Uncategorized

Kur’ani, Kapitalizmi dhe e ardhmja e vendeve islamike

Bardhyl Salihu

Protestat anti-shtetërore që filluan në Tunizi, u përhapën bujshëm në Egjipt, u shëndrruan në luftë civile në Libi, dhe që sot po vazhdojnë në vendet tjera si Jemeni, janë shenja të qarta që Shteti në botën arabe ka marrë formën më të paskrupullt të shtypjes së lirisë individuale dhe të shkatërrimit ekonomik. Por, këto protesta do të jenë të kota nëse këta popuj nuk e kanë të qartë se çfarë sistemi alternativ duan ta vendosin në vend të atij që ka ekzistuar deri tani. Ata arabë të cilët e dinë të kaluarën e tyre nuk do ta kenë të vështirë të përcaktohen.

Periudha e Artë Islamike

Dekada më parë, aty dikur rreth shekullit të 8-të, në territoret që sot i takojnë jugut të Spanjës, Afrikës Veriore si dhe Lindjes së Mesme, filloi zhvillimi më i madh kulturor në historinë e fesë islame. Në mes zhvillimit të shkencës, artit, e parimeve të drejtësisë, u zhvillua edhe ekonomia me theks në industri e bujqësi. Kalifati Abazid, i cili pasoj atë Rashidun, u frymëzua nga thënia e Profetit Muhamed që “pena e dijetarëve është më e shenjtë se gjaku i martirëve” dhe kësisoj vendosi theks të veçantë në akumulimin kolektiv të dijës.

Ky akumulim i dijes përveç që nxori shkencëtarë si dijetarin Ibn al-Haytham, astronomin Muhamed ibn Musa, apo matematikanin Omar Kajam, nxiti edhe krijimin e kushteve të volitshme për zhvillimin ekonomik. Në këtë periudhë ndodhi revolucioni bujqësor i cili solli me vete metodat e reja të punës që e zgjeruan dukshëm prodhimin. Gjatë këtij revolucioni prodhimi i sheqerit u rafinua duke e shëndrruar atë në një industri në vete, u modernizuan metodat për korrje masive, si dhe u shkruan shumë enciklopedi mbi bujqësinë e botaniken.

Revolucionit bujqësor iu bashkëngjit zhvillimi industrial i cili përmirësoi sistemet e energjisë me ujë, me mullinj, si dhe i tregoi botës për të parën herë pistonin rrotullues që edhe sot përdoret për funksionimin e motorëve të makinave. Ndër tjera u zbuluan edhe instrumente astronomike, kimikale, teknologji të distilimit, tekstil, armë, e shumë gjësende tjera të cilat e ndryshuan standardin e jetesës përgjithmonë.

Kur’ani si burim i bazave kapitaliste

Cilat ishin bazat kryesore në të cilat u ndërtua kjo Periudhë? Si gjithkund në botë ku ka shembuj të përparimit kulturor dhe mirëqenies së përgjithshme, edhe kjo Periudhë u ndërtua mbi bazat kapitaliste. Çuditërisht, këto baza qenë shumë të përafërta me normat etike të renditura në librin e shenjtë islamik Kur’anin, njëheri edhe arsyeja kryesore pse ato u respektuan.

Ligji islamik Sheriati, i cili përbëhet vetëm pjesërisht nga të shkruarat në Kur’an, u zhvillua kryesisht prej shkollarëve islamikë detyra e të cilëve ishte të nxjerrin ligje të reja nga principet kryesore të Kur’anit si dhe nga hadithet (thëniet) e Profetit Muhamed. Duke qenë se shkollarët përfaqësonin drejtësinë e jo Shtetin, antagonistin e kapitalizmit dhe lirisë individuale, ata përpiluan ligje të cilat mundësuan krijimin e një tregu të lirë ku tregtarët mund të këmbenin pa pengesat arbitrare të Shtetit. Kur’ani është përgjithësisht i mbushur me terma ekonomikë si ai “kontratë” e cila në fetë tjera interpretohet si “marrëveshje” e Zotit me njeriun. Strofa më e gjatë në Kur’an, e cila gjendet në suranë (kapitullin) al-Bakara, është ajo e cila e përshkruan se si duhet të duket kontratë e huadhënies.

Profeti Muhamed është i vetmi themelues i një feje të madhe i cili ka qenë biznesmen. Si pasojë, ai e kuptoi shumë shpejtë rëndësinë që tregu i lirë e kishte për përmirësimin e standardit të jetesës. Kur njëherë dikush e kishte pyetur nëse ai mund të intervenonte në treg për t’i përcaktuar çmimet, Muhamedi ishte përgjigjur që “vetëm Zoti i përcakton çmimet”. Rrjedhimisht, shkollarët islamikë erdhën në përfundim që çmimet duhet të liheshin të lirë të përcaktoheshin nga oferta dhe kërkesa sepse kjo ishte forma “hyjnore”.

Kur’ani është shumë i qartë në lidhje me ekzistencën dhe mbrojtjen e drejtave pronësore. Muhamedi ka thënë që ai i cili vdes duke e mbrojtur pronën e tij vdes si martir. Duke qenë se të drejtat pronësore janë mbrojtur pa kompromis, kjo ka kontribuar në ruajtjen e vlerës kapitale, zvogëlimin e preferencave kohore dhe akumulimin e kapitalit. Sa më shumë që pasuria mbrohet, aq më shumë ka stimuj që ajo të shtohet.

Të gjitha këto baza krijuan një ambient ekonomik të tregut të lirë, një proto-kapitalizëm, i cili qysh atëherë njihte konceptet e korporatave (mufawada), të partneriteteve (mudaraba), të kontratave, të trusteve (Waqf), dhe në fund të tregtisë ndërkombëtare e cila e bëri Kalifatin partnerin kryesor të këmbimit në botë.

Dy përjashtimet: zakati dhe riba

Ekzistojnë dy përjashtime në ekonominë islamike të cilat nuk janë trajta të kapitalizmit e të cilat janë interpretuar si thirrje të Islamit për socializëm. Ato janë zakati, mbledhja e taksave për të krijuar një rrjet të sigurisë për të varfrit, të moshuarit, jetimët, vejushat, dhe personat me të meta fizike, si dheriba, trajtimi i normës së interesit si haram.

Njohës të Islamit, ndër ta gazetari turk Mustafa Akyol, e kanë quajtur argumentin që Islami ka elemente socialiste si keqinterpretim. Muhamedi citohet të ketë thënë që “personi i cili rri me barkun e mbushur përderisa fqinji i tij është i uritur nuk është Mysliman i mirë”. Akyol me të drejtë thotë që është gabim të logjikohet nga kjo që Muhamedi ka kërkuar krijimin e Shtetit socialist (ndihmës sociale). Ky citat duhet të kuptohet si thirrje morale për besimtarin që personalisht t’i ndihmoj atij që ka nevojë e jo thirrje për Shtetin që nën petkun e pseudo-etikës të konfiskojë para në mënyrë që ta krijoj një sistem të centralizuar të ndihmës sociale i cili pastaj keqpërdoret e zgjerohet pa fund. Faktin që zakati nuk përbën shembull të socializmit në Islam e konfirmon edhe historiani Marksist Maxime Rodinson i cili shkruan në librin e tij Islami dhe Kapitalizmi (1966, [1973]) që “Muhamedi nuk ka qenë socialist!” Përfundimisht, Islami s’ka si të jetë socialist sepse socializmi në vete ngërthen ateizmin.

Përjashtimi i dytë, ai i interesit (riba), gjithashtu ka qenë pre e keqinterpretimeve. Islami nuk e dënon interesin si fenomen, por vënien e interesit “enorm”, ajo që në anglisht njihet si “usury”. Ashtu si feja e Krishterë, e madje ashtu si edhe disa ekonomistë, shkollarët Islamikë dështuan ta kuptojnë rolin e rëndësishëm që norma e interesit e luan në ekonomi. Njeriu si qenie e preferon konsumin momental para konsumit në të ardhmen; në ato raste kur konsumi shtyhet në të ardhmen individit i takon që ai të kompensohet. Ky kompensim, i cili është fenomen kohor, quhet norma e interesit. Pra, nuk ka asgjë mistike për të dhe si secili çmim në treg edhe ajo duhet të përcaktohet lirshëm nga veprimi i kursimtarëve (ofertës) dhe konsumatorëve (kërkesës). Nëse një normë e interesit është “mbi nivelin normal” apo jo është çështje subjektive; në ekonomi nuk mund të ketë konceptim të përgjithshëm mbi atë se sa të “shtrenjta” apo të “lira” janë çmimet. Këtë mund ta bëjë vetëm individi personalisht. Nga pikëpamja etike, nëse individi e pranon një hua me normë “të lartë” të interesit atëherë kemi të bëjmë me një marrëveshje vullnetare e cila nuk përbën asgjë të keqe në vete.

E kaluara duhet të jetë e ardhmja

Si përfundoi bota islamike aty ku është sot? Ekzistojnë disa shpjegime për këtë por tri janë kryesore. Shpjegimi i parë është që në fund të shekullit të 13-të zgjerimi i burokracisë shtetërore dhe monopolizimi i prodhimit qoi në dobësimin e rolit që tregtarët e kishin si gjeneratorë të zhvillimit ekonomik. Problemet u shumëfishuan kur bota islamike e humbi rolin kryesor të tregtisë pasi që Vasco de Gama e zbuloi rrugën e re ujore e cila e lidhi Evropën me Azinë duke e zhytur botën islamike në parëndësi. Së fundi, shkatërrimi gjatë Kryqëzatave dhe kolonizimi që Evropa ja bëri kësaj pjese të botës vetëm sa e forcoi sentimentin nacionalist, e forcoi Shtetin dhe qoi më tej në varfërimin ekonomik të kësaj ane.

Megjithatë, e kaluara ekonomike e Islamit si dhe liberalizmi që mbretëronte atëherë janë shembuj klasik të funksionimit të kapitalizmit. Sot, në vend se t’i hapin hartat apo t’i bashkëngjiten partive politike, popujt arabë duhet t’i kthehen librave të pluhurosura të historisë në mënyrë që të shohin nga duhet ecur para.