politikë

17 pikëpyetje rreth Reformës në Drejtësi

Më poshtë do përpiqem të cek pak pika të cilat lënë hapësirë për debat rreth së famshmes Reformë në Drejtësi, hapat e para të së cilës u miratuan para pak javësh me ndryshimin e radhës të Kushtetutës. Do përpiqem maksimalisht të shmang konstatime tepër të vlefshme që janë bërë rëndom nga opinionistët e komentatorët shqiptarë, të cilët çuditërisht udhëhoqën një debat të kthjellët e realist mbi mbarë procesin, debat shumë më i mirëpritur së ofensiva e çuditshme propagandistike e ambasadorëve Amerikanë dhe të Bashkimit Europian.

Sidoqoftë, të paqarta autorit tuaj të dashur i mbeten pikat e mëposhtme,

1.Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë”, dokumenti mbi gjetjet e të cilit është bazuar reforma, e konsideron si tipar tepër të vlefshëm natyrën vetë-qeverisëse dhe korporatiste të sistemit të drejtësisë kur shprehet që:

Nuk ka dyshim se vetëqeverisja e gjyqësorit është mënyra më e mirë për të garantuar pavarësinë e tij nga ndërhyrjet e jashtme. Për më tepër, ka një konsensus në rritje që vetëqeverisja është mënyra më e mirë për të garantuar edhe tiparet e tjera të gjyqësorit, si përgjegjshmëria, efiçienca dhe transparenca.

Strategjia e Reformës në Sistemin e Dretësisë,                                                                                                             f. 12 (tërhequr në datë 17.8.16)

Megjithatë, është fare e kotë të mohohet që rishikimi i së drejtës për të qëndruar në punë i çdo gjyqtari nga një komision që së paku pjesërisht përbëhet nga ekspertë të jashtëm ndaj sistemit (në mos të huaj fare) prek rëndë këtë parim. Në fakt, po të ngrihej një komision me të tillë detyrë në cilëndo rrethanë tjetër, do vinin nga gjithë perëndimi akuza të forta për cënim pavarësie të gjyqësorit. Vërtetë mund të argumentohet që me abuzimet e shumta në 25 vjet gjyqësori shqiptar i ka mohuar vetes të drejtën për vetëqeverisje dhe që vetëm një ndërhyrje e tillë brutale nga jashtë mund të rikthejë një farë etike në sistem, por të pretendosh që kjo masë madhore jo vetëm nuk do prekë por do forcoka vetëqeverisjen e  gjyqësorit është e çuditshme. Naivitet, propagandë sipërfaqësore apo dashakeqësi?

2. Mos vallë gjyqësori do nisë të vetëqeveriset fill pas “fshesës”, dhe ky operacion do jetë e pari dhe e fundit ndërhyrje e tillë? A nuk u tha kështu edhe kur po binte sistemi socialist dhe nevojitej një rishikim masiv i karrierave të gjyqtarëve? A nuk mund të na thuhet sërish kjo edhe nesër, kur mund të ketë nevojë për ndonjë “fshesë të rradhës”?  Nuk u konsideruaka fare shqetësim i denjë për tu përmendur së paku precedenti i fortë i cënimit të pavarësisë që reforma do sjellë? Nëse do ketë vërtetë nevojë për “spastrime” të herëpashershme sepse magjikisht gjyqtarët e rinj vijimisht do bien pre e korrupsionit, a nuk do ketë ardhur koha të pranohet që shkaqet e mangësive qenkan sistematike, dhe jo individuale?

3. Ç’do të ndodhë nëse komisionet e ngritura posaçërisht gjejnë që shumica dërrmuese e gjyqtarëve tejkalojnë dukshëm cakun e pasurisë në raport me pagën, një ndër tre kriteret që duhet kaluar për të mbetur në punë? Do largohen nga puna gjithë gjyqtarët përveç një gjysmë duzine? A nuk do shkatërrojë kjo në pak muaj atë pak memorie institucionale të ngritur në 25 vjet? Kush do mbajë mbi supe në këtë rast peshën vigane të çështjeve që, edhe në kushtet e sotme, sjellin ngarkesë të stërmadhe? Mos vallë mendohet që një gjyqësor i përberë nga 300 studentë magjistrature do jetë më i mirë se i sotmi? Mendohet vallë se këta studentë do mund ti bëjnë ballë më lehtë presionit të politikës dhe krimit, apo dhe interesave të vogla e të mëdha që përplasen në dyert e gjykatave?

4. Nëse vendoset, në emër të prakticitetit e për të shmangur një kataklazëm institucionale si e mësipërmja, të largohet vetëm një nëngrup nga shumica dërrmuese e supozuar e gjyqtarëve me pasuri të pajustifikuara, a nuk do lejojë përzgjedhja e këtij nëngrupi një hapësirë të madhe për arbitraritet dhe anësi politike? A do arrijë komisioni apo komisionet ti bëjnë ballë presionit politik për të goditur Fistekun e jo Filanin në kushtet kur si Filani dhe Fisteku janë të “inkriuminuar”, duke qenë se të dy njëherazi nuk hiqen dot? A nuk duken kështu pak më të arsyeshme, në kushtet praktike të Shqipërisë, frikërat gjysmë të shprehura të opozitës se mbarë reforma do kthehet në mjet për të larguar gjyqtarë të padëshiruar politikisht duke kursyer kolegë po aq të inkriminuar por me lidhjet e duhura politike?

5. Nuk është shqetësues precedenti i vendosur nga fqinjët tanë perëndimorë me operacionin e famshëm “Duart e Pastra”, gjatë së cilit gjyqësori zgjodhi të godiste korrupsionin e një kahu politik por jo të një tjetri, duke shkatërruar në pak muaj një parti që kishte qeverisur për thuajse 40 vjet? Edhe në atë rast, mbështetja më e fshehur Amerikane qe vendimtare. Nëse të tilla veprime u toleruan në Italinë e viteve ’90, mendon kush se do kishte kundërshti aq të mëdha nëse bëma të ngjashme ndodhin në Shqipërinë e viteve ’20 të shekullit tonë?

6. Ç’qe gjithë ky nxitim për ti kaluar ndryshimet kushtetuese me kaq ngut, ndërkohë që reforma kishte pritur mirë e bukur dy vjet duke u diskutuar? Ngutja e miqve perëndimorë shkoi deri aty sa, fill pas votimin në fjalë, u kërkua miratimi i shtatë ligjeve vijuese, pa u shqetësuar njeri fare që ende nuk kish kaluar afati bazik për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese (një figurë e keqe për kompetencën juridike të ambasadave madhore në Tiranë). A ka të bëjë ky ngut i madh me frikën nga rezultatet e zgjedhjeve të 2017ës?

7. Apo mos vallë, dhe me më shumë gjasa, kemi të bëjmë me frikën më të madhe nga rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit në ShBA, nga të cilat edhe mund të dalë fitues Donald Trampi? Mos vallë mbarë reforma është ideuar, mbrojtur dhe lobuar nga një kah i caktuar i politikës së përtej oqeanit dhe donatorë të mëdhenj të këtij krahu, e aspak nga një konsensus i gjerë ndërkombëtar? Mos vallë ndërrimi i palës në pushtet do fashisë tërësisht interesin për këtë reformë, e cila duhet kaluar o tani o kurrë më?

8. A do kalohet nga një administratë e mundshme Trump kaq lehtë në heshtje SMS-ja skandaloze e dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara Deputetëve të një vendi të pavarur dhe aleat në NATO? Pasi nga administrata aktuale që kaloi në heshtje dhe djegien e ambasadës dhe vrasjen brutale të ambasadorit së SHBA-së në Libi nuk ka njeri arsye të frikësohet për një SMS të dërguar në Shqipëri.

9. A mund të pretendohet me sinqeritet, si u bë nga propozuesit e reformës në draftin e saj fillestar, që vetimi i mbarë trupës gjyqësore nga një komision ekspertësh të huaj nuk prek sovranitetin e Shqipërisë? Ajo që mund të pretendohet me të drejtë është që, ndonëse një masë e tillë prek realisht sovranitetin tonë, qytetarët shqiptarë do qenë shumë të gatshëm të miratonin këtë delegim të përkohshëm sovraniteti tek aleatët perëndimorë, të zhgënjyer siç janë nga situata ekonomike në Shqipëri. Përse nuk u tha kjo e vërtetë e thjeshtë, por u përdorën argumente qesharake që në këtë mes nuk na paska pasur prekje sovraniteti?

10. A qe vërtetë ky rasti më i mirë për të shpenzuar diçka nga mirëbesimi i madh që shqiptarët kanë tek aleatët evropianë dhe amerikanë, mirëbesim që domosdo do vijë në rënie që sot e tutje?

11. A nuk qenë vite më të përshtatshme 1991shi apo 1997a për të vendosur një protektorat de facto mbi Shqipërinë, pasi në ato vite vendi ynë po dëshmonte një pa-aftësi të skajshme për të kontrolluar flukse masive dhe destabilizuese emigrantësh? Mos është 2016a pak vonë për tu sjellë me Shqipërinë sikur të qe 1913a, apo dhe Dardania në 2008n?

12. Sidoqoftë, nëse vërtetë miqtë tanë perëndimorë kanë vendosur ti vijnë në ndihmë shqiptarëve duke na shtyrë pak në rrugën drejt zhvillimit, përse paskan harruar teknikat e përdorura në Tajvan apo Kore të Jugut, teknika që shpunë në zhvillimin e shpejtë të këtyre vendeve? Mendohet që ndërhyrja (që supozohet të behet një herë e mirë, e të mos përsëritet) në gjyqësor do japë efekte të ngjashme? Mos është kjo një metodë “low cost” për të ndihmuar shqiptarët pa shpenzuar ndonjë gjë të madhe (jo më shumë se kostoja e 140 SMS-ve) dhe, nëse është kështu, përse metoda “low cost” gjenden gjithnjë kur vjen puna tek ne, por nuk gjykohen të mjafta për të ndihmuar aleatë të tjerë europianë apo lindorë?

13. Si po funksionojnë në Dardani apo dhe Ukrainë reforma të ngjashme në drejtësi? Mos janë vallë këto dy vende saktësisht në nivelin tonë të pasurisë dhe korrupsionit të perceptuar, me dallime statistikisht të papërfillshme, pavarësisht kësaj reforme madhore?

14. Duke pasur parasysh ngarkesën tejet të lartë në punë të gjyqtarëve tanë, të cilëve rëndomtë u takon të gjykojnë nga tri-katër çështje në ditë, çka lë vend të stërmadh për favoritizëm korruptiv duke mos lejuar njohjen e thelluar të çështjes si dhe rivlerësimin e ftohtë të gjykimit, si dhe duke pasur parasysh numrin relativisht të ulët të gjyqtarëve për frymë në Shqipëri…

http://www.nationmaster.com/country-info/stats/Crime/Judges-and-Magistrates-per-million/table

… a nuk do kishte qenë një rekomandim tejet i thjeshtë i reformës rritja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve? A nuk mendohet që një klikë prej pak më shumë se 300 vetash do arrijë lehtë të grumbullojë pushtet të stërmadh individual thjesht për shkak të kësaj ngarkese të madhe në punë, pushtet që do hollohej së tepërmi në përpjesëtim me rritjen e numrit të gjyqtarëve? Fundja, a nuk është sistemi jurisë thjesht një sistem ku numri i gjyqtarëve për frymë është de facto tepër i lartë?

15. Mund të argumentohet që buxheti jonë nuk mund ti lejojë vetes një shpenzim të tillë. Dhe vërtetë, mund të kemi vështirësi po të kemi parasysh që një tjetër rekomandim (më se i arsyeshëm) i reformës është dhe rritja e shpërblimeve formale të gjyqtarëve, i cili po të zbatohet për një numër të dyfishuar gjyqtarësh edhe mund të bëhej problematik.

Në qoftë kështu, a nuk do qe i vlefshëm krijimi një fondi të posaçëm nga miqtë tanë europianë dhe amerikanë, nga i cili të financohet drejtpërdrejtë sistemi gjyqësor, çka dhe do i linte dorë shumë më të lirë një komisioni të huaj për të ndikuar në emërime dhe largimin e figurave të inkriminuara?

Nëse vërtetë besojnë që zhvillimi ekonomik i Shqipërisë ka mbetur peng i gjyqësorit, aleatët tanë padyshim që duhet ta kenë të qartë që Shqipëria e vetme do e ketë e vështirë të financojë sistemin gjyqësor në masën që kërkohet për të mundësuar hopin e kërkuar cilësor. Përse nuk ofrohet një ndihmë e tillë, e cila e shpërndarë në mbarë BE-në do qe fare qesharake si shifër, por e vetme do mundësonte reformimin e shpejtë të gjyqësorit? Është e lehtë të kritikosh Shqipërinë që nuk financon gjyqësorin në përpjesëtim me Prodhimin e Brendshëm në atë masë që e financojnë europiano-lindorët…

1

(Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Shtojca: kreu IX, tabela A, f. 327, tërhequr në datë 17.8.16)

Është më e vështirë të mbështesësh këto kritika të drejta me vepra. Apo mos vallë gjyqësori qenka i një rëndësie jetike kur vjen puna për të kritikuar Shqipërinë apo ushtruar presion mbi Deputetët, por cuditërish bie nga pesha kur vjen çështja tek financimi një zëri që për BE-në do humbiste pas presjeve dhjetore?

16. Së paku, a mund të presin shqiptarët që pas miratimit të reformës, të përshpejtohet kalvari i integrimit europian, një shpërblim ky mëse i mjaftueshëm? Ndonëse diçka e tillë u tha hapur, dhe premtime edhe më të forta u lanë të nënkuptoheshin në mënyrë të qartë, nuk duhet harruar që premtime të ngjashme u bënë edhe me rastin e demontimit të armëve kimike siriane në vendin tonë, megjithëse asokohe protestat e gjëra qytetare nuk e mundësuan testimin e vullnetit të mirë të aleatëve tanë. Po tani, do afrohemi pak më shpejt në procesin e integrimit, apo do mbeten këto premtime të parealizuara? Në mos, e do kemi një lehtësim vizash pune për në ShBA? Megjithëse harrova, në nëntor fiton Trampi.

17. Së fundmi, a do mbajë kush përgjegjësi morale nëse kjo reformë nesër nuk jep rezultatet e premtuara, apo dhe më keq, përdoret si armë e pastër politike për të nënshtruar gjyqësorin? Cili nga miqtë që na e shitën do përgjigjen nëse ndodh diçka e tillë, qoftë dhe vetëm duke kërkuar falje me SMS secilit deputet individualisht?

 

Këto janë disa nga pikëpyetjet që mund të shtrohen mbi reformën në drejtësi, e më së shumti mbi qëllimet e mira po jo që qëndrojnë pas saj. Shkaqet e korrupsionit endemik në drejtësi janë të shumta e sistematike dhe vështirë që mund të zgjidhen apo dhe lehtësohem thjesht me ndërrime emrash.

Në praktikë, gjasat janë që në përfundimit të reformës, do kemi një gjyqësor disi më pak të korruptuar por disi më të kontrolluar politikisht. Ndërkohë, mundësitë për të parë ndonjë përfitimin indirekt nga reforma janë tepër të ulëta. Mbetet për tu parë nëse kjo është një marrëveshje që ia vlejti për shqiptarët apo jo, por gjasat janë për një po të matur.