ekonomi

Problemi i shamisë, problem i monopolit të edukimit

Bardhyl Salihu

Debati i mbajtjes së shamisë në institucionet edukative nuk është i ri, megjithatë është zhdukur e paraqitur disa herë dekadën e fundit. “Grupi fetar” ka argumentuar në favor të shamisë, kryesisht mbi bazën e lirisë së shprehjes (së fesë). “Grupi laik” në anën tjetër ka argumentuar kundër, kryesisht mbi idenë e ndarjes së Shtetit nga feja. Që të dy palët kanë lënë në harresë shkakun kryesor të këtij problemi; faktin që Shteti e ka monopolizuar tregun e shërbimeve të edukimit me krijimin e shkollimit publik. Si me çdo “shërbim” tjetër shtetëror, edhe edukimi publik duhet të financohet nga marrja e dhunshme e parave (“taksat”). Problemeve të vazhdueshme të joefikasitetit i shtohet problemi tjetër i pashmangshëm: pamundësia për t’i kënaqur kërkesat e të gjithë taksapaguesve. Duke qenë se brenda grupit të taksapaguesve ka të atillë që e përkrahin mbajtjen e shamisë në shkolla dhe të atillë që e kundërshtojnë, Shteti përballet me një problem të harmonizimit të këtyre kërkesave. Si është e mundur që Shteti–apo më saktë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë–t’i plotësoj kërkesat e dy palëve që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me njëra tjetrën? Çdo vendim në favor të njërit grup duhet patjetër të bije në kundërshtim me grupin tjetër.

Natyra e centralizimit të shërbimeve duke i bërë ato “publike” e shtypë llojshmërinë në favor të njëtrajtshmërisë. Ekonomisti Murray Rothbard e shpjegon më së miri sistemin edukativ publik në kritikën e tij të ashpër: “Sepse është në natyrën e burokracisë shtetërore të jetohet sipas disa rregullave të cilat imponohen në mënyrë të njëtrajtshme e të vrazhdë. Nëse burokrati do t’i vendoste rastet individuale në mënyrë ad hoc, atëherë ai do të akuzohej, me të drejtë, që nuk po e trajton secilin taksapagues dhe qytetar në mënyrë të barabartë dhe të njëtrajtshme.” Pra, pa marrë parasysh kreativitetin në sistemin edukativ publik, produkti final nuk do t’i përshtatet kërkesave dhe nevojave të secilit individ në përputhje me përparësitë krahasuese të tij por do të imponohet në formë të njëtrajtshme tek të gjithë. Në vend të studentëve të specializuar në fusha të ndryshme me njohuri të gjerë, studentët do të trajtohen si dele të cilat e ndjekin të njëjtin proces monoton të “edukimit”.

Konfliktet e interesit në pronat publike si shkollat nuk janë të kufizuara vetëm tek feja. Shembull është pamundësia e klasave më të vogla sepse ligjet bazë ekonomike na mësojnë që shërbimet me çmim zero nxisin kërkesë absolute kundrejt një oferte të pamjaftueshme. Shembull tjetër i konfliktit është mosmarrveshja në mes atyre që i përkrahin uniformat shkollore  dhe  atyre që e përkrahin lirinë e studentëve të veshin atë që dëshirojnë.

Në kontrast të plotë me monopolin shtetëror të edukimit, tregu i lirë i përmbush pothuajse të gjitha kërkesat e studentëve. Mundësia e përfitimit, e cila i detyron biznesmenët t’i shërbejnë konsumatorëve, mund të funksionoj në tregun e edukimit njëjtë sikur në tregun e pijeve, të veturave, apo të shërbimeve mjekësore. Duke qenë se ka kërkesë për edukim prej atyre që dëshirojnë të mbajnë shaminë në shkollë, do të ishte e leverdishme për biznesmenët të hapin shkolla, si medresetë, që i pranojnë nxënësit e tillë. Në anën tjetër, “laikët” do të ishin të lirë të zgjedhin shkollat ku pronarët privatë nuk do të lejonin mbajtjen e shamive. Kjo situatë do të ishte në harmoni të plotë me të dy palët sepse nuk do t’i detyronte ta përdorin të njëjtin institucion publik për të cilin kanë paguar paraprakisht por nuk i gëzojnë shërbimet e plota.

Natyrisht, me “decentralizimin” e shkollimit do të krijohej një llojshmëri më e madhe se vetëm ajo e krijimit të shkollave pro shamisë dhe kundër. Për shembull, shkollimi fillor do të shkurtohej ose zgjatej varësisht nga niveli “optimal”. Specializimet në fusha të ndryshme si fizika, kimia, ose muzika do të mund të fillonin më herët se në sistemin e centralizuar shtetëror të tanishëm. Vendimet nuk do të merreshin nga një bord burokratik që është zgjedhur në mënyrë arbitrare por nga pronarë privatë investimi i të cilëve do të varej nga ofrimi i shërbimeve që janë në pajtueshmëri me kërkesat e studentëve si konsumatorë. Natyrisht, në një sistem të tillë të edukimit privat nuk do të ishte etike sikur dëshira për të mbajtur shamitë (apo çfarëdo dëshire tjetër) të imponohet kundër kërkesave të pronarëve sepse askush nuk ka drejtë ti përcaktoj rregullat në shtëpinë e tjetrit. Megjithatë, një tentim i tillë vështirë se do të ekzistonte pikërisht për shkak të numrit të madh (në krahasim me tani) të shkollave që i përkrahin shamitë.

E vetmja mënyrë që problemi i konflikteve të zgjidhet dhe kërkesat e studentëve pro dhe kundër shamisë të plotësohen është largimi i monopolit shtetëror mbi edukimin. Përveç që shkollat publiket duhet të shuhen dhe të privatizohen, Shteti gjithashtu duhet të largohet plotësisht nga rregullimi i tregut nëpërmes licencave e akreditimeve. Në fushën e edukimit, së paku, duhet të ekzistoj liria e plotë e ofrimit të çfarëdo shërbimi, vlerësimi i të cilit do të bëhej jo nga “ekspertë” të caktuar nga procesi politik por nga kritikët, prindërit dhe mbi të gjitha studentët të cilët presin të përfitojnë nga këto shërbime.