ekonomi

Bashkimi Evropian dhe de-urbanizimi i shqiptarëve

Etjon Basha

Kaq shpesh kemi shkruar në blog kundër BE-së, sa mund të duket se s’ka mbetur shumë për të thënë. Por ja që hyrja (fatmirësisht shumë e vështirë) e Shqipërisë dhe Kosovës në këtë organizatë do kishte një pasojë katastrofike për vendet tona që, me sa di unë, askush nuk e ka analizuar deri tani.

Në thelb të BE-së qëndrojnë dy programe: autarkia dhe mbështetja bujqësore. Vendet e BE-së ndonëse gëzojnë tregti të lirë me njëri-tjetrin vendosin barriera tejet të larta tregtare me botën e jashtme. Nga ana tjetër, programi i mbështetjes së çmimeve të bujqësisë konsumon fonde madhore nga buxheti i BE-së dhe shihet si program kyc i gjithë strukturës.

Tani, ç’do ndodhte nëse nesër Shqipëria dhe Kosova hyjnë në BE?

Përveç…

 

Së pari, importi nga jashtë BE-së do reshte. Së dyti, fermerët shqiptarë do përfitonin nga fondet e majme të BE-së, të cilat një grupi tejet të varfër si fermerëve tanë do t’u ngjanin si fonde të jashtëzakonshme. Duke qenë se thelbi i programit bujqësor në BE është blerja me çmime artificialisht të larta i prodhimit bujqësor “të tepërt” për ta zhdukur nga tregu, oferta e prodhimeve bujqësore do binte dhe çmimet e tyre do rriteshin dukshëm (një efekt i vërtetuar në çdo vend që anëtarësohet në BE).

Po të kombinojmë rritjen e kostos së jetës për banorët e qytetit me rritjen e të ardhurave për fermerin, do kuptojmë që pasoja e hyrjes në BE të Shqipërisë dhe Kosovës mund të jetë vetëm një: de-urbanizmi i shqiptarëve.

Nëse botimi i të dhënave paraprake të Censusit 2011 na dha rast të gëzohemi pasi për herë të parë në histori pjesa më e madhe e Shqiptarëve (53.7%) jetojnë në qytete, me hyrjen në BE vendi ynë do i kthej kohëve ‘të lumtura’ të popullsisë dërmuese që jeton në fshat dhe të emigrimit masiv nga qytetet (kush do jetonte në qytet me çmime stratosferike ushqimore). Situata në Kosovë do ishte po e njëjtë, në mos më e rëndë.

Normalisht nuk do kish asgjë të keqe në një rikthim masiv të shqiptarëve në zonat rurale nëse ky kthim do motivohej nga arsye të shëndosha ekonomike. Por në rastin tonë hipotetik, ky eksod do motivohej nga programet artificiale të BE-së dhe aspak nga tregu i lirë.

Kështu, kushdo është pro hyrjes së Shqipërisë dhe Kosovës në BE, duhet të kuptojë qartë që një gjë e tillë do sillte kolapsin e popullsisë shqiptare dhe de-urbanizimin e saj. Me përjashtim të dy-tri majtistëve “të gjelbër” që tregohen konsekuentë kur kërkojnë më ngulm hyrjen në BE, të gjithë shqiptarët e tjerë që mërziten pa masë çdo vit që republika humb statusin e kandidatit dhe Kosova vijimisht injorohet hapur, duhet të tregohen më largpamës.

Është e vërtetë që muri i fortë i tarifave bujqësore i ka hequr fermerit shqiptar një treg vigan në BE duke i ulur standardin e jetesës disa-fish. Por kalimi nga ana tjetër e murit thjesht do kishte të njëjtin efekt për popullsinë qytetare. Shqipëria dhe Kosova duhet të përqendrohen në arritjen e lëvizjes së lirë me BE-në (dhe, në të ardhmen, të anëtarësimit në Shengen) dhe në krijimin e tregut të përbashkët mes tyre (dhe ndofta dhe më gjerë). Por në asnjë rast nuk duhet harruar që anëtarësimi i plotë do nënkuptonte për shqiptarët po atë strukturë ekonomike që fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore deshën ti impononin Gjermanisë së mundur për ta shpopulluar e dobësuar atë. Po ne, ç’luftë humbën që të shpopullohemi?