Dy fjalë për pasuesit e CEZ-it dhe ACR-së

Etjon Basha

Ta paçim borxh!
Ta paçim borxh!

SHËNIM: Ky postim është shkruar para disa muajsh, kur lajmet e trajtuara qenë ende korrente, dhe vetëm tani po botohet në blog. Me përjashtim të problemeve edhe më serioze të CEZ-it në Bullgari, pak gjë ka ndryshuar nga çasti i shkrimit.

Dy “dështime” të bujshme të strategjisë së privatizimit në Shqipëri janë evidentuar së fundmi.

Së pari vjen rasti i firmës ACR e cila pat përfituar një konçesion për shfrytëzimin e minierës së kromit në Bulqizë, dhe rishtazi e humbi këtë licencë e do zëvendësohet nga një biznesmen i mirënjohur shqiptar. Debati i këtyre ditëve domosdo është sjellë rreth gjendjes së mjeruar në të cilën kjo firmë e ka lënë pasurinë që mori ne shfrytëzim: se si është investuar fare pak në sigurinë e minierës e në përtëritjen e stokut minerar. Dëmi nga kjo mungesë investimesh mund të shkojë deri aty sa të cënojë përjetësisht prodhimin në këtë minierë.

Megjithëqë largimi – me gjithë gjasat i merituar – i ACR-së po mbahet si dështim i turpshëm i privatizimit, ky pretendim është fare qesharak. Në këtë blog kemi diskutuar pareshtur mbi problemin  madh që dhëna me koncesion krijon duke i hequr ‘pronarit’ privat nxitjen për të ruajtur vlerën kapitale të asetit. Madje, që kur po kjo firmë u godit nga një grevë masive e minatorëve kemi shkruar se si kushtet mjerane të punës, që sot dolën tërësisht në dritë, vinin veç si pasojë e mos-privatizimit të vlerës kapitale të minierës, por vetëm të flukseve monetare.

Kështu, dështimi i koncesioneve ka qenë paralajmëruar nga cilido kupton diçka nga ekonomia dhe financa. Jo vetëm që largimi i ACR-së nuk duhet të ndalë hovin privatizuar, por ky hov duhet më së pari të zëvendësojë gjithë kontratat konçesionare ende në fuqi me kontrata ta plota privatizimi. Në të kundërt, do kemi 1000 raste të tilla në vitet e ardhme, dhe të gjitha do i faturohen ‘tregut privat’.

Ligjet e ekonomisë vlejnë edhe për gjermanët
Ligjet e ekonomisë vlejnë edhe për gjermanët

Së dyti, duket që shoqëria publike çeke CEZ që përfitoi asetet e Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare (KESh) gjithashtu do largohet për ti lënë vendin një tjetër operatori. Në këtë rast nuk dua të ndalem mbi arsyet e këtyre zhvillimeve, që duket të jenë kryesisht politike, por në faktin që ky largim i jep përgjigje atyre zërave që e ngrenin CEZ-in në piedestal si kompani publike por financiarisht të suksesshme.

Tashmë, rezultoi që kjo kompani jo vetëm që dështoi turpshëm në përmbushjen e kontratës së saj, i faturoi për vite miliona të pajustifikuara konsumatorëve dhe me çdo gjasa ka cënuar besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë, por zërat cinikë thonë që arsyeja se përse kjo shoqëri publike rezultoi fitimtare e tenderit erdhi thjesht nga manovrat politike të qeverisë Çeke që asokohe kryesonte Këshillin e Ministrave të BE-së. Të kenë mirësinë të pranojnë dështimin e turpshëm të shembullit të tyre të vetëm, këta etatsitët tanë në dy anët ë e kufirit.

Surprizë: ligjet e ekonomisë vlekan dhe për shoqëritë publike
Surprizë: ligjet e ekonomisë vlekan dhe për shoqëritë publike

Veç një fjalë do doja të shtoja për këdo do pasojë CEZ-in (këshillat e mia modeste për qeverinë shqiptare në këtë fushë i kam dhënë tjetërkund: problemi kryesor me të cilin kjo shoqëri do përballet do jetë pjesa e popullsisë që nuk paguan kurrfarë tarife për energjinë. Çdo herë që energjia u hiqet zonave të tëra në Shqipëri, këta zotërinj nuk e kanë për gjë të bllokojnë rrugët kombëtare, dalin në protesta të dhunshme e dëmtojnë pronën e shpërndarësit energjitik, madje duke cënuar dhe të punësuarit e KESh-it.

Ndonëse këtë ves nuk e paskemi veç ne…
Ndonëse këtë ves nuk e paskemi veç ne…

Ndonëse kjo situatë është skandaloze, të mos gënjejë veten pasuesi i CEZ-it që qeveria shqiptare do ketë vullnetin apo fuqinë për ti bërë ballë presionit të një publiku të gjerë që pretendon të përfitojë rrymë pa paguar, si një të drejtë që nga lindja. Gabimi në ketë situatë është bërë nga regjimi socialist i cili i mësoi shqiptarët se rryma na qenka e drejtë dhe jo shërbim si gjithë të tjerët, pra që duhet paguar (ndonëse me standardet e kohës, rryma ishte shërbim si të gjithë të tjerët, pra ‘falas’). Sigurisht që faturën e paguajnë ose abonentët korrektë, të cilëve u takon ta paguajnë më shtrenjtë energjinë e përdorur, ose taksapaguesit që duhet të rimbursojnë KESh-in për humbjet.

Pasuesi i CEZ-it do duhet të hartojë një plan vetjak masash për të zgjidhur këtë situatë, dhe zgjidhja nuk mund të jetë veçse graduale, madje e frymëzuar nga taktikat më efektive të vetë etatizmit ndër vite. Le të nisë tu heqë rrymën për jo më shumë se një orë në ditë abonentëve që nuk paguajnë.  Efekti maksimal do krijohej nëse orari i mungesës së rrymës do ishte i paparashikueshëm dhe rastësor, por jo më shumë se një orë. Pas një farë kohe, le të shtohet një orë tjetër terri, e më pas një tjetër.

Kështu, brenda disa viteve, por në çdo rast jo më pak se dhjetë, abonentët që nuk paguajnë nuk do përfitojnë më rrymë. Dhe nëse rezultati normalisht do qenë protestat e dhunshme, marrja graduale  e këtyre masave do i shmangte këto ndërlikime. Një gjë është të përleshesh me policinë pasi të hiqet rryma përgjithmonë, e tjetër gjë është të shkosh në burg për një orë pa drita.

Nëse afat dhjetë-vjeçar mund të duket i gjatë, duhet kuptuar që alternativë tjetër realiste për zgjidhjen e këtij problemi nuk ka. Sikur masa të tilla të qenë marrë në kapërcyell të mijëvjeçarit, sot nuk do vuanim më nga ky problem madhor.

Zgjidhja optimale do vinte sikur klauzola të tilla të përfshiheshin në kontratën e re të shitjes, në mënyrë që çdo blerës (ose grup syresh) të mund ta gjykonte ftohtë çmimin që do qe i gatshëm të paguante për të marrë përsipër KESh-in, me asetet dhe detyrimet  e tij reale.

Dhe sigurisht, mjaft më me kompani publike e burokrate që nuk dinë të menaxhojnë kontrata të thjeshta, e jo më një klientelë agresive dhe jo rrallëherë të dhunshme.

2 thoughts on “Dy fjalë për pasuesit e CEZ-it dhe ACR-së

    1. Faleminderit Bardhyl,

      Qëllimi i metodës së ndërprejes graduale është edhe minimizimi i nevojës për ndërhyrjen e policisë në rastet e mospagesës. Sigurisht që nëse, edhe pas ndjekjes së kësaj strategjie, zona të tëra sërish do ngrihen në protesta të dhunshme (çka nuk e besoj, por le të supozojmë), duke cënuar pronën dhe shëndetin e të tjerëve, atëherë unë personalisht do isha shumë pro ndërhyrjes energjike të policisë.

Leave a Reply