Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

Te formulohet një listë e 10 ekonomistëve më të mirë të të gjitha kohërave nuk është e lehtë duke pasur parasysh numrin e madh të gjenive qe i kanë kontribuar “shkencës së zymtë”. Megjithatë, qëllimi ynë këtu është ta krijojmë një listë të tillë në bazë të njohurive tona dhe gjykimeve personale mbi to. Kriteri kryesor ka qenë rëndësia dhe “korrektësia” e përfundimeve teorike të këtyre ekonomistëve (natyrisht, gjithmonë sipas vlerësimit tonë) e jo ndikimi i tyre në shkencë. Për ironi, shumë pak ekonomistë nga kjo listë kanë qenë ndikuesit kryesorë, kurse disa nga ata të cilët kanë ndikuar botërisht ne nuk i konsiderojmë si të drejtë në përfundimet e tyre teorike.

10. Hans-Hermann Hoppe (1949)

Ekonomisti gjerman i shkollës austriake të ekonomisë i kreu studimet në vendlindje (Gjermani Perëndimore) duke u fokusuar në ekonomi, histori, sociologji dhe filozofi, fushë në të cilën zhvilloi dhe Doktoraturën. Me bindje marksiste në rini, gjatë periudhës së studimeve universitare kritika e teorisë marksiste nga ekonomisti i shkollës austriake Eugen von Bohm-Bawerk e afroi me pikëpamjen “austriake” dhe në vitin 1986 lëvizi për në ShBA për të studiuar dhe punuar me Mërei Rothbardin.

Kontributi i Hopit në shkencën ekonomike qëndron kryesisht në analizat e tij origjinale ku zbatohen arsyetimet ekonomike në fushën e historisë dhe institucioneve njerëzore, vijim i punës së nisur nga Misesi dhe Rothbardi.

Në një ndër kontributet e tij të para madhore, veprën Analiza Ekonomike dhe Etike e Pronës Private: Studime në Ekonomi Politike dhe Filozofi (The Economics and Ethics of Private Property: Studies in Political Economy and Philosophy (1993, 2006)) Hopi, mes të tjerash, zhvillon një kritikë të variantit Hajekian të analizës së pamundësisë së llogaritjes ekonomike në një ekonomi socialiste. Hopi shtjellon që, nëse Misesi dhe Rothbardi e shihnin pamundësinë e llogaritjes racionale në një ekonomi socialiste si problem që niste e mbaronte në mungesën e pronës private, Hajeku e shihte problemin e llogaritjes ekonomike si një problem njohurish: në botën tonë, çdo dije ose njohuri mbahet nga individë të caktuar dhe është e pamundur që dija e shpërndarë në milionë individë të mund të mblidhet në një institucion të vetëm. Por, është pikërisht një agregim i tillë që do i duhej një ekonomie socialiste për të funksionuar, ndërkohë që në një ekonomi tregu, informacioni i çdo individi përkthehet në çmime, të cilat pastaj mundësojnë përcjelljen e kësaj njohurie.

Hopi vëren që kjo tezë nënkupton që probleme të njëjta me ato të një ekonomie socialiste duhet të kishin dhe institucione si familja apo firmat private, pasi agregimi Hajekian edhe aty nuk mund të kryhet. Se si munden këto institucione të kenë sukses ndërsa socializmi dështon nuk trajtohet nga Hajeku. Hopi shpjegon këtë mangësi me anashkalimin nga ana e Hajekut të lidhjes mes pronës private dhe çmimeve. Nëse informacioni i çmimeve mblidhet në një ekonomi tregu, sigurisht mund të mblidhet dhe në një ekonomi socialiste, veçanërisht në kushtet e sotme të zhvillimit informatik. Problemi qëndron tek mungesa e pronës private pa të cilën këto çmime nuk formohen dot. Që lidhja e pronës private me çmimet u anashkalua nga Hajeku nuk është rastësi, sipas Hopit, pasi mbarë mendimi Hajekian mbështetet në parimin e subjektivizmit absolut dhe rallë herë nga ndonjë e dhënë objektive nga bota reale. Në këto kushte Hopi përfundon që, edhe nëse ekonomia si “shkenca e dijes njerëzore” që parashihte Hajeku do mund të ekzistonte, ajo do ishte pa kurrfarë ndikimi për veprimin njerëzor.

Në një ndër veprat e tij më të njohura, dhe më të debatueshme, Demokracia: Zoti Që Dështoi (Democracy: The God That Failed (2001)). Hopi zhvendos analizën në nxitjet që kanë qeveritë demokratike dhe ato monarkike për të mirë-qeverisur dhe arrin në përfundimin që monarku ka më shumë interes në mirëmbajtjen e vlerës kapitale të vendit që sundon sesa një qeveri e përkohshme nën një regjim demokratik, përfundim që përputhet me përvojën historike të sjellë në vepër. Më shumë se mbrojtjen e formës monarkike të qeverisjes, vepra synon delegjitimin e sistemit demokratik si një sistem qeverisës të drejtë, ashtu si dhe u delegjitimuan në të shkuarën qeverisjet monarkike.

Në të tjera vepra, ese të ndryshme, konferenca dhe leksione Hopi ka shtjelluar çështje si teoria e marrëdhënieve ndërkombëtare, problemet e mbrojtjes ‘kombëtare’ në mungesë të monopolit shtetëror, lindja dhe evoluimi i strukturave shtetërore, ndarja dhe agregimi i shteteve, ndikimi i feve dhe ideologjive të ndryshme në prodhimtarinë e shoqërive në histori, çështjet e imigracionit dhe shoqërive multikulturore, rolin e elitave natyrore dhe shtresave intelektuale në evoluimin shoqëror dhe shtetëror, problemet parimore ligjore dhe etike, epistemologjinë dhe metodikën e shkencës së ekonomisë, bazat utilitariste të parimeve të pronës private, dhe çështjen e desocializimit në ekonomitë ish-socialiste, për të përmendur vetëm më kryesoret.

Me kontributin e tij voluminoz dhe origjinal (dhe në jo pak raste, mjaft kontrovers), Hopi përfaqëson evoluimin  e linjës së mendimit të qartë ekonomik Misesian dhe Rothbardian dhe konsiderohet ndër ekonomistët e sotëm më të mëdhenj dhe krijues, ndërkohë që karriera dhe kontributet e tij ende vijojnë.