Uncategorized

Konservimi dhe qëndrueshmëria në treg të lirë

Bardhyl Salihu

Njëra prej kritikave më të shpeshta ndaj tregut të lirë ka të bëjë me idenë që, të lënë nën veprimin e lirë, individët do t’i zhdukin resurset natyrore (si pyjet) duke i mbi-eksploatuar. Sipas kritikëve, individët nuk kanë interes ekonomik në mirëmbajtjen e këtyre resurseve dhe në mungesë të ndërhyrjes shtetërore njerëzimi do të vuaj pa burimet më vitale të jetës.

Paralelisht me kritikën vjen edhe thirrja për një jetë “më të qëndrueshme” (ang: sustainable), duke aluduar që individi ka prirje të mendoj vetëm për të mirat afatshkurta të përdorimit të resurseve kurse është injorant ndaj kostove afatgjate.

Fakti që rregullimi shtetëror, e madje edhe socializmi i plotë, nuk e kanë zgjidhur problemin e konservimit, nuk ka shërbyer si ngushëllim për kritikët.

Por, ajo çka kritikët dështojnë ta kuptojnë është që konservimi në treg të lirë është i mundur pikërisht prej faktit që individët janë të motivuar nga interesi ekonomik. Dashuria patologjike (e llojit të ambientalistëve më irracionalë) për resurset nuk është fare e nevojshme për t’i mbrojtur burimet e tokës. Madje, interesi ekonomik është motivi i vetëm i cili mund të garantojë një konservim të tillë kurse ideja që rregullimi shtetëror nga politikanët “altruistë” do ta bënte këtë më mirë i përket botës së utopisë.

Roli i interesit ekonomik në konservim

Le të marrim shembull një pronar të një miniere të kromit. Pse nuk e shterë pronari të gjithë minierën duke quar kështu përfundimisht në mbi-eksploatimin e kromit? Për pronarin, interesi ekonomik është që të shesë sa më shumë; nëse sivjet e trefishon prodhimin ai mundet ta trefishoj edhe fitimin. Por, sa më shumë që pronari nxjerrë krom nga miniera aq më pak do të ketë në të. Dhe duke qenë se për pronarin nuk është vetëm fitimi pjesë e interesit ekonomik por edhe vlera kapitale—shuma e të hyrave të ardhshme nga miniera—pronari është i detyruar të bëjë balancim në mes prodhimit (gjenerimit të hyrave aktuale) dhe ruajtjes së vlerës kapitale në të ardhmen.

Nëse pronari e shterë minierën, vlera e saj do të bije në zero dhe bashkë me të do të bien edhe aksionet e minierës. Për pronarin, pra, është e rëndësishme të kalkulohet se kur duhet të rritet prodhimi e kur duhet të kursehet miniera për më vonë.

Natyrisht, faktorët që e përcaktojnë këtë janë çmimet e tanishme të kromit si dhe pritjet e pronarit për kërkesën dhe çmimet në të ardhmen. Nëse pronari mendon që përdorimi i kromit do të zhduket në të ardhmen, është në interesin e tij ekonomik ta shterë minierën përderisa ende mund të shesë krom duke i shërbyer kështu konsumatorëve dhe ekonomisë në përgjithësi në një kohë kur kërkesa për krom është më intensive.

Në anën tjetër, nëse kërkesat për përdorimin e kromit shkojnë duke u rritur, çmimet në treg do të rriten gjithashtu. Me rritjen e çmimeve për pronarët bëhet më e leverdishme ta rrisin prodhimin se sa të konservojnë për më vonë. Me rritjen e prodhimit dhe sasisë së kromit në treg, çmimet kthehen në nivelet e mëparshme.

Madje, kur rezervat botërore të kromit zvogëlohen e çmimet rriten, lind edhe një nxitje tjetër për konservim: zhvillimi i alternativave dhe gjetja e burimeve të reja. P.sh., në vend të kromit zhvillohet përdorimi i bakrit apo ndonjë metali tjetër ashtu si plastika e fibrat sintetik të cilat u zhvilluan si alternativa për lëndët e para. Në anën tjetër, rritjet në çmime e bëjnë kërkimin për burime të reja të paprekura të kromit më të leverdishëm se më parë. Me motivin e parë zvogëlohet barra mbi resurset e tanishme të kromit kurse me të dytin rritet sasia në dispozicion.

Në treg të lirë, pra, ekziston një mekanizëm i shkëlqyeshëm i konservimit i cili funksionon tërësisht në bazë të interesit ekonomik. Pronarët e resurseve si minierat e kromit janë të shtyrë nga përfitimi aktual por edhe nga vlera kapitale. Në afat të gjatë ata gjithmonë i konservojnë resurset jo sepse janë ambientalistë apo filantropë, por për shkak se konservimi e jo mbi-eksploatimi është në interesin e tyre ekonomik.

Të gjelbrit majtistë duhet t’i rreken studimit të literaturës ekonomike përpara se të bëjnë gjykime emocionale e irracionale për burimet më vitale të jetës. Mbi të gjitha, ata duhet të tërhiqen nga monopolizimi i mëshirës e të mos shtiren thuajse janë duke u përkujdesur për fatin e botës kurse ithtarët e lirisë agjentë të shkatërrimit global.