Na takon edhe ne në blogun tonë modest të komentojmë bashkë me gjithë internetin ngjarjen më të madhe të vitit e ndofta dhe dekadës, miratimin e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian në referendumin e 23 Qershorit.
- Cili është pozicioni liberal mbi Brexit-in?
Që ky ishte vendimi i duhur, e që më mirë vonë se kurrë.
- Si mund ta justifikojmë si vendim liberal daljen nga një treg i stërmadh të mirash, shërbimesh, kapitali dhe pune?
Mund ta justifikojmë lehtë fare me parimin e decentralizimit: me daljen nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar zëvendëson një qeveri të stërmadhe me dy qeveri më të vogla, në terma popullsie dhe territori. Tashmë do mund të ketë konkurrencë rregullatore mes këtyre dy qeverive, çka do sjellë të mirat e mirënjohura të konkurrencës.
- Bashkimi Europian nuk është qeveri. Logjika e mësipërme nuk qëndron.
Në fusha të gjëra e për shumë qëllime (si rregullimi ekonomik, etj.) Bashkimi Europian i ka marrë tashmë tagret e një qeverie de facto, dhe përditë shton kompetenca të reja në kurriz të qeverive të vendeve anëtare. Kështu, po de facto, largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga unioni është e njëjtë me ndarjen nga një shtet i madh.