Uncategorized

Privatizim, jo koncesion!

Transferimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës – Adem Jashari nga menaxhimi socialist në atë privat mund t’i ketë gëzuar simpatizuesit e tregut të lirë në Kosovë, por pas kësaj marrëveshje fshihen disa të vërteta shumë të hidhura. Në tentim për ta larguar Aeroportin nga menaxhimi katastrofal, Qeveria e Kosovës e gjeti një alternativë nga e cila edhe do të kishte të hyra buxhetore edhe do t’i shmangej pluhurit që do të ngrihej sikur Aeroporti të privatizohej plotësisht. Në këmbim të 39.42% të të ardhurave bruto dhe disa parakushteve për investime, ajo i dha konzorciumit turko-francez Limak-Aeroports de Lyon të drejtën e menaxhimit të Aeroportit me koncesion. Ekzistojnë tri arsyeje kyçe pse kjo ujdi e re nuk do të sjellë përmirësimet optimale në Aeroport.

Monopolizimi

Duke e transferuar Aeroportin Qeveria gjithashtu i premtoi konzorciumit se do t’ja jepte privilegjin e të qenit i vetmi aeroport në Kosovë dhe se askënd tjetër nuk do ta lejonte të futej në konkurrencë. Me një akt të tillë, Qeveria e Kosovës i është treguar besnike ekonomistëve të Shkollës Austriake të cilët s’kanë pushuar së thëni që monopolet janë rezultat i ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Në vend se në Kosovë të ketë konkurrencë të hapur, pa barriera në hyrje, Qeveria ka vendosur ta krijoj një monopol privat siç ashtu e bënë në fushat tjera ku ose i ka ndërmarrjet publike jo-efikase ose e pengon hyrjen në treg nëpërmes licencave absurde. Duke mos pasur ku të shkojnë tjetërkund, kërkesa e konsumatorëve për shërbimet e aeroportit të vetëm në Kosovë bëhet pothuajse krejtësisht jo-elastike. Si rezultat, Limak-Aeroports de Lyon nuk ka nxitje t’i ulë çmimet apo t’i përmirësoj shërbimet.

Kontrolli vs. Pronësia

Ekziston një dallim kyç në mes kontrollit (koncesionit) dhe pronësisë (privatizimit). Me kontroll, siç parashihet me këtë marrëveshje, Limak-Aeroports de Lyon është i privuar nga vlera kapitale e Aeroportit që do ta kishte sikur të ishte pronar. Arsyeja pse prona private ruhet dhe mbrohet nuk është mistike: fakti që pronari i saj i gëzon frytet e vlerës kapitale e shtyn atë ta ruaj. Kjo vlen madje edhe për minierat që shumë besojnë se qëllimi i vetëm i pronarëve është t’i shpërdorojnë (eksploatojnë) sa më shpejtë e të ikin. Në të kundërtën—pronarët e tyre gjithmonë bëjnë vlerësim afat-gjatë në mes vlerës kapitale të minierës (e cila do të ishte zero sikur ajo të zbrazej) dhe përfitimit aktual nga mihja. Në rastin e Limak-Aeroports de Lyon, ata nuk do të kenë kurrfarë nxitje që ta ruajnë infrastrukturën e Aeroportit në periudhën kur e kanë ndërmend ta kthejnë gjë që do ta zhvlerësonte Aeroportin dukshëm. Për ta nuk ekziston vlera kapitale dhe qëllimi i vetëm i tyre do të jetë përdorimi maksimal i kapaciteteve pa interes të konservimit të tyre në afat të gjatë. Gjithmonë në natyrë kur burimet shfyrtëzohen pa të drejta pronësore ato do të jenë pre e asaj që Garrett Hardin e quan “tragjedia e të përbashkëtave” në esenë e tij brilante të vitit 1968.

Parakushtet janë pengesa, jo garancione

Kur lexojmë që Qeveria e Kosovës i ka vënë këtë apo atë parakusht kompanive potenciale për ta marrë nën menaxhim një ndërmarrje publike duket sikur Qeveria po krijon garancione që ajo ndërmarrje të “menaxhohet brenda kornizave të sigurisë” apo që “interesi kombëtar/kolektiv” po ruhet kundrejt “shpërdorimit për përfitime private”. Në fakt, çdo parakusht që Qeveria e Kosovës e vendos për tenderuesit është negativ dhe s’është aspak garantues i menaxhimit të mirë. Së pari, çdo barrë shtesë për ta marrë nën kontroll një ndërmarrje publike e zvogëlon numrin e ofertuesve dhe si rezultat vlerën që ato janë të gatshme ta japin. Në vend se të ketë garë të plotë dhe të hapur për tenderuesit, të cilët pastaj do t’i shpalosnin ofertat e tyre më të mira në konkurrencë me njëri tjetrin, Qeveria po krijon “filtra” nëpërmes të cilëve po i largon disa tenderues nga gara dhe automatikisht po e zvogëlon ofertën për ndërmarrjet publike. Ndryshe ofrohen çmimet kur janë 10 kompani private në garë, ndryshe kur janë vetëm 2.

Së dyti, kush po thotë që po i njëjti institucion i cili dështoi t’i menaxhoj këto ndërmarrje dhe si rezultat dëshiron t’i transferoj nën menaxhimin privat po e dika se çka do të thotë “parakusht i domosdoshëm”? Nëse Qeveria e Kosovës ka bërë punë katastrofale në menaxhimin e Aeroportit të Prishtinës, si do ta dijë se në çka duhet të investohet, në çfarë sasie, etj.?

Së treti, vetëm sipërmarrësi i cili është i gatshëm ta bartë rrezikun e investimit dhe i sheh të mirat dhe kostot subjektivisht mund të merr vendime për kompaninë. Çdo kush tjetër jashtë kompanisë është jo-kompetent për ta bërë një gjë të tillë. Natyrisht që gjithkush mund të thotë që Limak-Aeroports de Lyon “duhet të ofrojë shërbime cilësore”. Por, pyetja është cilat janë këto shërbime? Sa kushtojnë? A ja vlejnë të investohen (analizë e përfitimeve dhe kostove)? Përfundimisht janë konsumatorët ata të cilët ju përgjigjen këtyre pyetjeve nëpërmes blerjes apo abstenimit nga blerja, të cilat të dhëna sipërmarrësi i përdorë si udhërrëfyes për vendimet e tij biznesore. Tentimet e jashtme nga Qeveria apo ndokush tjetër për të sugjeruar se në çka apo sa “duhet” të investojë kompania janë tërësisht arbitrare dhe jo-serioze.

Privatizimi i plotë: e vetmja alternativë që funksionon

Ky transferim do ta bëjë Aeroportin më efikas dhe më të lirë se kur ishte nën kontrollin e Qeverisë së Kosovës, por tek e fundit shtetit është lehtë t’ja kalohet në çfarëdo pune. Fakti që Limak-Aeroports de Lyon do të veprojë në mekanizmit e tregut, edhe pse tejet i penguar, megjithatë do ta bëjë aeroportin më të këndshëm se cirkusi që është tani. Por, nëse dëshirojmë që udhëtarët e Kosovës të kenë shërbimet më cilësore dhe çmimet më të ulëta në rajon, dhe ndoshta në botë, vetëm privatizimi i plotë mbetet alternativë. Vetëm nëse kompania nuk është e mbrojtur nga konkurrenca (largohet çfarëdo pengese për të hyrë në treg), e ka nën pronësi vlerën kapitale të aeroportit, dhe nuk përballet me parakushte arbitrare, do të mund të funksionojë me efikasitet optimal tregu i aeroporteve i cili do të rezultojë në çmime të ulëta dhe shërbime cilësore.