Mesazhi i fshehur i 100-vjetorit

Bardhyl Salihu

“Patriotizmi i vërtetë nënkupton dëshirën për ta kundërshtuar shtetin kur e ka gabim.”

Ron Paul

“Detyra e patriotit është ta mbrojë vendin e tij nga shteti i tij.”

Thomas Paine

Nxitja prapa luftës shekullore kundër pushtuesve osmanë ishte mendimi që shtypja e lirive dhe varfërimi ekonomik janë rezultat i faktit që osmanët e jo shqiptarët janë në krye të shtetit. Prandaj, me largimin e osmanëve e me vendosjen e shqiptarëve në krye të shtetit, pritej që liritë individuale të mos cenoheshin më si dhe të fillonte ringjallja ekonomike.

Por, pavarsia erdhi më 1912 dhe përkundër përmirësimeve atykëtu problemet nuk u larguan pasi që shqiptarët ende shtypeshin nga shteti i tyre dhe ende ishin të varfër. Shkrimtari Petro Marko shkruan në autobiografinë e tij Intervistë me vetveten për shkeljet e lirive civile gjatë periudhës së Ahmet Zogut kurse pëkundër investimeve infrastrukturore (të financuara nga qeveria italiane për ta ruajtur ndikimin e saj mbi Zogun) mirëqenia e shqiptarit të rëndomtë nuk i rrit. Pas Zogut erdhi njëra prej periudhave më të tmerrshme për popullin shqiptar dhe të tjerat janë, siç thonë, histori.

Odiesajda për pavarsi me motiv nacionalist—vetëm zëvendëso kombësinë e atyre që udhëheqin shtetin—u tregua që është fare e pamjaftueshme për të garantuar që ai shtet nuk do të jetë më shtypës i lirive dhe varfërues ekonomik.

E njejta nxitje shërbeu edhe me luftën e Kosovës për çlirim kundër pushtuesve serbë. Prapa saj qëndronte mendimi se problemi është tek fakti që serbët e jo shqiptarët janë në krye të shtetit, dhe me vendosjen e shqiptarëve gjithcka do të zgjidhej.

Por, Kosova u çlirua nga serbët më 1999 dhe pastaj u “pavarsua” më 2008, e problemet nuk u larguan. Shqiptarët e Kosovës ende shtypen dhe varfërohen nga shteti i Kosovës. Edhe këtu, historia e përsëriti vetveten.

Para një viti, duke festuar 99-vjetorin e Pavarsisë me shpresë që gjërat do të përmirësoheshin, kisha shkruar, “Është shokuese se sa shumë ngjashmëri ka në mes shtypjes shekullore otomane dhe shtypjes moderne nga qeveritë e tanishme [të Shqipërisë dhe Kosovës]. Duke e zëvendësuar shtetin otoman me atë shqiptar, ne nuk e kemi zëvendësuar problemin me zgjidhjen. Ne vetëm e kemi ndryshuar llojin e shtypjes dhe i kemi dhënë ngjyrim kuq e zi. Madje, plaçkitja nga bashkëkombësi nuk është as ngushëlluese; është edhe më e vështirë për t’u gëlltitur.”

Mesazhi i fshehur i 100-vjetorit, pra, është që zëvendësimi i pushtuesve me ata të cilët e ndanë kombësinë nuk është fare garancë e mbrojtjes nga shtypja e lirive si dhe nga varfërimi ekonomik. Mesazhi i fshehur është që problemi nuk qëndron tek kombësia, por tek vetë shteti si institucion.

Shteti është ai i cili i shtypë të drejtat individuale nëpërmes dhunës që e ushtron ndaj shqiptarëve duke i taksuar (plaçkitur) ata; duke i rrahur me polici; duke dështuar t’i ofroj siguri nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme; duke i lënë të izoluar pa mundësi për të lëvizur jashtë vendit; e duke i përgjuar, shantazhuar, e kërcënuar kur paraqesin rrezik apo mbrohen nga aktivitetet kriminale të tij.

Shteti është gjithashtu ai i cili e pengon zhvillimin ekonomik duke penguar vazhdimisht investitorët e huaj te cilët janë shpresa e vetme për gjenerimin e kapitalit dhe sjelljen e njohurisë profesionale; duke vënë taksa të larta në krahasim me pasurinë e qytetarëve nga të cilët i merr ato (më të varfrit në Evropë); duke aplikuar TVSH-në e cila është praktikisht taksë e shitjes dhe pasoja afatgjate e së cilës (përveç rritjes së çmimeve) është zvogëlimi i pagave reale; duke i dhënë privilegje monopoliste disa prodhuesve në dëm të konkurrencës e si rezultat në dëm të konsumatorëve; duke e bërë të vështirë hapjen e bizneseve të reja dhe menaxhimin efikas të atyre ekzistente për shkak të barrierave administrative për ambientin biznesor; duke kundërmuar nga korrupsioni i cili synon të zhvatë çdo para publike të vjedhur nga taksapaguesit; duke shpërndarë subvencione për grupet e ngushta të interesit si dhe për ndërmarrjet publike të cilat vazhdimisht dështojnë t’i ofrojnë edhe shërbimet më elementare (si rrymën, ujin, transportin, mbledhjen e mbeturinave, e madje edhe sigurinë) kurse janë shëndrruar në qendra nepotizmi të paguara shumëfish mbi pagën mesatare, e kështu me radhë.

Ashtu siç kërkuan shqiptarët të çliroheshin nga pushtuesit, ashtu duhet të kërkojnë të çlirohen edhe nga shteti i tyre. I njëjti parim vlenë: nëse shtypja e lirive dhe varfërimi ekonomik është i padëshiruar nën osmanë e serbë, ai ështët i padëshiruar edhe nën shqiptarë.

Pra, në vend se simbolika e 100-vjetorit të shihet si thirrje për më shumë nacionalizëm, ajo në fakt është thirrje për më shumë pavarsi individuale nga shteti—duke e reduktuar ndikimin e tij në jetën si dhe ekonominë e shqiptarit i cili nën 3 flamuj të ndryshëm po vuan fatin e njejtë.

3 thoughts on “Mesazhi i fshehur i 100-vjetorit

  1. Me duken shume interesante shkrimet tuaja , por???? duhet jo vetem te leshoni bomben antishtet por te propozoni zgjidhje dhe platforma per menyren se si do te jetoje shoqeria pa kete shtet qe ju e mendoni se nuk duhet te jete.Pra duhet nje zgjidhje e ndryshme nga ajo qe shoqeria njerezore ka qe nga sklavopronaria e deri tek shtetin sot.Paraqiteni platformen tuaj dhe ndoshta keni te drejte ;besoj kuptohet qe kjo ehte nje pergjegjesi shume e madhe dhe nuk mund te paraqitet dhe as te mbrohet nga disa njerez ,qofte edhe grupe njerezish

  2. Bardhok,

    faleminderit per komentin tuaj. Ne kete shkrim nuk kam propozuar qe nuk duhet te kete shtet prandaj edhe nuk kam shkruar per alternativen e nje shoqerie pa te (nese ke interes, For a New Liberty nga Murray Rothbard, The Machinery of Freedom nga David Friedman, si dhe The Market For Liberty nga Linda the Morris Tannehill [te gjitha online pa pagese] jane pershkrime te mira te nje shoqerie alternative me te cilat pajtohem pergjithesisht).

    Ketu thjeshte kam thene qe mesazhi i fshehur i 100-vjetorit nuk eshte liria nga nje shtet i huaj e pastaj varferimi nga shteti yt, por liria absolute nga cdo shtet, pa marre parasysh i kujte eshte. Ne ketu ne Kosove deri sa “pavarsia” u formalizua ne vitin 2008 gjithmone e kemi vene fajin tek okupimi serb per problemet tona ekonomike, por tani qe shqiptaret jane pothuajse plotesisht ne kontroll te shtetit situata nuk eshte permiresuar pothuajse fare. Prandaj mesazhi: liri nga cdo shtet. Ne shkrimet e kaluara kemi dhene alternativa se si tregu i ka mekanizmat e tij per te krijuar mireqenie.

Leave a Reply