ekonomi

Reciprociteti tregtar sikur sulm kamikaz i dështuar

Bardhyl Salihu

Qeveria e Kosovës është në prag të imponimit të masave reciproke tregtare ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, mirëpo ajo as që është lodhur ta arsyetoj këtë hap. Zyrtarë të saj kanë thënë vetëm që “është në interes kombëtar”, pa shpjeguar si qenka kështu, çka do të thotë “interesi kombëtar”, a ka kontradikta në mes interesave të individëve brenda “interesit kombëtar”, dhe nëse po, kush ka të drejtë. Zyrtarët qeveritarë gjithashtu kanë thënë që kjo masë e pasqyron qëndrimin tregtar të Serbisë dhe Bosnjës, pa shpjeguar pse pasqyrimi i qëndrimeve të vendeve tjera është i arsyeshëm. Imitimi i vendeve fqinjë nuk është akt i cili arsyetohet vetvetiu.

Vendimi i Qeverisë nuk ka si të shpjegohet ndryshe përveç si një vendim i hutuar. Ai është bërë në bazë të dëmeve që sipërmarrësit kosovarë i kanë pësuar nga pamundësia për të eksportuar mallra në Serbi dhe Bosnje përshkak të bllokadës që këto dy vende ja kanë bërë eksportit kosovar pas shpalljes së pavarësisë. Sipërmarrësit kosovarë pësuan humbje të mëdha jo vetëm nga pamundësia për të shitur në këto dy vende, por edhe nga pamundësia për t’i përdorur ato si rrugë transiti deri tek tregjet evropiane. Për shembull, vreshtaria e famshme Stone Castle, përveç dëmeve tjera, ka pësuar edhe rritje prej 30% në kostot e transportit si rezultat i bllokadës. Qëndrimi i Serbisë dhe Bosnjës bëhet edhe më neveritës kur dihet fakti që ato bashkë me Kosovën janë nënshkruese të marrëveshjes së tregtisë së lirë, CEFTA, të cilën këto dy vende po e shkelin haptazi për qëllime politike.

Megjithatë, fakti që Kosova është dëmtuar rëndë nga bllokada nuk do të thotë automatikisht që imponimi i një bllokade reciproke e zgjidh problemin. Të ashtuquajturit “analistë” kosovarë kanë thirrur për një vendim të tillë qe një kohë të gjatë pa dëshmuar fare të “mirat” e vendimit apo pa cekur pasojat e këqija të tij. Këta analistë bëhen edhe më qesharak kur e sulmojnë qëndrimin serb/boshnjak duke i trumbetuar principet e tregut të lirë, e po në të njëjtën kohë thërrasin për masa reciproke. Fjala e urtë thotë: “dy të këqija nuk e bëjnë një të mirë”.

Kur ekonomistët liberalë të shekullit të 19-të i demoluan mitet merkantiliste që bllokadat tregtare janë të leverdishme për kombet, ata gjithashtu e ndërtuan argumentin që tregtia është e mirë edhe nëse njëra palë merr qëndrim negativ. Sado që pala kosovare është dëmtuar nga qëndrimi i vendeve fqinje, megjithatë tregtia e njëanshme ka mundësuar që të ketë sadopak aktivitet ekonomik dhe të shfrytëzohen beneficionet e ndarjes ekonomike të punës.

Në anën tjetër, pasojat e një bllokade reciproke në mes të Kosovës dhe këtyre dy vendeve do të jenë shumë të këqija. Me tu mbyllur kufijtë, sasia e mallrave do të zvogëlohet në formë drastike duke i rritur çmimet e tyre. Mos harroni që eksportet kryesore të Serbisë dhe Bosnjës në Kosovë janë kryesisht ushqimore. Pra rritja e çmimeve do të vijë së pari në industritë ushqimore—tejet esenciale—dhe do t’i godasë shtresat më të varfra të shoqërisë. Ajo çka e bënë këtë edhe më tragjike është fakti që në Kosovë veç ka pasur rritje të mëdha të çmimeve (kryesisht ushqimore) qe një kohë të gjatë. Enti i Statistikës jep figura alarmante duke thënë që në krahasim me vitin e shkuar buka dhe drithërat janë rritur për 49 për qind, vajrat dhe yndyrat për 47,6 për qind, nafta dhe benzina për 17 për qind, mishi 4,6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 5,5 për qind. Me kalimin e kohës produktet do të zhduken nga tregu dhe ekziston rreziku i radhëve të gjata për pritje.

Qytetarët e Kosovës do të detyrohen të konsumojnë produkte inferiore, të cilat para bllokadës nuk i kishin blerë. Është e vërtetë që me kalimin e kohës sipërmarrësit do të gjejnë mënyra tjera për t’i përmbushur kërkesat duke importuar nga vende tjera, por të gjitha këto mënyra do të jenë suboptimale përshkak se po të ishin produkte kualitative me çmime të leverdishme ato do ta kishin kaluar testin e tregut në konkurrencë me produktet serbe/boshnjake. Është e qartë që qytetarët e Kosovës do të dëmtohen nga të gjitha anët për shkak të një vendimi të tillë.

A do ta ndryshoj qëndrimin Serbia dhe Bosnja pas imponimit të masave reciproke? Jo, aspak. Arsyeja pse këto dy vende i kanë bllokuar mallrat kosovare nuk është ekonomike por politike. Ato kanë dashur ta dëshmojnë qëndrimin e tyre kundër pavarësisë së Kosovës duke mos i pranuar vulat e doganave të Kosovës. Ndryshimi i këtij qëndrimi nënkupton automatikisht që këto vende po e njohin de-fakto Kosovën. Serbia dhe Bosnja mund t’i shmangeshin këtij problemi duke mos e ndërmarrë hapin e bllokimit, por tani që e kanë bërë, revidimi i këtij hapi është vetëvrasje qesharake. As 300 milionë Euro-të që Serbia do t’i humb nga masat reciproke nuk mund ta fshijnë këtë të vërtetë. Të mos harrojmë, gjithashtu, që interesat e veçanta tregtare që janë të lidhura ngushtë me qeveritë e korruptuara serbe/boshnjake do ta luajnë lojën e nacionalizmit plastik për ta mbajtur bllokadën në fuqi. Në anën tjetër, interesat e veçanta tregtare në Kosovë veç kanë lobuar për masat reciproke në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Kosova duhet të gjej mënyra tjera se si ta detyroj Serbinë dhe Bosnjën që t’i përmbahen marrëveshjes CEFTA për të përfituar nga tregtia e lirë. Imponimi i masave reciproke është thjeshtë sulm kamikaz i dështuar sepse nuk do t’i detyroj këto vende t’i ndryshojnë qëndrimet kurse në të njëjtën kohë do t’i dëmtoj keq qytetarët e Kosovës.