Kriza e borxhit Shqiptar?

Rrënimi i turpshëm ekonomik dhe social i Evropës ka vendosur në qendër të vëmendjes problemin themelor të borxhit “publik” dhe më në fund ka nxitur opozitën aktuale të ushtrojë presion publik mbi qeverinë për të shmangur rritjen e borxhit edhe në Shqipëri (përpjekje e pasuksesshme, tani për tani, pasi dhe buxheti i vitit 2012 do jetë deficitar).

Para se të vazhdoj do më duhet të sqaroj që problemi me ‘krizën e borxhit’ nuk është se do na falimentojë shteti: ngjarje më të gëzuar se falimentimi i shtetit vështirë se mund të ketë! Problemi real i krizës aktuale në Evropë është që për dekada evropianët janë mësuar të jetojnë në kurriz të të tjerëve dhe kanë harruar parimet e punës dhe korrektesës që aq shumë i mburrim ne shqiptarët. E gjithë kjo strukturë shoqërore ku secili vjedh secilin mundësohet në masë të madhe nga borxhi. Kështu ndalimi i akumulimit të borxhit do frenojë (ose së paku ngadalësojë) qarkun vicioz të shtetit social para se të jetë tepër vonë edhe për Shqiptarët.

Raporti aktual i borxhit publik me GDP-në sillet rreth 60%-it, pra Shqipëria ka ende një a dy dekada  kohë para se të arrijë në pikë të hallit si fqinjët tanë. Por kjo sigurisht nuk do të thotë që mund ti lejojmë vetes luksin e të priturit 10 a 20 vjet para se të marrim hapa për shmangien e fryrjes së borxheve publike. Ç’hapa do duheshin ndërmarrë pra për të shmangur rrezikun që i afron Shqipërisë?

1)    Zgjidhja afat-shkurtër: balancimi i rreptë i buxhetit

Buxheti i sapomiratuar i vitit 2012 as që ka ndërmend të frenojë rritjen e borxhit. E mbështetur në pritshmëritë e rritjes ekonomike, qeveria po i  lejon vetes të jetë ‘dorëlëshuar’ në menaxhimin fiskal. Por ja që një ekonomi në rritje nuk nënkupton që borxhi shlyhet vetiu: borxhi publik mund të ulet vetëm nëse ai paguhet, çka do nënkuptonte një buxhet suficitar, pra ku të ardhurat tejkalojnë shpenzimet. Një buxhet i tillë do qe fare i pamundur për tu realizuar politikisht për cilëndo qeveri të zgjedhur demokratikisht, në Shqipëri a kudo tjetër, kështu që tani për tani, le të kufizohemi në arritjen e një buxheti të balancuar, që të paktën nuk i shton gjë borxhit aktual.

Debati në shumë vende që përballen me krizën e  menjëhershme të borxhit zakonisht frenohet në këtë pikë: mirë që duhet balancuar buxheti, por cilat fusha do marrin më pak fonde? Duhet kursyer në investime, fonde pagash apo çfarë? Çdo grup interesi bën presion për ‘shpëtimin’ e fushave të tyre, dhe konflikti mes këtyre grupeve të interesit përkthehet në konflikt mes palëve politike. Skena politike amerikane, për shembull, ka parë disa kriza gjatë këtij viti në kërkim të një kompromisi të pranueshëm, por pa sukses. Mendoni se ç’konflikt do krijohej në Shqipëri!

Greqia: sot si atëhere pishtar kulturor për Evropën

Zgjidhja e vetme që do shmangte konfliktin paralizues do ishte ulja përpjesëtimore e gjithë shpenzimeve me aq sa duhet për të balancuar buxhetin. Kështu, nëse supozojmë se të ardhurat tatimore parashikohen të jenë 8 lekë dhe shpenzimet 10 lekë, gjithë shenzimet do ulen me 20%.

Një përjashtim këtu do duhej bërë për buxhetin e ministrisë së mbrojtjes, pasi aktualisht Shqipëria është ndër pak vendet anëtare në NATO që plotëson detyrimin për shpenzimet ushtarake si përqindje ndaj GDP-së. Ulja e këtyre shpenzimeve nuk do na lejonte të përmbushnim detyrimet e aleancës dhe mund fare mirë ta linte Shqipërinë pa mbështetjen jetike ushtarake të ShBA-së, pikërisht tani që priten turbullira të gjëra në rajon. 2% e GDP-së është një çmim i arsyeshëm për tu paguar për të ruajtur lirinë faktike të veprimit së Shqipërisë në Ballkan.

Kështu, duke ulur përpjesëtimisht gjithë shpenzimet buxhetore (me përjashtim të atyre të mbrojtjes) problemi i borxhit publik vërtet nuk do nisë të zgjidhet, por së paku do reshtë s’u përkeqësuari.

2)    Falimentimi strategjik: strategji e keqe

Mërrei Rothbardi propozoi një zgjidhje origjinale për problemin e borxhit publik: falimentimin strategjik!

Rothbardi arsyetonte se shlyerja e borxhit publik është imorale, pasi nënkupton vjedhjen e parasë së taksapaguesit (dhe në këtë pikë kishte plotësisht të drejtë) dhe që, sidoqoftë sistemi politik aktual e bën të pamundur marrjen (dhe veçanërisht mbajtjen) e pushtetit nga një qeveri që punon për uljen e borxhit.

E vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin, si nga ana morale ashtu dhe praktike, është falimentimi i menjëhershëm: qeveria do duhet të reshtë menjëherë pagesën e interesit dhe principalit mbi bonot e thesarit dhe pikë! Ata që i kanë dhënë borxh qeverisë do duhet të pësojnë humbje të mëdha dhe në të ardhmen as do dëgjojnë ti huajnë qoftë një qindarkë shtetit që i vodhi herën e parë. Kështu, borxhi jo vetëm zerohet, por as mund të rritet më në të ardhmen, pasi askush nuk dëgjon ti japë hua qeverisë.

Shqipëria duket të jetë sot në pozitë optimale për të zbatuar këtë strategji, pasi pjesa dërrmuese e borxhit publik shqiptar është i brendshëm. Nëse ky borxh do qe i jashtëm nuk do ishte fare çudi që falimentimi i paramenduar të nxiste përgjigje ushtarake nga shtetet më të prekura (mos u mashtroni nga rasti grek: nëse Greqia do kish falimentuar ‘me kokë të vetë’ flota Franceze do kish bllokuar Pireun), por ja që borxhi shqiptar mbahet nga vetë shqiptarët, e kështu mundësia e një përgjigjeje të dhunshme bie poshtë.

E megjithatë kjo strategji është fare e papërshtatshme për Shqipërinë, ndofta edhe më e keqe se mos marrja e asnjë mase.

Së pari, investitori i huaj e ka fare të pamundur të bëjë dallimin mes korrektesës së qytetarëve shqiptarë dhe asaj të qeverisë:  për vende të vogla, emri i qeverisë dhe ai i vendit janë të lidhur fort në përfytyrimin e përgjithshëm. Ç’do ti bënte emrit të mirë të Shqipërisë një falimentim ‘i paprovokuar’, qoftë dhe një falimentim që prek vetëm huadhënësit e brendshëm? Me siguri që një masë e tillë do reshtte në çast fluksin e investimeve të huaja në Shqipëri, dhe tashmë e kemi parë se si një gjë e tillë do ishte me e keqja që mund ti ndodhte vendit tonë.

Së dyti, gjasat janë që një falimentim strategjik i plotë do çonte në falimentim shumicën e bankave që operojnë aktualisht në vend, që janë dhe huadhënësit më të mëdhenj të qeverisë. A do shpëtonin të paprekura kursimet e qytetarëve nga një katastrofë e tillë? A do detyrohej shteti shqiptar të mbulonte këto humbje (siç ka marrë përsipër të bëjë me Agjensinë e Sigurimit të Depozitave) duke printuar hordhi paraje? A nuk do shkatërronte ekonominë Shqiptare një inflacion i tillë?

Më tej, ç’ndodhi herën e fundit që kursimet e Shqiptarëve u cenuan në masë (ndonëse plotësisht sipas marrëveshjes parapake)? Morën fund 4 vitet më liberale të historisë sonë! Sot, pa dyshim që një falimentim i tillë do i jepte fund masave gjysmë-liberale të qeverisë aktuale.

Kështu, nëse falimentimi strategjik do ishte realisht opsioni më i mirë për cilindo vend eksportues neto kapitali, ai do ishte shkatërrimtar për vendet që ende importojnë kapital. Zgjidhja e problemit të borxhit shqiptar nuk kalon nga falimentimi strategjik.

3)    Zgjidhja afat-gjatë

Masat afatshkurtra si balancimi i buxhetit apo rritja e maturitetit të borxhit nuk janë zgjidhje përfundimtare pasi nxitja në sistemin aktual politik është për të përdorur borxhin maksimalisht. Edhe nëse këto masa merren sot (dhe kjo nuk ka për të ndodhur), vitin tjetër ato sërish do hidhen poshtë në emër të shpenzimeve zgjedhore të financuara me borxh.

Pamë se si falimentimi strategjik do sillte dëme kolosale dhe mund të shohim që edhe kriza e borxhit në kontinent thjesht e ka shtyrë qeverinë të ‘zbrazë trastën’ e aseteve publike (masë për tu përshëndetur, pa dyshim), dhe aspak të eliminojë deficitet. A është e dënuar Shqipëria të ecë në rrugën e Greqisë derisa, 10 apo 20 vjet nga sot, edhe ne të gjendemi në pikë të hallit? Jo domosdoshmërisht!

E vetmja mundësi praktike për ti shpëtuar gradualisht grackës së falimentimit është, edhe një herë, kantonizmi i Hapësirës Shqiptare. Nuk kemi përse ti rikthehemi këtu arsyeve se pse një regjim i tillë politik do krijonte nxitjet e duhura: mjafton të kujtojmë që pasojat e politikave dritëshkurtra si akumulimi i borxhit do ndihen thuajse menjëherë në kantonet e vogla. Që tani ajo pak masë ‘kantonizimi’ që gëzojnë shqiptarët po na ndihmon ti bëjmë ballë krizës së borxheve: analiza në këtë artikull vlen vetëm për Shqipërinë, pasi kemi parë sesi Kosova nuk mund të kalojë krizë borxhesh sepse nuk ka kompetenca monetare. Kështu, edhe nëse Shqipëria dështon në ‘betejën’ ndaj borxhit (dhe gjasat janë që do dështojë), Shqiptarët do e kenë sërish një alternativë të hapur. E gjitha falë shumësisë së juridiksioneve shqiptare!

Kështu, gjendemi sërish duke mbrojtur idenë e kantonizimit të Hapësirës Shqiptare, këtë herë jo për të shmangur trazirat civile, por për të ngritur një sistem politik që nxit shoqërinë të orientohet larg nga borxhi.  Nuk është e thënë që edhe Shqiptarët të bëhen gazi i botës si fqinjët tanë jugorë, por mundësia për të vepruar largohet çdo ditë e më shumë.

5 thoughts on “Kriza e borxhit Shqiptar?

  1. Etjon,

    nuk e besoj se ne rast te falimentimit strategjik do te kishte pergjigje ushtarake nga ndonje vend qytetaret e te cilit mbajne shume bono te qeverise shqiptare.

    Gjithashtu, pajtohem qe me rast te falimentimit boniteti i Qeverise do te demtohej perfundimisht (patjeter duke u zbritur ne “junk” nga agjencite kreditore) por per arsyje tjera: jo sepse te huajte nuk bejne “dallim ne mes shqiptareve dhe Qeverise se Shqiperise” por thjeshte per shkak se pa marre parasysh kush eshte viktima (te huajt apo vendoret), cdo falimentim do te merrej si shenje e pamundesise se Qeverise per t’i rikthyer borxhet dhe si rezultat do ta kishte efektin e njejte ne fund pa marre parasysh se kush eshte demtuar me shume.

    Eshte interesant qe ke shkruar per borxhin shqiptar sepse mu kedo dite e kisha ndermend te shkruaj ne lidhje me idene e shemtuar qe po sillet verdall mbi emetimin e borxhit (bonove) te Qeverise se Kosoves. Eshte mire kur dy shkrime mund te terheqin paralele nga njeri-tjetri.

  2. Pikerisht ate doja te shprehja dhe une, qe meqe borxhi shqiptar eshte i brendshem,nuk ka perse te kete pergjigje ushtarake. Problemi qe shoh une eshte vetem qe fluksi i investimeve te huaja direkte ne Shqiperi do ndalonte ne cast ne rast falimentimi strategjik, dhe keshtu ekonomia do vuante pa mase.

  3. Mfal, u shpreha pamjaftueshem: doja te thoja qe edhe ne rast se borxhi eshte i mbajtur nga te huajte nuk mendoj se do te kishte pergjigje ushtarake (kjo eshte nje pike e parendesishme megjithate).

    Natyrisht, problemet nga falimentimi do te ishin te medha, plus do te ishte e pasigurte nese shpenzimi qeveritar do ulej apo taksat do rriteshin.

    Alternativa me e mire eshte shuarja e borxhit nepermes suficiteve te ardhshme pasi qe shpenzimet te ulen drastikisht.

  4. Aha,si ishte batuta e famshme “mire e the, po kujt ia the ama!”

    Megjitahte une kam ende shprese qe Kosova do i shpetoje ketij ‘modeli’, dhe madje qe do kaloje ne Franga pas shuarjes se Euros. Pres kendveshtrimin tend mbi kete ceshtje tek postimi i radhes. Kalo mire!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *