Uncategorized

Bashkimi Kombëtar, Plani B

Etjon Basha

1

Kam shkruar shpesh në këtë blog mbi çështjen e Bashkimit Kombëtar, dhe në vijim kam mbrojtur idenë e një Hapësire Shqiptare të Integruar dhe të Kantonizuar si alternativë ndaj Bashkimit Kombëtar. Nëse Shqipëria, Kosova dhe Ilirida do krijonin një grup institucionesh të përbashkëta, duke filluar prej forcave të armatosura dhe shërbimit konsullor, si dhe një zonë të përbashkët ekonomike e kulturore që do lejonte lëvizjen tërësisht të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit e punës, bashkimi formal i shteteve tona do qe jo vetëm i panevojshëm por dhe kundërproduktiv pasi do i mohonte shqiptarëve anët pozitive të konkurrencës mes qeverive të ndryshme. Përkundrazi, edhe vetë Shqipëria e Kosova do duheshin ndarë më tej na Kantone në një zonë të tillë.

Mirëpo edhe realitetet politike e gjeopolitike të çastit duhen marrë në konsideratë. Nëse vullneti politik për zbatimin e një strukture të tillë do mungojë, nëse ajo do shihet si mënyrë për të copëzuar e jo për të forcuar kombin, ose edhe nëse një Hapësirë e Integruar Shqiptare do rezultonte e paqëndrueshme, atëherë nuk ka dyshim që mes alternativave të një shteti unik shqiptar dhe situatës aktuale, alternativa e Bashkimit Kombëtar do duhet zgjedhur si e keqja më e vogël. Një shtet unik e i centralizuar do qe dukshëm inferior ndaj një hapësire të integruar shtetesh sovrane, por do qe në çdo rast superior ndaj pak shteteve të veçuara apo dhe ndaj një federate ku sovraniteti do ndahej mes qendrës dhe njësive federale (por kjo çështje mbetet për tjetër herë).

Mirëpo, ndasitë e thella kulturore mes rajoneve të ndryshme Shqiptare do të krijonin tensionestërmëdha në këtë shtet të ri. Të zënë me luftën e brendshme për pushtet të nxitur nga këto dallime kulturore, Shqiptarët do binin pre fare lehtë e makinacioneve të fqinjëve, duke e lënë shtetin e ri në një pozitë edhe më të dobët nga  ajo në të cilën gjenden Shqipëria e Kosova sot. Historia e Shqipërisë së ‘13ës dëshmon që, sa kohë popullsia Gege dhe Toske qenë të përafërta në numër, konfliktet mes tyre  për pushtet e lanë Shqipërinë në pozitën e vasalit të pafuqishëm në Ballkan. A mund të shmanget një fat i tillë duke zbutur deri diku ndasitë e mëdha politike që do krijohen në një Kuvend Mbarëshqiptar?

Zgjidhja duhet kërkuar tek vetë mekanizmi demokratik i cili zakonisht pritet të fashisë konflikte të tilla.

Kur demokracia po fitonte terren në fund të shekullit XIX, argumenti kryesor në favor të saj nuk qe asnjë prej idealizmave fëminore mbi “vullnetin e popullit” që rëndom shpalosen sot, por kryekëput pragmatik: çdo formë qeverisjeve varet, në fund të fundit, nga opinioni publik. Nëse tirani më i egër humbet mbështetjen (qoftë dhe pasive) të shumicës së popullsisë, është vetëm çështje kohe para se vendi të ngërthehet në trazira civile të cilat do ia dalin të rrezojnë regjimin. Nëse qeveria ende gjen mbështetje në pakica të gjëra të popullsisë, trazirat shkojnë drejt luftës civile, situatë në të cilën gjendet Siria sot.

Demokracia përpiqet të formalizojë procesin, duke i dhënë pushtetin palës që ka mbështetjen më të madhe në popullsi, pasi mendohet se kjo palë sidoqoftë do fitonte pushtetin në rast konflikti të hapur. Për një shembull shqiptar, le të mos shkojmë më larg se Marsi i ‘97ës, kur qeveria e kohës humbi brenda pak javësh mbështetjen publike, dhe e çoi vendin në prag të luftës civile me këmbënguljen për të mos iu nënshtruar testit  të parakohshëm zgjedhor.

Sigurisht që vota mund të zëvendësojë konfliktin civil vetëm deri në çastin kur të gjitha palët preferojnë paqen dhe nënshtrimin ndaj grupit më të madh në numër ndaj konfliktit fizik. Në rastet kur një nëngrup i shoqërisë është numerikisht inferior por sërish beson se ka mundësi të fitojë një konflikt civil, sistemi demokratik nuk mjafton më për të përmbajtur dhunën, dhe madje e përshkallëzon atë.

Tendenca të grupeve te caktuara për tu imponuar dhunshëm shumicës numerike vërehen në çdo shoqëri: protestat, qofshin “paqësore” apo të dhunshme, janë shfaqje tipike ndërkohë që revoltat tërësore janë raste më të rralla. Ndërkohë që sistemi demokratik i ka arritur, së paku në Perëndim, të minimizojë numrin e këtyre të fundit, protestat e pakicave që kundërshtojnë vendime të veçanta të qeverive të shumicës vijojnë vrullshëm në çdo vend. Është në fakt ironi e madhe që ideologjia demofile bashkëkohore ngre në qiell protestën “paqësore”, ndërkohë që ky nuk është veçse një instrument i pastër shantazhi të një pakice ndaj shumicës. “Sot këta dhjetëra mijëra veta po dalin paqësisht në rrugë, nesër mund të jenë të armatosur. Doni të rrezikoni?” është nënteksti i çdo proteste.

Edhe kjo formë e mbetur e konfliktit civil duhet formalizuar, ashtu si demokracia formalizoi luftën civile duke e zëvendësuar me votë. Nëse shqiptarët nesër do detyrohen të zgjedhin mes një Shteti Unik dhe copëtimit ekonomiko-shoqëror, reformat e mëposhtme do mund të jenë vendimtare për bashkëjetesën pak a shumë paqësore të rrymave të ndryshme kulturore.

1. Vota e transferueshme. Pjesa dërrmuese e konflikteve civile të sotme lindin pasi pakica, ndonëse numerikisht inferiore ndaj shumicës, beson shumë më me intensitet në kauzën e saj. Sa kohë që historia njeh plot raste të ushtrive numerikisht inferiore që kanë shpartalluar në fushë-betejë kundërshtarë nominalisht më të fuqishëm, si mund të presim që zgjedhjet të përcaktojnë gjithnjë me saktësi fituesin e një lufte potencialë civile thjesht duke numëruar pjesëtarët e secilës palë?

Kjo mospërputhje do shmangej lehtë nëse vota individuale do maste jo vetëm besimin e qytetarit, por dhe intensitetin e këtij besimi. Ndër metoda të ndryshme të diskutuara në literaturë që synojnë arrijnë ketë qëllim, këtu do propozoj më të përshtatshmen në kushtet e një votimi masiv.

Pak kohë pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme, çdo zgjedhës i regjistruar do duhet të tërhiqte një dokument individual që i jep atij të drejtën për të hedhur një votë në zgjedhjet e ardhme. Dokumenti nuk do ketë kurrfarë lidhje me emrin individual por do duhet të jetë unik e shumë i vështirë për tu dyzuar. Në katër vitet që priten të kalojnë nga një palë zgjedhje në të tjerat, individi do ketë të drejtë të bëjë ç’të dojë me këtë copë letër: ta mbajë, ta shesë në treg të hapur, t’ia dhurojë dikujt, ta grisë, etj. Pas katër vitesh, kur vjen çasti për të rizgjedhur Kuvendin, vetëm personat që paraqiten me një (apo më shumë) nga këta dokumente fillestarë do kenë të drejtën e një (apo më shumë) votave. Nuk do ketë kurrfarë garancie që ata që do votojnë pas katër vitesh të jenë të njëjtët individë që kanë përfituar votën  në çastin e parë. Numri unik serial i dokumentit fillestar do duhet të afishohet (bashkë me votën bashkëngjitur) hapur në internetet për ti mundësuar gjithsekujt të kontrollojë nëse vota e tij është numëruar saktë.

Me një ndryshim kaq të vogël, do matej fare lehët intensiteti i besimit të gjithsekujt. Shumica dërrmuese e popullsisë që nuk ka ndonjë interes të madh në çështje politike (le të mos gënjehemi nga fjalët nëpër kafene) do pranonim shumë më mirë të shisnin votën paraprakisht, ndërkohë që ata që besojnë me ngulm në idenë e tyre do gjenin plot mundësi për të mbledhur vota shtesë, qoftë duke i blerë në treg të hapur, e qoftë duke bindur rrethin e tyre të ngushtë për t’ua falur të drejtën e votës.

Lexuesi me shumë mundësi do ketë mbetur i shtangur nga ajo që po propozohet këtu: të ligjërohet shitja e votës?! A nuk është ky një krim i rëndë sipas fesë së sotme demokratike? Në fakt, vota e trasferueshme është shumë herë më demokratike se sistemi aktual, ku secilit detyrohet ose të votojë vetë, ose ta hedhë votën e tij dëm. Përse të mos krijohet një mundësi shtesë, emërimi i një votuesi të tretë, i cili fare mirë mund të jetë shumë herë më i kualifikuar, dhe me siguri shumë më i bindur se qytetari mesatar? Vota e transferueshme e rrit dukshëm lirinë e veprimit të votuesit, i cili në çdo rast mbetet i lirë ta përdorë votën vetë.

Arsyeja e vërtetë përse transferimi i votës është demonizuar është se ideologjia demofile e sotme nuk është realisht e interesuar tek zbulimi i “vullnetit të popullit” dhe jetësimin e tij në një qeveri të fortë, por në përdorimin e teknikave agresive të dhunës dhe manipulimit psikologjik për të detyruar masën e qytetareve të zgjedhin sipas interesave të një grupi të vogël. I vënë para bombardimit të vijueshëm të propagandës, të hollë ose jo, dhe në pamundësi për të hequr nga supet e veta barrën e votës, qytetari mesatar bindet dhe voton siç udhëzohet. Sesi arrin një sistem i tillë të përmbajë dhunën civile edhe aq sa e përmban, kjo mbetet një mrekulli. Sidoqoftë, mrekullia mund të mos vijojë gjatë.

I gjithë ky aparat i stërholluar i propagandës dhe kundër-propagandës mediatike që ka evoluar domosdoshmërish në çdo vend që ka zbatuar demokracinë thyhet në çast nëse vota bëhet e trasferueshme. Pa hyrë në shumë detaje, mund të thuhet që nuk do qe fare çudi sikur e gjithë struktura partiake dhe mediatike e një Shqipërie të Bashkuar të ndryshonte rrënjësisht në kushtet e votës së trasferueshme. Dhe më tej, një Kuvend i dalë nga vota e pjesës më interesuar të shoqërisë do qe me çdo gjasë shumë më efektiv në zbatimin e ideve  që realisht gjallojnë në shoqëri.

2. Zgjedhjet e vijueshme. Mund të ndodhë që opinioni i gjerë të kthehet kundër qeverisë së zgjedhur bindshëm brenda një kohe shumë të shkurtër. Shumëkush pretendon që opinioni gjerë shqiptar u kthye kundër qeverisë së djathtë pas ngjarjeve të 21 Janarit 2011, dhe që sikur zgjedhjet e përgjithshme të qenë mbajtur pak kohë pas këtyre ngjarjeve, ndërrimi i pushteteve që erdhi në 2013-ën do qe kryer dy vjet më parë.

E frymëzuar nga situata të tilla vjen ideja e kufizimit të mandatit të Kuvendit në një ose së shumti dy vjet, përkundër katër viteve të tanishme. Mirëpo një reformë e tillë jo vetëm që do e nënshtronte vendin ndaj shokut financiar e mediatik të zgjedhjeve shumë më shpesh, por do kishte efekte shkatërrimtare në interesin e deputetëve për t’iu përgjigjur sadopak opinionit të gjerë. Vendimet marra sot shumë rrallë japin efektet e pritura në një kohë kaq të shkurtër, kështu që praktika e një Kuvendi dy-vjeçar do qe një seri individësh që vjedhin meritat (ose bartin fajet) e paraardhësve të tyre. Si mund të gjykohet racionalisht puna e një Kuvendi të tillë?

Alternativa nga kësaj situate është zgjedhja e pjesshme e Kuvendit. Nëse çdo vit do i nënshtroheshin rizgjedhjes një e katërta e Deputetëve, ndryshimet periodike të opinionit publik do mateshin shumë më shpesh, megjithatë pa cënuar gjatësinë e mandatit individual. Më tej, zgjedhjet e pjesshme janë në praktikë shumë më pak të shtrenjta e agresive se ato të përgjithshmet, kështu që katër palë zgjedhjesh të pjesshme do kursenin buxhetin dhe qetësisë publike shumë në krahasim e praktikën aktuale.

Më tej, ndryshim i pushteteve në një Kuvend që përtërihet pjesërisht çdo vit do qe shumë më i butë dhe gradual se alternativa e sotme. Shumica a djeshme nuk do gjendej e tkurrur befas për katër vjet, por do humbiste numrat gradualisht, një veti e vyer nëse vlerësohet vijimësia e politikave qeveritare.

Për të përmirësuar e edhe më tej këtë sistem, mund të përzgjidhen me short deputetët të cilët do i nënshtrohen rizgjedhjes çdo vit, le të themi duke luajtur një zar me katër faqe, rënia e njërës prej së cilave do nënkuptonte detyrimin për t’iu nënshtruar rizgjedhjes në pak muaj.

I vënë para mundësisë për t’iu nënshtruar rizgjedhjes çdo vit, deputeti do nxitej maksimalisht për t’iu përgjigjur vijimisht kërkesave të zonës së tij zgjedhore, njëkohësisht pa cënuar gjatësinë mesatare të mandatit. Më tej, një sistem i tillë do shmangte në maksimum praktikën e përqendrimit të shpenzimeve elektorale në muajt e fundit para zgjedhjeve të përgjithshme, praktikë që është kritikuar masivisht dhe bindshëm për shpërdorimin masiv të fondeve të buxhetit që sjell.

Duke u rikthyer tek qëllimi parësor i këtij shkrimi, nxitja për t’iu imponuar shumicës me dhunë do zvogëlohej kur çdo vit do ekzistonte mundësia për të ardhur në pushtet, së paku në krahasim me situatën e sotme kur pakicës i duhet të presë me siguri deri në katër vjet për të “provuar fatin” në zgjedhje. Po të rikthehemi tek shembujt tanë të parapëlqyer, ndofta as trazirat e 1997-ës e as ajo e 21 Janarit 2011 nuk “do ia kishin vlejtur” nuk kushtet e zgjedhjeve probabilitare të përvitshme.

Së fundmi, një sistem i tillë do lejonte zgjatjen e mandatit mesatar të deputetit individual. Nëse çdo vit kryhet rizgjdhja e një pjese të Kuvendit, nuk do dukej më aq e tmerrshme zgjatja e mandatit në 5 ose dhe 6 vjet (çka në praktikë do nënkuptonte ndryshimin e probabilitetit të rizgjedhjes individuale), çka do zgjaste edhe më horizontin planifikues të qeverisë.

3. Përzgjedhja rastësore e fituesit. Një ide që ka qarkulluar vijimisht është ajo e përzgjedhjes rastësore të fituesit. Sipas këtij sistemi, pasi në një zonë zgjedhore numërohen dhe afishohen publikisht votat e hedhura (siç u diskutua dhe më sipër), dhe pasi ezaurohen paraprakisht gjithë kundërshtitë nga palët, përzgjidhet me short një votë e vetme, e cila përcakton fituesin. Mesatarisht një sistem i tillë përzgjedh po atë fitues si numërimi i thjeshtë i votave, veçanërisht kur zbatohet për zgjedhjen e një numri relativisht të madh deputetësh individualë, e jo të një Presidenti të vetëm.

Përparësia e përzgjedhjes rastësore përkundër numërimit të thjeshtë qëndron në “lëshimin” që rastësia i bën pakicave. Një grup ose parti që fiton vijimisht 5% të votave në një zonë ta caktuar nuk ka për të zgjedhur kurrë një deputet, ndërkohë që përzgjedhja rastësore do ti japë një partie të tillë një deputet në 5% të rasteve.

Së pari, një rezultat i tillë është dukshëm më “i drejtë” se ai i parimit mazhoritar. Po të përshtasim testin e famshëm të filozofit John Rawls, atë të “perdes së injorancës”, do na duhet të pyesnim: nëse secili prej nesh do të gjendej nesër në një vend të panjohur, dhe do ti duhej të jetonte nën qeverinë e zgjedhur prej bashkëqytetarëve të tij të rinj, pa e ditur nëse ai vetë do gjendej në shumicë apo pakicë në raport me pjesën tjetër të shoqërisë, do parapëlqente më mirë një sistem që përzgjedh Kuvendin sipas parimit mazhoritar, apo sipas atij probabilistik? Përgjigja merret lehtë me mend.

Rezultati probabilistik jo vetëm që është më i drejtë dhe pasqyron më saktësisht opinionin e përgjithshëm, por dhe minimizon nxitjen e pakicës numerike për tu përpjekur dhunshëm për marrjen e pushtetit, ose dhe nxitjen për të kundërshtuar agresivisht dhe në mënyrë të pakompromistë rezultatin e zgjedhjeve.

Problemi madhor i përzgjedhjes rastësore është që ajo nuk është plotësisht përpjesëtimore në afat të shkurtër. Ndonëse mesatarisht deputetët e zgjedhur do përfaqësojnë drejtë opinionin e përgjithshëm, në çdo çast individual një Kuvend i zgjedhur rastësisht, veçanërisht nëse është i kufizuar në madhësi, mund të ketë devijime të dukshme nga modeli përpjesëtimor. Fundja, pati reagime shumë të ashpra nga shumica aktuale kur zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tiranës u humbën për fare pak vota. Mendoni ç‘reagimesh do kishte nëse rastësia përzgjedh si fitues kandidatin me 5% të votave kundrejt atij me 95%, si në fakt duhet të ndodhë çdo 20 zgjedhje?

Zgjidhja e këtij problemi qëndron tek adoptimi (ose, në rastin e Shqipërisë, ri-adoptimi) i atij që njihet si Sistemi Miks Mazhoritar-Proporcional, pas së cilit një pjesë e Deputetëve (le të themi gjysma) zgjidhën në zona një-emërore me (në rastin tonë) përzgjedhje rastësore, ndërsa pjesa e mbetur e vendeve shpërndahet  në mënyrë të tillë që të ruhet proporcionaliteti i rezultatit total. Një sistem i tillë do ruante përparësitë e përzgjedhjes rastësore, duke minimizuar defektin e mësipërm.

Të mara së bashku, këto tre reforma do minimizonin nxitjen për të përdorur dhunën për marrjen e pushtetit duke ruajtur ndarjen punës në shoqëri, nga e cila varet mirëqenia individuale. Më tej, ndonëse këtu nuk ka shuëm vend për tu thelluar, këto reforma do agregonin në mënyrë shumë më të saktë dhe efiçente vullnetin e përgjithshëm në krahasim me praktikën e sotme.

Por ndonëse një Kuvend i përzgjedhur pas këtyre parimeve do qe një përmirësim i menjëhershëm dhe i dukshëm në krahasim me institucionin formal të cilin jemi mësuar të tallim, kjo do mbetej një zgjidhje dytësore për tu ndërmarrë vetëm në kushtet kur ruajtja e pavarësisë së plotë të Shteteve Shqiptare nuk do mundësohej.

Kjo sepse ndonëse një Kuvend i tillë do ndërmerrte vendimet me efiçente në kuptimin ekonomik, ai sidoqoftë do detyrohej ti jepte vetëm një zgjidhje çdo çështjeje që shtrohet, ndërkohe që shumë shtete të pavarura shqiptare do mundeshin fare mirë të merrnin vendime të ndryshme për të njëjtat probleme, duke pasqyruar mendësitë dhe preferencat e ndryshme të Shqiptarëve.

Por nëse liria e të zgjedhurit ndryshe rezulton të jetë tepër e shtrenjtë për shqiptarët e varfër, nëse ajo kërkon copëzimin ekonomik, kulturor, shoqëror e ushtarak të shqiptarëve që kurrsesi nuk ia lejojnë dot vetes një gabim të tillë, në këto kushte sërish duhet të kemi një plan B, një alternativë që do na kursejë si varfërinë e shumë shteteve të izoluara, ashtu dhe dobësinë e një shteti heterogjen, tepër i shqetësuar me luftën për pushtet për të përballuar problemet e rëndësishme që shtrohen vijimisht për zgjidhje.