Koronakriza ekonomike në 7 pika

  1. Cilat janë zhvillimet ekonomike aktualisht?

Është tashmë e qartë që e gjithë ekonomia botërore po shkon drejtë një krize, e ardhur jo spontanisht, por e vetshkaktuar nga masat shtrënguese të qeverive. Qeveritë i kanë fikur ekonomitë e tyre për luftimin e përhapjes së koronavirusit. Është thuajse e pamundur të vihen në peshore të gjithë faktorët dhe të vlerësohet nëse dëmi i përgjithshëm shëndetësor është më i madh nga virusi apo nga fikja e ekonomive. Sipas të gjitha parashikimeve, virusi dhe kriza ekonomike do të zgjasin së paku disa muaj.

2. Si do të manifestohet kriza?

Kjo krizë do të manifestohet me ulje drastike të aktivitetit ekonomik, mbyllje të bizneseve, shuarje të veprimtarive, humbje të vendeve të punës dhe tkurrje të kursimeve. Edhe ato pak biznese që mund të mbesin hapur do të detyrohen të punojnë me orar, shërbime dhe staf të kufizuar. Pasojat e krizës, të cilat veçse kanë filluar të shfaqen, nuk do të ndjehen vetëm në cilësinë e ndërmarrësit apo punëtorit, por edhe në atë të konsumatorit sepse do të ketë mungesë të mallrave dhe tkurrje të kursimeve.

3. Çfarë mund të bëhet për parandalimin e saj?

Asgjë nuk mund ta ndalë krizën ekonomike. Nuk ka zgjidhje magjike. Qeveritë që kanë vendosur t’i fikin ekonomitë e tyre nuk mund të bëjnë më shumë se sa të shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre. Dhe atë vetëm pjesën e buxhetit në dispozicion, pa i llogaritur të hyrat e projektuara të cilat do të jenë shumë më të ulëta tani që bizneset nuk po punojnë dhe nuk po paguajnë tatime. Çdo masë që qeveritë po e ndërmarrin është lehtësuese por e përkohshme dhe rrjedhimisht nuk ofron zgjidhje afatgjate për një problem që mund të zgjidhet vetëm me funksionimin normal të ekonomisë.

4. Çfarë mund të bëjnë individët?

Individët duhet t’i zvogëlojnë në minimum shpenzimet e tyre dhe të përqendrohen vetëm në blerjen e mallrave esenciale me afat të gjatë të skadencës. Ata duhet të kërkojnë burime alternative të ardhurave në sektorë më pak të prekur dhe nga të cilët mund të punohet edhe nga shtëpia (shembull teknologjia informative). Individët duhet të aplikojnë herët dhe shpejt për të gjitha ndihmat që qeveria e tyre ua ofron. Kjo vlen në veçanti për tatimpaguesit e mëdhenj, të cilët në fakt do t’i marrin paratë e tyre.

5. Si të parandalohet rritja e çmimeve?

Rritja e çmimeve është diskutuar gjerësisht javëve të fundit. Është krijuar përshtypja që shitësit po përfitojnë nga fatkeqësia, por e vërteta është kundërintuitivisht më ndryshe. Pa u zgjeruar shumë, çmimet gjithmonë përcaktohen nga oferta dhe kërkesa. Kur ndryshojnë këto ndryshojnë edhe çmimet. Rritja e madhe e çmimeve ka ndodhur për shkak të rritjes së madhe të kërkesës, jo për shkak të tentimit të shitësve për ta mashtruar dikë. Nëse ndalohet rritja e çmimeve, shitësit kanë më pak llogari ta sjellin një produkt në treg kurse konsumatorët janë më të interesuar ta blejnë. Rrjedhimisht, për çdo çmim nën çmimin e tregut ka mungesë të mallrave. Duke tentuar t’i mbrojë konsumatorët nga rritja e çmimeve, qeveria thjeshtë i privon ata nga mallrat. Konsumatorët shërbehen më shumë kur mund të blejnë me çmim të lartë se sa kur s’ka fare mallra për të blerë. Një veprim i tillë mund të jetë jopopullor, por kjo çështje nuk është subjekt i shkencës së ekonomisë.

6. Si dallon kjo krizë nga Recesioni i Madh?

Edhe pse pasojat e të dyja krizave do të manifestohen ngjashëm, kjo krizë është thelbësisht ndryshe nga ajo e vitit 2007. Kjo krizë është e shkaktuar nga ajo që në zhargonin ekonomik njihet si “tronditje e ofertës” (supply shock). Do të thotë, nga një ndodhi e jashtme e cila papritur dhe përnjëherë e tronditë aktivitetin ekonomik. Ngjashëm ishte kriza e vitit 1973 e shkaktuar nga rritja e papritur dhe përnjëhershme e çmimit të naftës, një input i rëndësishëm i ekonomive moderne. Recesioni i Madh, në anën tjetër, nuk u shkaktua nga tronditja e ofertës, por nga “keqinvestimi” disavjeçar i nxitur nga ulja e madhe dhe artificiale e normës së interesit nga banka qendrore amerikane (Federal Reserve) për zgjerimin e kredisë, nga e cila përfituan edhe një numër i madh i huamarrësve të këqij, e cila u kanalizua drejtë sektorit të patundshmërive nëpërmjet agjencive federale (Freddie Mac & Fannie Mae), të cilat hipotekave shtëpiake u dhanë vlerësime kreditore të larta përkundër faktit që nuk ishin të tilla. Pra, në këtë të fundit kishim një shtrembërim të strukturës së prodhimit nëpërmjet investimit të gabuar në projekte afatgjate që më vonë dolën të jenë joprofitabile, të cilat ndërmarrësit i bënë sepse u mashtruan nga normat e ulëta të interesit, një sinjal i rëndësishëm afarist që flet për disponueshmërinë e kursimeve por që ishte manipuluar nga banka qendrore. Në rastin e krizës aktuale nuk kemi domosdo një keqinvestim, por thjeshtë një ndërprerje të aktivitetit ekonomik për arsye joekonomike kështu që kthimi në gjendjen e mëparshme nuk do të nënkuptojë likuidimin e investimeve të këqija dhe riorganizimin e ekonomisë që ishte i nevojshëm me Recesionin e Madh. Për Kosovën, megjithatë, kriza aktuale do të jetë më e dëmshme sepse në Recesionin e Madh ajo nuk ishte e ndërlidhur ngushtë me ekonomitë botërore ndërsa tani ajo po preket drejtpërdrejtë.

7. Çfarë mund të parashohim tutje?

Gjasat janë të mëdha që pas disa muajve popullsia ta humbë durimin dhe t’i përfillë gjithnjë e më pak masat shtrënguese. Njerëzit mund të kërkojnë t’i kthehen punës, që mund të shkaktojë një valë të re të infektimeve. Qeveritë janë të paralizuara para akteve masive të mosbindjes. Kriza do të thellohet, prandaj rreziku i shkatërrimit të rendit ligjor dhe fillimit të trazirave sociale është i madh, sidomos në shtetet e prekura shumë dhe në ato me institucione të brishta dhe kapacitete të kufizuara. ShBA-ja do të jetë vendi më i prekur, për nga numri i infektimeve dhe i vdekjeve, dhe pasojat ekonomike dhe politike atje do t’i tundin valët në gjithë botën. Rritja e autoritarizmit, si në rastin e Hungarisë, do të bëhet gjithnjë më e pranueshme në emër të “sigurisë së përgjithshme” dhe një sërë masash që i kufizojnë liritë individuale do të mbesin edhe pas krizës. Në këtë kohë, vigjilenca qytetare për të drejtat e tyre është po aq e rëndësishme sa brenga rreth shëndetit.

2 thoughts on “Koronakriza ekonomike në 7 pika

  1. Si gjithnjë analizë e shkëlqyer,

    Për përgjigjet e vendeve të ndryshme ndaj krizës ekonomike në formësim e sipër do shkruhet për vite të tëra në të ardhmen. Jashtë situatës së luftërave totale të shekullit të shkuar, nuk besoj të kemi pare goditje të tilla oferte në historinë bashkëkohore.

    Një detaj: nëse situata shkon deri në këtë pikë, ka masa të tilla që mund të kufizojnë në maksimum rritjen e çmimeve: sistemi i racionimit (triskës). Kufizimi i sasisë që secili individ mund të blejë për aksh mall do përkthehej në ulje kërkese (të detyruar) dhe si pasojë ulje çmimi (në krahasim me çmim që do shihnim në mungesë të masës).

    Nuk është aspak zgjidhje liberale, por parashoh skenarë të mundshëm (por jo më të mundshmit) në javët a muajt e ardhëm kur tregu mund të gjendet pare situatave që ta justifikojnë një sistem të tillë si pasojë e thyerjes se ndarjes ndërkombëtare të punës.

    Dhe sidoqoftë triska është ndërhyrja më pak brutale në treg në krahasim me alternativat që padyshim do u shkojnë ndër mend të parat etatistëve: kontrolli i trashë i çmimeve. Së paku triska lejon tregun të funksionojë sërish e të vendosë çmime të drejta.

    Urojmë të mos arrijë puna deri në këtë pikë.

  2. Faleminderit, gjigant. Po i mungon skenes! Racionimi eshte gjithsesi alternative qe eshte perdorur shpesh ne keto situata dhe me pak e demshme se ndalesa e levizjes se cmimeve.

Leave a Reply to Etjon Basha Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *