Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

5. Carl Menger (1840 – 1921)

Mengeri u lind në një qytezë të Perandorisë Austro-Hungareze, sot e ndodhur në Poloni, në një familje fisnikësh të vegjël dhe tregtarësh (më vonë Mengeri do hiqte dorë nga titulli i trashëguar i fisnikërisë). Në rini ai u dallua për një vullnet të hekurt, i cili do spikaste më vonë kur gjatë Methodenstreit, përkundër ngarkesën e madhe fizike, ai nuk do pranonte të tërhiqej nga debati deri në përmbyllje të tij. Ndoqi studimet për jurisprudencë në Vjenë dhe Pragë, dhe në këtë fushë fitoi dhe doktoraturën. Ndikimi i edukimit juridik në mendimin ekonomik të Mengerit dhe mbarë Shkollës Austriake do dëshmohej vendimtar: nëse në Gjermaninë fqinje ekonomistët e rinj merrnin kryesisht formim historik dhe të tregjeve specifike në periudha të ndryshme, Mengeri  u edukua në deduksion logjik, arsyetimin e rasteve të veçanta nga parimet fillestare, aftësitë verbale dhe, në përgjithësi, me një formim kryesisht logjik, që do përcaktonte edhe lindjen e metodologjisë specifike të Shkollës Austriake.

Pas diplomimit Mengeri nis punë si gazetar, veçanërisht, si reporter ekonomik. Pikërisht gjatë kësaj periudhe atij i ra në sy dallimi i thellë mes procesit të tregut në praktikë dhe teorive të ekonomistëve klasikë. Në veçanti mendohet të ketë ndikuar në zgjimin e interesit të Mengerit për ekonominë mbulimi i lajmeve nga Bursa e Vjenës. Në një treg të tillë të zhvilluar, ku çmimet vendoseshin rishtazi çdo minutë dhe çdo informacion i ri ndikonte në ndryshimin e tregut, Mengeri mendohet të ketë dalluar qartazi parimet e operimit dhe mekanikën e vendosjes së çmimeve, që më vonë diti ti përgjithësonte për çdo treg.

Kjo përvojë nxiti interesin për studimin e ekonomisë politike (1867) dhe në vitin 1871 ai boton veprën e tij më të njohur Parime të Ekonomisë (Grundsätze der Volkswirtschaftslehre), që ende sot mbete një nga veprat më revolucionare në shkencën e ekonomisë.

Këtu Mengeri për herë të parë, plotësisht dhe pa ekuivok, arrin të shpjegojë qartësisht mekanikën e përkthimit të vlerës (ose dobisë) në çmime. Gjatë studimeve të çështjeve të ekonomisë politike, Mengeri kish hasur në ekonomistët e traditës kontinentale— veçanërisht franceze—të ekonomisë, nga e cila kish marrë konceptet e vlerës subjektive. Çdo e mirë vlerësohet, jo në vetvete, jo nga kostoja e prodhimit, jo nga sasia e punës që duhet për ta prodhuar, por thjesht nga shërbimi që mund ti kryejë individit.

Mirëpo as kjo traditë kontinentale e as tradita klasike e mirëpranuar në atë kohë nuk arrinin të shpjegonin të ashtuquajturin paradoks të vlerës. Nëse çmimet kanë ndonjë lidhje fare me vlerën e shërbimeve që një e mirë jep, si ka mundësi që një e mirë jetike si uji të kushtojë aq lirë, ndërkohë që një e mirë tërësisht dytësore, si diamanti, të ketë çmim aq të lartë? Ndërkohë sipas ekonomistëve klasikë si Smithi ose Rikardoja, çmimi i çdo të mire përcaktohej nga kostoja, qoftë ajo vetëm sasia e punës e nevojshme për prodhim, qoftë kostoja e prodhimit në përgjithësi. Por, atëherë si kish mundësi që të mira si toka ose ari, që vijnë nga natyra dhe nuk kanë kurrfarë kostoje prodhimi, kanë çmime në treg? Asnjë teori nuk i jepte dot një zgjidhje të përgjithshme çështjes së çmimeve.

Mengeri, për të zgjidhur këtë paradoks, zbulon konceptin e dobisë margjinale (ndonëse termi “dobi margjinale” është përdorur për herë të parë nga studenti i Mengerit, Friedrich von Wieser). Të flasësh për ‘vlerën e  ujit’ në përgjithësi si klasë e të mirave nuk ka kuptim, shtjellon Mengeri. Ajo që mund të themi është që kjo njësi shtesë uji ka vlerë, ndërkohë që një njësi tjetër do kishte tjetër vlerë. Për një njeri të etur në shkretëtire, një gotë uji ka vlerë të jashtëzakonshme. Gota e dytë do kishte vlerë, por disi më të ulët se e para. Gota e tretë, pasi etja do ish shuar, do përdorej për një tjetër qëllim, më pak të rëndësishëm, (p.sh. freskimi i fytyrës). Sasi të mëtejshme uji do përdoreshin për të kënaqur nevoja gjithnjë e më pak të rëndësishme, derisa gota e dhjetëmijtë mund të përdorej thjesht për të mbushur një shatërvan, që sjell veç kënaqësi estetike. Mengeri vë në dukje që, në këto 10,000 gota, jo të gjitha kanë të njëjtën vlerë. Gotat e para kanë vlerë më të madhe, dhe gota e radhës ka vlerë gjithnjë më të vogël, pasi nevojat më urgjente janë kënaqur të parat. Gota shtesë (margjinale) ka vlerë (dobi) rënëse: ky është ligji i dobisë margjinale.

Por, nëse vlera për gota të ndryshme uji është e ndryshme, çmimi i ujit mund të jetë vetëm një. Si përkthehen këto vlera të ndryshme në një çmim të vetëm? Mengeri e sheh zgjidhjen: çmimi do përcaktohet nga vlera e gotës së fundit që mund të gjendet, ajo me vlerë më të ulët. Nëse në treg gjenden 10,000 gota uji, dhe gota e dhjetëmijtë mund të përdoret vetëm për estetikë në shatërvan, ky do jetë përdorimi që do i japë çmimin gjithë sasisë së ujit në treg: çmimi i ujit do jetë vetëm aq sa individët do jenë të gatshëm të paguajnë për ujin në shatërvan.

Ja ku zgjidhej paradoksi i vlerës: sasitë e para të ujit janë realisht shumë më të vlefshme se ato të diamantit, por uji nuk e merr çmimin nga këto sasi, por nga ato të fundit (margjinale). Ja pse uji që gjendet me shumicë e mund të përdoret (madje dhe shpërdorohet) për përdorime krejt estetike, ka çmim  më të ulët se diamantet e rralla, të cilat mund të kënaqin vetëm nevojat më ‘urgjente’.

Koncepti i dobisë margjinale u zbulua paralelisht dhe pavarësisht nga Mengeri, Leon Walras dhe Stanley Jevons. Por nëse për Mengerin dobia ishte një koncept krejtësisht subjektiv dhe rendor, Xhevonsi dhe Uallrasi e shihnin dobinë si diçka të matshme, të mbledhshme e të zbritshme. Ky dallim, në dukje i vogël, është në fakt themelor: nëse dobitë e disa individëve mund të mblidhen e të zbriten, të krahasohen e të maten, atëherë mund të dilet tek një “dobi neto” e një veprimi. Nga një tatim i ri, dikush humbet e dikush fiton, dhe nëse rritja në dobi e atyre që fitojnë tejkalon rënien në dobi të atyre që humbasin, atëherë mund të thuhet që nga pikëpamja utilitariste tatimi e ri rrit “dobinë shoqërore”.

Për Mengerin kjo analizë nuk ka kuptim: dobia është koncept rendor, për aq kohë sa mund të themi që individi parapëlqen një të mirë ndaj një tjetre. Por, të thuash që dikush preferon mollët “tre herë e çerek më shumë” ose “75% më shumë” se dardhat, kjo nuk ka kuptim. Dhe nëse krahasimi i dobisë që të mirat e ndryshme i  sjellin të njëjtit individ nuk ka kuptim, aq më pak ka kuptim krahasimi i dobisë mes individëve të ndryshëm. Ndonëse koncepti i Mengerit është dukshëm superior nga atij të Xhevons/Uallrasit, është pikërisht koncepti i dobisë së matshme ai që ende sot mbizotëron në shkencën ekonomike. Dhe si mund të ndodhte ndryshe, teksa përdorimi më i gjerë i sotëm i konceptit të dobisë neto është justifikimi I tatimeve të reja?

Por në Parimet Mengeri shkon më tej: ai shtjellon çështjen e kostove. Nëse tradita klasike i shihte kostot si përcaktues të çmimit, Menegri sheh të kundërtën. Puna është  e mirë si gjithë të tjerat. Pra, për çmimin e saj mund të shfrytëzohet e njëjta analizë si për çdo të mirë tjetër. Por, vlera e punës lidhet drejtpërdrejtë me vlerën e produktit përfundimtar. Nëse vlera e këtij produkti bie, vlera e punës së përdorur në prodhimin e tij gjithashtu do bie. Pra, çmimi i faktorëve të prodhimit përcaktohet nga dobia margjinale e tyre, dhe dobia përcaktohet nga çmimi i produktit përfundimtar: çmimi përcakton kostot, jo e kostot çmimin!

Parimet i siguruan Mengerit famë të menjëhershme dhe një vend në katedrën e ekonomisë së Universitetit të Vjenës. Atij iu ofruan pozicione shumë të mira në katedrat ekonomike gjerman-folëse në mbarë Evropën, të cilat ai i refuzoi për të mos hequr dorë nga karriera e tij paralele si gazetar në Vjenë.

Më 1876, Mengeri u përzgjodh si tutori personal për ekonominë dhe statistikën i trashëgimtarit të fronit Austro-Hungarez, Princit Rudolf von Habsburg. Mengeri gjeti tek trashëgimtari filizat e ideve liberale, të cilat ai ndihmoi të zhvilloheshin. Austro-Hungaria mund të kish përfituar shumë nëse Princi do kish arritur të trashëgonte Fronin, mirëpo në 1889 ai u gjet i vdekur në shtëpinë e tij malore, vdekje e cila e ende sot mbetet mister.

Pozita e tutorit të trashëgimtarit të Fronit e katapultoi Mengerin në pozitat më të larta në shoqërinë Austro-Hungareze. Ai u bë anëtar i Akademisë Austriake të Shkencave, zuri postin më të lartë në katedrën ekonomikë të Universitetit të Vjenës, madje dhe fitoi një vend të përjetshëm në Dhomën e Lartë të Parlamentit Austriak (ndonëse ai kurrë nuk u përfshi në debatet e dhomës). Këtë pozitë Mengeri e shfrytëzoi për ti siguruar pozicione në sferën akademike ndjekësve të tij.

Më 1883 ai boton veprën e tij të dytë madhore Hetime në Metodologjinë e Shkencave Shoqërore dhe në Veçanti të Ekonomisë (Untersuchungen über die Methode der Socialwissenschaften und der politischen Oekonomie insbesondere). Vepra vinte si rrjedhim i Parimeve dhe shtjellonte konceptin e Mengerit për metodologjinë më të përshtatshme për tu ndjekur në shkencat shoqërore. Libri e vuri Mengerin në armiqësi të drejtpërdrejtë me traditën e pranuar ekonomike në botën gjerman-folëse, Shkollën Historike Gjermane. Eksponenti kryesor i traditës historike, Gustav von Schmoller, botoi një kritikë të ashpër të Hetimeve (i cili duke i tallur dhe fyer Mengerin dhe përkrahësit e tij i quajti ata eksponentë të “Shkollës Austriake”, me ç’rast lindi edhe termi për herë të parë), së cilës Mengeri iu përgjigj pa vonesë.

Thelbi i atij debati që u njoh si Methodenstreit, ose debati mbi metodologjinë, e që u zhvillua në libra, artikuj, konferenca e kritika akademike për vite më radhe, ishte mospërputhja e dy rrymave mbi pyetjen se si duhej studiuar ekonomia dhe shkencat shoqërore në përgjithësi. Shkolla historike pretendonte se, në fakt, ekonomia nuk drejtohej nga kurrfarë ligjësie. Më e mira që një ekonomist mund të bënte ishte të dokumentonte të dhënat e ndonjë tregu të caktuar në një kohë e vend të caktuar, pa mundur të nxjerrë ndonjë përfundim prej këtyre të dhënave pasi kushtet në të tjera tregje në vende dhe kohë të ndryshme vazhdimisht ndryshonin. Mengeri, nga ana tjetër, mbronte idenë se ekonomia kish ligjësi. Ligji i dobisë margjinale rënëse ishte njëra prej këtyre ligjësive. Dhe mënyra e vetme për ti zbuluar këto ligjësi ishte, jo studimi i ndonjë tregu të caktuar, por hetimi logjik. Duke u nisur nga pak aksioma të mirëpranuara, mendja njerëzore mund të logjikonte përfundimet e shkencës ekonomike pa pasur nevojë për supozimet artificiale të shkollës klasike apo modeleve matematike të teorisë së ekuilibrit të përgjithshëm.

Kjo nuk ishte, sipas Mengerit, thjeshtë mënyra më e mirë e zhvillimit të ekonomisë dhe shkencave shoqërore, por në fakt e vetmja. Të dhënat praktike kanë pak peshë për ekonominë. Nëse në fizikë një eksperiment laboratorik mund të përsëritet qindra herë, dhe në çdo rast mund të izolohet çdo faktor ndikues me përjashtim të faktorit që po studiohet, ekonomisti nuk e ka këtë luks. Për të laborator është historia dhe eksperimentet janë luftërat, revolucionet, lëvizjet e së shkuarës, etj. Në këto ngjarje mijëra faktorë ndikojnë njëherazi, dhe as që bëhet fjalë për ti izoluar ato. Si mund të dimë ne që çmimi i bukës në fillim të shekullit të XVII në Austri u rrit për shkak të taksave apo prej rënies në kërkesë? Vetëm logjikisht mund të zbërthehej procesi ekonomik dhe të gjendeshin shkaqet reale të ngjarjeve dhe ligjësitë pas tyre.

I gjithë Methodenstreit­i mund të përmblidhet në një episod të vetëm: në një konferencë ekonomisti Italian Vilfredo Pareto po diskutonte tezën e tij dhe ndërpritej vazhdimisht nga Shmoleri i cili nga salla bërtiste: “Nuk ekzistojnë ligjësi në ekonomi!”. Paretoja përfundoi fjalën dhe më pas arriti ta takonte Shmolerin në rrugë. I veshur thjeshtë siç e kishte zakon, e pyeti Shmolerin nëse mund ti tregonte ndonjë vend ku mund të hante falas. Shmoleri, gjysmë me arrogancë dhe gjysmë me keqardhje për të që i dukej një profesor i varfër, e këshillon të frekuentoj disa restorante me çmime të arsyeshme, por që nuk kish asnjë vend që shërbente falas. Në këtë pikë Peretoja hidhet: “Ja pra që paska ligjësi në ekonomi!”

Mengeri nuk doli fitimtar nga Methodenstreit­­i, së paku për sa i përket drejtimit të mëtejshëm të metodës ekonomike. Ende sot ekonomia shihet si një shkencë ku modelimi zëvendëson eksperimentin e shkencave natyrore. Metodologjia Mengeriane zbatohet sot vetëm nga Shkolla Austriake dhe vijon të jetë pika kryesore e ndarjes mes kësaj shkolle dhe traditave të tjera të ekonomisë bashkëkohore, veçanërisht ato kundër-etatiste si Shkolla e Çikagos.

Por Debati pati implikime të tjera pozitive për Mengerin. Së pari, ai e zgjeroi edhe më tej famën e tij si ekonomist i kompletuar, duke tërhequr edhe më shumë pasues. Vetë Shkolla Austriake e ekonomisë lindi natyrshëm gjatë debatit, dhe vijoi të rritej e zhvillohej në pozitën e prestigjit të themeluesit të saj. Ndonëse kjo pozitë prestigji nuk do zgjaste edhe shumë kohë (dhe nuk është përsëritur më kurrë), Mengeri diti ta përdorë atë për të zgjeruar rrjetin e ndjekësve të ideve të tij. Shkolla Austriake e ekonomisë, një ndër kontribuuesit më origjinalë në debatin e sotëm ekonomik,  mund të ishte shuar tërësisht që në fillimet e saj pa vullnetin e Mengerit për tu përfshirë në debatin mbi metodologjinë.

Përkundër arritjeve të mëdha e të mirënjohura, karriera akademike e Mengerit nuk zgjati  shumë. Vdekja e trashëgimtarit Rudolf e kish goditur rëndë ekonomistin. Një tjetër goditje erdhi më 1903, kur Mengeri dorëzoi postin e tij prestigjioz në Universitetin e Vjenës pasi pranoi atësinë e një fëmije të lindur jashtë martese (i cili më vonë u bë matematikani dhe ekonomisti i njohur Karl Menger, për ironi pasueses i metodologjisë matematike në ekonomi që i ati kish kundërshtuar aq rreptë).

Pas tërheqjes së hershme, Mengeri vijoi studimet private në biologji, fiziologji, matematikë, etnologji dhe antropologji, me qëllim hartimin e një vëllimi sociologjik që nuk u përfundua dot.

Rëndësia e veprës së Mengerit nuk mund të nënvleftësohet. Nëse deri më 1871 ekonomia qe një fushë interesi më shumë se disiplinë e mirëfilltë, e mbushur me kontributet spontane dhe të shkëputura të amatorëve të fushave të tjera, vetëm me Parimet ekonomia merr, për herë të parë, formë të plotë dhe fiton një strukturë logjike. Pas Mengerit, themeli i studimit të mëtejshëm që do shtyhej nga pasuesit e tij në çdo problem ekonomik, historik e sociologjik u bë i mundur. Në fakt, gjatë mbarë shekullit të XIX ekonomia si term nuk njihte përdorim të gjerë. Çështjet e saj njiheshin si problemet të ekonomisë politike. Vetëm pas konsolidimit të disiplinës, ku Mengeri dha kontribut të jashtëzakonshëm, mund ët flitet me plot gojën për shkencën e ekonomisë.