ekonomi

Marshimi i pandalshëm drejt korporatizmit

Etjon Basha

Shqiptarët po marshojnë me hap të pandalshëm drejt korporatizmit. Një seri faktorësh, të brendshëm e të jashtëm, po ndikojnë që  ekonomitë tona të rendin drejt këtij sistemi, të cilin majtistët nëpër botë e quajnë gabimisht ‘kapitalizëm’. Ç’është ky sistem ekonomik, dhe cilët janë këta faktorë që po e bëjnë përditë e më të pashmangshëm adoptimin e tij në Shqipëri dhe Kosovë?

Dy fjalë mbi korporatizmin

Korporatizmi është versioni modern i sistemit ekonomik të mesjetës së vonë, merkantilizmit. Në pak fjalë, në një ekonomi korporatiste roli direkt i shtetit në ekonomi është i vogël dhe tregu në dukje i lirë, por një mori rregullimesh dhe kërkesash për liçensim, sistemi tatimor dhe mbi të gjitha kontrolli i rreptë i importeve sigurojnë që pak biznese të mëdha të rriten fiktivisht duke nxjerrë jashtë tregut konkurrentët më të vegjël dhe normalisht më efiçentë. Shkurt, një sistem ku shteti përdor fuqinë e tij për të siguruar kontrollin e tregut nga pak biznese të privilegjuara të cilat përfitojnë nga çmime monopolistike.

Por si ka mundësi që Shqipëria dhe Kosova po  na u bëkan korporatiste kur përditë dëgjojmë kritika ndaj biznesit dhe kërkesa për ndërhyrje shtetërore në ekonomi? Sigurisht, në Shqipëri opozita aktuale e përdor ngritjen e një sistemi ‘klientelist’ si akuzën themelore ndaj qeverisë, kështu që një ndryshim qeverie nesër do ta ndalë evoluimin e ekonomisë sonë drejt korporatizmit. Apo jo?

Analiza e katër faktorëve do na mjaftojë për të kuptuar që korporatizmi, ndonëse i urryer na parim nga të gjithë, do jetë destinacioni final ku mendësia aktuale e shqiptarëve po na dërgon, pavarësisht qeverive që do ndjekin njëra-tjetrën.

Faktori i parë: mendësia e përgjithshme.

Gjithkush që vendos të ndjekë për pak minuta një edicion lajmesh apo monologun e ndonjë analisti, ose të lexojë një editorial në shtyp apo një opinion në rrjet do kuptojë që shqiptarët janë mjaft etatistë. Për çdo problem, qoftë i vërtetë apo i përfytyruar, i sotëm apo i nesërm, opinioni i përgjithshëm kërkon veç ndërhyrjen energjike të shtetit. Çmimet po rriten? Të ndërhyjë shteti! Qytetet po “betonizohen”? Të ndërhyjë shteti! Ushqimet do na helmojnë dhe spitalet janë në gjendje të mjeruar? Shteti ku është!

Është pikërisht kjo mendësi që do i lejojë Shetet Shqiptare të imponojnë korporatizmin. Ndonëse në naivitetin e tyre, etatistët tanë përfytyrojnë se duke e mbytur tregun me rregullacione, liçensa, tatime e të tjera si këto, do përmirësojnë gjendjen e “njeriut të thjeshtë”, këto bëma thjesht do eliminojnë konkurrencën nga shoqëritë e vogla duke lënë në këmbë vetëm kartele në çdo fushë.

Ironiksiht pra, pikërisht masat që kërkohen të merren si kundërpeshë ndaj ‘monopoleve’, reale apo të përfytyruara, do lejojnë monopolizimin e tregut në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe sa më shumë nga këto masa të zbatohen, aq më i dukshëm do behet ky kartelizim, duke rritur edhe më shumë kërkesat për rregullime të mëtejshme, çka sërish do nxitojë ritmin e mbylljes të tregut, e kështu në vijim derisa një ditë shqiptarët do zgjohen në një treg që vetëm treg nuk është, por një pazar politik mes qeverisë dhe tri-katër shoqërive të stërmëdha, me gjithë gjasat ndërkombëtare, që diktojnë jetën e gjithsekujt.

Ky proces është vetë-ushqyes edhe në një këndvështrim tjetër: Fridrih Hajek, ekonomisti i shquar i traditës austriake, ka vënë me kohë në dukje që mendësia etatsite në përgjithësi e ka shumë më të lehtë të përhapet mes forcës punëtore, disi e izoluar nga tregu dhe mekanizmat e tij, sesa mes pronarëve të vegjël që përballen përditë me mekanizmin e kërkesë-ofertës dhe kuptojnë instinktivisht që ky mekanizëm funksionon shumë më mirë se ndërhyrja shtetërore.  Kështu, sa më shumë të kartelizohet tregu ynë, aq më shumë biznese të vogla do falimentojnë nën trysninë e rregullimit dhe tatimeve bizantine, dhe aq më shumë pronarë të vegjël do kthen ne punëtorë me pagesë në ndonjë shoqëri të madhe, ku tregu nuk duket as me dylbi. Kështu, mendësia etatiste do rritet në vijim.

Faktori i dytë: ringritja e sindikalizmit.

Kemi vënë dukje më parë që, sot për sot, sindikalizmi duket të jetë i dobët në Shqipëri dhe disi më i fortë në Kosovë. Nëse sindikatat shqiptare në të dy anët e kufirit do fuqizohen në të ardhmen, dhe gjasat janë që do fuqizohen, nuk do kalojë shumë kohë para se ato të kuptojnë që tregu i kartelizuar është i vetmi mjedis në të cilin sindikalizmi (siç e njohim ne) mund të mbijetojë. Ky proces është vërtetuar në çdo vend perëndimor: sindikatat janë mbrojtësit më të mëdha të biznesit të madh, me menaxhimin e të cilit zihen herë pas herë për detaje pagash. I madhi Ludvig von Mises ka vënë në dukej që, në fund të fundit, vetëm në shoqëri që gëzon fitime mbi-normale nga çmimet monopolistike mund ti lejojë vetës të paguajë rrogat mbi-normale që kërkojnë sindikalistët. Mes sindikatave dhe biznesit të madh s’mund të ketë veç një aleance të ngushtë.

Faktori i tretë: mendësia e elitës

Takohemi sërish!

Mendësia e elitës sonë të dashur (kupto: pjesës më të pasur të shoqërisë) gjithashtu do nxisë adoptimin e sindikalizmit në disa mënyra.

Së pari, kam diskutuar më parë që në kuadër të mendësisë së përgjithshme antikapitaliste të shqiptareve, biznesi sot po vihet para zgjedhjes mes nënshtrimin ndaj diktateve të shtetit, të kërkuara me të madhe nga turmat, dhe shfrytëzimit të injorancës ekonomike të publikut të gjerë për tu pasuruar më tej. Shkurt, biznesi do detyrohet nga mendësia përgjithshme, të kartelizojë tregun ose të zhduket. Ç’rrugë do zgjidhnit ju?

Së dyti, dhe duke iu drejtuar sërish Misesit, është e kuptueshme që frika më e madhe e dikujt që ka akumuluar pasuri të madhe është humbja e saj.

Apo jo, Palpatin?

Në këtë pikë tregu i lirë është i pamëshirshëm: nuk ka rëndësi se sa i aftë ka qenë një sipërmarrës në të shkuarën. Nëse ai nuk i shërben vijimisht publikut me çmime të ulëta dhe cilësi të lartë, falimenton. Kështu, instinkti i parë i klasës së lartë të çdo shoqërie është që, pasi ka arritur të pasurohet vetë, të përpiqet të mbysë tregun e lirë për të mos lejuar të tjerë të pasurohen. Kështu, elita e sotme do mbetet e tillë edhe nesër, pa u përpjekur fare të kënaqë nevojat e publikut.

Së treti, duket se brezi i dytë i elitës sonë të nderuar vuan nga një kompleks i çuditshëm (ose ndofta jo dhe aq i çuditshëm): frika nga tregu. Po të interesoheni nëpër shoqëri të mëdha, kryesisht financiare, në Tiranë do vini re që punonjësit e rinj vijnë jo rrallë nga familje biznesmenësh. Përse vallë pranojnë të punojnë nën hierarkinë e rreptë të dhe rrogat relativisht të ulëta që ofron një biznes i madh kur mund të punësohen pa problem në bizneset e tyre familjare? Fundja, Mercedesat e parkuara poshtë bankës nuk janë blerë me pagat e kashierit!

Paga e trembëdhjetë, pa dyshim

E vërteta e hidhur duket të jetë që brezi i dytë i elitës  dhe klasës sonë të mesme nuk ka kurrfarë interesi të punojë në tregun e lirë, por parapëlqen punë të rehatshme, ndonëse mekanike dhe të pak-paguara, në organizata hierarkike ku kurrë nuk do kërkohet të marrë ndonjë vendim të vështirë apo mbajë përgjegjësi financiare për gabimet e tij. Shkurt, duket se ky brez i dytë ka zgjedhur rehatinë dhe sigurinë mbi mirëqenien që mund të ofrojë tregu. Kjo klasë do jetë nesër, kur të ketë ndonjë gjë në dorë, sponsori më i fuqishëm i shoqërive të stërmëdha.

Faktori i katërt: situata ndërkombëtare

Së fundmi, edhe nëse asnjëri prej këtyre faktorëve të mos ndikonte, thjesht dhe vetëm situata ndërkombëtare në pjesën tonë të botës do e bënte tejet të vështirë për Shqipërinë dhe Kosovën që ti shpëtonin korporatizmit.

Sot për sot gjithë fuqitë e mëdha janë ose korporatiste ose duke evoluar drejt këtij sistemi. Bashkimi Evropian, i cili gëzon prestigj të pamatë ndër shqiptarë, është ndër fuqitë që përpiqet më fort për kartelizuar tregun e saj vigan. I vetmi interes që kjo organizatë ka ndaj shqiptareve ka të bëjë me përfshirjen e tyre në këtë treg të kontrolluar nga pak firma të stërmëdha. Kështu, Shqiptarët janë vënë para një zgjedhjeje të vështirë: izolimi ekonomik ose kthimi në koloni të firmave sklerotike evropiane (dhe shpopullimi i vendit).

Edhe nëse fuqi të tjera rajonale në ngritje mund të tregojnë interes për Shqipërinë, Kosovën dhe Iliridën (dukshëm Turqia), kjo sërish mbetet në kuadrin e zgjerimit të tregjeve të kartelizuara për përfitimin e firmave vigane, jo të tregtisë së lirë. Shkurt, ngritja e një tregu realisht të lirë në Shqipëri dhe Kosovë do ndeshte me rezistencën e fortë të dy fuqive rajonale. Sa mund ti bënin ballë shqiptarët e varfër një presioni të tillë?

Patjetër!

Ç’premton e ardhmja?

Kështu, një shumësi faktorësh po krijojnë kushtet në të cilat tregu shqiptar do evoluojë, herët a vonë, drejt korporatizmit. Ç’mund të presim nga një ekonomi e tillë?

Duhet pranuar që, ndonëse shumë inferior ndaj tregut të lirë, korporatizmi është pa dyshim forma më efektive e etatizmit. Nuk është rastësi që ndërsa socializmi i pastër është zhdukur tashmë, korporatizmi jo vetëm që ende mbijeton, por është sistemi dominant ekonomik, si në Perëndim ashtu dhe në Lindjen që po pasurohet.

Në fakt, sado që tregu tkurret dhe llogaritja ekonomike bëhet tejet e vështirë, sërish lënia nën kontroll e ekonomisë disa firmave që së paku përpiqen të dalin me fitim, na siguron një ekonomi shumë më racionale se ajo  ku shteti luan rolin kryesor. Fundja Japonia, modeli kororatist par excellence, mbetet edhe sot ndër vendet më të pasura në botë, megjith dy dekadave të humbura gjatë të cilave qeveri të ndryshme kanë eksperimentuar me politika që do kishin shkatërruar shumë ekonomi të tjera.

Ndofta nuk është sa Elbasani, por sidoqoftë Tokioja mbetet qytezë simpatike

Shqiptarët mund dhe do pasurohen edhe nën një sistem korporatist. Ndonëse jo aq shpejt sa nën një treg të lirë, edhe tregu i kartelizuar do mbyllë gradualisht humnerën ekonomike që egziston mes Shteteve Shqiptare dhe Perëndimit.

Madje parimisht Shqipëria dhe Kosova do mund ti lejojnë vetes të transferojnë shumë nga detyrimet e tyre ‘sociale’ tek kartelet që do krijohen, duke shmangur fryrjen e borxhit të vërejtur në gjithë Evropën.

Problemi afat-mesëm do jetë që një ekonomi e tillë do ketë vend për shumë pak punëtorë. Papunësia (ajo reale) në Shqipëri e Kosovë do rritet dhe shtresa e re e të papunëve do mund të kthehet në shqetësim për rendin publik. Në kohë popullsia do nisi të bjerë, duke i vendosur shqiptarët para zgjedhjes së dhimbshme mes një popullsie në zhdukje dhe imigrimit masiv nga kultura të huaja.

Së fundmi, sa më shumë të përparojë kartelizimi i tregut, aq më shumë do ngadalësohet rritja, bjerë popullsia dhe nxitet mendësia anti-kapitaliste. Dita to vijë, herët ose vonë, kur ky sistem do shkatërrohet duke i lënë vendin, me gjithë gjasat, një revolucioni socialist nga masat që do i hedhin fajin tregut inegzistent për mangësitë e karteleve. Por ajo ditë është ende larg. Sot për sot, shqiptarët mund të shohin me besim drejt dekadash rritjeje të butë.

Në praktikë, rritmi i korporatizimit do ndikohet fuqishëm nga statusi i Shteteve Shqiptare në të ardhmen: a do përfshihen Shqipëria dhe Kosova në BE? Do përfshihen në një traktat tregtar të sponsorizuar nga Turqia? Apo do mbeten, ndofta në formën e një Beneluksi Ballkanik, si një treg i ndërmjetëm mes këtyre dy fuqive? Në këtë rast të fundit, shkalla e kartelizimit do jetë shumë më e moderuar, dhe pasojat negative do kërkojnë shumë më tepër kohë për tu shfaqur.

Më tej, një bashkim i plotë politik i gjithë Shqiptarëve do i japë shtysë ta madhe procesit, ndërkohë që ruajtja e qeverive të ndara mes Kosovës, Shqipërisë, nesër Ilridës  do e ngadalësonte dukshëm procesin. Sigurisht, kantonizimi i Hapësirës Shqiptare do e ndalte tërësisht proçesin, por gjasat që një mrekulli e tillë të ndodhë janë minimale.

Përfundim

Si përfundim, mund të themi që, po të mbajmë parasysh etatizmin e shqiptarëve, që e bën ruajtën e një tregu të lirë shumë të vështirë, korporatizmi është e keqja e vogël. Në retrospektivë, mund të kuptojmë që Shqipëria humbi gjasat për tu zhvilluar drejt një tregu tërësisht të lirë me ngjarjet e ’97-ës (nuk mund të jemi kaq të sigurt edhe për Kosovën). Në këto kushte, është ndofta fat i madh që rrethana historike po na shtyjnë në drejtimin e tregut të kartelizuar, e jo në një përsëritje më të zbutur të modelit socialist. Që tregu i lirë sërish nuk do ketë shans të funksionojë është për të ardhur keq, por mund të themi me plot gojën që e ardhmja mund të ishte shumë më e zymtë se kaq.