politikë

Mbi “krizën” e emigrimit

Etjon Basha

1

Rinisja e vrullshme e emigracionit masiv prej trojeve shqiptare drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka lënë shumëkënd të habitur. A nuk i kishin lënë pas shqiptarët pamjet e kampeve të azilantëve e të turmave të dëshpëruara? Ç’qe kjo e mirë në 2015-ën? Ç’i shtyn mijëra e mijëra qytetarë të lënë pas gjithshka kanë e të provojnë fatin në Perëndim ku autoritetet i sigurojnë që nuk kanë për të qëndruar dot?

Le të përpiqemi të analizojmë këtu faktorët ndikues në këto zhvillime. Ndofta do mund të shohim që ky fluks nuk është ndonjë e zezë e madhe dhe e beftë që i ra për pjesë shqiptarëve, por një përgjigje tejet racionale ndaj rrethanave të krijuara në Shqipëri e Dardani.

Duket që faktorët kryesorë ndikues në rritjen e fluksit migrativ janë dy, ndërsa ndikimi i një të treti është ende i dyshimtë. Së pari, emigrimi nxitet nga konsideratat ekonomike, e së dyti nga opinioni i gjerë popullor që janë vetë vendet e Bashkimit Evropian që kanë nxitur këtë fluks e që, në fund të fundit, do i pranojnë shumicën e emigrantëve. Faktori i tretë e më i dyshimtë është ashpërsimi i masave shtrënguese të qeverisë së re shqiptare, faktor që ndikon vetëm tek shqiptarët e Republikës, nëse ndikon realisht.

1_Rëndimi i gjendjes ekonomike

Ndonëse çdo emigrant që largohet citon shkaqet ekonomike si arsyen e vetme që e shtyn në emigrim, analistët shqiptarë sërish mbeten kryesisht të pabindur tek ky shpjegim, duke argumentuar që gjendja ekonomike nuk mund të jetë renduar befas në 2015-ën në krahasim me vitet e mëparshme. Si mund të themi pra që çuditërisht papunësia u bë e padurueshme vetëm sivjet?

Fatkeqësisht, ky argument tradhton një botëkuptim disi të cekët për ekonomë. Ndonëse është pak a shumë e vërtetë që situata ekonomike statike në Republikë e Dardani nuk u rëndua befas veçse sivjet, është po aq e vërtetë që shumë më me peshë së situata e sotme për vendet në zhvillim si Shtetet Shqiptare është pritshmëria e rritjes ekonomike të vijuar. Shkurt, shqiptarët po ikin sepse nuk kanë më besim që vendet e tyre do zhvillohen mjaftueshëm brenda një afati të arsyeshëm dhe ky faktor, të nderuar zotërinj analistë, ka ndryshuar veçse së fundmi.

Mjafton të pyetet kushdo se ç’pritshmëri ekonomike ka për vitet në vijim dhe do kuptohet fare lehtë që ekonomia shqiptare e ka humbur thuajse plotësisht besimin tek rritja e arsyeshme. Situata në Dardani duket të jetë e njëjta.

Vetë rënia drastike e ritmeve të rritjes së ekonomike shqiptare lind, në radhë rëndësie, nga tri faktorë.

Së pari dhe kryesisht, kriza e rëndë financiare në vendet e Eurozonës ka “tharë” plotësisht dy burimet thelbësore të valutës për ekonomitë shqiptare: kërkesën për eksporte dhe remitancat. Në kushtet e kufizimit të ardhurave europiane, kërkesa për eksporte nga partneri ynë thelbësor në tregti ka rënë duke ndalur ecurinë pozitive të industrive eksportuese që po merrnin një farë vrulli në Republikë e Dardani. Më tej dhe me më shumë rëndësi, shqiptarët e diasporës kanë kufizuar fluksin e remitancave në vend, fluks që ishte financuesi kryesor i investimeve në sektorë të tërë të ekonomisë. Në qytete të shumta në hapësirën shqiptare, vrulli ndërtues (dhe punësimi për dhjetëra mijëra ustallarë) ka reshtur tërësisht pikërisht nga “tharja” e kërkesës së diasporës për apartamente.

Së dyti, në kushtet e kolapsit të kërkesës agregate europiane dhe si pasojë e asaj shqiptare, Banka e Shqipërisë u vu para zgjedhjes së vështirë: të ruhet kursi me Euron, apo të shmanget tkurrja e beftë e kërkesës në Shqipëri? BSh-ja zgjodhi, në ato ditë jetike të 2011-ës, kursin e parë, ndofta me besimin që Banka Qendrore Europiane nuk do toleronte situatën e krizës në Eurozonë për shumë kohë, dhe që nuk ia vlente të thyhej historiku i lidhjes së fortë lek-euro për një krizë të përkohshme. Ja që kriza e eurozonës nuk qe aspak e përkohshme dhe që duke zgjedhur mosveprimin, BSh-ja solli një tkurrje të madhe të ofertës monetare në Shqipëri, më se të mjaftueshme për të vënë në vështirësi të mëdha biznesin në vend e për të zeruar pritshmëritë e rritjes së vijuar ekonomike.

Për këdo që mund të dyshojë mbi aftësinë e Autoritetit Monetar për ti bërë ballë zhvillime të tilla masive ndërkombëtare, le të rikujtojmë që Shqipëria u vu para së njëjtës situatë në 2008-ën kur kriza financiare goditi Shtetet e Bashkuara. Në atë rast Banka e Shqipërisë veproi drejt duke toleruar rënien e vlerës së lekut (që ra nda vlera normale prej 120 lekësh/euro në vlerën e sotme normale të rreth 140 lekësh/euro) e duke e mbajtur ekonominë shqiptare jashtë vështirësive deri në 2011-ën.

Më tej, ndonëse është e vërtetë që Dardania, duke qenë pjesë e Eurozonës informale e duke mos pasur valutë vendase nuk kishte mundësi të reagonte ndaj zhvillimeve monetare në Europë. Mirëpo nëse Banka e Shqipërisë do ish kundërpërgjigjur drejt ndaj goditjes europiane, gjasat janë që një pjesë e ofertës së rritur monetare në Shqipëri do e kish gjetur rrugën për në Dardani, duke futur Lekun në tregun Dardan si alternativë ndaj euros.

Fundja, edhe në kushtet e një stabilizimi të përsosur të ofertës monetare nga ane BSh-së, industritë eksportuese dhe pseudo-eksportuese (p.sh. ndërtimi) në Shqipëri e Dardani sërish do qenë goditur nga kriza (rritja e ofertës monetare në Shqipëri nuk ka si balancon rënien e kërkesës nga jashtë për këto industri), çka do balancohej nga një mini-bum në të tjerë sektorë të ekonomisë. Përse të mos ishin këta sektorë që do merrnin këtë vrull të ri ata të tregtisë ndër-shqiptare? Përse të mos kishte shërbyer kriza e eurozonës si shkak për të forcuar ekonominë dhe shkëmbimet mes Republikës e Dardanisë?

Në fakt, jo në letër
Në fakt, jo në letër

Fatkeqësisht këto janë veç spekulime. BSh-ja zgjodhi gabim atëherë dhe vijon edhe sot të këmbëngulë në ruajtjen e kursit me euron duke e mbytur rritjen ekonomike për bizneset shqiptare. Për arsyet e veta, Banka Qendrore Europiane zgjedh të mos veprojë për të balancuar rënien e ofertës monetare në eurozonë, dhe sa kohë shqiptarët do e ndjekin Frankfurtin në këtë rrugë, gjasat për një rimëkëmbje ekonomike, ose së paku një kthim të rritjes së periudhës 2005-2011, duken në vakëta.

Së treti, kontribut në situatën e rënduar ekonomike duket që jep dhe menaxhimi i dobët, edhe për standardet shqiptare, i qeverisë shqiptare. Këtu autori juaj do duhet të kërkojë falje pasi është dëshmuar i gabuar në vlerësimin paraprak të stilit qeverisës të shumicës së re të majtë erdhi në pushet pas zgjedhjeve të 2013-ës. Opinion i disa shkrimeve të atëhershme qe që qeveria e re do vijonte pak a shumë në gjurmët e shumicës së vjetër së djathtë, duke mëshuar disi më fort tek monopolizimi i tregjeve por duke vijuar megjithatë rrugën e reformave graduale liberalizuese.

E pra, ky vlerësim qe i gabuar. Shumica e sotme në Shqipëri po dëshmohet krejt e pa-aftë  apo e pa-interesuar për të menaxhuar ekonominë shqiptare, duke u angazhuar në 101 masa që bien ndesh me interesat e biznesit në Shqipëri. Këtu nuk bëhet fjalë për tatim-taksat, të cilat vërtetë janë rritur e duket se do vijojnë të rriten, por mbi të gjitha për cënimin sigurisë së pakët legjislative që gëzonte Shqipëria. Që prej ardhjes në pushtet, e majta është dëshmuar e patrembur në rishikimin e sa e sa kontratave të lidhura nga pozita e djeshme, jo rrallë me investitorë ndërkombëtarë, si dhe me shtrëngimin e shumë pikave të rregullimit në Shqipëri. Ndonëse e gjithë kjo është bërë në emër të forcimit të shtetit, efekti duke se ka qenë rënia e besimit të biznesit tek aftësia e qeverisë për të menaxhuar ekonominë në këto kohë të vështira.

Të tre (dy, sa i takon Dardanisë) këta zhvillime kanë kontribuar në rënien e rritjes ekonomike të Shteteve  Shqiptare. Nëse deri dje të jetoje në një vend të varfër por në pasurim qe e tolerueshme, sot pamja e së ardhmes duket shumë më e zymtë. Ja pra që, edhe pa ndryshuar fare mirëqenia sot për sot, mjafton një ndryshim në pritshmërinë e rritjes për të hedhur dhjetëra mijëra shqiptarë në kërkim të një jete më të mirë.

2_Tolerimi/ftesa Europiane e emigrimit të shtuar

Mbi faktorin e dytë nuk mund të komentojmë kaq gjatë: është krijuar opinioni që, ndonëse këtë nuk do ta pranonin kurrë hapur, vendet e Bashkimit Europian në fakt kanë për të pranuar shumicën e shqiptareve që sot presin nëpër kampe. Dhe në të vërtetë, a do mundeshin të niseshin dhjetëra autobusë e tragete me familje të tëra nëse Bashkimi Europian nuk do e toleronte nën zë këtë eksod? Mbetet për tu pare se ç’përqindje e atyre që po largohen sot do kthehen në Shqipëri, si treguesi i vetëm që mund ta vërtetojë a ta hedhë poshtë këtë dyshim.

Nëse BE-ja ka vendosur të kompensojë Shqiptarët për rënien e flukseve investuese duke toleruar emigrimin, ose dhe nëse ky qëndrim vjen si pasojë e ndonjë marrëveshjeje të fshehtë të lidhur nga ana e qeverive shqiptare (në qoftë kështu, kjo do qe arritje e jashtëzakonshme e qeverive tona), aq më mirë për ne. Megjithatë, duhet thënë që ndonëse hapja informale dhe ndofta e përkohshme e portave të BE-së për shqiptarët është për tu përshëndetur si përmirësim i madh në krahasim me situatën e para pak muajve, sërish gjendemi në një situatë të rrezikshme formaliteti nga ana e BE-së, e cila tjetër qëndrim mban hapur e të tjera masa merr fshehur.

Eshët në fakt për tu çuditur që vetë europianët që mbajnë leksion pas leksioni në Tiranë e Prishtinë mbi rëndësinë e Shtetit Ligjor e mungesës së arbitraritetit, nuk gjetën pak guxim të hapnin formalisht tregun e tyre të punës për, le të themi, 50’000 shqiptarë, por katandisen të pranojnë në zë po aq veta. Përtej hipokrizisë së hapur, BE-ja duhet ta ketë të qartë që cilësia e popullsisë që do përfitojë në kushte informaliteti është shumë herë më e ulët se ajo që do përfitohej nga një proces i hapur dhe formal grantesh. Por nëse Gjermania dhe Austria kanë vendosur të përsërisin përvojën e Greqisë dhe Italisë në fillim të viteve ’90, këto janë punë për to.

3_Masat e shtuara të represionit në Shqipëri?

Së fundmi, pak fjalë mbi një faktor të tretë që mund ose mund të mos ndikojë në Shqipëri: rritja e masave represive të shumicës së re. Shumëkush shprehet plotësisht pro “ndëshkimit të paligjshmërisë” në fushat ku shkeljet flagrante të ligjit toleroheshin deri dje. Nëse masat e marra janë realisht në përputhej me idealin e Sundimit të Ligjit nuk mund ta diskutojmë këtu, por letë supozojmë që realisht shteti sot po godet çdo shkelje të vogël, pavarësisht se cili e kryen dhe me masa që janë në përpjesëtim me përhapjen e vetë shkeljeve. Sërish duhet të qe e qartë që këto masa, edhe nëse do zbatoheshin drejtë, do shkaktonin një rënie të mirëqënies së përgjithshme, edhe përtej përmasës ekomomike.

Ka një arsye që në vende të varfra si Shqipëria e Dardania tolerohen në masë të gjerë shkeljet formale ligjore, dhe arsyeja është që ligjet tona të nderuara e sigurisht të frymëzuara nga praktika më e përditësuar Europiane janë në fakt fare të papërshtatshme për kushtet dhe mendësitë tona. Në kushtet kur shqiptarëve u duhet të zbatojnë qindra mijëra faqe legjislacioni përditë në ndryshim e tejet teknik në shumicën e tij, dy rrugë mbeten.

Rruga e parë, është rritja përpjesëtimore e masave represive. Sa më i papërshtatshëm e jo-natyror është kuadri ligjon në fuqi, aq më shumë dhunë duhet nga ana e organeve të rendit për ta vënë atë në zbatim real. Edhe në kushtet kur këto masa do merren drejtë për këdo (pra, që çdo shkelës ka të njëjtat gjasa të kapet e ndëshkohet), ato sërish do krijojnë një situatë të rëndë frike. Fundja a nuk ishte kjo situata, ndonëse shumë herë më e rëndë, që u krijua gjatë regjimit socialist? Ndonëse ligjet qenë relativisht të kuptueshme e të qarta, dhe ndëshkimet relativisht të drejta dhe aq të rrepta sa për të siguruar një masë të lartë zbatueshmërie, megjithatë situata në Shqipëri qe e padurueshme për shkak se këto ligje qenë fare të huaja e të papërshtatshme për popullsinë.

E lamë me pushkatim çuna, të mos kemi llafe pastaj
E lamë me pushkatim çuna, të mos kemi llafe pastaj

Rruga e dytë është rruga që zgjedhin faktikisht qeveritë në botën në zhvillim është tolerimi i gjerë i shkeljeve ligjore. Të pa-afta për të eliminuar ligjet e tepërta e të pa-gatshme për të instaluar një regjim të tillë represioni për të detyruar bindjen ligjore, qeveritë e thuajse çdo vendi në zhvillim zgjedhin të mbyllin sytë ndaj thyerjeve të shumicës dërrmuese të ligjeve, duke përqendruar burimet në zbatimin e pakicës së ligjeve që realisht përputhen me mendësinë e popullatës.

Shumica e sotme dhe ajo e djeshme zgjodhën përkatësisht rrugët e para e të dyta, dhe secila vuajti pasojat e zgjedhjeve të tyre. Shqipëria e djeshme qe një vend ku tolerimi i shkeljeve ligjore qe galopant dhe respekti për kuadrin legjislativ qe tejet e ulët. Vendi sot ka kufizuar këtë mungesë respekti, duke krijuar një atmosfere tejet të pakënaqshme nga ana tjetër.

Se sa ndikim faktik ka pasur krijimi i kësaj atmosfere tek fluksi i ri migrues nuk mund të thuhet me siguri.

Vlerësim

Në fund  të këtij postimi nuk mund të lihet pa përsëritur që, cilado qofshin shkaqet, mangësitë dhe madje dhe fati i fundit i vrullit të përtërirë migrues prej trojeve shqiptare, ai sërish mbetet, përkundër opinionistëve të shumtë dhe përpjekjeve të mëdha propoganduese të qeverisë, një zhvillim shumë i mirëpritur. Duke përsëritur veten, më duhet të them që gjasat që shqiptarët të krijojnë e të ruajnë një mendësi pro-kapitaliste, të flakin tutjje kuadrin ligjor të fryrë, të paparashikueshëm e të pazbatueshëm e të zbatojnë me rreptësi pak ligje efiçente janë të ulëta. Në këto kushte rënieje të zhvillimi ekonomik dhe besimit tek pasurimi i nesërm, rënia e stokut të punës në Republikë e Dardani është zgjidhja e vetme realiste për rritjen e standardit të jetesës si për ata që emigrojnë, ashtu dhe për at që do mbeten pas.

Është fatkeqësi që Kombi nuk po tregohet i aftë të fitojë garën për zhvillim me mjete të tjera, por sërish kjo nuk duhet ti pengojë shqiptarët të kërkojnë mirëqenien në rrugën më të shkurtër që lejohet nga kushtet e sotme. Rrugë të mbarë, pra,  iu qoftë emigratëve!