Uncategorized

Dhurata e Vitit të Ri: një politikë e mirëfilltë ekonomike

Bardhyl Salihu

Nëse ekziston një pjesë e vitit në të cilën mund të besojmë në mrekulli, atëherë ajo është periudha e festave të fundvitit. Me ardhjen e këtyre festave e ndjejmë lirinë për t’i shprehur edhe dëshirat më së paku të realizueshme. E atëherë kur këto dëshira janë vetëm kërkesa elementare—si mirëqenia ekonomike—na takon që mrekullia të bëhet realitet. Qytetarët e Kosovës janë lodhur me gjendjen ekonomike dhe asgjë nuk do t’i shërbente më shumë se dhurata e një politike të mirëfilltë ekonomike për ta nxjerrë vendin nga kriza e madhe. Nëse babadimri e dëgjon thirrjen për një dhuratë të tillë, atëherë ajo do të duket disi kështu:

Zvogëloni taksat

Taksat janë gjithmonë negative për ekonominë për disa arsyeje. Ato e dekurajojnë prodhimin, rrisin çmimet, e bëjnë të vështirë veprimtarinë biznesore, i godasin bizneset e vogla, i ulin pagat e punëtorëve në afat të gjatë, si dhe e dekurajojnë krijimin e korporatave.

Zvogëlimi i taksave dhe eliminimi i disave krejtësisht do ta inkurajonte hapjen e bizneseve të reja, rritjen e konkurrencës, dhe sjelljen e produkteve më kualitative e më të lira.

Lëreni tregtinë të lirë

Sado që bllokadat tregtare duken të leverdishme—e sidomos për t’i përmbushur epshet euforike të patriotizmit—shkenca e ekonomisë mbetet e qartë kristal që ato nuk sjellin asgjë përpos varfërim.

Me bllokadë ekonomike zvogëlohen mundësitë e tregtisë, gjë që nënkupton çmime më të larta sepse zvogëlohet sasia e mallrave kurse duhet të konsumohen mallra inferiore të cilat para bllokadës nuk u blenë fare. Nga këto masa përfitojnë vetëm interesat e ngushta biznesore në dëm të gjithë konsumatorëve kosovarë.

Politika e drejtë e tregtisë është ajo e tregtisë së lirë, ashtu siç argumentuan ekonomistët klasikë shekuj më parë.

Ulni shpenzimet qeveritare

Sa herë që Qeveria shpenzon para, ajo nuk krijon asgjë shtesë me vlerë ekonomike: ajo thjeshtë i bartë ato burime tejet të nevojshme nga përdorimi privat në përdorimet me motive politike. Shumë më efikase do të ishte nga pikëpamja ekonomike (në mos nga ajo etike) që paratë të shpenzoheshin nga ata të cilët i kanë fituar e jo të merren nga Qeveria e të derdhen në projekte (apo vetura personale) të cilat nuk i bëjnë ballë testit të tregut si dhe shpërdorohen në aferat masive të korrupsionit të cilat janë norma e ditës në Qeverinë e Kosovës.

Shpenzimet duhet të ulen maksimalisht në mënyrë që më shumë burime vitale të mbesin në sektorin privat (i cili është efikas) e të largohen nga shpërdorimet masive të sektorit publik. Ulja e shpenzimeve është gjithashtu e nevojshme që Kosova t’i ik trajektores së borxhit e cila po i shkatërron disa vende të Evropës sot.

Privatizoni

Pohimi i përhapur “hajt more se e shtetit është” përbën dëshminë më klasike për ta theksuar dallimin e madh në mes sektorit privat dhe atij shtetëror sa i përket efikasitetit. Në sektorin privat, meqë prona është private, vlera e saj kapitale ruhet maksimalisht sepse e përbën pasurinë e pronarit. Ajo gjithashtu duhet të vihet në shërbim të konsumatorëve sepse janë pikërisht konsumatorët ata të cilët i garantojnë të ardhurat biznesit privat.

Në sektorin shtetëror prona nuk i përket asnjë individi por është nën kontroll “të përbashkët”. Si rezultat, vlera kapitale e saj degradohet nga keq-menaxhimi sepse menaxhimi nuk është në interes të askujt. Shërbimet gjithashtu janë, siç i shohim dita ditës nga korporatat publike si administrata, KEK-u, Ibër Lepenci, Hekurudhat, Ngrohtorja, etj., tejet joefikase sepse të ardhurat e tyre nuk varen nga shërbimi i konsumatorit. Të ardhurat e tyre janë të garantuara nga mbledhja e dhunshme e taksave dhe si rezultat ato nuk e kane presionin që bizneset private e kanë për t’i shërbyer konsumatorit.

Privatizimi në shkallë të gjerë dhe largimi i kontrollit mbi tregjet është i nevojshëm që të mbrohet vlera e mjeteve kapitale nga degradimi, të rritet efikasiteti, si dhe të inkurajohet veprimtaria e lirë biznesore.

Mos i pengoni investimet e huaja direkte

Burimi i mirëqenies së një vendi janë mallrat dhe shërbimet në dispozicion të konsumatorit. Këto mallra dhe shërbime mund të prodhohen vetëm me ndihmën e stokut të mjeteve kapitale. Pra rritja e kapitalit për kokë banori mbetet burimi kryesor i pasurisë dhe zgjidhja ndaj varfërisë.

Në mënyrë që kjo të ndodhë, që kapitali të gjenerohet, është e nevojshme që të ketë kursime të mjaftueshme. Kursimet megjithatë vështirë akumulohen në vendet e varfra si Kosova sepse ato nënkuptojnë privimin e konsumit nga mallrat esenciale për jetë. Si rezultat, gjenerimi i kapitalit “për brenda” Kosovës bëhet tejet i vështirë.

Zgjidhja? Investimet e huaja direkte. Pronarët e kapitalit nga vendet e zhvilluara e sjellin kapitalin në Kosovë në këmbim të, thënë shkurt, shfrytëzimit të mundësive të pashterura të përfitimit. Inkurajimi i tyre duke e përmirësuar ndër tjera infrastrukturën, mbrojtur pronën private, dhe përmirësuar efikasitetin e gjykatës në zgjidhjen e kontesteve, është tejet i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk është fare e gatshme të vë një veprim një plan as përafërsisht të tillë për t’i përmirësuar jetën qytetarëve të vendit. Por mos harroni se në cilën periudhë të vitit mrekullitë janë më së shumti të mundshme. Mbesim me shpresë!