republikë e 4.5 milionëve, përfshirë 600,000 serbëve etnikë (11.5 përqind e popullsisë), ishte synim strategjik i Beogradit. Kroacia kishte fushat më produktive të naftës në Jugosllavi (në Slloveninë lindore, veçanërisht në afërsi të Vukovarit). Kroacia zinte shumicën e bregdetit Adriatik të Jugosllavisë dhe kishte porte detare me vlerë komerciale e lidhje hekurudhore me Evropën qendrore dhe lindore. Industria turistike e Kroacisë i sillte Jugosllavisë 50 përqind të valutës së fortë, e cila përcillej në bankën jugosllave të kontrolluar nga Beogradi. Serbia, si kontrast, nuk kishte naftë, nuk kishte qasje në det dhe ishte ekonomikisht e varur në Slloveninë dhe sidomos Kroacinë.

Përgatitjet për luftë kundër Kroacisë filluan shumë kohë para vitit 1991. Që prej vitit 1986, “Memorandumi” i Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave e arsyetonte bashkimin e të gjitha tokave me pakica serbe në një shtet të madh serb, me pretekst të vetëm të “drejtat e pakicave” serbe. Përgatitjet e fshehura ushtarake për luftë filluan në vitin 1989. Nën trysni nga Ushtria Jugosllave, çarmatosja e Forcës për Mbrojtje Territoriale të Kroacisë, që kishte filluar në vjeshtë të vitit 1989, pothuajse u përfundua në maj të vitit 1990 kur Kroacia mbajti zgjedhje.[4] Përgatitja e Kroacisë ndaj sulmit ushtarak u dobësua tutje kur ajo e demobilizoi policinë në janar të vitit 1991, pas kërcënimeve për sulm nga Ushtria Jugosllave për mos dorëzim të armëve. Në të njëjtën kohë, forcat e parregullta serbe të mbështetura fshehurazi nga Serbia i rritën sulmet e armatosura ndaj civilëve kroatë. Ushtria Jugosllave e dominuar nga serbët “ndërhyri” në këto konflikte me pretekstin e ndarjes së palëve luftuese, por sistematikisht u siguroi një seri fitoresh forcave të parregullta serbe.[5] Udhëheqja serbe llogariste se rezistenca e Kroacisë do të shtypej shpejt në një betejë që mund të shkaktonte mijëra vdekje dhe se kritikat ndërkombëtare, një çmim i vogël për t’u paguar, do të ishin vetëm një bezdi e përkohshme.[6] Pa deklaruar luftë, Serbia nisi një sulm ushtarak masiv dhe morri mbi 35 përqind të territorit të Kroacisë. Pjesë të Sllavonisë lindore dhe provincat që serbët i quajnë Krajina u pastruan nga popullsia kroate. Preteksti për këtë pushtim brutal ushtarak ishte mbrojtja e pakicës së rrezikuar serbe në Kroaci, por në të vërtetë 75 përqind e 600,000 serbëve etnikë në Kroaci jetonin jashtë tokave që serbët i kishin kapur. Fillimi i luftës kundër Kroacisë ishte fundi i legjitimitetit kushtetues për qeverinë qendrore të Jugosllavisë. Presidenca federale, me autoritet kushtetues mbi Ushtrinë Jugosllave, u tregua e paaftë për të frenuar ofensivën serbe dhe u prish shpejt.

Për muaj të tërë, megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Komuniteti Evropian vazhduan të mbështesin integritetin territorial të Jugosllavisë. Një embargo e armëve e menduar keq dhe e imponuar nga Komuniteti Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara ndaj të gjitha republikave të ish-Jugosllavisë e ngriu çekuilibrin ushtarak në favor të Serbisë, e cila në efekt kontrollonte të gjithë arsenalin e Ushtrisë Jugosllave (tanket, anijet, aeroplanët ushtarakë dhe artilerinë e rëndë). Qeveria e ish-Jugosllavisë, e dominuar nga serbët, e kërkoi këtë embargo vetvetiu. Siç pritej, mungesa e përfshirjes ndërkombëtare për të ndalur përparimet e para serbe i dha kohë Serbisë të pushtojë më shumë territor kroat, duke e dëmtuar rëndë ekonominë kroate dhe duke shkaktuar humbje të mëdha në njerëz.

Bosnja-Hercegovina në fillimi ndoqi një rrugë të kujdesshme në përpjekje për të shmangur konfrontimin me Beogradin. E inkurajuar nga Komuniteti Evropian, Bosnja-Hercegovina, republikë e 4.3 milion njerëzve, organizoi një plebishit për pavarësi në shkurt 1992. Shumica e serbëve të Bosnje-Hercegovinës nën drejtimin e Beogradit e bojkotuan votimin, edhe pse ankesat e serbëve atje për diskriminim apo përndjekje nuk ishin legjitime. Përkundër përpjekjeve të serbëve të armatosur për ta bllokuar votimin, 65 përqind e qytetarëve morën pjesë dhe mbi 99 përqind e votuesve zgjodhën pavarësinë. Pak më vonë, në prill të vitit 1992, Komuniteti Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e njohën sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës, e cila ashtu si Sllovenia dhe Kroacia u bë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara në maj 1992. Përkundër pranimit të ngrohtë ndërkombëtar të Bosnjës, Komiteti Evropian nuk ndërmori veprime për të evituar apo ndalur sulmin e mëvonshëm serb mbi Bosnjën. Vetëm pasi agresioni serb i detyroi 600,000 refugjatë boshnjakë të shpërngulen, Komiteti Evropian iu bashkua nismës së Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione ekonomike mbi Serbinë. Megjithatë, hezitimi i Komitetit Evropian dhe mos sanksionimi i forcës ndaj Serbisë i trimëroi sulmet serbe. Bosnja mbeti nën embargon e armëve të cilën e trashëgoi nga embargoja e territorit të Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara dhe Komiteti Evropian jo vetëm që e shpërfillën Nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara i cili e obligonte përdorimin e të gjitha mjeteve për të ndalur agresionin ndaj një shteti anëtar, por po ashtu ia mohuan boshnjakëve të drejtën për t’u vetëmbrojtur. Edhe pse serbët e përbënin 31 përqind të popullsisë, forcat serbe që kryenin spastrim etnik ndaj myslimanëve dhe kroatëve shpejt e vënë nën kontroll 70 përqind të territorit boshnjak.

Maqedonia është republikë e 2.1 milion njerëzve, e përbërë 64 përqind nga maqedonasit sllavë dhe etni tjera që përfshijnë shqiptarët, bullgarët, romët, serbët dhe turqit. Plebishiti i Maqedonisë e afirmoi vendosmërisht përcaktimin e republikës për pavarësi dhe Maqedonia i përmbushi kriteret e njëjta të Komitetit Evropian si Bosnje-Hercegovina. Megjithatë, njohja ndërkombëtare u bllokua nga Greqia mbi pretekstin se Maqedonia, duke e ruajtur emrin e saj shekullor, po i sinjalizonte aspiratat ndaj provincës veriore të Greqisë me të njëjtin emër. Ushtria Jugosllave e kontrolluar nga serbët u tërhoq nga Maqedonia për të luftuar në Bosnje dhe e la Maqedoninë praktikisht të çarmatosur. Edhe pse Serbia ka qenë nën sanksione ndërkombëtare dhe izolim diplomatik, Greqia ka kultivuar marrëdhënie të ngrohta diplomatike me Serbinë dhe ishte vendi i parë që u kap duke i shkelur rëndë sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Serbisë. Greqia mbetet shkelës i madh i embargos ekonomike ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Të dyja, Greqia dhe Serbia, e kanë përdorur gjerësisht embargon ndaj Maqedonisë duke e bllokuar naftën, ushqimin dhe medikamentet. Duket të jetë vetëm çështje kohe para se Serbia dhe Greqia ta zbatojnë planin e tyre për ndarjen e Maqedonisë, të cilën Serbia e quan “Serbia jugore” e Greqia “xhevahiri i vjedhur i Greqisë”.

Në ish rajonin autonom të Kosovës, dy milionë shqiptarë etnikë që e përbëjnë mbi 90 përqind të popullsisë janë tani në rrezik të madh. Në vitin 1989 autoritetet serbe e shpërbënë kuvendin legjitim të Kosovës, një akt i paprecedentë në historinë e re evropiane. Me trysni serbe u imponua një pushtet ushtarak dhe një sistem aparteidi ndaj shqiptarëve etnikë të karakterizuar me shpronësime, shpërngulje të detyrueshme, përjashtime masive nga puna si dhe burgosje dhe vrasje politike. Serbia e ka deklaruar qartë synimin për t’i spastruar etnikisht shqiptarët nga Kosova. Një pakicë e vogël kroate në Kosovë vuan nga shtypja e njëjtë si shumica shqiptare.

Ish rajoni autonom i Vojvodinës, i përbërë nga toka që tradicionalisht i kanë takuar Hungarisë dhe Kroacisë, është provinca etnikisht më heterogjene e ish-Jugosllavisë ku jetojnë shumë etni. Në mesin e dy milion banorëve të saj, mbi 350,000 hungarezë dhe ca 200,000 kroatë janë subjekt i përndjekjes dhe shpërnguljes së ashpër. Sikur në Kosovë, kuvendi i Vojvodinës u shpërbë dhe u zëvendësua nga autoriteti serb në vitin 1989.

Në përmbledhje, shkaktari thelbësor i luftës në ish-Jugosllavi është nacionalizmi i skajshëm serb me agjendën e zgjerimit territorial. Serbët e uzurpuan makinerinë politike dhe pajisjet ushtarake të qeverisë federale të ish-Jugosllavisë për planin e tyre të krijimit të Serbisë së madhe, një aspiratë serbe shekullore.

B. Roli i ShBA-së në nxitjen dhe mbështetjen e agresionit serb

Mbështetja e njëanshme e ShBA-së për një Jugosllavi të centralizuar komuniste e ka inkurajuar këtë luftë që nga fillimi. Sekretari i Shtetit, James Baker, i qortoi Slloveninë dhe Kroacinë për lëvizjet e tyre drejtë pavarësisë dhe prerazi deklaroi se këto republika i pret një “mirëseardhje e ftoftë” nëse largohen nga Jugosllavia. Vetëm ditë pas pushtimit të Sllovenisë, në qershor 1991, Bakeri e vizitoi Beogradin dhe e siguroi qeverinë e atjeshme se ShBA-ja është zotuar për integritetin territorial të Jugosllavisë. Qeveria e Beogradit, e dominuar nga nacionalistët serbë, e interpretoi këtë lajm si “dritë të gjelbër” për pushtimin ushtarak të republikave që kërkonin ndarjen dhe demokracinë. Menjëherë pas këtij pushtimi, administrata shfaqi brengën se Hungaria, Romania, Greqia apo Shqipëria mund të futeshin në konflikt, por se roli i ShBA-së në këtë krizë eksplozive do të ishte vetëm të këshillojë dhe propozojë për ruajtjen e unitetit të Jugosllavisë.

Që nga fillimi, ShBA-ja ia lanë në dorë Komunitetit Evropian zgjidhjen e krizës jugosllave. Duke vepruar kështu, ShBA-ja e përcaktoi kornizën brenda së cilës Komunitetit Evropian do të vepronte: 1) refuzimin e qeverive të pavarura e të zgjedhura demokratisht; 2) një embargo e armëve ndaj agresorit të armatosur rëndë si dhe ndaj viktimave të çarmatosura të agresionit; 3) refuzim i ndërhyrjes ushtarake nga ShBA-ja. Gabimi fatal i vendosjes së kësaj krize nën udhëheqjen e Komunitetit Evropian mund të parashihej që nga fillimi sepse vendimet e tij kërkonin konsensus unanim dhe e bënin formulimin e politikave të ngadalshëm, joefikas dhe joefektiv. Përkundër se evropianët e lëvdonin vetveten për përpjekjet e tyre të para për ndërmjetësim, agresioni serb u përshkallëzua vazhdimisht.[7] Edhe kur ShBA-ja e denoncoi Serbinë si agresore në shtator 1991, mesazhi i shoqëruar ishte se ajo, duke mos pasur interes strategjik, nuk do të ndërhynte ushtarakisht për të ndalur vrasjet. Në të njëjtën kohë, Komunitetit Evropian po ashtu deklaroi se nuk ishte i përgatitur për ndërhyrje ushtarake. E inkurajuar nga këto deklarime për refuzim të ndërhyrjeve ushtarake, Serbia i shtoi tutje sulmet ndaj civilëve në Kroaci. Në nëntor 1991, kur ShBA-ja iu bashkua sanksioneve ekonomike të Komunitetit Evropian ndaj Serbisë, Presidenti Bush shprehi dyshimin se sanksionet, përfshirë një embargo ndaj naftës, do të ndalnin luftën. ShBA-ja, megjithatë, nuk ofroi alternativa tjera.

Konsiderata më të mëdha gjeopolitike mund të shpjegojnë pse ShBA-ja, që nga fillimi, e favorizoi status quo-n e regjimit komunist në ish-Jugosllavi mbi mbështetjen për aspiratat demokratike të shumicës së popullit të saj. Në atë kohë, tri republikat baltike të Bashkimit Sovjetik po kërkonin pavarësinë po ashtu. Gorbachev, duke e parë shpërbërjen e Jugosllavisë si precedent për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, e kundërshtoi ashpër ndarjen e Sllovenisë dhe Kroacisë. Meqë ulja e tensioneve me Bashkimin Sovjetik ishte atëherë brengë kryesore e politikës amerikane, nuk qe e habitshme se ShBA-ja e mbështeti Gorbachevin në kundërshtimin e orvatjeve për pavarësi në Bashkim Sovjetik ashtu sikurse në Jugosllavi. Megjithatë, arsyetimi për dekurajimin e republikave jugosllave që kërkonin demokraci dhe pavarësi përfundoi kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në fund të vitit 1991. Bota ndryshoi shpejt por politika e ShBA-së mbeti e njëjtë, edhe kur sulmet pa dallim të Serbisë u përshkallëzuan. Për më tepër, kur Komuniteti Evropian më në fund e arriti konsensusin delikat të njohjes së Sllovenisë dhe Kroacisë, ShBA-ja bëri fushatë aktive kundër njohjes dhe e minoi nismën evropiane. Në nëntor 1991, Komuniteti Evropian vendosi sanksione ekonomike ndaj Jugosllavisë, por në fillim të dhjetorit këto sanksione u larguan ndaj të gjitha republikave përveç Serbisë dhe Malit të Zi. Vetëm ditë pasi evropianët i veçuan sanksionet e tyre kundër agresorit dhe i larguan ato ndaj viktimave, ShBA-ja vendosi sanksione ndaj të gjithë Jugosllavisë në një veprim të pakoordinuar me evropianët.

Përkundër njohjes me hezitim të Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës në prill 1992, dhe përkundër etiketimit të Serbisë si agresore, ShBA-ja nuk e riformuloi shumë politikën e saj në Ballkan. Për një periudhë të shkurtër pastaj, ajo ndërmori rol më aktiv duke kërcënuar pezullimin e anëtarësimit të Jugosllavisë në Komisionin për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (CSCE) dhe duke e pezulluar ndihmën amerikane në Serbi në të ardhmen. Serbia u kundërpërgjigj me nisjen e një ofensive të madhe. Tri javë më vonë, megjithatë, ShBA-ja deklaroi se po tërhiqej “me zemërim e irritim”, pa “politikë tjetër veç asaj të ndjekjes së Komunitetit Evropian”. Derisa forcat serbe bënin përparime të mëdha në spastrimin etnik në territorin boshnjak përgjatë javëve në vijim, kjo mos-politikë amerikane u kritikua nga një spektër i gjerë politik, përfshirë Jeane Kirkpatrick, Anthony Lewis dhe William Safire. Administrata shpejt deklaroi sanksione të kufizuara diplomatike, politike dhe ekonomike ndaj Beogradit. Retorikë shumë më e fuqishme erdhi pas disa ditëve, kur Z. Baker la për të kuptuar se “operacionet spastruese” të forcave serbe ishin përkujtim i nazizmit. Duke iu referuar Kapitullit VII të kartës së Kombeve të Bashkuara, e përdorur më parë si kornizë për Luftën e Gjirit Persik, Z. Baker theksoi mundësinë e pjesëmarrjes së ShBA-së në një forcë ushtarake ndërkombëtare. Për më tepër, ai e kritikoi Komunitetin Evropian për “kërkimin e arsyeve për të mos vepruar apo për të argumentuar disi se veprimi ndaj këtij makthi nuk arsyetohet në këtë kohë”. Edhe pse Z. Baker dukej se kishte artikuluar një politikë bindëse, administrata mbeti e ndarë në çështjen e përfshirjes ushtarake.

Testi i seriozitetit të retorikës së Z. Baker erdhi më pak se dy muaj më vonë. Në korrik 1992, në takimin e CSCE në Helsinki, kur disa shtete Perëndimore sinjalizuan dëshirën për të ndërhyrë ushtarakisht, Presidenti Bush refuzoi ta mbështesë këtë nismë. Tutje, kur presidenti boshnjak iu lut drejtpërdrejt Presidentit Bush për ndërhyrje ushtarake për të ndalur kasaphanën e civilëve, Bushi refuzoi. Ai e karakterizoi vrasjen e qindra mijëra civilëve dhe shpërnguljen e mbi dy milion njerëzve nga shtëpitë e tyre si “pengesë e vogël” në Rendin e Ri Botëror dhe tha se ShBA nuk mund të reagojë ndaj çdo situate të tillë. Ky qëndrim tregoi mendjelehtësi për llojin e udhëheqjes parimore që nevojitej për të krijuar një klimë në të cilën agresionit ndërkombëtar nuk i jepet mundësi.

Një urgjencë më e madhe morale dhe politike për ndërhyrje u ndje në fillim të gushtit në vitin 1992 kur ekzistenca e kampeve serbe të përqendrimit u zbulua. Departamenti i Shtetit, edhe pse i dënoi krimet, përsëri vendosi kundër ndërhyrjes ushtarake. Kur publiku i zemëruar dhe grupet shumëpartiake të senatorëve kërkuan reagim të fuqishëm ndaj këtyre krimeve, të cilat dukej se po merrnin karakteristikat e shfarosjes naziste të hebrenjve, administrata u përgjigj duke e kthyer mbrapshtë qëndrimin e tyre të një dite më parë dhe duke e vënë në mëdyshje ekzistencën e kampeve të përqendrimit, edhe pse video incizimet e kampeve shfaqeshin në televizion kombëtar po atë ditë. Megjithatë, pas protestës së fuqishme publike që pasoi shfaqjen në media të mijëra meshkujve, grave dhe fëmijëve në kampet e përqendrimit, Presidenti Bush denoncoi spastrimin etnik dhe sugjeroi lëvizjen drejtë përdorimin të kufizuar të forcës për të dërguar ndihmë humanitare. Duke i definuar ngushtë qëllimet e ShBA-së, megjithatë, Presidenti Bush dukej se po kërkonte kufizimin e rolit ushtarak të ShBA-së. Duke “u fshehur pas ndihmës humanitare”, Presidenti Bush e shmangi çështjen e çarmatosjes së agresorit serb nga ShBA-ja. Ai po ashtu refuzoi largimin e embargos së armëve mbi Bosnjën.

Një shpjegim i mundshëm për dështimin e ShBA-së për të formuar një politikë efektive ndaj agresionit serb është orientimi pro-serb i Lawrence Eagleburger dhe Brent Scowcroft, këshilltarëve kryesorë për Jugosllavinë të Presidentit Bush. Eagleburger, ish ambasador jugosllav, dhe Scowcroft, po ashtu me lidhje të mëparshme me ambasadën jugosllave, kanë lidhje të hershme diplomatike, personale dhe biznesore me Beogradin dhe sipas raporteve e përshkruajnë vetveten si pjesë të “Mafies së Beogradit”, një aparat shtetëror i cili përfshinë oficerë të Shërbimit të Jashtëm, ekspertë dhe analistë të inteligjencës. Është sugjeruar se heshtja e gjatë e Presidentit Bush mbi raportet e kampeve të përqendrimit në Bosnje e reflektonte ndikimin e këtyre këshilltarëve. Në fakt, të dy Lawrence Eagleburger dhe Brent Scowcroft e kanë keqinterpretuar seriozisht gjendjen në Ballkan tek publiku amerikan. Z. Eagleburger, duke i trajtuar viktimat dhe agresorin si të njëjtë, ka sugjeruar gjatë tërë kohës se “duhet të presim derisa ta shterin vetveten dhe pastaj të futemi”, pas së cilës kohë Bosnja do të ekzistonte vetëm në histori. Vetëm ditë pas zbulimit të kampeve serbe të përqendrimit, kur administrata e gjeti vetën nën presion të madh për të ndërhyrë ushtarakisht, të dy Eagleburger dhe Scowcroft u paraqitën në rrjet televiziv. Z. Scowcroft e paraqiti pushtimin e Kroacisë dhe Bosnjës nga Serbia si “luftë civile”, përkundër njohjes nga ShBA-ja të dy republikave si shtete sovrane. Z. Eagleburger sugjeroi se ishte e panevojshme të largohej embargo e armëve, meqë “edhe ashtu ka mjaftë armë atje”. Margaret Thatcher, në paraqitjen e saj po atë ditë në rrjet televiziv, e adresoi drejtpërdrejt këtë errësim duke thënë se ka mjaftë armë në Bosnje por se “janë në dorën e agresorit”.[8] George Bush dhe Margaret Thatcher, me politika të kundërta, janë krahasuar respektivisht me Neville Chamberlain dhe Winston Churchill.

Përveç zotimit të paluhatshëm të administratës për të zvogëluar përfshirjen e drejtpërdrejtë në Ballkan, ndoshta veçoria më konsistente e politikës amerikane ndaj ish-Jugosllavisë ka qenë jokonsistenca. Administrata është luhatur në mes aktivitetit të stuhishëm dhe mosangazhimit fare. Në secilin rast që Shtëpia e Bardhë apo Departamenti i Shtetit ka sinjalizuar për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake ato janë tërhequr shpejt, natyrisht duke e lehtësuar udhëheqjen serbe.

Duke e vlerësuar gabimisht në vazhdimësi problemin në ish-Jugosllavi dhe Evropë Lindore, ShBA-ja e ka humbur një mundësi historike për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë evropiane në epokën e pas Luftës së Ftoftë. Në gusht të vitit 1992, George D. Kenney dha dorëheqje nga Departamenti i Shtetit, i nxitur nga zhgënjimi me një politikë retorike që ishte “joefektive” dhe “kundërproduktive”. Z. Kenney akuzoi tutje se varësia e ShBA-së në ciklet e përsëritura e të pafrytshme të negociatave të ndërmjetësuara nga Komuniteti Evropian ishte një “farsë”, rezultati i së cilës dihej paraprakisht.

C. Joefektiviteti i KB-së dhe KE-së

Roli i KB-së dhe KE-së në ndërmjetësimin e konfliktit në ish-Jugosllavi është shembull se si, sipas analogjisë, një mjek mund ta përkeqësojë sëmundjen me ndërhyrje të gabuar. Ky konflikt ka mundur të parandalohej por u përkeqësua nga ndërhyrja e paaftë ndërkombëtare. Në muajt e parë, sulmet serbe ishin më të kufizuara dhe më të kujdesshme. Me gjasë, Serbia ruhej nga perceptimi se komuniteti botëror i pas Luftës së Gjirit kishte një mekanizëm efikas për ndaljen e agresionit të egër, siç ishte dëshmuar në Irak. Megjithatë, një mori deklaratash pastaj se KE-ja, Bashkimi Perëndimor Evropian, KB-ja dhe ShBA-ja po propozonin vetëm negociata, jo ndërhyrje ushtarake, e trimëroi agresionin serb. Hezitimi i fuqive të jashtme për të ndërhyrë nuk do të ishte aq problematik po të mos ishte vendosur embargoja e armëve e cila e kishte ngrirë çekuilibrin ushtarak në favor të Serbisë. Edhe pse KE-ja e njohu Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën në fillim të vitit 1992, u ruajt embargoja e armëve ndaj këtyre vendeve në shkelje të qartë të së drejtës së patjetërsueshme të tyre për vetëmbrojtje. Me përshkallëzimin e agresionit serb, KE-ja vazhdoi të negociojë disa armëpushime të pakuptimshme, duke i fajësuar barabartë agresorin dhe viktimën. Nëpërmjet 39 armëpushimeve të dobëta, të negociuara nga Lord Peter Carrington (ish partner biznesi i Slobodan Milosevic), Serbia e zgjeroi frontin e luftës ashtu siç pritej dhe e përdori secilin armëpushim për të rivendosur trupat dhe artilerinë për sulmet e ardhshme. Dorëheqja më në fund e Lord Carringtonit nga udhëheqja e këtyre “konferencave” të turpshme të “paqes” ishte dashur të ndodhte moti dhe ishte shumë vonë për të kthyer prapa tragjedinë të cilën diplomacia e largpamëse mund ta kishte parandaluar.

Dëshmi tjetër e joefektivitetit ndërkombëtar ka qenë prezenca jokonstruktive e UNPROFORIT, forcave paqeruajtëse të KB-së, të cilat kanë funksionuar si partner i heshtur i Serbisë duke i ndihmuar synimet serbe të luftës. Forcat e KB-së u bënë de fakto “kujdestare” të territoreve kroate nën kontrollin serb, duke e ruajtur kështu status quon dhe duke i parandaluar forcat kroate të rikthejnë tokat e tyre. Kjo situatë i liroi forcat e parregullta serbe të lëvizin drejt frontit të luftës në Bosnje. Ushtarët e UNPROFORIT janë parë duke u shoqëruar në mënyrë joprofesionale me forcat serbe prapa vijave të tyre. Për më tepër, forcat e KB-së janë vënë në pozitë të asistojnë spastrimin etnik duke i shoqëruar civilët në zona të “sigurta” sepse forcat serbe kishin kërcënuar se do t’i vrisnin. Në pjesët e Sllavonisë që janë nën kontroll serb, spastrimi etnik i ka eliminuar pothuajse të gjithë jo-serbët, përfshirë hungarezët, ukrainasit dhe sllovakët. Në kundërshtim me marrëveshjen e Serbisë me KB-në, Serbia asnjëherë nuk i ka çarmatosur forcat e parregullta serbe në Kroaci. Edhe me vendosjen e UNPROFORIT në Kroaci, forcat serbe nuk e kanë ndalur granatimin e përditshëm të qyteteve kroate nga rajonet e pushtuara serbe. Sipas Zëvendëssekretarit të KB-së Marrack Goulding, mbikëqyrësit e UNPROFORIT “nuk janë aty për të penguar fizikisht granatimin”. Detyra e tyre është të “…marrin shënime dhe të shkruajnë raporte kur përdoren armët”. Në një deklaratë shumë domethënëse, komandanti ushtarak i UNPROFORIT në Sarajevë “la për të kuptuar me të madhe… se arsyeja pse ai dhe zyrtarët tjerë të KB-së nuk e drejtojnë publikisht gishtin kah ana serbe për granatimin e civilëve është frika e hakmarrjes ndaj trupave të tij”. Meqë mandati i KB-së ia ka ndaluar UNPROFORIT përdorimin e forcës për mbrojtje të viktimave civile të agresionit serb, shpërnguljen e vazhdueshme të civilëve nga serbët kanë vazhduar nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të KB.

(Shënim i përkthyesit: Vetëm fusnotat që japin informacione të rëndësishme shtesë janë ruajtur në këtë përkthim. Për fusnotat e plota, shiheni shkrimin origjinal me lidhje në paragrafin e parë.)

[1] Peter Maass, Serbians Pressing Ethnic Albanians In Uneasy Kosovo, Washington Post, korrik 15, 1991, “Në tri vitet e fundit, gazi lotsjellës, rrahjet dhe vrasjet pa dallim, arrestimi i të plagosurve në spitale, 85,000 shqiptarë etnikë të përjashtuar nga puna dhe kontrollimi i plotë i shkollave, shtypit dhe shpërndarjes së ushqimit janë bërë mënyrë e jetës. Shumë serbë, përfshirë intelektualët e Beogradit, i veshin krime monstruoze shqiptarëve, të cilët i konsiderojnë jo-njerëzorë dhe majmunë me mbarështim epshor”.

[2] I ndjeri z. Cubrilovic [1897-1990], i cili ishte këshilltar politik i qeverisë jugosllave mbretërore, së pari e prezantoi Shpërnguljen e Shqiptarëve si ligjëratë për Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937, e më vonë si memorandum për qeverinë jugosllave. Ky ishte një projektplan për ta bërë jetën e shqiptarëve aq të padurueshme dhe të mbushur me terror sa të detyrohen të emigrojnë drejtë Shqipërisë dhe tokave turke. Dokumenti origjinal ruhet në Institutin Historiko-Ushtarak të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd. Pas Luftës së Dytë Botërore, Cubrilovici mbajti disa poste në qeverinë e Jugosllavisë Federale.

[3] Tetë votat brenda presidencës federale të Jugosllavisë përbëheshin nga gjashtë republika (Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia) dhe dy rajone autonome (Kosova dhe Vojvodina) brenda Serbisë. Në vitin 1989, autoritetet serbe i shpërbënë legjislaturat e të dyja rajoneve autonome por i mbajtën votat e tyre në presidencën federale. Kësisoj, Serbia i kontrollonte drejtpërdrejt tri nga tetë votat. Mali i Zi dhe Serbia, duke votuar si bllok, në efekt i kontrollonin katër nga tetë votat dhe shpesh e bllokonin presidencën federale.

[4] Kroacia dhe Sllovenia, të dyja të sulmuara nga Ushtria Jugosllave, patën fate të ndryshme. Sllovenia, pa pakicë të madhe serbe, kishte ruajtur mbi 50-70 përqind të materialit ushtarak për Forcën e saj të Mbrojtjes Territoriale. Sllovenia nuk u përball me kryengritje serbe dhe Ushtria Jugosllave ishte e papërgatitur. Në kontrast, Kroacia kishte pakicë serbe të konsiderueshme e cila u mobilizua shpejt për kryengritje me ndihmë të Ushtrisë Jugosllave dhe udhëheqjes serbe. Tetëdhjetë përqind e materialit të Forcës kroate për Mbrojtje Territoriale u përvetësua nga Ushtria Jugosllave, e cila pastaj i dha armë kryengritësve serbë.

[5] Jim Fish, Yugoslavia Sends Troops to Croatia, Local Police Clash With Demonstrators, Washington Post, 3 mars 1991. “Ka dëshmi të mjaftueshme se luftëtarët serbë [në Kroaci] janë duke marrë mbështetje dhe armë në mënyrë klandestine nga oficerët serbë në Ushtrinë e Jugosllavisë Federale. Në selitë e kampit, komandanti i lexon pozicionet nga harta të detajuara topografike të Ushtrisë Jugosllave. Ushtarët veshin uniforma kamuflimi të pastra dhe të reja, identike me ato të forcave speciale në ushtrinë federale. Zyrtarët lokalë thonë se këto janë siguruar nga oficerët ushtarakë”.

[6] “Gjeneral Blagoje Adzic, Shefi i shtabit ushtarak jugosllav u citua të ketë thënë: ‘Edhe nëse duhet të ndodhin mijëra vdekje, bota e jashtme nuk do të ndërhyjë për të mbështetur dy republika në ndarje kundër ushtrisë federale të udhëhequr kryesisht nga oficerët serbë.” Andrew Borowiec, General Wants to Punish Croats, Washington Times, 4 korrik 1991. “Pas pushtimit të Sllovenisë, gjenerali jugosllav Adzic, një strateg ushtarak kyç, deklaroi: ‘Kjo kryengritje duhet shuar edhe nëse i sjellë mijëra vdekje. Komuniteti ndërkombëtar do të acarohet paksa, por tri ditë më vonë çdo gjë do të harrohet dhe synimet tona do të jenë arritur”. Jian Paolo dhe Gigi Yazzeri, Here Are The New Warlords, Europeo (Itali), korrik 19 1991.

[7] “Udhëheqësit e Komunitetit Evropian sot e lartësuan ndërhyrjen e tyre në luftën civile të Jugosllavisë si dëshmi të një epoke të re në të cilën ata janë të gatshëm për nisma të guximshme për zgjidhjen e problemeve në kontinentin e tyre dhe se janë më pak të prirë për të pritur për udhëheqje nga Shtetet e Bashkuara”. William Drozdiak, Europeans Laud Their Efforts in Yugoslavia, Washington Post, 30 qershor 1991.

[8] Shënim i përkthyesit: Një shkrim i Jack Anderson dhe Dale Van Atta, i titulluar The Ins and Outs of Eagleburbger, i publikuar më 21 shkurt 1989 në Washington Post, e skicon një portret të Lawrence S. Eagleburger si diplomat i lidhur ngushtë me Jugosllavinë. I njohur si “Lorenci i Serbisë”, Eagleburger së pari ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Jugosllavi në periudhën 1977-1981. Pastaj, ai ka ndërmjetësuar huat e mëdha që Jugosllavia i merrte nga bankat dhe shteti amerikan, me ç’rast ka shërbyer edhe në bordin e drejtorëve të një banke jugosllave që përfitonte nga këto hua. Ai u bë gjithashtu përfaqësuesi jugosllav i veturës Yugo në Amerikë dhe drejtor i degës në Nju Jork të Ljubljanska Bankës, pronë e qeverisë jugosllave.