Uncategorized

Për privatizim të suksesshëm

Bardhyl Salihu

Duket se me pranimin e ofertës së fundit, odisejadës së privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës (PTK) po i afrohet fundi. Në të njëjtën kohë, në horizont po vërehet edhe privatizimi i kompleksit turistik “Brezovica”. Ne kemi shkruar disa herë pse privatizimi është tejet i nevojshëm për zhvillim ekonomik, por në të njëjtën kohë kemi kundërshtuar rreptësisht formën dhe motivet e “privatizimit” që po bënë Qeveria e Kosovës. Ja edhe një përmbledhje, ndoshta më qartë, se çka duhet për privatizim të suksesshëm:

  1. Bartje e të drejtave pronësore, jo koncesionim.  Privatizimi nënkupton që pronar bëhet personi apo kompania që blenë asetin, kurse koncesionimi nënkupton që personi apo kompania vetëm e përdorë asetin për një periudhë të caktuar. Dallimi është i madh. Duke bartur të drejtat pronësore, pronari i ri i kushton kujdes të çmuar pronës dhe synon ta mirëmbajë atë duke e përdorur vetëm deri në masën e mjaftueshme, si mjet kapital në prodhimin e të mirave dhe shërbimeve që i ofron. Arsyeja për këtë është e thjeshtë: prona e pronarit paraqet vlerën kapitale apo vetë pasurinë e tij. Çdo zhvlerësim i pronës nënkupton varfërim për pronarin. Në anën tjetër, koncesionimi do të thotë që përdoruesi i ri (e jo pronari) nuk ka nxitje apo stimulim që ta kursejë pronën nga eksploatimi pasi ta ketë përdorur për nevojat e tij. Shembull është “privatizimi” i aeroportit të Prishtinës. Kompania e re nuk do ta kursejë e lëre më ta zhvillojë infrastrukturën në vitet e fundit kur ta mbaroj punën e saj.
  2. Largimi i pengesave ligjore në treg. Nuk mjafton nëse privatizimi nuk shoqërohet me largimin e pengesave ligjore të cilat e pamundësojnë apo vështirësojnë hyrjen në treg. Këto pengesa e bëjnë tërë orvatjen për privatizim të pakuptimtë pasi nuk mundësojnë konkurrencën e lirë. Ç’të mire ka një monopol privat? Shembuj që shërbejne prapë janë aeroporti si dhe Shpërndarësi i Energjisë Elektrike. Në vend që privatizimi të shoqerohej me hapje të plotë të tregut, kompanive fituese i është garantuar veprimtaria ekskluzive dhe e mbrojtur nga konkurrenca, duke monopolizuar kështu tregun.
  3. Privatizim pa kushte. Ideja që privatizimi të bëhet me kushte (p.sh. të mos pushohen nga puna punëtoret për x vite, të bëhet investim prej x milion Eurove, etj.) është totalisht e kundërt me të gjithë idenë e privatizimit në radhë të parë. Arsyja pikërisht pse privatizimi duhet të ndodhë është që shteti nuk e di se çka duhet të bëjë një ndërmarrje. E tërë esenca e privatizimit është largimi i kontrollit të padëshiruar shtetëror i cili po rezulton në joefikasitet. Kushtet jo vetëm që e zvogëlojnë ofertën për privatizim të aseteve pasi trembin ofertuesit, por edhe e dëmtojnë tregun duke kushtëzuar kompanitë të bëjnë veprime joefikase, siç janë pushimi nga puna i punëtorëve që nuk mund të arsyetohen ekonomikisht apo zëvendësimi i të moshuarve me të rinjë të cilët janë më të aftë. Pak-a-shumë i njëjti argument vlenë edhe për privatizimin e pjesshëm, e jo 100%, të aseteve, gjë që përbënë kusht tjetër. Natyrisht, këtu nuk është fjala për kushtet procedurale.
  4. Transparencë. Në mënyrë që të parandalohen keqpërdorimet apo favoret si dhe të fuqizohet oferta për asetin në fjalë, procesi duhet të jetë transparent. Procedura duhet të dihet paraprakisht për të gjithë duke pëfshirë qytetarët. Ofertat duhet të jenë të njohura për të gjithë gjithashtu. Procesi nuk guxon të shëndërrohet në transferim personal të pasurisë apo favorizim të grupeve të veçanta, siç po ndodhë për momentin.
  5. Çmimi të jetë kriteri i vetëm i vlerësimit. Nuk ka mënyrë të mirë apo të keqe të vlerësimit të ofertës “më të mirë”. Kriteri i vetëm që deri diku jep sinjale në të cilat mund të bazohemi është çmimi që personi apo kompania janë të gatshëm ta ofrojnë. Sa më i lartë çmimi, aq më shumë tregohet interesi apo urgjenca si dhe fuqia ekonomike e ofertuesit. Ofertuesi që paguan më së shumti duhet të jetë ai që fiton.