Etjon Basha
Aksioni i Xhandarmërisë Serbe që shkatërroi Përmendoren e të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevë, Medvegjës dhe Bujanovcit shkaktoi dhe reagimet e ashpra që priteshin. Se ç ‘qëllim fshihet pas këtij provokimi është e pamundur të thuhet me siguri, ndonëse qarkullojnë teori të shumta.
Ndofta i gjithë aksioni kryhet si pasojë e konflikteve të brendshme në Serbi. Ndofta , siç propozon revista The Economist, ai synon të krijojë imazhin e qeverisë së ashpër për të kundërpeshuar lëshimet gjatë bisedimeve me Kosovën. Ndofta edhe synon të provokojë sulme ndaj komunitetit serb në Kosovë për të diskredituar kauzën Shqiptare (me standardet Serbe provokimi i sulmeve ndaj bashkëkombësve u konsideroka nacionalizëm).
Arsyet kanë fare pak rëndësi përtej kujtesës për vetëpërmbajtje dhe mos rënie pre e këtij provokimi të hapur. Qeveritë Shqiptare në Tiranë e Prishtinë pritet të mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj Serbisë që këtej e tutje, e çdo episod dhunë ndër-etnike në Kosovë apo dhe Preshevë thjesht do çonte ujë në burimin e Beogradit.
Por në mes të tronditjes që kjo masë shkaktoi kemi harruar se cili është fajtor që Shqiptarët e Preshevës mbetën sot në dorë të tekave të Beogradit: nacionalistët shqiptarë në Kosovë e Shqipëri!